Shkrimtarët bëjnë shkëmbim favoresh!

Kultura

Shkrimtarët bëjnë shkëmbim favoresh!

Nga: he Më: 29 korrik 2022 Në ora: 13:10
Artur Spanjolli

Kritika letrare është një komponent themelor në/për letërsinë e një kombi, e një epoke, e një bashkësie. Një popull që prodhon letërsi, art, kulturë, tregon se ai popull jo vetëm nuk është i fjetur, por ai kërkon të analizojë, të hulumtojë, të shprehet. Shqipëria, nga Realizmi Socialist, një rrymë e helmuar nga ideologjia, në shërbim të ideologjisë, doli në jetën letrare mbas viteve 90. U pa qartë, sipas meje, vetëm mbas viteve 2000. Nuk e njoh mirë panoramën konkrete letrare të tanishme shqiptare, por mendoj se akoma letërsia jonë nuk është çliruar nga vargonjtë e së shkuarës.

Të denoncosh ato që ndodhën gjatë sistemit monist, tashmë nuk sjell asnjë gjë të re. Jeta, shoqëria shqiptare gjendet përballë sfidave të reja, si dëshira e të rinjve për të ikur nga trualli shqiptar etj. Vijmë tek kritika letrare. Ashtu është. E kam menduar shumë herë që letërsisë tonë i mungon një kritikë letrare e denjë, bashkëkohore dhe e konsoliduar. Kritika letrare e denjë dhe profesionale, është një vend prove, për letërsinë e një vendi. Lexuesi, po është kritiku më i mirë, por kritikët profesionalë janë ata që e miratojnë apo e hedhin tej vlerën e vërtetë letrare të një vepre.

Mungon aq shumë kritika letrare si fenomen (ndodh e kundërta me shkrimtarët, ata janë të panumërt), sa shkrimtarët vetë (të cilët po të duan mund ta bëjnë shumë mirë profesionin e kritikut), bëjnë shkëmbim favoresh, duke shkruar artikuj kritikë mbi librat e kolegëve të tyre krijues. Një nga faktorët për ta brohoritur apo duartrokitur një vepër letrare të vërtetë, është edhe kori unanim dhe pozitiv i kritikëve mbi një vepër letrare. Nëse koha, jo lexuesi masiv, hedh tej apo ngre lart një vlerë letrare, kritika e mirë, profesionale, me aparatin e saj vëzhgues mund ta brohoras atë që në lindje të saj. Jo gjithmonë epokat me shkrimtarë të mirë apo gjenial janë shoqëruar edhe nga kritikë të mirë apo gjenial.

Aq sa autorë si Joys, Kafka, Durrenmat, etj, vërtetë janë shkrimtarë të mëdhenj, por ata nuk janë popullorë, siç mund të jenë shkrimtarucët që prodhojnë nga një triller çdo tre muaj. Jo vetëm Dan Brown-in, por gati gati edhe Umberto Eko-n me “Emrin e trëndafilit” unë e vë në dyshim si vlerë e vërtetë letrare. I pari kurioz dhe mediokër në artin e të shkruarit, ndërsa i dyti, trukulent dhe fallco, i cili duke njohur arteficin e shkrimit, sajon skena dhe ngjit bashkë informacione të huazuara nga librat mesjetarë.

Në Shqipëri mungon kritika serioze letrare. Kjo ndjehet, ndaj është edhe për të ardhur keq. Ajo me sa konstatoj unë, bëhet disi nëpër faqe gazetash dhe periodikësh, por nuk e ka peshën serioze të një armate kritikësh serioz dhe të vërtetë. Ndërkohë që besoj se letërsia shqiptare mbas 32 vjetësh, që nga rënia e diktaturës, është në një moment shumë të mirë krijimtarie. Si brenda kufijve, po ashtu edhe jashtë kufijve të truallit tonë. Por, mungon pra duartrokitja serioze nga ana e armatës kritike.

Hejza Art

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat