Arsimimi pa edukim ka pak vlerë

Kultura

Arsimimi pa edukim ka pak vlerë

Nga: Mr.sc. Shefki Stublla Më: 24 gusht 2022 Në ora: 10:40
Shefki Stublla

Lexues i nderuar, këtë shkrim timin po e filloj me një mendim të të madhit Sami Frashëri: ”Nëse do të jetosh një vit,mbill grurë e misër,nëse do të jetosh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë” Porosia themelore e këtij mendimi është nxjerrja e popullit nga terri në dritë. Andaj, arsimimi dhe edukimi duhet të fillojë nga djepi dhe të vazhdojë gjatë tërë jetës.

Arsimi dhe kultura është fytyra e mendjes së një kombi. As armiku më i madh i një kombi nuk mund të sjell më shumë dëm sesa mungesa e edukatës,e cila gjithë jetës duhet të merret sikur të ishe foshnje. Injoranca është armiku më i rrezikshëm për çdo komb.

Lumtuaria e njeriut bëhet nga arsimimi dhe edukimi, jo nga pasuria që fati ta sjell. Ata nga të cilët ne na mësojnë,me të drejtë quhen mësuesit tanë,por jo kushdo që na mëson,e meriton këtë emër.Sepse detyra më e rëndësishme e qytetërimit është të mësojë njeriun të mendojë drejt,me arsye. E gjatë është rruga e mësimit teorik,e vlefshme është shembullit praktik. E keqja është se shumica nesh duam të mësojmë më shumë në shkollë sesa më jetë.

Një mendim me vlerë: studio gjithçka ,por arsyes jepi përparësi gjatë arsimimit dhe edukimit.Shqiptoje gjithmonë me nder e respekt emrin e mësueses dhe mësuesit, nga i cili ke marrë dije,sepse pas emrit të prindërve ky emër është më bujari dhe më i miri.Edukata është buka e shpirtit.

Aktorët e edukatës

Aktorët kryesorë të edukimit dhe arsimimit janë familja dhe shkolla.

Familjen shumica e shkencëtarëve e konsiderojnë si kështjellë,ku mund tlë fshihesh nga çdo fatkeqësi në jetë. Brenda familjes lindin të gjitha ndjesitë,dashuria dhe kujdesi. Madje,f amiljen e quajnë edhe si qelizë të shoqërisë,atdhe të vogël. Në familje formohet personaliteti i njeriut dhe edukimi. Në familje roli kryesor i takon nënës. Ajo është shpirti i familjes,sepse ajo krijon atmosferën, ku secili anëtar e ndjen ngrohtësinë familjare dhe rehatinë e shpirtit. Nga historia e familjes shqiptare mësojmë se nëna shqiptare ka meritë të madhe për arritjen e popullit tonë në mileniumin e tretë.Ajo i ka përballuar të gjitha vështirësitë që krijuan okupatorët e shumtë,sidomos ai serbosllav, të cilin e mundi me lindje të shpeshta.

Sot edhe për familjen shqiptare koha ka ndryshuar shumë,sepse një grua shqiptare mund të jetë specialiste brilante,në çdo fushë të jetës,por rolin e saj asnjë mashkull nuk mund ta zëvendësojë në familje. Ajo e meriton ndihmë e burri të saj dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Këshillat e nënës për fëmijën:laj duart para bukës e pas bukës,nderoi të moshuarit,mos u ngatërro me shokë e shoqe,në autobus apo kudo e liro vendin për të moshuarin,mos bërtit,mos fol pa të pyet, dëgjoje mësuesin e mësuesen në shkollë, mos e përlyej klasën as koridorin e shkollës,punën e sotit mos e lë për nesër,telefonin mos e merr në shkollë.Këto këshilla kanë rëndësi të dorës së parë.

Shkolla është institucioni ku niset dhe mësohet rruga e pafundme e jetës.Ato që mësohen në shkollë duhet të zbatohen në jetë.Mësimdhënësi ka detyrë të shenjtë sepse nxënësit i mëson të mendojnë dhe të orientohen në jetë.Për mësuesin e mirë nuk ekziston nxënësi i keq.Asnjë sukses i mirëfilltë me nxënësit nuk mund të arrihet me bertimë. Nxënësi mos të konsiderohet objekt, por subjekt,partner për bashkëmësim.

Le të dihet se gjeniu pa edukatë është si argjendi në minjerë.Edukimi është vetë jeta.Dy janë të punësuarit e shtetit:mësuesja dhe nëna.Arsimimi është çelësi për të hapur derën biografisë së njeriut.Edukimi është një zjarr shëndritës.Arsimi pa identitet kombëtar s’ka vlerë,sepse pa etnitet s’ka identitet.

Roli i mësimdhënësit është i madh,sepse ai duhet të shpërndajë energji pozitive me shembullin dhe pastërtinë e tij morale dhe edukative.Nxënësit dhe nxënëset do ta imitojnë sjelljen dhe veshjen e tyre. Nxënësit duhet ta kuptojnë se ai që nuk hap asnjë liber fare është si një dhomë pa dritare.Të bindet se libri të mundëson, çdo skaj të botës ta kesh pranë.

Edukimi i mirëfilltë në shkollë është parakusht për arsimim kualitativ. Vend të posaçëm në shkollë të ketë edukimi për atdhedashuri.Nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit t’u flitet se Kosova është vendi i tyre,se ata nesër do të bëhen president, kryeministër, ministra, inxhinjerë, pilot dhe do të kenë të gjitha pozitat në Kosovë. Andaj, të mësojnë dhe të përgatiten për t’i marrë ato pozita të rëndësishme ekonomike, shoqërore, poltike dhe arsimore.

Disa këshilla edukative për atdhedashuri:secili të jetë i sigurt se fatbardhësia dhe lumturia ka kuptimin e plotë vetëm në vendlindje. Është detyrë e shenjtë të ruhet karakteri kombëtar, se çdo shqiptar është vëllai yt, nderoje dhe ndihmoje atë kur ka nevojë. Ndero flamurin e atdheut tënd.Mos e urre askënd. Në çdo kohë lufto për paqe, por edhe bëhu gati ta mbrosh atdheun.

Aktualisht arsimi dhe shumë veprimtaritë tjera shoqërore ekonomike po ballafaqohen me vështirësi të mëdha. Në veçanti arsimin duhet ndihmuar dhe kjo çështje të zgjidhet nga institucionet shtetërore e mos të lihet në dorë të ndonjë individ që të pengojë mësimin, ani ditën e parë të fllimit të vitit shkollor!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat