Maratona prej 1.621 minutash film artistik!

Kultura

Maratona prej 1.621 minutash film artistik!

Nga: Bajram Sefaj Më: 26 korrik 2022 Në ora: 21:42
Bajram Sefaj

Çdo ardhje në Tiranë, të gëzon njësoj, sikur për herë të parë të gjendesh në këtë qytet, që sikurse shënova, jo një herë, kurrë nuk është i njëjti. Përherë është më i ri. Më i mirë. Më i bukur. Më i dashur...

Herën e parë në jetë, kur erdha në Tiranë, në vjeshtën e vitit 1991, me priti krah hapur dhe ngrohtë, Festivali i Nëntë Kombëtar i Filmit Artistik, që në Tiranë u zhvillua midis datës shtatëmbëdhjetë dhe njëzet e gjashtë nëntor 1991. Kësaj radhe na pret Festivali i parë Veror Ndërkombëtar i Filmit Artistik, që midis datës njëzet e tre dhe tridhjetë e një gusht (ky vit), zhvillohet në qytetin tonë bregdetar, në Durrës.

Në Tiranë vi një ditë para se Festivali i Filmit në Durrës të hap “siparin”. Tre miqve të tij (Josif Papagjonit, Saimir Kumbaros dhe Mujë Buçpapës), Gani Mehemetaj, publicist i shquar nga Kosova, ua nis (për kujtim) dy publikimet e tij të fundit. Të parit, “Magjia e ekranit – kritikë filmi” (2005) kurse dyve të fundit, “Shqiptarët në vlimet ballkanike” (2008). Unë ndërkaq, kam në takim të parë (inaugurues, surprizë) me malaziasin, Nikolla Sudar, që është lindur, rritur dhe zhvilluar në qyteti Shijak, të cilin aq shumë e do. Lexuesit paksa më të vëmendshëm mund t’i kujtohet ky emër, kur është i shquar, në lëmin e shqipërimeve, veçmas nga gjuha e madhe ruse në gjuhën e lashtë shqipe... Ai ma dhuron librin voluminoz STARS – nga jeta private e yjeve të kinemasë (çfarë koincidence, o zot, një dhurate e dashur në çastin e duhur, kur i shkoja në përqafim pikërisht një bote yjsh të kinemasë kombëtare dhe asaj botërore), në Durrësin tonë mijëvjeçar, kur supozohet se po aq sa është i madh e i bukur mbi dhe, aq më i bukur dhe i madhërishëm duhet të jetë edhe nën tokën që i rri përfundi!. Si e do rendi, në raste të këtilla, unë atij (Nikollës),ia dhuroi romanin tim modest, atë me titull “Parisi kot”. Një takim tjetër, është i paevitueshëm, kur është i dashur dhe që “detyrimisht” (ri)prodhohet, sa herë gjendëm në Tiranë. Është ai me zotëri Krenar Zejon, një krijues specifik, krejt i veçantë, një poet “par exellance”, që njëherazi është edhe drejtor i galerisë së vogël në hapësirë “Zenit”, por që është e madhe në veprimtari. Midis të tjerash, edhe të asaj botuese. Para se për suksese të tjera, Krenarin do e përgëzoi për krijimin e tij, krejt origjinal dhe të pa yrnek tjetër në poezinë tone, për vëllimin e tij të dytë me poezi “Promenada” që e lexoj, më mirë të them e gëlltis ëmbëlsisht. Kësaj radhe dua ta takoj sa për t’ia lënë një si amanet, që t’ia kalojë përshëndetjet mia me të sinqerta, z. Astrit Cani, për shqipërimin maestral të romanit “Pyesni Pluhurin”, të shkrimtari amerikan John Fante (1909-1983). Një me shumë se përkthim i mrekullueshëm, që ma pasuron dhe fisnikëron verën (time) në Dhërmi...

Por, mbese shumicën e këtyre “aktiviteteve protokollarë” do të ngelin të parealizuara nga se sot, në Tiranë, “kam punë” më zonjën Anila Varfi, mysafir i paftuar dhe disi tejet i dhunshëm do të jem në Festivalin e parë Veror Ndërkombëtar të Filmit Artistik në Durrës, drejtoreshë e të cilit është ajo vetë. Një ditë, para çeljes se këtij evinementi të madh, jo vetëm kinematografik por edhe kulturor (po, dhe politik, pse jo!), përmes celularit zonja Anila, thotë së është në “tym!”. Njëmend, duhet kuptuar drejt shqetësimin, hallin dhe ankthin e saj, të ditës së fundit (përgatitore), vetëm një ditë para ditës se parë të hapjes se portave të një festivali dhjetëditor ndërkombëtar të filmit.

e shtunë, 23 gusht...

Të gjitha rrugët sot çojnë në Durrës. (Tirana sot,nuk është tjetër, pos një paradhomë e ngjarjes se madhe ndërkombëtare në Durrës. Cila ngjarje kulturore (me element internacional, në thelb, zhvillohet në Tiranë. Thuaj, thuaj pse ngurron!).

Bashkë më shumë dasmorë, përfundimisht, jemi në Durrës. Qyteti ynë më i madh bregdetar, sot frymon solemnisht. Mushkëritë e tij i tij, Sheshi i ri, “oborri” i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, janë stolisur me flamuj e afishe dhe pankarta, jo vetëm të gjashtëmbëdhjetë filmave konkurrentë por edhe shumë të tjerëve, që kanë ngadhënjyer në dymbëdhjetë festivalet e kaluara kombëtare. Midis afisheve, figura muskulore Gladiatorit me shokë, dominon mbi krejt hapësirën dhe sikur lëshojnë zë:”Ja, ku jam:”, (siç thotë Ardit Gjebrea në këngë!). Regjisorët, më të suksesshëm janë ata që, bashkë me aktore, do t’i rrëmbejnë, pas nëntë netëve.

Sot, sidomos sot, zonja Anila Varfi, s’është në tym, siç tha një ditë më parë Tiranë, ajo sot është tërësisht e humbur në mjegull. Ndonëse Teatri “A. Moisiu”, ku do të zhvillohet kjo maratonë, dhjetëditore (kur bëhen ujdisjet dhe stolisjet e fundit), “nusja” godine e Teatrit dhe të jehojë sa më solemnisht, zonja Anilë me bashkëpunëtorë e bashkëpunëtore të saj të vyer, është jashtëzakonisht skofiare, e përzemërt dhe mikpritëse. Mbi të gjitha ajo është efikase: koha nuk premton. Avitet çasti i hapjes solemne të festivalit e pastaj të do t’i çilen dyert garës oficiale dhe shumë manifestimeve komplementare. Çdo gjë është gati. Çdo gjë është në vend të vet. Sheshi i Ri, i tëri, cep me cep, është mbushur me afishe, me pano të mëdha, dimenzionale, si vitrinë e një tryeze të pasur kinematografike, e cila veçse nuk është shtruar. Në ballë të godinës, tempullit teatror, “A. Moisiu”, është shpalosur pëlhura përmasash të mëdha, në sfondin e kuq të së cilës janë derdhur shkronjat që sajojnë emrin e festivalit: “International Summer Fest Film of Durrës. (Pse vetëm në gjuhën angleze, a jemi në Durrësin tonë, mos jemi gabim!!!). Gjithandej valojnë flamujt kuqezi mbi shtiza. Në të katër anët, si roje të ishin, janë renditur statujat e shumëzuar të “Gladiatorit” (vepër e artistit skulptor Sadik Spahia). Ata sikur ruajnë fshehtësinë e enigmës, në duar të kujt to të shkojnë, kush do t’i rrëmbejë si trofe...

Çdo gjë është gati. Beteja gladiatorësh midis regjisoreve, aktorëve dhe aktreshave, mund të filloi. Dhe, kjo do të ngjajë, pas pak çastesh. Në momentin që në platonë e hyrjes se teatër, mbi tapetin e kuq (ngjashëm me atë të Kanës!) të shfaqet kryebashkiaku i Durrësit, z. Vangjush Dako, me pak fjalë, por të zgjedhura do te çelë këtë manifestim në ballë të cilit shkëlqen motoja: “Arti, Mbiemri i Qyteti Tim”. Tanimë zonja Anilë mund të del nga tymi dhe mos të digjet më në flakë, tok më zotërinë, Xhevdet Ferri, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, bashkërealizues kryesorë të këtij evinementi.

Veçse fishekzjarrët të shqyejnë qiellin blu të Durrësi, gara fillon. Sonte, mbrëmjen e parë të festivalit, shfaqet filmi artistik shqiptar-gjerman, “Koha e Kometës”, i regjisorit Fatmir Koçi, kur i bie hise të nis maratonën. Fill pas tij do të shfaqet filmi i kinematografisë serbe, “Kuajt vrëçër” - vjeshta erdhi, Dunja ime, i regjisorit dhe aktorit, dikur të popullarizuar, Lubisha Samarxhiq.

Mbrëmja e parë u “dogj” me recepcionin shumë të pasur organizuar në majë të një grataqielli, në bar Flay.

e diel, 24 gusht...

Nis me konferencën për gazetarë. Në përballjen me përfaqësuesish të shtypit dhe dashamirësh të tjerë të artit të filmit dhe autorëve të atij arti. Derisa, regjisori shqiptar, Fatmir Koçi, me një pjesë të stafit të tij stoikisht u paraqit para masmedias dhe dha sqarime të ndryshme, kryesisht rreth skenarit që mbështetej në veprën letrare të Ismail Kadaresë, “Viti i mbrapshtë”, regjisorin serb sikur e kishte përpirë nata. Ai nuk u duk asgjëkund. E natyrshme kjo, ngase derisa filmi “Koha e Kometës”* i regjisorit shqiptar ishte pritur relativisht mirë dhe se premiera e tij botërore ishte shpërblyer me duartrokitje relativisht të gjata, filmi serb nuk e kishte përjetuar një gjë të tillë. Ata pak (shumë) shikues që e ndoqën, e panë se ky ishte një imitim i pasuksesshëm i tjetrit regjisor serb, Emir Kusturica. Bile filmat e tij, vlojnë nga ndyrësirat, me thi të majmur, me gjela, pula, pata, majmunë, arinj të murrmë e të zi dhe cigani të tjera, tipike për papazianitë e tij, filmi i Lubishës “Kuajt vrëçër”, nuk i kishte as ato! Këto kishim ndërmend t’ia themi regjisorit serb, aty, faqe botës, në konferencën për gazetarë.

Synopsis*

[“Shqipëria në vitin 1941. Princi i Gjermanisë Wield është caktuar Mbret i Shqipërisë. Duke marrë një letër nga ekstremistët myslimanë i kërkohet të bëhet synet, por ai kundërshton. Myslimani Shestan dhe katër miq të tij fanatikë myslimanë kërkojnë të mbrojnë vendin e tyre me luftë. Shestani takon një katolike që është që është dërguar në Shqipëri për të përcjellë misionin kundër vullnetit të saj. Dashurohen të dy. Shestan dhe luftëtarët e tjerë nuk luftojnë dhe çdo gjë ndryshon. Shestan gjeti dashurinë dhe braktisë luftën duke marrë Agnes në shtëpi”]

Sido që të jetë, konferenca për shtyp, me F. Koçin dhe ekipin e tij, nuk dha ndonjë fryt (informacion) për të qenë. Më shumë u fol për disa çështje anësore, teknike dhe imtësi të tjera, se sa që u fol për diçka të qenësishme, jetike dhe të njëmendta artistike. Shumë kohë mori biseda dhe reflektimi se vepra madhore letrare e I. Kadaresë dhe vështirësitë që ajo sjell për t’u ekranizuar, për t’u lexues përmes kamere filmike dhe përgjithësisht, për t’u regjistruar në lentën e filmit.

Sonte në programin zyrtar të festivali janë dy filma të tjerë artistikë: “Instalimi i dashurisë”, bashkëprodhim i Kroacisë dhe Gjermanisë, si dhe filmi grek “Korrigjimi”. T’i shohin pastaj bisedojmë...

e hënë, 25 gusht...

Mbrëmë në sallën e rinovuar dhe të riparuar të Teatrit “A. Moisiu”, të qytetit, u shfaqën dy filma të mirë dhe tejet korrekt. I pari ishte filmi “Instalimi i dashurisë”, i regjisores Maja Weis. Ky film është kooperacion midis Sllovenisë dhe Gjermanisë. “Është një satirë bizare, film brenda filmi... unik sa i përket mënyrës se si tregohet”. Kurse filmi i dytë i mbrëmjes ishte ai me titull “Korrigjimin”, prodhim i Greqisë. Regjinë e të cilit e ka bërë, autori relativisht i ri, Thanos Anastopulos. “Një njeri i liruar nga burgu, nuk ka ku të shkojë dhe endet në realitetin e ditëve të sotme si një Uliks përmes Athinës e cila është e mbushur me emigrant¨, shumica prej të cilëve janë të pa strehë...”, e tjera e tjera.

Secili nga këta dy filma është i spikatur, në mënyrën e vetë. Derisa i pari, “Instalimi...”, vlon nga moderniteti, standardi i lartë dhe mirëqenia, ekstravaganca, filmi tjetër, “Korrigjimi”, ndërkaq, trajton një temë të mprehtë sociale sikurse është papunësia, bie fjala. Për shikuesin shqiptar, ky filmi ishte posaçërisht interesant, nga se në te trajtohej (shkarazi) rasti i njohur edhe për opinionin botëror, i vrasjes mizore të një shqiptari të ri, pas ndeshjes futbolli Greqi-Shqipëri, kur ngadhënjyese doli Shqipëria. Në një vorbull varfërie e mizërie, në një mjedis të rrezikshëm gjendet edhe një shqiptare e re dhe tejet e bukur me një fëmijë që, falë rastësisë takon Jorgon (kështu quhet personazhi kryesor i filmit), në një restorant në periferi të Athinës dhe kështu krijohet trio i rrëfimit.

Në vend e kronikës nga konferenca për shtyp që, si zakonisht nuk dha ndonjë rendimet të lartë, me përjashtim të paraqitjes se aktores shqiptare tejet fotogjenike dhe të talentuar, Ornela Kapetani, kur ishte e mrekullueshme, në rrëfim mund të hyj shfaqja e një dokumentari spektakolar me titull “Jeta në film”, kushtuar jetës dhe veprës madhore kinematografike, regjisorit të njohur Stenli Kjubrik (Stanley Kubrick). Për te dhe punën e tij gjigante në fushën e artit filmik, folën e dëshmuan, bashkohanikët dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, sikurse se janë, fjala vjen, Peter Ustinov, Martin Scorses, Steven Spielbergr, aktori i famshëm (më i ri) Tom Kryz e shumë e shumë të tjerë, aktorë e regjisorë që punën kolosale të Kjubrikut e njihnin nga afër nga se kishin punuar bashkë.

Mbrëmja po afron. Në program janë dy vepra filmike, “Sentencë e gjallë”, prodhim i përbashkët Itali-Francë dhe filmi shqiptar “Mao Ce Dun”.

martë, 26 gusht...

Mbrëmë janë shfaqë dy filma të mirë. Të realizuar bukur, secili në mënyrën e vetë. I pari ishte filmi artistik shqiptar, “Mao Ce Dun”* i regjisorit Besnik Bisha, i cili i shoqëruar nga skenaristi Besnik Mustafaj, shkrimtar i shquar dhe ish ministër i jashtëm i Shqipërisë, ishte i pranishëm në sallë. Dy Besnikët, bashkë me bartësin e rolit kryesor, Fadil Hasa dhe ndonjë tjetër, u ngjitën në skenë. U shfaqën para publikut filo-film durrsak dhe të tjerëve, të cilët këtë film shumë përpara, qysh se ka filluar eksploatimi i tij, e ka shpërblyer me duartrokitje të ngrohta. Kjo vepër, për nga tema që trajton, detyrimisht kushtëzon krahasimin e saj me filmin tjetër, atë shqiptar-francez “Parullat” të Gjergj Xhuvanit, që me shumë sukses u shfaq në festivalin më prestigjioz të filmit në Kanë dhe gjithandej, u prit mirë. Për “Mao Ce Dun”, disa thanë se, madje është me i mirë se ai. Disa thanë se nuk i afrohet “Parullave”. Për dhe kundër, si gjithherë. Unë për vetën time, po them se ishte film mjaftë korrekt. Me temë interesante. Një shikim (jo nga ura!), por nga kjo perspektivë e të bëmave dhe ngjarjeve të ndodhura gjatë diktaturës se egër enveriane në Shqipëri. Ishte një film, me humor të zi e sarkazëm, i ndërtuar mbi motivet e romanit “Daullja prej letre” të Besnik Musrafajt, kur prej tij vetë nxor (bëri) edhe skenarin për këtë film.

Në konferencën për shtyp (për çdo ditë në orën dhjetë paradite), u zhvillua një dialog i gjatë midis gazetareve, dashamirëve të tjerë të filmit dhe regjisorit, Besnik Bisha. Ashtu sikurse edhe pritej, komplimentet më të zgjedhura iu drejtuan (krye)personazhit Fadil, kur në këtë film artistik në karrierën e tij të pasur si artist estrade, kishte dhënë një kreacion të bukur dhe mbresëlënës. “Ne festivalin ndërkombëtar të filmit në Moskë, deri në çastet e fundit isha kandidat kryesor, potencial, për shpërblimin e parë për interpretim të rolit mashkullor” – e pohoi me gojën e vete, Fadili dhe shtoj se: “ngado që është shfaqur para publikut me këtë film, është pritur dhe përcjellë mirë e me ovacione nga ana e publikut më të gjerë”. Të gjithë të pranishmit i besuan Fadilit, pa fije dyshimi, edhe atëherë kur publikisht falënderoj regjisorin Besnik për besimin që kishte ndaj tij, besim që e kishte arsyetuar. Besnik Bisha, njësoj si (krye)personazhi, ishte i kënaqur me këtë vepër të tij dhe anonsoj se më zëmadhe është duke punuar në realizimin e një projekti të, një film të ri artistik, “Takimi në qiell”, ashtu disi, apo si ia tha titullin saktësisht, atij filmi?

Synopsis*

[“Një temë e gjetur, provokuese dhe humor gri, shpërfaq realitetin e një vendi komunist të viteve 1970, përmes syve dhe zgjedhjeve të mençura të një cigani te thjeshtë. Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të Shqipërisë, në Evropën Juglindore. Një komunitet ciganësh është vendosur në këtë qytet të civilizuar dhe mirëorganizuar. Rrjedha e qetë e jetës së tyre turbullohet nga lindja e një fëmije. Djali, i nënti në familjen cigane do ti sjell gëzim jo vetëm kësaj familjeje, por gjithë komunitetit cigan. Në fakt lindja dhe mënyra kryesore e tij e jetesës u bënë çështja kryesore e agjendës midis zyrtarëve shqiptarë dhe kinezë. E çfarë mund ta shqetësonte më shumë një vend të fortë komunist të asaj kohe? Lindi një fëmijë. Jo një fëmijë i zakonshëm. Ai quhej Mao Ce Dun. Një Mao Ce Dun cigan i vitit 1970”.]

e mërkurë, 27 gusht...

Natën e katërt të Festivalit të parë Veror Ndërkombëtar të Filmit, në Durrës, pikërisht në thelbin e tij, u shfaq filmi norvegjez me titull “Blonsband” (norvegjisht) ose shkurt “Mirush”* (shqip). Kush do të thoshte se pikërisht ky filmi, si i heshtur të ishte, do të jetë një sihariq, një surprizë për tërë festivalin. Ndodhi kjo në saje të interpretimit të shkëlqyer të të riut (fëmijë ky), me emrin Nazif Muharremi, nxënës i gjimnazit shqiptar në Shkup. Kur spikerja paralajmëroi se tani para publikut në skenën e teatrit “A. Moisiu” , do të paraqitet i vetëm, pa asnjë tjetër anëtar nga “stafi” i filmit, personazhi kryesor Nazifi, të gjithë shikuesit i mbërtheu një skepsë, nga se Nazifi në skenë të madhe, ngjante në një pikë ujë në shkretëtirë. Po me të hapur të “siparit” të këtij filmi, ja befasia, ja sihariqi. Nazifi nuk ishte fëmija i pakmëparshëm, i strukur dhe i ngathet, por tashti ishte Mirush tamam. Njëmend bartës i rolit të parë, (njëmend) kryesor. Gjatë njëqind minutave, sa zgjatë rrjedha e këtij filmi, ai vazhdimisht do të jete në skenë, dhe asgjë nuk do të ndodhë pa praninë e tij. Të gjithë aktorët e angazhuar në këtë projekt të regjisorit norvegjez, Marius Holst, qoftë edhe Enrico Lo Vreso vetë me kompani (Enver Petrovci, Mirjana Karanoviq, Bajrush Mjaku, e të tjerë), ishte anësor. Në qendër të filmit (të vëmendjes) ishte vogëlushi Mirush, alias Nazif Muharremi. Me lojën, interpretimin e tij të shkëlqyer, i riu Nazif i shembi muret, midis aktorit amator (natyrshqik) dhe atij profesionist. Interpretimi i tij ishte aq i fuqishëm sa qe asgjë më i mirë nuk dukej as interpretimi i aktorit nga Zagrebi, Rade Sherbexhia, që gëzon reputacion dhe afirmim në arenën ndërkombëtare të filmit. Ndryshe, filmi kroat, “Mrekullia e zotit” (Pravo çudo) ishte vërtetë një mrekulli, pos temës problematike që trajtonte,

Dalja e Nazifit para gazetarëve, në konferencë shtypi, i vetëm, ishte ironik dhe një plotësim, shlyerje formaliteti. Asgjë tjetër!

Synopsis*

[ “Mirush largohet nga Kosova me shpresën për të gjetur të atin në Norvegji, i cili braktisi familjen e tij kur ishte shumë i ri. Tani babai i tij menaxhon një restorant në Oslo, por gjithashtu ia ka një borxh shumë të madh mafias shqiptare. Mirush fillon të punojë në restorantin e babait të tij, pa i treguar se është djali i tij. Gjatë kohës sa njihen më njeri tjetrin, por Mirush nuk e përballon dot atë ç’ka zbulon për të atin. Ai është i detyruar të bëjë një zgjidhje me pasoja për të dy”]

e enjte, 28 gusht...

Mbrëmja e mbrëmshme lirisht mund të pagëzohet mesatare, për të mos thënë e dështuar fare. Dy filmat e shfaqur: “Sekretet”, bashkëprodhim Shqipëri-Kosovë, me regjisor Spartak Pecanin dhe filmi, “Të gjallët dhe të vdekurit”, gjithashtu prodhim i bashkëpunimit kroat-boshnjak e hercegovas, vepër e regjisorit Kristijan Miliq. Për shikuesit shqiptarë, sidomos ata të Kosovës, sidomos por edhe të Bosnjës dhe të Hercegovinës, përgjithësisht, për atë pjesë shikuesish që kanë përjetuar tmerret e luftës se fundit në ish Jugosllavi (kujto Srebrenicën, Kosovën, tokë të djegur dhe gati të boshatisur fare), vështirë se ky film që, pëlcet nga breshëritë e paprera të kallashëve dhe eksplodime të forta që të kallin datën dhe në palcë të fusin tmerrin, vështirë të shikohet fare, e aq më pak të ndiqet me interesim dhe kënaqësi. Këtë vërejtje ia them troç, në sy, regjisorit kroat Kristijan, faqe botës, aty ku ishte vendi, në konferencën për gazetarë. Ai nuk pati nga t’ia mbajë pos detyrimisht të pajtohet me këtë qëndrim (timin) ndaj këtij filmi, të cilin dikush tjetër, nga kolegët e mi më të ri, e quajti madje film holivudien, sigurisht duke menduar në standardin e realizimit teknik, që njëmend ishte në nivel të lakmueshëm. Edhe loja (interpretimi) i aktorëve ishte e mirë. Ky film ishte i veçantë edhe për një detaj tjetër: ishte i vetmi film i shfaqur në ketë festival, par rol femre, hiç fare! Interesant, kjo a?

Ndërkaq filmi tjetër, kësaj radhe, shqiptaro-shqiptar, “Sekretet”*, i Spartak Pecanit, përkundër skuadrës se fortë të artistëve të angazhuar, kujto vetëm Ndriçim Xhepën, më të ndriçimin ndër ta, nuk arriti të kënaq shikuesit dhe të arsyetoi interesimin e madh që mbretëronte nderë masa për ketë filmi. Kishim përshtypjen se as tema që trajtonte filmi, disi nuk shkonte. Në qendër të vëmendjes ishte një qen (bir qeni) fort i shëmtuar, mbase qëllimisht, rreth të cilit silleshin të shkretët aktorë. Duke llogaritur këtu edhe primadonën Drita Pelingu, e cila ani pse paraqitet një rol të vogël, episodik, ishte e shkëlqyer. Por, mbase e vetmja pikë e shndritshme e skuadrës interpretues në këtë film, kur tetëdhjetë e tetë minutat e djegëses se tij të duken edhe njëherë aq e më të gjatë, ishte aktorja e re Ernela Teli, e cila, bashkë me partnerin e saj në film, Neritan Licaj, në emër të regjisorit Pecani, që atë ditë, mungonte me arsye, nga se ishte i zëne në Kajro të Egjiptit, ku shfaqte këtë film të vetin atje, doli para gazetarëve dhe i mblodhi lëvdatat më të mira për rolin e saj.

Synopsis*

[“Një lagje qyteti zgjohet në mes të natës nga lehje të egra dhe të frikshme. Gjithsesi nuk janë të lehura të një qeni, por të një banori të vetmuar të quajtur Landi. Pasi lajmërohet nga komshinjtë, ai dërgohet në një spital psikiatrik. Aty, një mjeke përpiqet të zbulojë arsyet e kësaj gjendjeje mendore dhe nëpërmjet rrëfimeve të Landit zbulohet fati i individit të zakonshëm në Shqipërinë e tranzicionit. Një individ që është ngritur dhe është rrënuar serish nga ndryshimi i sistemeve sociale-politike, sisteme që nuk i japin asnjë shans të shpreh identitetin e tij. Nga gjithë ky kaos, Landi mbetet vetëm dhe aksidentalisht miqësohet me një qen të humbur. Zbulohet që qeni i përket një ambasade të huaj dhe një grup gjysmë mafioz po e kërkon për interesat e tyre. I paaftë për të mbrojtur vetën gjatë gjithë jetës se tij, Landi me forcë mbron qenin, mikun e tij të vetëm të vërtetë”]

e premte, 29 gusht...

Ndonëse u shfaq i dyti me radhë, filmi estonez “Georg”, i regjisorit Peeter Simm, ishte i pari dhe, mbase, vepra më e realizuar filmike, shfaqur në këtë garë ndërkombëtare në Durrës, deri në këtë çast. Ata njëqind e shtatë minuta, sa në fakt është kohëzgjatja e këtij filmi, fluturojnë sakaq, si pesë minuta të ishin. Gjë që nuk mund të pohohet për njëqind e pesë minutat e filmit “Mbrapsht” (Prevrteno), prodhim i trios FYROM-Kroaci-Serbi. Regjisor i filmit është Igor Ivanov, kurse bartës kryesor i investimeve buxhetore ishte Maqedonia.

Në konferencën e radhës për shtyp, në këtë “meshë të mëngjesit”, para medias u paraqit vetëm trio maqedonas. Kryeaktori, zbuloi sekretin kur tha se me profesion është montator, kurse të tjerët, vetë regjisori Ivanov, kënaqi kërshërinë e gazetarëve me ndonjë plotësim informacioni lidhur me këtë film që lirisht edhe mund të anashkalohej. Ishte vërejtje e përgjithshme se në të (në te sidomos) kishte tepricë seksi në të vrazhdët, veçanërisht kur është fjala për ambientet e konsumit të tij. “Seksi ishte në funksion të filmit” – e çfarë të thoshte tjetër regjisori Ivanov, duke kthyer topin e pingpongut! Në vrojtimin tjetër se filmi bythë-prapë, ishte kooperim madje në mes tri shteteve të ish Jugosllavisë (Maqedoni-Kroaci-Serbi), por nuk ishte i vetmi, edhe filmi “Të gjallë dhe të vdekur”, ishte prodhim i Kroacisë bashkë me Bosnjën dhe Hercegovinën, (tash shumë shpejt fillon diku në Shqipëri, xhirimi i filmit serbo-shqiptar, me regjisor Goran Paskaleviqin, a do të thotë kjo se, paksa si shpejt u harruan hasmëritë dhe krimet, sidomos, serbe ndaj të tjerëve. Ivanov, tha se kjo është një gjë e mirë. Ky ishte komenti i tij sa i takon këtij bashkëpunimi në fushën e prodhimit të filmit.

e shtunë, 30 gusht...

Mbrëmë ishte nata (dita) e parafundit e Festivalit të parë Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. (Në “historinë” e ditarit tim nga ky manifestim jo vetëm i kinematografik, por edhe kulturor përgjithësisht, detyrimisht hyn edhe fragmenti i vizitës që i bëj Gërdecit, aty pranë). Si për ironi nga Gërdeci, që mi ngall plagët nga tragjedia e madhe, po thuaj se ashtu, siç isha i pluhurosur dhe i vrerosur, deri në thelb të zemrës, futëm në sallë për të parë filmin irakian “Ahlaam Dreams” të regjisorit Mohamed Al-Daradji. Filmi ishte një dështim, ishte i kotë fare, apo vetëm mua me dukej ashtu. Mbesim mbështetur, siç ia thonë fjalës, kur prodhuesit e këtij filmi (irakianë e britanikë bashkë) me notë krenaria deklaruan se ky film i tyre, ndërkohë, ishte shfaqur në madje në tetëdhjetë festivale (sa shumë qenkan, o zot i lumë!) dhe se, që andej ishte kthyer si ngadhënjyes me më shumë se njëzet e një shpërblime! (Aman!). “Mos helbete, në filmin tuaj rolin kryesor e ka interpretuar qyteti i djegur dhe i rrënuar krejt, Bagdadi vetë”, pyetja (ime) ishte tejet transparente në ironinë e saj të zhveshur. Konferencën e mbërtheu, një heshtje e trashë. Çdo gjë mori fund.

Për koincidencë, çdo gjë mori fund, thuaj se edhe festivali u krye krejt, posa u shfaq edhe filmi çek “Unë i kam shërbyer mbretit anglez”, të regjisorit Jirzhi Mencel. Tashmë u pa qartë se në duart e kujt të shkoi “Gladiatori i artë”. E natyrshme, filmi ishte vepër e të njëjtit autor, i cili qysh në vitin e largët 1968 e kishte rrëmbyer shpërblimin më prestigjioz në botë, OSCAR, për filmin “Trenat e kontrolluar rreptësisht”, si filmi më i mirë i huaj. Me çastin e shfaqjes se filmit tij të ri “Unë i kam shërbyer mbretit anglez”, sikur shkrepat e valëve u shuam, deti “mbi” Durrës u qetësua. Fitimtari u duk.

Sonte do të shfaqën edhe dy filma në kompeticion: “Trishtimi i zonjës Shnajder”*, bashkëprodhim Shqipëri-Republika Çeke, i regjisorëve, Pirro Milkani - Eno Milkani (atë e

bir), dhe filmi turk “Engjëlli i bardhë”, i regjisorit Mahsun Kirmizigul. Filmi i mirë, fjalë nuk ka, por, paksa melodramatik e shumë folklorik, për të mos thënë dika më tepër.

Synopsis*

[“Histori romantike e tre studentëve të shkollës së filmit, një shqiptar, një çek dhe një sllovak në Pragë, në verën e vitit 1961, në një fshat të Çekisë gjatë xhirimit të një filmi diplome. Historia e dashurisë pamundësisht të realizueshme për studentin Lekë Seriani me znj. Shnajder, një grua misterioze dhe e trishtuar, është boshti kryesor i kësaj romance dashurie në një sezon veror. Vetizolimi i Shqipërisë nga blloku komunist dh pjesa tjetër e botës mbart pasoja edhe në raportet dhe fatet njerëzore. Një dramë historike që kujton ato vite të shqetësuara. Një film me nota të theksuara autobiografike”]

Ishte ky një film i mirë, motiv vendimtar që të marr rrugë të largët deri në Durrës, ishte pikërisht ky film, dhe nuk jam pishman për ketë.

e diel, 31 gusht...

Sado që “Trishtimi i zonjës Shnajder”, ishte film i mirë, më i mirë dhe shumëfish më i realizuar, ishte një tjetër film çek, ai i Jirzhi Mencelit. Ai edhe rrëmbeu “Gladiatorin e Artë”, të festivalit. Edhe çmimet e tjera (ai i Jurisë, për filmin më i mirë shqiptar, për aktoren dhe aktorin më mirë si dhe çmimi i karrierës), juria ndërkombëtare, në përbërje të Elena Giuffrida, kryetare, Burbuqe Berisha, Ronald Sejko, Maria Tutui, Xavier Lamburs dhe Mimmo Mongelli, anëtarë, i ndau sipas njohurive, shijes dhe bindjeve të veta morale, estetike dhe artistike.

Mirë u pafshim në Festivalin... tjetër, në Durrësin e vitit 2009!

-----------------------------

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat