Enigma e pa zbuluar e shpirtit

Kultura

Enigma e pa zbuluar e shpirtit

Nga: Merxhan Jakupi Më: 12 korrik 2022 Në ora: 16:12
Merxhan Jakupi

Shumë poetë e romancierë kanë shkruar për dashurinë si fenomen dhe për çiftet e dashuruar, si bie fjala për Romeon dhe Zhulietën, Lejlën dhe Mexhnunin e të tjerë. Ndryshe nga romanca, estetika e arti, poetët dhe romancierët shpesh nuk e kanë zbuluar thellësinë e shpirtit të personazheve që kanë qenë të dashuruar. Zigmund Frojdi thotë se dashuria e çifteve është sikur Kulla Eifel në Paris, që nga larg duket shumë atraktive dhe e bukur për sy, madje shikuar edhe nga lartësia, ndërsa kur të afrohesh, do të shohësh hekurat e ndryshkur. Ky imazh është i ngulitur thellë te romancierët dhe poetët. Romancierët shkruajnë për dashurinë, ndërsa poetët shkruajnë poezi për dashurinë, por ata nuk e zbulojnë deri në fund enigmën dhe misterin e shpirtit. Ata nuk depërtojnë në thellësi, në aspektin psiko-analitik, antropologjik e sociologjik.

Filozofi dhe mistiku, Hindu Osho, shkruan se dashuria e parë është si hekuri me magnetin, është magjepsëse dhe përngjet një jete sikur në ekstazë dhe trans. Kjo dashuri e zjarrtë dhe platonike vazhdon nga distanca. Sa më e madhe të jetë distanca, aq më e flaktë është dashuria dhe tërheqja e çifteve. Ata kur fillojnë t'i afrohen njeri-tjetrit, nga pak edhe dashuria po shuhet. Ata nuk janë të vetëdijshëm për të ardhmen që nuk e njohin, për përplasjet, karakteret, dhimbjet e vuajtjet. Kur këto çifte bashkohen, në kulmin e baticave dhe zbaticave, humbin dashurinë. Mistiku Hindu Osho shkruan se dashuria e sinqertë, e lumturuar, magjepsëse ndodh kur të dy shpirtrat shkrihen dhe bëhen një, shndërrohen në dashuri platonike, që nuk shuhet deri në vdekje, sidomos për çiftet që nuk janë bashkuar apo nuk janë martuar, për të cilët kanë shkruar romancierët, si për personazhet që u përmendën më sipër, Romeo dhe Zhulieta apo Lejla dhe Mexhnuni, të cilët nuk patën fatin të bashkohen.

MARTESAT DHE MISTERET E PAZBULUARA

Në Greqinë e lashtë, një stoik kishte thënë se kur e kishte mbërthyer pleqëria, atëherë e kishte kuptuar se ç'është martesa. Shumica e martesave kishin mbetur enigmë. Çiftet kalonin tërë jetën pa e njohur mirë njëri-tjetrin. Burri mendon se e njeh gruan, ndërsa gruaja po ashtu mendon se e njeh burrin, por në fakt asnjëri s'e kishte njohur njëri-tjetrin deri në vdekje. Të gjitha konfliktet e çifteve burojnë nga mos njohja e njëri-tjetrit. Ata mbeten të pandryshuar që nga dita e parë e martesës e deri në pleqëri, ndonëse jetonin bashkë, por sikur të ishin të huaj. Konfliktet fillojnë nga gjërat e imëta. Njëra palë do të jetë dominuese, tutore, autoritare dhe nuk pranon kritika, duke ia hedhur fajin tjetrës.

* * *

Psiko-analisti Alfred Adler shkruan se njerëzit më të lumtur janë ata që kanë pasur një martesë të lumtur, por martesa të tilla ka shumë rrallë. Kjo vjen shkaku se një numër i martesave nuk lidhet nga dashuria. Lumturia në jetën bashkëshortore është se të dy gjinitë janë si dy pole të ndryshme të globit, me shumë divergjenca. Ndonëse ata flasin të njëjtën gjuhë, nuk mund ta kuptojnë njëri-tjetrin. Burrat nga natyra janë më të ashpër. Ata kanë një vizion. Interesi i burrit është që të fitojë, të bëjë karrierë dhe të ketë pushtet, është më autoritar, materialist. Këto tipare s'mund t'i pranojë gruaja, sikundër që i duken të kota edhe burrit, cilësitë e gruas.

PËRPLASJET E DY BOTËVE TË PANJOHURA

Në epokat e kaluara ka dominuar bota patriarkale, ndërsa bota matriarkate ka qenë e shtypur, sidomos në Azi, Afrikë dhe shtetet e botës së tretë, ku femrat janë diskriminuar dhe janë shfrytëzuar si objekt pune dhe kënaqësie, që është baras me një sjellje perverse dhe sadizmi. Ndonëse shoqëria matriarkate është e diskriminuar, megjithatë në gjithë historinë e njerëzimit, femrat i kanë magjepsur dhe gjunjëzuar meshkujt. Shumë historianë, romancierë kanë shkruar se burri mund të jetë luan jashtë, por para gruas është treguar si lepur. Shumë personalitete, figura e mbretër janë gjunjëzuar para grave të tyre. Napolon Bonaparti shkruan në biografinë e tij se kur kthehej në pallatin e tij, pas fitoreve të mëdha në fronte, ashtu i lodhur, para gruas së tij belbëzonte. Po ashtu, Napoloni II që ishte martuar me princeshën spanjolle, në një darkë pompoze gruaja e tij ia hedh në fytyrë gotën mbushur me verë. Ai nuk reagoi, por e fshiu fytyrën pa e qortuar gruan, madje, përkundrazi, i tha që ajo ishte nënë e tre fëmijëve të tij, qenieve më të dashura. Abraham Linkoln, një ish president i SHBA-së, kishte pasur një histori të trishtë me gruan. Ai kur kthehej nga takimet dhe bisedat në Senat, bashkëshortja e tij e gjuante me çka të mbërrijë, ndërsa Abraham jo që nuk thoshte gjë, por edhe gjunjëzohej para saj. Por ka pasur mbretër dhe burra shteti që kanë qenë të lumtur në martesë dhe gratë e tyre kanë kontribuuar në arritjen e sukseseve të tyre.

Çiftet që kanë pasur martesë të lumtur deri në vdekje, kanë qenë në dashuri të thellë. Ata kanë zbuluar hapësira të reja, duke depërtuar edhe më thellë në fshehtësitë e shpirtit të gruas. Madje, me sukses i kanë tejkaluar të gjitha sfidat dhe kanë thyer të gjitha barrierat. Ata nuk i ka ndarë xhelozia, sëmundja apo varfëria, madje po qe se mbetej njëri prej tyre në karrocë, pa lëvizur, ata nuk janë ndarë dhe kanë bashkëjetuar, duke i ndihmuar njëri-tjetrit dhe dashuria e tyre nuk është shuar. Edhe atëherë kur vjen pleqëria, ata edhe më shumë afrohen dhe nuk heqin dorë nga dashuria. Po qe se njëri prej tyre vdiste, për tjetrin kjo ishte përmbysje e madhe, humbje, jetë pa diell, pa ajër dhe pa ujë. Disa sish, madje, që kanë qenë të lidhur shpirtërisht, nuk kanë dashur të jetojnë më tej, ashtu të vetmuar. Shumica vdesin shumë shpejt pas vdekjes së partnerit. Këto çifte kanë njohur botën e brendshme të njëri-tjetrit, i kanë ndarë bashkërisht hidhërimet, vuajtjet, dhimbjet, tragjeditë, por edhe lumturinë dhe dashurinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat