Përkthyesit profesionistë të trajtohen si ambasadorë

Kultura

Përkthyesit profesionistë të trajtohen si ambasadorë

Nga: Hejza Art Më: 19 gusht 2022 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Përkthimi i krijimtarisë letrare, qoftë në gjuhën amë qoftë në gjuhët e tjera, është një prej veprimtarive më fisnike, më kombëtare ndaj dhe, një prej veprimtarive që kërkon mbështetje, mbikëqyrje dhe stimulim shtetëror. Fondit i librave letrar që përkthehen nga gjuhët e tjera është një aset i jashtëzakonshëm artistik e kulturor.

Nga ana tjetër, edhe përkthimi i letërsisë shqiptare në gjuhët e huaja është një angazhim i cili duhet të rangohet në angazhimet patriotike shtetërore për t’u kyçur në organizma botërorë të tipit të NATO-s, EU-së, OKB-së etj. Me fjalë të tjera, përkthyesit letrarë duhet të trajtohen si vlera të një rëndësie të veçantë! Përthyesit letrarë duhet të gëzojnë epitetin e ambasadorit të përhershëm! Përkthyesit letrarë duhet të jenë të nivelit më të lartë të përfaqësimit kulturor kombëtar në arenën botërore dhe të konsiderohen si urat lidhëse jetike për përafrime kulturo-letrare.

Së këndejmi, titulli përkthyes duhet të jetë një prej titujve që meriton respekt të nivelit të duhur shtetëror e kombëtar. Deri te ky respekt, pra, duhet të arrihet përmes shumë investimeve, qoftë nga ana e shtetit po ashtu edhe nga ana e përkthyesit! Duhet një verifikim nga disa faktorë, një hapërim në disa faza për të arritur deri te ky titull! Të jetë njohës i përkryer i gjuhës amtare, të jetë po aq njohës i gjuhës nga e cila apo në të cilën përkthen dhe, mbi të gjitha, të jetë njohës i stërhollë i gjuhës së materies që e përkthen!

Një shtet, apo një komb, e ka obligim jetik që të sigurojë një kontingjent përkthyesish të ndryshëm. Në këtë aspekt, ia vlen të shpenzohen edhe një pjesë relativisht e vogël nga buxheti shtetëror. Veç kësaj, çka duhet të bëjë tjetër shteti, respektivisht, ministritë për kulturë, në sferën e përkthimit! A duhet që përkthimi t’ju lihet në duar “matrapazëve letrarë”, apo kjo punë duhet të profesionalizohet deri në nivelin e sektorit të diplomacisë! A duhet të kemi edhe një këshill kombëtar gjuhësor-letrar, i cili do të vendoste se kush mund të përkthejë dhe kush duhet të përkthehet nga gjuha shqipe në gjuhët e botës! Përkthimi anasjelltas duhet të jetë përgjegjësi dhe risk i vetë shtëpive botuese që parapëlqejnë të merren me “letërsi” komerciale!

Pranë çdo selie diplomatike, duhet të funksionojë edhe zyra e atasheut kulturor, i cili, veç tjerash, do të kontaktonte edhe me shtëpi të ndryshme botuese të vendeve ku shërbejnë! Duhet të flasë për krijuesit e mirëfilltë shqiptar, duhet të organizojë prezantime, takime të krijuesve me banorët rezidentë, promovime të autorëve shqiptarë të përkthye në gjuhën ku shërbejnë. Pra, është një sektor i cili detyrimisht duhet të ngjallet, të përforcohet, të stimulohet. Kemi autorë dhe letërsi e cila do ta mrekullonte çdo lexues anekënd botës!

Mbi të gjitha, ministritë për kulturë duhet të kenë buxhet të veçantë që do të shpenzohej në mbulim të shpenzimeve të botuesve të huaj të cilët shprehin interesim për botimin e letërsisë shqiptare në gjuhët e tyre. Veç kësaj, pagesa respektive duhet të sigurohen edhe për përkthyesin. Përkthimet përmes “google translate” na e morën në qafë si gjuhën shqipe, ashtu edhe materiet që po përkthehen. Një bastardim “profesional” i gjuhës dhe letërsisë sonë! Askush nuk jep llogari, askush nuk përgjigjet për këto krime “kulturore” dhe askush nuk ndëshkohet. Të gjithë vrapojnë pas përkthyesve mediokër, sharlatanë, pas përkthyesve të lirë, që përkthejnë shpejt, për dy-tri javë! Të gjithë përkthyesit e dynjasë shqiptare të mblidhen nuk do të mund ta bënin punën profesionale të të ndjerit Joakim Lanksh-it, siç nuk do të mund ta bëjnë as punën e të madhit Skender Sherifit. Përkthimet e Nolit janë të paarritshme. A kemi sot përkthyes të nivelit të Robert Shvarcit, Kutelit, Vedat Kokonës, Jorgo Bllacit! A kemi edhe një maestro të përkthime si Mira Meksi, Elda Gjana-Briçi! Jo se nuk kemi sot përkthyes nga gjeneratat e reja, porse, për fatin e tyre të keq, nuk i njohim, nuk na prezantohen, nuk përkrahen nga institucionet gjegjëse shtetërore, nuk stimulohen dhe nuk angazhohen.

Përfundimisht, ne, si shtete, nuk angazhohemi për përkthyes të fortë, të mirëfilltë e profesionistë, prandaj dhe politikanët tanë turpërohen nëpër konferenca përgjatë përkthimeve simultant. Turpërohemi, sepse lejomë të turpërohet përkthimi si veprimtari e jashtëzakonshme gjuhësore-letrare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat