Komuna shqiptare pa identitet kulturor

Kultura

Komuna shqiptare pa identitet kulturor

Nga: Hejza Art Më: 10 gusht 2022 Në ora: 11:45
Nuk kemi sot asnjë komunë shqiptare që ka ngritur ndonjë strategji nacionale për nisma fillestare për industri kulturore.

Industria kulturore aktualisht në Evropë e më gjerë është një prej më përfituesve. Në shumë shtete kjo industri llogaritet si gjeneruesja më e madhe e vendeve të punës dhe, sidomos ka ndikuar me të madhe deri te fuqizimi i shtresave më të lëna pas dore. Natyrisht, pa subvencionime nga buxhetet publike, kjo do të ngelej vetëm një dëshirë e shprehur bukur në projekt. Buxhetet hartohen bazuar në politikat e pushtetit si dhe në projektet shtetërore me të cilat merr pjese në buxhetet dedikuese nga KE-ja!

Maqedonia e Veriut pa dyshim qe nuk ka ngelur mbrapa shijimit të këtyre përfitimeve që vij ë nga industritë kulturore. Po shqiptarët që jetojnë në këtë shtet, a kanë nevoje për këto përfitime, apo ju mjaftojnë subvencionimet qesharake e prej lypsari që ju vijnë nga buxheti i programeve vjetore kulturore! Natyrisht, për qytetarët shqiptarë, për pushtetet lokale që drejtohen prej shqiptarëve kjo industri dhe këto politika janë ekuacione me shumë të panjohura. Nuk kemi sot asnjë komunë shqiptare që ka ngritur ndonjë strategji nacionale për nisma fillestare për industri kulturore.

Në sferën e etnologjisë nacionale, kemi një begati të padiskutueshme. Kemi veshje popullore, kemi produkte nga tezgjahu, kemi gra eksperte të punimeve me dorë. A ia kanë dalë akoma komunat tona shqiptare që të kenë simbole identitare (maskota). Sot kemi komuna, siç është ajo e Çairit (në Shkup) që shumë shpejt mund të njihet në botë si komunë e festivaleve, dhe kjo jo për merita të politikave të Komunës, sa për merita të njerëzve dhe ansambleve entuziaste shqiptare. Nëpër festivale, nëpër takime të ndryshme kulturore ndërkombëtare është kulturë që pjesëmarrësve t'u jepet të paktën ndonjë shenjë, simbol kulturor, dhuratë që shpreh identitet kulturor të organizatorit dhe mikpritësit apo, meqë nuk e kemi këtë identitet, u japim materiale reklamuese kancelarike!

Komuna e Çairit, sidomos kjo Komunë e Shkupit, rreth së cilës gravitojnë edhe disa komuna shqiptare, duhet sa më parë ta inicojë ngjalljen e zanateve popullore që po vdesin. Të ofrojë punëtori, të hapë kurse për ngjalljen dhe perforcimin e artizanatit, t'i ftojë dhe t'i subvencionojë të gjitha artizanet, me qëllim që të ngjallet identiteti kulturor i shqiptarëve të Shkupit! Të sillen turistë edhe në pjesën e Shkupit ku jetojnë shqiptarët, ku do të kenë mundësinë të njoftohen edhe me vlera të tjera kulturore që dallojnë sado pak nga ato që mund t'i gjejnë nëpër zona urbane maqedonase, ku pushteti është përkujdesur të hapë shumë kioska ku shiten lloj-lloj gjërash që simbolizojnë ekskluzivisht identitetin kulturor maqedonas.

Ansamblet pjesëmarrëse nëpër festivale, nëpër manifestime të ndryshme kulturore, janë konsumatorë, reklamues dhe propagandues më të sinqertë të një realiteti kulturor. Ata nëpër vende të tyre kthehen me gjëra të dhuruara, apo me shenja të blera si kujtim nga vendi ku kane qene e që simbolizojnë vlera dhe identitet kulturor. Çka u japin nga kultura shqiptarët e RMV-së këtyre turistëve kulturorë? Mjafton vetëm "mikpritja"?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat