Një udhëtim i qejfprishur

Kultura

Një udhëtim i qejfprishur

Nga: Bajram Sefaj Më: 14 korrik 2022 Në ora: 18:51
Bajram Sefaj

Porsi Kanga e zogut t’verës,

Qi valëzon n’blerim të Prillit,

Porsi i ambli fllad i erës,

Qi limon gjit e trandafillit

Porsi vala e bregut t’detit,

Porsi gjama e rrues zgjetare,

Porsi ushtima e një termeti,

Njashtu a’gjuha jonë shqiptare

(Gj. Fishta)

Gjithnjë në trion e hareshme, gjithnjë me qesënditë më të shpeshta në llogari dhe në adresë të “shokut” Enver, shqetësimi për këtë udhë të parë i kishte marrë zërin dhe e kishte bërë të heshtur, gjithnjë mbi rrotat e automjetit, ndryshe, për pak sa të lodhur moshe kur me vrull shtypjesh të gasit Zymeri po ia dëlirte e pastronte mushkëritë, kapërcejmë male, tunele, fusha të gjëra, lumenj, preftojmë përskaj qyteteve të mëdha e me nam si: Millano (me Kodrën tonë Kodër në te), Bolonjën me Universitetin më të lashtë në botë (ku hëpërhë ndonjë, rektor i tij mund të ketë qenë shqiptar, kush e di?!), kalojmë qytetin Rimini, kur të afërm e bën emri i të famshmit regjisor, Federiko Felini, bir i të cilit qytet është, i prekim skajet qytetit turistik Pezaro. Perli e pjesës Italiane të Adriatikut, ku zhvillohet (rrotullohet) një festival, një festë kinematografike... kalojmë... edhe shumë e shumë shtigje të tjera. Të gjitha ngelin pas nesh. Pas shpinës sonë. Sikur nuk i vërejmë e as që ua varim fare.

Po, a nuk jemi duke udhëtuar për Shqipëri! “Më ka malli për Shqipërinë tonë” (I. Kadare).

E logjikshme, prandaj, kur asnjë gjë prej gjëje, sikur nuk të del përpara. Sikur as qytetet me nam dhe me mrekullitë brenda tyre, mos të jenë të zonjat kur, qoftë edhe për një çik, të ndajnë e të shkëpusin vëmendjen dhe kureshtjen, nga udhëtimi i shenjtë. Aq më parë e aq më tepër për “shokun Enver”, për të cilin, ky ishte udhëtimi i parë për në Shqipëri.

Kur ja, sakaq, pas nesh kishin ngelur qindra e qindra kilometra rrugë, si pikur qiellit, gjendeshim në qytetin me emrin Ankonë. Më saktësisht në portin e tij të madh.

Gjendeshim në një Shqipëri në miniaturë.

Gjendeshim në paradhomën e saj. Në Ankonë.

Ishte ditë mbrëmjeje e njëzetetetë Dhjetorit. Ditë kur shumë qytete të shumë shteteve perëndimore “zbrazen”, për një çast, nga të “përkohshmit e përjetshëm” shqiptarë. Kur marrin rrugën, si të jetë ajo pelegrinazh, tradicional vjetor, që gëzimet e pritjes së vitit të ri (kohëve të fundit gjithnjë e më shpesh) dhe të Krishtlindjeve, t’i festojnë e kremtojnë bashkë me të afërmit. Në gjirin familjar a me farefis. Me miq e dashamirë. Me një fjalë, me më të dashurit.

Në portin e Ankonës. Në paradhomën e Shqipërisë.

Anipse ky port është i madh dhe, lirisht mund të thuhet, i renomesë ndërkombëtare, anipse vigjilje e vitit të ri, ishte për të gjithë, në anën tjetër, numri i bashkatdhetarëve tanë aty ishte më i madhi. Turmën laramane e përbënin kryesisht shqiptarët. Shqiptarë kishte aq shumë sa që, për një çast hutie, pandehje se gjendeshe përmjedis Shqipërie. Në zemrën e saj. Në Tiranë.

Porti i Vlorës, por edhe i Durrësit vetë, dukej i vogël, i vockël në krahasim me numrin e shqiptarëve këtu, në Ankonë! Apo, mbase, një përshtypje e tillë ushqehej nga tollovia. Zhurma. Potera... thirrjet, britmat e shqiptarëve temperamentë, kur janë edhe gjaknxehtë. Zemra të kënaqej e të merrte mal kur i shihje. Të veshur e të mbathur mirë e me elegancë. Shumica në “roje nderi” pranë makinave të shtrenjta e luksoze. Shumica me telefona mobil në dorë. He ç’demonstrim solemn bëjnë me ta pronarët e tyre. Ata sonte nuk kursenin. Nuk njihnin as nuk respektonin “djegien” e minutave, qoftë edhe të orëve të tëra vetë, në aparatet e tyre miniaturale telefonike. Ata thërrisnin Shqipërinë. Kosovën. Thërrisnin të njohur e të panjohur. Thërrisnin tërë botën mbarë. Ani. Ani e mirë. Le të dihet mirë se edhe shqiptari është mobil dhe se në dorë mirë i rri “mobili”! Aq më parë kur nuk çirren. Nuk thirrin me zë aq të madh (lartë) sa që fitohet përshtypja se, për të kaluar përtej Adriatikut, nuk iu lypset fare ndihmë e mrekullisë së telefonit pa tel.

Njëmend, nëse s’është pa tel atëherë ç’mut telefoni është! Ani, këtu në Ankonë, kur belin e detit mund ta zësh me një pëllëmbë.

Udha e detit në relacionin Ankonë-Durrës, do të prishte imazhin se gjendesh në paradhomë të Shqipërisë, sikur të fillonte (së pakut në orë) kohë e caktuar. Për shqiptarët, sado të rritur, të edukuar dhe të kultivuar nëpër qendrat e mëdha e rigoroze të Evropës (e botës) sikur orar të caktuar nuk ka. Së pakut, njëherë për njëherë. Prandaj anija (trageti) në vend se nga Ankona të nisej në ora 19,00 sipas orarit, avash-avash, këtë port e lëshon, diku nga ora 23,00, apo edhe më afër mesnatës.

Anija tashmë çanë valët e detit.

Ndërkohë që udhëtarët zënë kabinat, cingëron zili i restaurantit. Zemra të kënaqet e merr malin kur i ngjitej radhës “kilometrike” të pritjes në shtegun e ngrënies. Ani, jo për pak gjë, por kur sheh se udhëtarët shqiptarë dinë t’i mbushin deng “tabakatë” me ushqime, madje me dy-tri lloje gjellërash, me sallaturina e cukelajkë pranë një buke gur, të pardjeshme.

Ani, dakord, kur ato racione (darkë e drekë) në anije i ndërpresin cingërimat aq të shpeshta e aq të larmishme të telefonave, kur, edhe në këto çaste të shenjta, ishin aq mobil. Thuaj “azhil”!

Nata kishte mbaruar. Ishte tretur. Sikur t’ishte mbytur (diku) në det dhe të kishte ngelur pas nesh. Nga ajo natë e qetë, mbi det të qetë, ishte sajuar një ditë të qetë, mbi det të qetë. Dielli kristalor thyhej syprinës së rrafshët, si të hekurosur, të detit. Kurrë në jetë det më të qetë (si t’ishte në rehati gjumi) nuk kisha parë! Anija, jo vetëm se nuk përplasej në çarje valësh, por, më parë, fitohej përshtypja se, rrëshqiste mbi akull a borë të imët kokrrizash.

Qetësinë e qetë të detit (deti atë ditë e natë kishte ditë pushimi!!!), aty-këtu, në kicje të lehta, lehtë e solemnisht hijeshonte kërcimet elegante të delfinëve, bashkudhëtareve tona të disponuara. Sa edhe të hareshme. Pulëbardhat, kishin qëlluar shpeshherë shoqëruese të anijeve, por kjo ishte e para herë që, këtë udhë, bashkë me ne, për të dyja anët e anijes sonë, si engjëj mbrojtës, gjatë e gjatë, bashkë me lojë të hijeshimeve udhëtojnë delfinë, loja e të cilave duhej shpërblyer me duartrokitje frenetike. Eh, sikur gjiri magjik e plotë mistere i detit të paanë të kishte ruajtur, diku në thellësi, të afërmit tanë të fundosur e, sot (sonte) të na i kthente të festojmë bashkë me ta jetën e re! Në vit të ri që po vjen.

Deti i qetë, si i fjetur, loja e hijshme e “peshqve të urtë e fisnik”, për një çast, si mbërthyer kthetrash të një ëndrre të keqe, pamëshirshëm na zhvendosin, në një hapësirë (dhe kohë) tjetër!

Një det, kaq paqësor në fisnikërinë e tij, sakaq shqetësohet. Sikur, nga dika, larg të merrte plagë të rënda. Nisi ulërima. Sillet e mbështillet. Sakaq shndërrohen në bishë kolosale. Nisi të kafshojë. Për të katër anët. Midis nofullash të tij të acarta, pamë qindra motoskafë, gomone, barka, barkëza, e anije... Kah rrëkëlleheshin e, bashkë me qindra e qindra udhëtarë shqiptarë, të udhës pas një bishti të shpifur jete, përfundonte në gabzherrin e përbindëshit gjigant... Pamë si në ëndërr, por, qartë, Otranton dhe skenat e tjera të tragjedisë shqiptare, në shumë akte...

Zëra të ëmbël të lojës së fëmijëve të hareshëm në çiltërinë e tyre mbi kuvertë, sikur fatlumsisht të shkoqnin çaponjë të një përfytyrimi makabër. Të egërsisë së egër të Detit. Shtang. Ngurron e zemra veçse më nuk të pëlcet, kur për pesë, pesëdhjetë (e as pas pesëqind) minutash, nga goja qershi e fëmijëve në lojë, nuk pikë asnjë fjalë në gjuhën shqipe kur, kështu i këndon Naimi:

Gjuha jonë sa e mirë,

Sa e ëmbël sa e gjërë,

Sa e lehtë, sa lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë!

Mungesa e fjalës së bukur shqipe, në buzëlulet dhe gojët qershi të fëmijëve shqiptarë (që mamakat e babakat, ua kishin ndaluar), mbase ishte arsyeja, shkaku a përgjigja më e mirë e ëndrrës së pak mëparshme, që ndërtohej e sajohej mbi bazat e një zhgjëndrre, të një realiteti “objektiv” dhe të trishtueshëm në hidhësinë pelin të tij.

Nejse. Udha e detit ngel pas nesh. Deti ngel në det. I afrohemi portit. Ankorimit në portin tonë. Të Durrësit tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat