Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve

Kultura

Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve

Nga: Hejza Art Më: 24 gusht 2022 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Midis shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit ekzistojnë kufij politik, të cilat për shkaqe të njohura historike, shkaktuan shumë tragjedi e dhimbje, të cilat rezultuan me shpërndarjen e shqiptarëve në disa shtete.

Kjo shpërndarje dhe këta kufij politik, tash për tash, e pamundësojnë krijimin e kufijve etnik, ndonëse pengesat janë minimale që shqiptarët të lëvizin dhe komunikojnë lirshëm midis vete. Por, është gjuha që ata i bën të jenë një popull i veçantë dhe të kenë një kulturë të veçantë, ndaj dhe bashkimin shpirtëror duhet kuptuar si një realitet të pashmangshëm.

Megjithatë, për fatin tonë të keq, kur bëhet fjalë për vlerat shpirtërore, në kokat e shqiptarëve janë krijuar disa barriera dhe kufij, për të cilat janë përgjegjës vetëm ata dhe vetëm ata.

Kështu, në Kosovë, vepra e një autori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, me ligj është e ndaluar të mbështetet nga Ministria e Kulturës (nëse në ndërkohë nuk ka ndryshuar diçka në këtë drejtim) dhe po kështu në Maqedonia e Veriut nuk lejohet të mbështetet vepra e një autori shqiptar nga Kosova apo Shqipëria, me arsyetimin banal se nuk është shtetas i kësaj republike. Deri para disa viteve as që është bërë fjalë për një ndalesë të këtillë, sepse letërsia shqiptare është trajtuar si një letërsi. Kurse mos të flasim për mungesën e interesimit (edhe nëse ekziston është vetëm për çështje simbolike) në Shqipëri për autorë shqiptarë nga hapësirat tjera të Ballkanit.

Në fakt, në Shqipëri sikur është krijuar klima dhe bindja se ndër “maqedonsit”e “kosovarët” ka pak vlera shpirtërore, ndaj dhe prezenca e krijuesve shqiptarë nga këto pjesë shqiptare, është e vogël për të mos thënë simbolike, pse jo edhe e diskutueshme.

E gjithë kjo që u tha deri më tani është një e keqe që fare lehtë mund të zgjidhet me akte politike, të cilat nuk cenojnë me asgjë kulturat e popujve që jetojnë në afërsi të shqiptarëve. Por, është një e keqe tjetër, ajo e ndasive të thella politike, klanore dhe grupimeve të ndryshme që janë prezent gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

Midis shqiptarëve ka shumë dallime, shumë egoizëm, injorancë, diletantizëm, interesa të grupimeve të ndryshme, të cilat, bashkërisht, i shkaktojnë shumë plagë indit kombëtar në planin e asaj që quhet shpirtërore dhe që është burim i vlerave kulturore, dhe që e ndërtojnë identitetin e pastër kombëtar.

Pra, për të arritur deri te bashkimi i mirëfillte shpirtëror na mbetet që të mendojmë seriozisht, duke e shtruar vetëm një pyetje: a e duam vërtet veten apo thjeshtë aktrojmë se e duam? Nëse i kalojmë këto barriera të ngritura në kokat tona, atëherë bashkimi shpirtëror i shqiptarëve është i mundur, gjë që do të dëshmonte se ne vërtet e duam veten...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat