Afirmimi i letërsisë shqiptare në përmasa ndërkombëtare

Kultura

Afirmimi i letërsisë shqiptare në përmasa ndërkombëtare

Nga: Hejza Art Më: 20 gusht 2022 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Në përmasat ndërkombëtare letërsia shqiptare kryesisht identifikohet me Ismail Kadarenë, pavarësisht se janë edhe disa shkrimtarë, veprat e të cilëve ndonëse janë përkthyer në gjuhë të huaja, megjithatë nuk e kanë lënë shijen e Kadaresë. Kjo jo për mospasje të cilësisë, përkundrazi, por edhe për shkak të disa rrethanave dhe shkaqeve që mbajnë vulën e egoizmit tipik për shqiptarët.

Në vitet 70-ta dhe 80-ta të shekullit të kaluar, por edhe më vonë, letërsia latino-amerikane pati një shpërthim magjik në të gjitha anët e botës edhe në saje të faktit se ishin pikërisht shkrimtarët e kësaj plejade që afirmonin njëri tjetrin, për të mos thënë tërhiqnin njëri tjetrin, siç bënë Borhesi, Markezi, Sabato, Kortazari, të cilët më së paku folën për krijimtarinë e tyre, duke njoftuar botën për një numër të madh shkrimtarësh, secili më i veçantë se tjetri, siç janë Maro Vargas Llosa, Huan Rulfo, Karlos Fuentes, Miguel Angel Asturias, Augusto Roa Bastos, Augusto Monterroso e shumë të tjerë.

Te shqiptarët, fatkeqësisht ndodh e kundërta. Egoizmi ynë vetëshaktërrues (akoma) bën që në vend se gjërat t’i çojmë përpara, ne i tërheqim mbrapa. Vetëm shqiptarët çohen peshë dhe i shkruajnë Akademisë suedeze që Çmimin Nobel mos t’ia japin Kadaresë, me disa arsyetime absurde dhe që janë të paimagjinueshme për botën normale. Ka pasur edhe të atillë që kanë shtruar pyetjen: po çfarë bërë Kadareja për letërsinë shqiptare? Nuk themi se edhe kjo çështje nuk duhet të diskutohet, por është lëndë e një debati të brendshëm dhe jo të nxirret jashtë kornizës shqiptare.

Afirmimi i letërsisë shqiptare në përmasa ndërkombëtare kërkon një qasje krejtësisht tjetër, një organizim, të cilin duhet ta ndihmojë sidomos shteti dhe jo kjo të lihet në duart e disa sharlatanëve, të cilët, për shkak të injorancës së tyre, kanë krijuar ndasi dhe klane të provincave të ndryshme të hapësirës shqiptare. Janë të mjerë, mbase edhe qesharak, disa të ashtuquajtur shkrimtarë që harxhojnë lekë kot vetëm e vetëm për ta dhënë lajmin se libri i tyre është botuar në gjuhë të huaj. Edhe këta i takojnë atij grupimi të dëmshëm, sepse askush (nga ata që janë kompetentë) nuk e kontrollojnë materien e përkthyer (zakonisht bëhet fjalë për libra me poezi), e cila mund të jetë gjithçka, por jo edhe përfaqësuese e denjë e poezisë shqiptare.

Gjithnjë e më shumë, duke shfrytëzuar kanale abuzive, por edhe predispozita tjera, përfshi edhe ato të karakterit moral, në manifestimet letrare ndërkombëtare, letërsia jonë përfaqësohet nga shkrimtarë, të cilët për të tillë nuk i njohin as anëtarët e familjeve të tyre.

Çfarë mund të presim prej tyre në debatet e tryezave të ndryshme për letërsinë, çfarë mund të flasin ata për letërsinë shqiptare dhe, si u bë që disa të ashtuquajtur shkrimtare e poetë shqiptarë, më të “njohur” të jenë jashtë se sa brenda hapësirës shqiptare. Janë këta që gjithandej thonë se pikërisht ata përfaqësojnë letërsinë më të mirë shqiptare, pavarësisht faktit se lexuesi shqiptar as që ka dëgjuar për ta.

Letërsia shqiptare sherrin ua ka parë edhe matrapazëve letrarë, të cilët sajojnë antologji (edhe në gjuhë të huaja) me poetë anonimë, që s’kanë vlera dhe janë thjesht fjalë boshe të radhitura në vargje.

Dhe në fund: atë që ta bën vetja, s’ta bën askush.

/HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat