Ta shpëtojmë letërsinë

Kultura

Ta shpëtojmë letërsinë

Nga: Hejza Art Më: 22 gusht 2022 Në ora: 12:27
Fehmi Ajvazi

Secili person që do të bënte një udhëtim në atë që e njohim s’i “territori” kompakt etnik shqiptar, nga Bujanoci e deri te udhëkryqi ku ndahet rruga, Gjirokastër – jug dhe Vlorë – perëndim, do ta hetoj një deformim të madh urban. Ky fenomen, nuk fletë për mungesën historike të kushteve sociale dhe të infrastrukturës sonë familjare e biznesore, por fletë për një mungesë totale të vetëdijes për rregullimin e territorit! Sigurisht, tashmë jemi të kapur edhe nga plotë fenomene që, po ashtu janë rezultat i shfaqjes së tyre në mungesë të vetëdijes individuale dhe kolektive. Në fakt, kolektive!

Çfarë po dua të them? Shqiptarët, nuk është se nuk kishin vetëdije mbi artin dhe kulturën, gjuhën, letërsinë etj. Madje, kishin goxha vetëdije. Në këtë aspekt, nuk mungonte as kritika letrare. Prania e kritikës letrare, u zhvillua krahas shpërthimit të letërsisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ishte një letërsi dhe kritikë soc - realiste, ama edhe s’i e këtillë ishte, madje ishte në një nivel shumë të lartë. Nuk kishe shansin të përvidheshe e të hyje në letrat shqipe, pa iu nënshtruar një kritike të rreptë!

Por, kjo është historia e letërsisë dhe e kritikës. Sot, aktuale janë “shterimit” e kameriereve, të taksistëve, të ndërtimtarëve, të mjeshtërve, të mjekëve, të nxënësve etj. Këto, padyshim që janë sot “brenga” reale për secilin nga ne, por janë pasojë e mungesës së vetëdijes. Pse? Miliardat e shqiptarëve, në këto dy dekada të ikura të këtij shekulli, u derdhën në investime, kryesisht të dështuara. Por, jo edhe atje ku “miliardat” do të shumëfishoheshin: në art dhe kulturë. Institucionet, kudo në hapësirat shqiptare, u kthyen në argat të fenomeneve deformuese në shoqëri, u bënë krah i kategorive anadollake, dhe po ashtu u rreshtuan t’i ndërtojnë kategoritë shoqërore me “udhëzime dhe rregullore të mira”, ama jo mbi bazën e formimit edukativ-arsimorë, dhe ngjashëm.

Kështu, kanë shteruar dhe po shterojnë edhe kritikët e ndryshëm, veçmas të letërsisë! Në këtë kontekst, kanë shteruar paraprakisht lexuesit e denjë, meritorët, ata që e mbajnë me oksigjen shpirtin e njeriut dhe të shoqërisë.

Çfarë po ndodh me kritikë tonë letrare? Nuk po ndodh asgjë. Në fakt, ajo tash s’ekziston. Pse themi kështu ? Sepse, shih ti një fenomen tjetër? Ka me qindra e mijëra botime, ama s’ka asnjë filtër për to. Nuk ka më shumë se një muaj që isha në librarinë Toena (Prishtinë), dhe në bisedë e sipër me pronarin J.A., doli fjala se ai zotëronte 7000 tituj librash të botuar të autorëve shqiptar! E, natyrisht, duhet të jenë edhe nja 7000 mijë të tjerë që s’mbërrijnë te kthinat e bukura të kësaj librarie prestigjioze.

Pra, edhe ky është fenomen më vete: botimi masiv, pa u përfillur kriteret! Botimi, pa kaluar përmbajtja e tekstit në filtrat e duhur të lektorëve, redaktorëve, recensentëve etj. Pra, pa iu nënshtruar pastaj kritikës letrare! Prandaj, pajtohem plotësisht se shkencën e letërsisë nuk e përbëjnë përshtypjet subjektive të lexuesit, shkenca e letërsisë ka nevojë për kritikën letrare, siç ka nevojë gjaku për oksigjen! E, duke qenë kështu, tash jemi në një situatë kur në mungesë të kritikës së mirëfilltë, çuditërisht kemi një invazion autorësh që duan të botojnë – dhe botojnë përditë pa asnjë kriter. Tash, kultura dhe letërsia vdesin dy-tri herë dhe në fund: gjuha!

Tash, në hapësirën e gjerë dhe të thellë të aksit që e përmenda më lartë, është në rrezik edhe vet toka jonë nga ndërtimet pa fre! Prandaj, aspak nuk është e rastit se në hapësirat e brendshme të këtyre ndërtimeve (materialisht dhe teknikisht të mrekullueshme),vështirë se mund të gjesh një letër dhe një laps për të shënuar një numër telefoni! Se jo një libër! Madje nuk gjanë as njerëz që banojnë aty. Pra, kritika letrare nuk banon më “në shtëpinë” e shkencës së letërsisë! Dhe, ky realitet, është për t’u sensibilizuar sa më shumë, sepse duhet dalë në ndihmë fjalës së bukur shqipe, pra duhet shpëtuar shkencën e letërsisë nga mungesa e lexuesit, e kritikës, nga injoranca, e sidomos nga mungesa e pranisë së shkëlqimit të dikurshëm të kritikës…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat