Në art durimi është dhunti

Kultura

Në art durimi është dhunti

Nga: Bujar Salihu Më: 13 korrik 2022 Në ora: 14:14
Bujar Salihu

Pyetjes suaj do përpiqem t ’i përgjigjem sa më shkurt, por kam bindjen se është paksa e vështirë të përmblidhen me dy-tri fjali, aq më shumë që edhe pyetja si e tillë është shumë provokuese dhe frymëzuese njëkohësisht.

Nëse më lejohet fillimisht doja të thoja diçka për frymëzimin, edhe si bukuri, si magji e si virtyt. Kam bindjen se frymëzimi është padyshim gjëja më e bukur që mund ta pushtoj një krijues, ani se frymëzimi është çast, vjen e shkon, shkon e vjen pa një mundësi të artë ta mbash «peng» e të nënshtruar, sepse, ai, si i tillë, ka trajektoren e vet të fluturimit.

Po jetojmë në një kohë të vështirë për letërsinë përgjithësisht dhe shpesh rrethanat në të cilat jetojmë dinë të na e pushkatojnë pamëshirë frymëzimin tonë, në këtë «dyluftim» kam bindjen se ne shpesh shkruajmë edhe për inat të këtij realiteti.

Janë disa faktor, që e bëjnë të vështirë procesin krijues sot dhe plotë sfida të tjera që bëjnë të na ik frymëzimi, si thonë, pa shenjë, pa i përjashtuar këtu edhe disa dukuri të tjera, që nuk do i zëmë në gojë, sepse nuk e di ku mund të përfundojmë...

Nejse, t’i kthehemi frymëzimit, frymë(zënjes), këtij procesi (do më pëlqente të thoja të përkryer) sa sublim, sa e sa magjik e kur e kur edhe tmerrues.

Unë me librin tim të radhës po provoj të bëjë më të mirën, dhe në këtë plan jam i prirë që të mos bëjë as më të voglin kompromis. Nuk jam nga ata që suksesin e mat me libra të botuar, përkundrazi mendoj se librat e shumtë mund të bëhen barrë e rënd për një krijues. Figurativisht frymëzimin e shohë si një pemë, frytet e së cilës nuk piqen në çdo stinë, liria për të shkruar i pafrymëzuar apo vetëm sa për të shkruar vret. Në art durimi ashtu si edhe fluturimin janë gjithashtu dhunti gati të barabarta.

Atë që kam bërë me librin e fundit po provoj ta bëjë edhe me librin e radhës; të mos botoj nxitimthi. Ka disa muaj që kam shkruar një grusht poezish dhe atyre po ju kthehem si sistematikisht, duke punuar me përkushtimin më të madh. Procesi krijues jo vetëm se është i vështirë, por ai është edhe i dhimbshëm. Nobelistja polake, Szymborska, thoshte se pjesa më e madhe e krijimtarisë sime përfundon në koshin e letrave. Është mirë të mësojmë nga kjo, sepse jo të gjitha copëzat, idetë e frymëzimet meritojnë të botohen. Me këtë ritëm më duhen edhe disa vjet për të shkruar librin e radhës, por që besoj fuqishëm se artistikisht duhet të kaloj librin pararendës, dhe se në krejt librat që kam botuar, por edhe në ata që do mund t’i botoj në të ardhmen do jem shumë i lumtur nëse prej tyre nja 5-6 poezi do mund tçi rezistonin kohës dhe të mund të jetonin së paku edhe disa vjet më shumë se unë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat