Në Lezhë nga nipat e tij, ngrihet muze për Mons. Dr. Zef Oroshin

Kultura

Në Lezhë nga nipat e tij, ngrihet muze për Mons. Dr. Zef Oroshin

Nga: Martin Dedaj Më: 28 korrik 2022 Në ora: 00:19
Ngrihet muze për Mons. Dr. Zef Oroshin

Në nderim të intelektualit e atdhetarit të shquar e me zemër të madhe, priftit, e teologut, personalitetit të shquar, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim dhe në mbrojtje të popullit e të Kishës, vendlindjes e thesarit kombëtar, themeluesit dhe udhëheqësit të Kishës Katolike Shqiptare "Zoja e Kёshillit tё Mirё" (Zoja e Shkodrës) për diasporën shqiptare në New York, Mons. Dr. Zef Oroshi (23 Nëntor 1912-15 Mars 1989 ), në Lezhë është ngritur një muze, që do të shërbejë për të njohur në mënyrë të detajaur aktivitetin e këtij njeriu të madh të fesë, atdhetarisë, paqes dhe mirësisë, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Ndërtimi dhe vënia në funksion e këtij muzeu është bërë e mundur me iniciativën dhe kontributin e nipave të Mons. Dr. Zef Oroshi, djemt e vëllezërve të tij Gjon Prend Gjoka, dhe Nikoll Ndue Gjoka dhe është ndërtuar në ambjentet e punës të: “PUNIME DEKORATIVE-VËLLEZËRIT GJOKA” në Lezhë, dhe ndodhet në km 6, të superstradës Lezhë-Tiranë. Në këtë muze, janë të afishuara nëpër stenda dhe të shoqëruara me komente, momente të ndryshme të jetës dhe aktivitetit të Mons. Dr. Zef Oroshi, si dhe kolana e të gjitha botimeve që i janë dedikuar atij nga autor të ndryshëm; gazetat ku janë publikuar shkrime të ndryshme dedikuar atij; fotografi etj, që do të shërbejnë për studiuesit, turistët dhe vizitorët dhe gjithë të interesuarit për të krijuar një ide të qartë për këtë figurë të ndritur me përmasa kombëtare dhe jo vetëm, për të cilin edhe pse janë shkruar shumë libra, e artikuj gazetash, realizuar disa dokumentare, e publikuar shumë foto nga jeta dhe veprimtaria e tij, përsëri ka vend për tu thelluar më tej, qëllim të cilin synojnë pasardhësit e tij për ta realizuar përmes këtij muzeu, aktualisht dhe në të ardhmen. Në katë aspekt janë të mirëpritur të gjithë ata që kanë të dhëna, dokumenta, fakte e gojëdhëna që ti administrojnë pranë këtij muzeu, me qëllim plotësimin dhe dokumentimin sa të jetë e mundur e të gjithë aktivitetit dhe veprimtarisë së këtij personaliteti, që na bën nder të gjithëve. Muzeu dedikuar Mons. Dr. Zef Oroshit, është i aksesueshëm në çdo kohë gjatë orarit 0800-2000 dhe mirëpret vizitorët e ndryshëm.

Teksa i viziton këto ambjente, të krijohet mundësia që të njihesh shkurtimisht me veprimtarinë e klerikut, atdhetarit, dhe antikomunistit Zef Oroshi, jeta e të cilit kaloi përmes shumë peripecive dhe sakrificave të pa cak, shoqëruar me vendosmërimë e tij deri në vetmohim në mbrojtje të fesë së Jezu Krishtit, identitetit kombëtar, dhe në luftë të paepur ndaj komunizmit, që u instalua pas çlirimit të vendit në Nëntor 1944. Ku ai la veledanin e meshtarit dhe rroku amët e ju bashkua luftëtarëve të lirisë të inkuadruar në Komitetin e Maleve, që luftonin kundra instalimit të komunizmit dhe për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Image
Ngrihet muze për Mons. Dr. Zef Oroshin

Aktiviteti antikomunist i Mons. Dr. Zef Oroshit, në malet e Shqipërisë së bashku me luftëtarë të tjerë fisnikë, u bë shqetësues për organet e pushtetit të kohës dhe sidomos Sigurimin e Shtetit, të cilët e shpallën “Armik shumë të rrezikshëm”, dhe thurën sa e sa plane dhe intriga për ta kapur të gjallë. Madje u shkua deri atje saqë u premtua aq ar sa kilogram të peshonte ky “armik”, në këmbim të kapjes së tij të gjallë, gjë e cila nuk u bë e mundur kurrë, pasi Zef Oroshi falë intuitës dhe zgjuarsisë, por dhe mbështetjes që gëzonte në popull arriti ta kuptojë grackën që i ishte përgatitur dhe në fillimt të vitit 1952, la Shqipërinë për të marrë udhët e botës së lirë. Ku fillimisht u vendos në Jugosllavi, e më pas në Itali për të përfunduar në vitin 1962 në Amerikë, aty ku ndërtoi dhe kishën e parë shqiptare, ku dha një kontribut të pa shoq në mbrojtje të çeshtjes kombëtare shqiptare, derisa ndërrroi jetë më, 15 Mars 1989, pak para se të rrëzohej diktatura komuniste dhe të trokasë liria dhe demokracia në Shqipëri, falë lëvizjes studentore të vitit 1990, e cila gjunjëzoi diktaturën dhe e detyroi të pranoi pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut, të ndaluara me ligj, nga kushtetuta famëkeqe e vitit 1976.

Si lindi ideja për muzeun?!...

Në bashkëbisedim me nipat e tij Gjonin dhe Nikollin, që e kanë xhaxha Dom Zefin, siç i thonë ata, mëson sesi u lindi ideja për ndërtimin e këtij muzeu. Së pari fillon e flet Gjoni, që është rreth të tetëdhjetave, që ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe mundimesh nëpër burgje dhe kampe internimi (që do të jenë objekt i një shkrimi të veçantë) por që mbahet i fortë, dhe ka një memorie për tu patur zili, ku ndër të tjera na thotë se; “Jo se është xhaxhai jonë, por figura dhe aktiviteti i Dom Zefit, ka përmasa të nivelit kombëtar e më tej. Pasi ai së gjalli ka patur një aktivitet shumë dimensional, që na bën krenar jo vetëm ne si familje e pasardhës gjenetikë e të drejtpërdrejtë të tij, por dhe vendlindjes së të parëve tanë: - Oroshit, krahinës së Mirditës, Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. Pasi ai ka qenë një teolog dhe atdhetar i caqeve të epërme, një njeri me shpirt dhe zemër të madhe, tipare të cilat i ka mishëruar mësëmiri, në të gjithë veprimtarinë e tij fetare, patriotike, dhe atdhetare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Përpos kësaj ai ka qenë idhnak i thekur ndaj komunizmit dhe një luftëtar trim e i vendosur kundra tij. Saqë la veledanin e meshtarit dhe iu bashkangjit “Komitetit të Maleve”, në luftë kundra instalimin të diktaturës në Shqipëri. Për këtë ai është ndjekur dhe përgjuar gjatë gjithë jetës së tij brenda dhe jashtë trojeve të dheut amë, biles edhe kur predikonte në kishë”.

Ndërkohë që vizitojmë muzeun, Gjoni na bën me dije se; “Me qëllim që studiuesit, historianët, gazetarët, turistët, vizitorët e ndryshëm dhe të gjithë të interesuarit e tjerë, të kenë mundësi që të njihen gjërësisht me aktivitetin e Mons. Dr, Zef Oroshi, ne menduam që të ngrejmë këtë muze modest, i cili në ditët në vijim do të përmasohet, për tu bërë të mundur të interesuarëve, që të njihen me jetën dhe aktivitetin e këtij burri fisnik dhe atdhetar, që ka shkruar dhe lënë pas histori të lavdishme. Këtu ata do të gjejnë kolanën e të gjitha librave që janë botuar nga autorë të ndryshëm, shkrimet në gazeta të ndryshme , dokumentarët dhe kronikat në mediat elektronike, vlerësimet e bëra nga institucionet e ndryshme fetare e shtetërore etj, etj. Dhe synojmë ta përditësojmë me të dhëna dhe dokumenta të tjera autentike dhe dëshmi të bashkëkohësve që e kanë njohur, duke bërë të mundur krijimin e kushteve sa më komode për tu vizituar nga të interesuarit. Teksa sjell në mend një thënie brilante të At’ Zef Pllumit, që thotë se “Një dritë sa do e vogël që të jetë, në mos mujtë me e ndriçue krejt udhën, të paktën na orjenton se ku me e vendosë kamën”, nuk len pa përmendur dy personazhe njëri në Shqipëri dhe tjetri në Amerikë, që sipas tij janë nismëtarët dhe iniciuesit e hedhjes dritë mbi veprimtarinë dhe aktivitetin e Monsinjor Zef Oroshit, e ato janë gazetari dhe publicisti Martin Dedaj në Shqipëri dhe studiuesi dhe bibliografi Tom Mrijaj, në Amerikë. Këta dy intelektualë të përkushtuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, bënë të mundur zgjimin e memories së shumë intelektualëve, biblografëve, studiuesëve dhe institucioneve religjioze dhe shtetërore, për të hedhur dritë mbi aktivitetin shumë dimensional të Mons. Dr Zef Oroshi, ku vlen të evidentohet së fundmi: aktiviteti i përbashkët i Bashkisë së Lezhës me Dioçezën e Lezhës për vendosjen e bustit të Mons. Dr. Zef Oroshit në një nga sheshet kryesore të qytetit, tek rreth rrotullimi i Kadrales së Lezhës, përballë bustit të Papa Gjon Palit II-të, zhvilluar më 13 Dhjetor 2021. dhe sesioni i veçantë shkencor dedikuar kësaj figure të shquar organizuar në Lezhë nga Shoqata: “Trojet e Arbrit” me 13 Qershor 2022”, për të cilat meritojnë të vlerësohen kryetari i bashkisë z. Pjerin Ndreu e Dom Nik Ukgjini, për vendosjen e bustit dhe Nue Oroshi, për sesionin e posaqëm shkencor, të cilëve ne u jemi shumë mirënjohës,pa harruar realizuesit e dokumentarit të pare televiziv, nga ana e TVSH, realizuar nga gazetari i mirënjohur Marash Mirashi, me skenar të poetit të njohur mirditas Viktor Gjikola e bashkëpunim të gazetarit Martin Dedaj, nën komentin e të mirënjohurës Shpresa Ukcama, gazetaren e “Report Tv” Admerina Peci për realizimin tre dokumentarëve serial “Dosja K”, ashtu siç të gjithë atyre, që kanë kontribuar dhe do të kontribojnë në të ardhmen për njohjen sa më shumë të jetë e mundur të figurës së ndritur të Mons. Zef Oroshit”.

Image
Ngrihet muze për Mons. Dr. Zef Oroshin

Kalvari i mundimeve të pasadhësve të Mons. Dr. Zef Oroshit…

Pas largimit nga Shqipëria të Mons. Dr. Zef Oroshin, mbi familjen e tij fillon një kalvar i madh vuajtjesh dhe mundimesh, sikur të mos mjaftonte fakti se ata mbetën jetim që në vegjëli pasi Gjokë Prendi, babai i monsinjorit vdiq në moshë të re në vitin 1919, duke lënë të ve bashkëshorten e tij Dila dhe fëmijët të mitur.

Disa nga familjarët e Monsinjor Oroshit, u arrestuan, burgosën dhe u dënuan, duke vuajtjur dënimmet shoqëruar me trajtimet makabre nëpër birucat dhe burgjet më famëkeqe të diktaturës, të tjerë u internuan duke u dekdisur sa në njërin kamp internimi në tjetrin nga Lezha, në Tepelenë, Tiranë, e Lushnje. Pati raste që disa pjestarëve të kësaj familje ju ndalua e drejta për tu kthyer në vendlindje, për të vijuar më tej me privimin e të drejtave më elementare, të shkollimit e të qenurit të barabartë midis të barabartëve etj, etj.

Këtë dramë dhe tragjedi na e rrëfen shkurtimisht Nikoll Ndue Gjoka, djali i vëllait të vogël të Mons. Dr. Zef Oroshit teksa na thotë se; “Pas largimit të Dom Zefit nga Shqipëria, pjesëtarë të familjes tonë janë përndjekur dhe persekutuar, duke u dekdisur burgjeve dhe kampeve të përqëndrimit, filluar në Lezhë e vijuar në Tepelenë, Tiranë Lushnje etj, duke përjetuar kështu një kalvar të madh vuajtjesh dhe mundimesh. Dhe konkretisht: Dila Gjok Prendi (nëna e Mons. Dr. Zef Oroshit). U internua në Tepelenë në vitin 1952 dhe u dekdis nëpër kampet famëkeqe të internimit në Tepelenë, Tiranë, Lushnjë, ku dhe vdiq në internim; Prend Gjokë Prendi (vëllaj i madh i monsinjorit). Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie, ku pas vuajtjes së dënimit dërgohet në internim pa të drejtë civile dhe pa të drejtë për tu kthyer në shtëpinë e tij, që në një farë mënyre ishte denim i përjetshëm, se s’ka gjë më të madhe, që të privohesh nga e drejta për tu kthyer në vatanin tënd, aty ku të ka lindur koka; Ndue Gjok Prendi, vëllai i vogël i Dom Zefit. Arrestohet në vitin 1952, dhe qëndron për një kohë të gjatë në hetuesi në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe nga torturat e marra lëndohet së tepërmi nga ana shëndetësore, gjë e cila i detyron organet e kohës ta lirojnë përkohësisht, por gjendja e tij shëndetësore, nga keqtrajtimet dhe torturat e ushtruara ndaj tij në birucat e burgut sa vjen e përkeqësohet dhe pak kohë pasi del nga ato biruca, vdes në moshën 32-vjeçare; Luke Gjok Prendi, motra e Dom Zefit. Internohet edhe ajo nëpër kampet famëkeqe të internimit në Tepelenë, Tiranë, Lushnjë, por të paktën pati fatin të gëzojë paksa dritën e lirisë për disa vite dhe është ndarë nga jeta kohë më parë dhe pushon në jetën e pasosur në varrezat e Treshit në Lezhë. Persekucioni komunist ka vazhduar edhe me gjeneratën tjetër të familjes tonë dhe konkretisht me: Pjetër Prendi, djalin e vëllait të monsinjorit, i cili internohet në Tepelenë, Tiranë dhe Lushnje dhe Gjon Prendi, djali i vëllait të monsinjorit, i cili internohet në vitin 1952, së bashku me pjestarë të tjerë të familjes dhe më pas më 12 Maj 1966, arrestohet dhe dënohet me 11-vjet burg heqie lirie me akuzën: “Për tentativë arratisje jashtë atdheut”, dënim të cilin e kryen në burgun famëkeq të Spaçit, ku dhe sot e kësaj dite vuan pasojat e keqtrajtimeve dhe turturave që i janë bërë gjatë kryerjes së dënimit në burgun e Spaçit. Por falë zotit me ardhjen e demokracisë pas viteve nëntëdhjetë, agoi shpresa dhe liria, dhe ne pasardhësit e Mons. Dr. Zef Oroshit, ashtu si gjithë shqiptarët u çliruam nga zingjirët e murtajës së kuqe dhe fituam larinë aq shumë të dëshiruar, për të cilën aq shumë luftoj edhe Dom Zefi, ku falë zotit patëm mundësi që të njiheshim me aktivitetin dhe veprimtarinë e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë, përmes dokumenteve, librave, dokumentarëve televiziv etj, që janë realizuar për të, dhe që ndodhen të reklamuara në këtë muze që ne kemi ngritur”.

Image
Ngrihet muze për Mons. Dr. Zef Oroshin

Vlerësime dhe veprimtari për Mons. Dr. Zef Oroshi…

Një sërë vlerësismesh dhe veprimtarishë, janë zhvilluar në nderim të aktivitetit dhe kontributit të pa shoq të Mons. Dr. Zef Oroshi nga instiucione të ndryshme, ku veçojmë disa prej tyre si: Këshilli i Qarkut Lezhë, me vendim Nr. 40, datë 27.06.2006, firmosur nga kryetari z. Bardh RICA, i ka akorduar Monsinjor Zef Oroshi (Çoku) titullin: QYTETAR NDERI I QARKUT LEZHË (pas vdekjes), me këtë motivacion: “Për atdhetarizëm të flaktë e kontribut të pazëvëndësueshëm, si prelat i Kishës Katolike në Shqipëri dhe në mërgatë, veprimtar i pa shëmbullt për liritë dhe të drejtat njerëzore”.; Presidenti i Republikës Bamir Topi, në Dhjetor të vitit 2010, i ka akordar pas vdekjes Zef Oroshit titullin e lartë: “Urdhërin e Lartë Gjergj Kastrioti - Sënderbeu”, duke specifikuar se: “Zef Oroshi ka qenë dhe do të mbetet njeri i spikatur i dijes dhe veprimit, me një botë të madhe shpirtërore dhe dashuri të pafundme për njerëzimin, bashkëkombasit, Shqipërinë mëmë, dhe për tjetrin, që është një virtyt i njerëzve të shquar e i njerëzve të mëdhenj”.; Këshilli i Komunës Qerret Pukë, me vendim Nr. 10, datë 28.04.2015, nënshkruar nga sekretari Leonard Pjetri dhe kryetari Lulash Dodaj, i ka dhënë titullin: “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) Dr. Mons Zef Oroshi, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë për arritjen e unitetit, bamirësisë dhe bashkëpunimit të komuniteteve me besime të ndryshme fetare”; Vendosja e bustit të klerikut të njohur, atdhetarit dhe anti-komunistit të shquar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Mons Dr. Zef Oroshit, me 13 Dhjetor 2021, në Sheshin Gjon Pali II, Rruga Faik Konica në Lezhën legjendare, ndër të tjera Frank Shkreli ish Drejtor i VOA për Euro-Azinë, shkruan: “Sa simbolike hapësira e zgjedhur nga planifikuesit e këtij projekti, për të vendosur bustin e Mons. Zef Oroshit në atë vend të identifikuar me këta dy emra të mëdhej: njëri i Kishës Katolike Shqiptare dhe tjetri një prej personaliteteve më të njohura të historisë së Shqipërisë. Dom Zefi ishte adhurues i madh i Papa Gjon Palit II dhe kishte respekt edhe për Faik Konicën, gjithashtu, si një patriot e shkrimtar i pashoq”; Simpoziumi i Veçantë Shkencor kushtuar Mons. Dr. Zef Oroshit, organizuar nga Shoqata Mbarëkombetare "Trojet e Arbërit" në qytetin e Lezhës, Shqipëri, me 13 qershor 2022 me temë: “Veprimtaria shkencore dhe luftarake e monsinior dr. Zef Oroshit”.

****

Në mbyllje të këtyre radhëve, evidentojmë faktin se, Mons. Dr. Zef Oroshi, ka shkruar dhe lënë pas një histori të lavdishme, që i bën nder gjithë shqiptarisë, ka merituar dhe meriton vlerësimet më të larta, se e lartë dhe madhështore, patriotike, fisnike dhe atdhetare, ka qenë vepra e tij në Shqipëri e mërgatë, për sa kohë ai ka frymuar së gjalli.

Ndëkohë që Muzeu që nipat e tij i kanë kushtuar është mesazhi më i mirë i tyre për të gjithë gjeneratat jetësore, për të mos harruar paraardhësit dhe gjenezën fisnike prej nga vijmë, se pa ditur se nga vijmë s’mund të orjentohemi se ku do të shkojmë. Njëherësh është edhe një apel për institucionet kompetende shtetërore për ta asistuar profesionalisht këtë nisëm, me qëllim që ky muze të marrë udhën e duhur shkencore, që në konceptim dhe trajtimin e duhur të bazës materiale që ndodhet në të, dhe të asaj që do të administrohet në të ardhmen. Vetëm kështu do të bëhet e mundur jetësimi i kësaj nisme, me qëllim që ky muze të futet sa më shpejt të jetë e mundur, në listen e muzeve destinacion vizituesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat