Jeta ndalet pa Shqipni! Përkujtim për Sali Manin

Kultura

Jeta ndalet pa Shqipni! Përkujtim për Sali Manin

Nga: Agim Vuniqi Më: 25 korrik 2022 Në ora: 18:27
Legjendari Sali Mani

Shqiptarët që jetojnë në Amerikë apo siç i quajnë Shqiptaro-amerikanët e Michiganit përkujtuan dhe përkujtojnë me pietet rapsodin e njohur shqiptar Sali Manin, edhe në këtë eveniment të kulturës në lokalet e "Imperial House-it" të pronarit Ndue Ftonit, për t'ia dhuruar lexuesit këtë vepër monumentale të Sali Manit, të titulluar "Mbrapa lashë këngët e mia" të botuar nga shtëpia botuese "Kuvendi", të përgatitur për botim nga Pjetër Jaku, editor i Revistës "Kuvendi", të sponsoruar nga Gjon Dedvukaj, duke rikthyer këngët dhe fjalët e autorit, këngëtarit dhe interpretuesit me çifteli të shumë këngëve burimore-popullore, për të na lënë ne të vlerësojmë dhe të shprehim fjalë miradije për veprën e këngëtarit cicërues që i këndoi për disa dekada Malësisë, bukurive mahnitëse të kësaj krahine, patriotizmit të shqiptarëve dhe lirisë së Kosovës. Sa herë që dëgjohet zëri kumbues i këngëtarit Mani, thuajse dëgjohet një eho kumbuese nga një shpat në tjetrin të Malësisë, ky zë i rrallë ka mbajtur gjallë ndjenjën kombëtare. Sali Mani u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisё-Koplik (pas vdekjes).

Sali Mani e filloi aktivitetin artistik në vendlindjen e tij, Reç, pastaj e vazhdoi atë në Kelmend, Dukagjin dhe Koplik, ku u bë i njohur si artist i merituar. Ai mori pjesë në shumë aktivitete artistike lokale dhe kombëtare, duke e përfaqësuar me dinjitet folklorin e krahinës së Malësisë.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, në vitet ’90, Sali Mani emigroi me familjen: gruan, vajzën dhe dy djemtë, në Shtetet e Bashkuara. Edhe gjatë viteve që jetoi në emigracion ai mbeti një njeri shumë aktiv dhe patriot, që ja kushtoi artin e tij komunitetit të shqiptarëve të Michiganit.

Sali Mani është një, edhe një ka me mbet, nuk arrihet kurrë, edhe nëse arrihet nuk kalohet, edhe nëse kalohet nuk mundet kurrë të harrohet sepse ai ishte SALI MANI, “nuk len ma nana tjetër si ai”. Kangët e tij kanë ngritur gjithmonë moralin në popullin shqiptarë dhe tekstet e Sali Manit, janë tekste që nuk mundet me i kriju e me i shkru askush tjetër, kështu shprehej në "you tube" njëri nga komentuesit anonim (Sali Mani - Mbi Kosovë po del një za), dhe shumë të tjerë, të cilët shkruajnë dhe dëgjojnë këngët e Sali Manit, këngëtarit të zgjuar që aq shumë i këndoi historisë kombëtare dhe bashkimit shpirtëror dhe kulturor shqiptar, duke lënë si amanet në këngët e tij edhe bashkimin fizik të territoreve si shqiptare, që tingëllon si kumt, si dëshirë, por edhe si arritje e pandalshme në t'ardhmen.

Feti, grueja e tij, ia dinte talentin, se sa bukur e përdorte fantazinë. Estetika e vargut të tij ishte e ngjeshur, pothuajse e përkryer, krahasimet, antonimet e metaforat, së bashku me fabulën, krijonin artistikisht diçka të përsosur... Ja si e përshkruan Feti Mani, bashkëshortja e Sali Manit, Saliun, në fragmentin nga libri në përgatitje të titulluar "Njohja dhe ndarja në një mes vjeshte" të librit të posa promovuar "Mbrapa lashë kangët e mia", të Sali Manit, i shoqëruar edhe me CD-në...

-Feti, a don me njoftë Sali Manin? - po më thonte Rrezja një shoqja ime, e më bën me dorë në drejtimin nga po vinte ai.

- A e njeh ? më pyeti përsëri shoqja. E pash tek po vinte në drejtimin tonë, një djalosh i gjatë, i ri e me hapin e shpejtë e të lehtë si ecje atleti.

- Jo nuk e njoh, nuk e kam parë kurrë, vetëm zërin ia kam dëgjuar-thashë. Ai po vinte në drejtimin tonë, e unë s'po ia ndaja sytë, ishte bukurosh e shumë i ri. Tek po afrohej, unë i fola me zë të ulët shoqes" "Qenka i ri e shumë simpatik, nuk qenka plak". Ajo e ngriti zërin duke qeshur me zë, foli sa e dëgjuan të gjithë: Pse kush të ka thënë ty se Sali Mani është plak? E qeshte pa pushim, duke bërë që të qeshnin dhe të tjerët me fjalën që thash unë. E skuqur lehtë në fytyrë e me një buzëqeshje pak si të ngrohtë i fola: "Ngaqë këndon këngë me çifteli". Kaq u desh që përsëri të plaste gazi...

Kush nuk e ka njohur Sali Manin, janë të pakët ata..., edhe nëse nuk e kanë parë, kanë dëgjuar këngët e tij, të moshuar, studentë të rinj, e kanë dashur se ai i këndonte flamurit, i këndonte ujit, malit, fushave, i këndonte trojeve shqiptare, dhe shumica nga ne kemi një përvojë të tillë. Një labi që dëgjon vazhdimisht vetëm këngë labe, këngët toske mund t'i duken pak ndryshe e të çuditshme në fillim, por po t'i dëgjosh me kujdes disa herë, të hyjnë në qejf. Kanë edhe ato veçantitë e tyre. Unë përpiqem të përzgjedh këngë të bukura shqipe, për t'i dëgjuar, po mbase jo gjithnjë ia arrij qëllimit. Dëgjoj këngë nga të gjitha krahinat, labe, toske, çame, dhe nga Veriu. Dëgjoj nga të gjitha, po ama këngët e shkruara nga Mani janë të veçanta në to ka burrëri, patriotizëm, ka epikë, ka humor..., dhe thënë të drejtën të gjitha plotësojnë një tërësi.

Në çdo derë, në çdo prag, në çdo shtëpi, në çdo zemër e shpirt, në çdo skenë të botës shqiptare dhe asaj perëndimore, kënga e Sali Manit ishte një trokitje e fortë në portën e lirisë dhe një jehonë e kambanave të valëve të saj, shkruan për të shkrimtari Zef Përgega në artikullin, “Shtatë nota pentagrami. Një më tepër Sali Mani!” të botuar në ëëë.albdreams.net.

"Viti 1980 në Prishtinë, një vit para demonstratave të studentëve kosovar për liri e pavarësi. Një grup i valleve dhe këngëve popullore nga Shkodra shkon të japë koncerte në Kosovë. Kudo kontroll, për një frazë, për një fjalë, për një këngë, gjithçka do të kalonte në filtrin ideologjik jugosllav.

Udbashët ia ndalojnë Sali Manit të këndojë këngën për Hasan Prishtinën, këtij patrioti që kishte qenë pak kohë kryeministër i Shqipërisë e në parlamentin turk kishte deklaruar me 1911:

“Nëse Turqia nuk e njeh pavarësinë e Shqipërisë, unë do të bëhem dëshmori i parë i lirisë!”

Lahutari i Malësisë Jonuz Dela kujton: “Ishim bashkë një një dhomë me Saliun në “Grand” hotel të Prishtinës. Kur e mori lajmin se nuk do ta këndonte këngën e Hasan Prishtinës u revoltua së tepërmi. “Dua të kthehem në Shqipëri!” -më tha ai. ”Nuk kam ardhur këtu t’u këndoj kosovarëve këngën e dashurisë “Moj e mira e bregut te Cemit” por këngën e trimërisë dhe lirisë.” Saliu hynte e dilte nga hoteli, nuk e zinte gjumi. Çelte dritaren dhe mu duk se po fliste me yjet. Pastaj mori një letër të bardhë dhe shkroi disa vargje. Doli ne ballkon dhe filloi të këndojë. Mua mu çel shpirti. Saliu tani e kishte kompozuar këngën, ishte në të aguar dita e re. Ia vuri titullin “Mirë së të gjejmë Kosova trime!”

O Kosovë hej tungjatjeta,

Po ç’thotë Shkodra mirë se t'gjeta

Me gjithë zemër t'bardhë.

O Kreshnike e bujare E trimnive legjendare,

Po të këndon kjo zemra ime,

Mirë se t'gjejë Kosova trime...

Fusha jote e pa anë,

Malet tua gjatë e gjanë,

Janë të njohuna për trima,

Për heronj e heroina.

Për burrni e besnikëri,

Për mikëpritje e bujari,

Po t'këndon kjo zemra ime,

Mirë se t'gjejmë Kosova trime!

...dhe përmblidhet me vargun plot dashuri, duke u falënderuar për mikpritjen e bashkëkombëtarëve nga Kosova...

“…Nëpër male i kam mbledhë

Një tufë lule me t’i sjellë

Që nuk vyshkën asnjëherë

Këto këngë që po këndojmë

Thellë në zemra na burojnë

Po të këndon kjo zemra ime

Mirë se të gjeta Kosova trime!

e shkruar në Hotel "Grand", Prishtinë më 1980.

“He, si të duket Jonuz?!’ “Shumë e bukur. Këtu i ke të gjithë. Hasan Prishtinën, Shotën dhe Azemin, i ke heronj edhe trimin, bash për besë Bajram Currin e Isa Buletinin!”-ia ktheva me gëzim. Kur Sali Mani e këndoi këtë këngë të re kosovarët u ngritën të gjithë në këmbë dhe tundnin shamitë, duke imituar flamurin tonë kombëtar. Suksesi qe i jashtëzakonshëm…!”

E si do të dukej ndryshe kënga që kumbonte fuqishëm në "Sallën 1 Tetori", mu aty afër Qendrës së Studentëve. Nga aty më vonë shpërthyen demonstratat më të fuqishme deri atëherë, të cilat tronditën, ish-Jugosllavinë, dhe që nga atëherë filloi shthurja e Federatës Jugosllave me luftërat në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, në atë luftë çlirimtare morën pjesë edhe luftërat e Batalionit "Atlantiku" nga Michigani, duke iu përgjigjur thirrjes së Atdheut.

Image
Nga promovimi i librit "Mbrapa lashë kangët e mia", të Sali Manit

Kujton bashkëshortja e Sali Manit, Fitnetja: “Një natë Tv po jepte pamje të tmerrshme nga fronti i luftës së UÇK-së në Kosovë. Saliu u ngrit nga divani dhe shkoi tek dritarja dhe pas pak dëgjova që tha: “Gjithë jetën i këndova Kosovës me vargje e tash jam i vramë në shpirt që s’po mundem të rrok pushkën e të shkoj në front. Sot Kosova ka nevojë për cilindo që i thotë vetës shqiptar!”

Të nesërmen djali i dytë, Artani i kërkoi pak lek me vlerë 300 dollarë që sipas tij do të shkonte në Itali. Gruan e kishte shtatzënë. Për disa muaj nuk dinim se ku është. Një natë bie zilja e telefonit. Bisedën nuk e dëgjonim mirë nga krismat. Pas pak e mora vesh njeriun që fliste “A jeni familja e Sali Manit!? Unë jam Ramush Haradinaj. Flas nga fronti i luftës. Artanin, djalin tuaj e kam në krah. Është luftëtar i zoti!”

Ia dhashë telefonin Saliut dhe foli gjatë me komandant Ramushin dhe djalin. Pas katër muaj Artani kthehet në shtëpi bashkë me katër kosovar që e kishin banimin në perëndim. Pasi ato marrin ndihmën shëndetësore Saliu u preu biletat me shpenzimet e veta dhe i nisi pranë familjeve të tyre. Artani edhe sot e kujton me respekt të madh babën e Ramushit që çdo ditë ia blente paketën e cigareve dhe familjen Daci që i strehoi çlirimtarët e Kosovës dhe djalin tim!”

E si mos të rikujtohen tëra këto ngjarje me të cilat u bë "hisenik" familja e Sali Manit, me ato rrugë, ato lagje, që i kaliti shumë të rinj, që shumica ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, por edhe drejtues të tyre, që ndërruan historinë, duke i dhënë asaj kuptim. Kjo gjeneratë idealistësh i dhanë kuptim jetës dhe të ardhmes, se liria nuk falet, ajo fitohet ashtu siç e pashë më vonë, mbishkrimin në pllakën përkujtimore “Freedom is not free” (Liria nuk falet), në Uashington DC, dedikuar ushtarëve amerikane të rënë në luftën për liri, demokraci dhe paqe në Koren Jugore. Këtë e kuptuan më shumë se të gjithë ne, gjenerata e re, gjenerata e çlirimtarëve të UÇK-së. Ata thyen tabunë, shpërthyen velin e mistershëm të frikës, drosë, nënshtrimit dhe robërisë primitive, ata kuptuan më së miri domethënien e fjalëve të pionierëve të demokracisë së sotme globale, ata jetësuan domethënien e fjalëve të patriotit amerikan Patrick Henry të thëna me rastin e Deklaratës së Pavarësisë më 1776 “Give me freedom or give me death” (Më jep lirinë ose më jep vdekjen).

Kënga e këtij orfeu është një autopsi e gjerë e shpirtit të shqiptarit e, në veçanti malësorit, mirë e ka vërejtur Ramiz Lika, në parathënien e librit. Ai evidenton me mjeshtri ato cilësi të vyera të shqiptarëve, siç kanë bërë para tij edhe Naimi, Fishta, Jakova e pak të tjerë

Sali Mani-Këngëtari i kombit këndonte me pathos këngët e Mujit e të Halilit, po edhe këngë të bukura lirike të Malësisë, ai përcillte me këngën e tij folklorike vlerave madhore kombëtare, shpesh edhe si kumt, thirrje, si në poezinë-këngën "Për ty flamur", duke dhënë si një figurë letrare fjalët që përshkruajnë thirrjen e Dedë Gjo Lulit, drejtuar Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe vazhdon me thirrjen "o" Ismajl Qemali, Gurakuqi, Bajon e Mihalin, Azem Bejta çetës me na i pri, Me besa besë ja vdekje ja liri, pastaj Idriz Seferit, n'gryk t'Kaçanikut, Isa Boletinit me dy kobure..., që në mënyrë metaforike, mali-malit i përcjelle fjalët përmes oshtimës, duke i kënduar kështu historisë së lavdishme, pastaj vlerave tё tilla, tё qëndresës patriotike dhe liridashëse si: Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Heroin tonё Kombёtar, Isa Boletinin, Hasan Prishtinёn, Avni Rrustemin, Shote Galicёn, Tringё Smajlin, Xhemë Gostivarin, Adem Haxhinё (Postribё), Zef Prelё Martinin, Mujo Ulqinakun, Ukshin Hotin deri UÇK-ёn e lavdishme me kryeheroin e saj, legjendën e kohëve moderne, pёr Kosovёn e lirё, Adem Jashari, ai nuk ndalet me aq i këndon Kosovës, Malësisë, Iliridës, Çamërisë..., Drenicës, Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës..., gjithë Shqipërisë, nga kënga e tij mësoni për historinë, para historinë, mësoni për Ilirët dhe trevat ku kanë jetuar ata, ai me këngë thuajse ngjyrosë hartën etnike të trojeve shqiptare. Pra, në këngët e tij atdheu nuk shtrihej vetëm nga Vërmoshi në Konispol, por "qysh prej Tivarit deri në Prevezë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat