Në “telashe” më fut syri

Kultura

Në “telashe” më fut syri

Nga: Përparim Hysi Më: 8 gusht 2022 Në ora: 15:42
Përparim Hysi

1.Një vegim

Një vegim i mrekullueshëm që vjen nga"hiçi"
Papritur,për një çast,më bën të lumtur.
Pegasi i fantazisë sot nga ti më nisi
Dhe u malla,dhe u çmalla me ty,moj e bukur!

Pjella e fantazisë sime nuk qe krejt e kotë
Se,sa zbrita nga PEGASI, u bëra zog me flatra.
Ato çaste të lumtura nuk i harroj dot,
Kur bashkë me ty zumë retë e bardha.

Natyrisht, ti si çdo tjetër,ke një emër
Dhe ky emri yt më erdh si vegim
Këtë emër si thesar e ruaj në timen zemër
Se ti je si balsam për shpirtin tim.

 

2.Një palë sy


Një palë sy mua m'u ngulën
(Kjo ka ndodhur,eh ,sa kohë!)
Gati zemrën mua ma shkulën
Se më dhëmbi,bëra"oh!"

Ndieva dhimbje unë atëherë
Qeshë djalosh,tringo i ri
I kërkoj ata përherë
Se i dua përsëri.
 

Dhe i dua përsëri
Që t'më ikë dhimbja mua
Se tani jam pleqëri
Edhe më nuk bëj si dua.

 

3.Në"telashe" më fut syri

Në"telashe" më fut syri,
Nuk më njeh fare për zot!
Kapërcen çdo lloj kufiri,
Dua ta ndalë, s'e ndaloj dot.

Bredh azat,si i uritur
Dhe nuk ka fare turp
As që pyet që jam kokëthinjur?
Turpin seç e ha me bukë.

Ja,tek shkon pas një syri
Edhe seç i flet në vesh
Sy,or sy, mendja s'të hyri
Ma çon buzën vesh më vesh
 

Pa shikoje,se si është?
( mu tek veshi im flet!!!)
Mua ma bën mendja "fësht"
Kam një sy që është"sherret".

 

4.Ç'është ky uragan paniku?

Ç'është ky uragan paniku që më ka pushtuar?
Këtë gjendje paniku kam kohë që s'e kam
Është pak si e pamoralshme,se jam i dashuruar
Në këtë moshën time,kur 80-vjeçar jam.

Është një lloj lemerie që me moshën nuk shkon
SE veç i moshuar,por kam edhe "cipë"
Veç kush dashuron mua më kupton
Se dashuria nuk pranon logjikë.

Lind si vetvetiu dhe fare pa kuptuar
Ja,sikur bie një grip dhe,patjetër,të zë.
Dashuria të mundonë më shumë kur je i moshuar
Dhe ca më shumë mrolesh,kur dashuria të lë.

 

5.Nuk di

Nuk e di,në vargu im ju pëlqen?
Por unë në shkrime jam transparent
Asgjë nuk shpik,të vërteta them
Në shkrime ka krejt një realitet.

Epo,paksa, vargjet i limoj
Siç bën kushdo që shkruan vargje
Ka gjëra që,paksa, i zbukuroj
Dhe kështu mbush plot një"magje".

"Magjen" e mbush me brumë të mirë
Brumë me miell nga grurë kuturli
Në vargje është shpirti dhe imja fytyrë
Se shpirtin vë në të miat poezi.

Tiranë,8 gusht 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat