​Nis edicioni i dytë i festivalit 'Rame Lahaj International Opera Festival'

Kultura

​Nis edicioni i dytë i festivalit 'Rame Lahaj International Opera Festival'

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 14:08
Ramë Lahaj

Ka nisur sot në Prishtinë edicioni i dytë i festivalit të operës, “Ramë Lahaj International Opera Festival” (RLIOF).

Themeluesi dhe drejtori i festivalit, Ramë Lahaj në një konferencë për media tha se qëllimi i organizmit të këtij festivali është promovimi i artit operistik në Kosovë dhe mbështetja për talentët e rinj.

Ai ka prezantuar edhe bashkëpunëtorët e këtij edicioni të operës, derisa shtoi se festivali do të ishte i pamundur pa mbështetjen e institucioneve.

Lahaj: Kisha dashur që ky festival të shndërrohet në traditë

“Ajo që më bën me përballu gjithë këtë stres, që në shoqërinë tonë me fillu edhe një traditë ose një festival operistik, të cilin jo që se ka pasur Kosova asnjëherë, por nuk e ka as rajoni të natyrës së tillë, janë disa prej talenteve që i kam taku në workshop-in e parë kur unë kam qenë i ftuar në Prishtinë në vitin 2018 prej znj. Apostollova. Pse ose çka më shtyn me e dhënë gjithë këtë energji e me bë një festival, i cili po shpresoj se ka me kthyer në një traditë dhe ka me qenë pjesë e pandashme, sepse jam i sigurt që i duhen edhe institucioneve të Kosovës sidomos po flas për aspektin e operas meqë veç jemi në planifikim të ndërtimit të institucionit të operas. Kam dashur me i parapri, kam dashur t’i ndihmoj, por kam dashur njëkohësisht me i dal borxh gjithë talentëve të ri të cilët si unë dikur që kanë pas talentin po mundësinë me dal më lëviz mundësia me bo një audicion, mundësia me punu me një kohë ka qenë pothuajse e pamundur, aq çka unë e kam pas fatin e miqve atëherë të familjes mbështetjen po e kam pa sa e vështirë ka qenë me marr një vizë edhe me dal me bo një audicion qoftë të punoj me një kohë të shkurtër”, shtoi ai.

Lahaj thekson se janë duke u munduar ta promovojnë në formën më të mirë imazhin e Kosovës në botë.

Lahaj: Imazhi i Kosovës

“Ky është imazhi që ne po mundohemi në çdo lloj forme me e promovu në formën që Kosova është në fakt, jo në atë që servohet sigurisht prej fqinjëve (Serbisë) për të dëmtuar imazhin e Kosovës”, tha Lahaj.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku tha se festivali RLIOF po kontribuon edhe në themelimin e institucioneve muzikore, sikurse Opera e Kosovës. Derisa shtoi se Kosova që nga viti i kaluar ka bërë hapa konkretë në themelimin e këtij institucioni.

Ceku: Vlerësojmë lart kontributin e RLIOF në zbulimin e talentëve të rinj

“Ministria e Kulturës vlerëson shumë veprimin që Ramë Lahaj si artist i skenës botërore opersitike kthehet në Kosovë dhe kontribuon përmes festivalit dhe fondacionit Ramë Lahaj, rishtazi të themeluar me qëllim të zbulimi të zhvillimit të promovimit të talentëve të ri nga Kosova në strukturat e artit operistikë të operistikë në vendet e ndryshme të botës”, tha ai.

Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama foli për rëndësinë që ky festival ka për komunitetin artistik.

Rama: RLIOF ofron kontribut të rëndësishëm

“Festivali Opersitik Ramë Lahaj ofron kontribut të rëndësishëm të drejtpërdrejtë në pasurimin e jetës kulturore të kryeqytetit duke bërë Prishtinën një platformë të rëndësishme të artit operistik, meqë festivali ndërkombëtar operistik Ramë Lahaj është i vetmi në Kosovë dhe rajon me një strukturë të tillë ku përpos programit të pasur dhe artistë kulminantë po punohet edhe me talentë të rinj për të ndihmuar institucionet kulturore të Kosovës”, shtoi ai.

Festivali i operës do të mbahet nga 21 korriku deri më 31 korrik, në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat