Kur minjtë bëjnë dasmë!

Kultura

Kur minjtë bëjnë dasmë!

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 11:29
Ilustrim

Një prej punëtorëve shkencor të dalluar, përkthyes i Kuranit, kontribuues i dalluar në fushën e shkencave islame si dhe në orientalistikë, Prof. Dr. Feti Mehdiu, së fundmi u dëshmua edhe si njohës dhe studiues i hollësishëm i jetës dhe veprimtarisë së Hasan Kaleshit, njërit prej intelektualëve kombëtarë dhe orientalistëve me përmasa botërore. Kohë më parë, prof. Mehdiu botoi kolonën prej tetë vëllimeve, “Hasan Kaleshi”, në të cilën është përfshirë tërë aktiviteti dhe kontributi shkencor i Hasan Kaleshit në sferën e islamistikës, orientalistikës, gjuhës arabe etj.

Këto ditë Hasan Kaleshit do t’i shënohet 100 vjetori i lindjes së tij! Një moment i mirë për ta promovuar edhe kolonën tetë vëllimëshe “Hasan Kaleshi”, të përgatitur nga Prof. Feti Mehdiu. Natyrisht, meqë Hasan Kaleshi me origjinë është nga rrethina e Kërçovës, i takon që këtë datë jubilar ta shënojnë institucionet vendore, shoqatat kulturore, universitetet shqiptare. I takon Komunës së Kërçovës për të organizuar ndonjë ngjarje për nderë të kësaj figure jashtëzakonisht të rëndësishme, i takon ta përkujtojnë Shoqata e intelektualëve shqiptarë, Shoqata e historianëve shqiptarë, i takon Institutit për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të RMV-së! Pa dyshim, u takon edhe universiteteve shqiptare në vend, e me theks të veçantë fakulteteve të orientalistikës si pranë UT-së ashtu edhe pranë UP-së!

Fatkeqësisht, një ngjarje të tillë nuk e kanë paralajmëruar asnjë nga asociacionet dhe institucionet e përmendur më sipër. Dhe, aty ku nuk ka maçok, minjtë bëjnë dasmë!

Event kushtuar 100 vjetorit të Hasan Kaleshit do të organizojë Bashkësia Fetare Islame në RMV, në të cilën, veç të tjerash, do ta promovojë edhe kolonën “Hasan Kaleshi”, përgatitur nga Prof. Feti Mehdiu! Po pse BFI-ja? Çka e lidhë BFI-në me këtë orientalist, apo cili është kontributi minor i Hasan Kaleshit për myslimanët e Maqedonisë së Veriut, apo thjesht për BFI-në? Maqedonia e Veriut ka pasur një numër të konsiderueshëm teologësh që kanë kontribuar në Lëvizjen Kombëtare, që mund të llogariten rilindës të mirëfilltë, të cilëve, deri më sot, nuk ua ka kushtuar qoftë një orë përkujtimore!

Bashkësia Fetare Islame në RMV, me këtë iniciativë për ta promovuar punën shkencore të Prof. Feti Mehdiut, sikur ka hapur “siparin” e promovimeve të të gjithë librave të botuara gjithandej botës shqiptare! Ose, të paktën, do të duhet t’i promovojë të gjithë librat-monografitë që do të përgatiten për orientalistët shqiptarë! Apo, është arritur një ujdi në mes të organizatorit dhe autorit që, kontributin autorial, në rastin konkret të prof. Feti Mehdiut, ta prezantojë BFI-ja si aktivitet të vetin! Veçse akoma nuk është e qartë: do të përkujtohet 100 vjetori i lindjes së Hasan Kaleshit, apo do të përurohet kolona prej tetë vëllimeve, në të cilat përfshihet jeta dhe veprimtaria e Hasan Kaleshit! BFI-ja nuk është as autore dhe as botuese e veprimtarisë së akademikut të respektuar! BFI-ja kurrë nuk ka iniciuar qoftë më të voglin hulumtim shkencor mbi personalitetin apo veprimtarinë e këtij orientalisti shqiptar! BFI-ja ka vepra të botuara për personalitete kombëtare që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si për vetë BFI-në ashtu dhe për avancimin e jetës fetare islame në vend dhe që, deri më sot, as që ka denjuar të publikojë qoftë ndonjë informacion sado të shkurtë mbi këto botime, ndërsa i rreket promovimit të punëve që nuk kanë të bëjnë asgjë me BFI-në!

Janë akademitë kombëtare, janë fakultetet gjegjëse të universiteteve tona nacionale, janë institucionet e asociacionet kulturore, shkencore e arsimore, kompetente për të vlerësuar nëse duhet apo jo të përkujtohet ndonjë personalitet nga e kaluara jonë kombëtare. Në këtë sferë, derisa institucionet përkatëse shkencore nuk e thonë fjalën e vet, komunitetet fetare mund të jenë subjektet e fundit që mund të mendojnë organizim të ndonjë eventi! Po, mund ta ndriçojnë personalitetin dhe kontributin vetëm të atyre figurave të veta që kanë dhënë kontribut, sado modest, kombëtar, fetar e shkencor! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat