​Kip Winger, ylli i edicionit të sivjetmë të festivalit “Hardh Fest”

Kultura

​Kip Winger, ylli i edicionit të sivjetmë të festivalit “Hardh Fest”

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 12:38
Pamje nga Festivali

“Ca kokrra rrushi”, është slogani i edicionit të 21-të të festivalit “Hardh Fest”. Në datat 2, 3 dhe 4 pritet që mbi 100 mijë vizitorë të marrin pjesë në festën e vjeljes së rrushit. Me synim të promovimit të verërave të Rahovecit do të organizohen aktivitete të shumta, por do të performojnë edhe këngëtarë e grupe të njohura ndërkombëtare e vendore. Ylli i këtij festivali do të jetë legjenda e rock-ut, Kip Winger.

Drejtori artistik i festivalit, Gardalin Shtavica ka njoftuar për programin e këtij edicioni, ku bëri të ditur se hapja e festivalit do të bëhet nga Hysen Kafexhiu.

Shtavica: Sivjet yllin e festival e kemi këngëtarin Kip Winger

"Si zakonisht sjellim edhe një legjendë të rock-ut, një këngëtar të njohur ndërkombëtarisht, është një rock star i vërtetë. Sivjet si yllin e festivalit të Hardh Fest e kemi këngëtarin Kip Winger. Është një këngëtar dhe muzicient si dhe kompozitor amerikan, i cili ishte anëtar i grupit Alice Cooper, një prej grupeve më të njohura në botë si dhe është anëtar i grupit aktual Winger. Grupi Winger është shumë i njohur, i cili është aktiv që nga vitet e 80-ta, i përket zhanrit glam rock dhe ka fituar dy çmime për albumin ‘Winger’ dhe ‘In the Heart of the young’”, ka thënë ai.

Përveç Winger, në festivalin e rrushit do të performojnë edhe Dj Marvel, Mentor Haziri, Grupi Minatori, Alban Skenderaj dhe shumë të tjerë.

Shtavica: Synim kryesor e ka promovimin e rajonit vreshtar

“Festa e vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, synim kryesor e ka promovimin e rajonit vreshtar, verërave të Rahovecit dhe trashëgimisë kulture në Rahovec dhe qytetit në përgjithësi. Kjo festë e paraqet një periudhë kohore ku gjatë tërë vitit bujqit në vreshta, punojnë tokën dhe në shtator fillon vjelja e rrushit. Kjo periudhë e vjeljes së rrushit është një festë e vërtetë për të gjitha familjet dhe mendohet që zanafillën e ka qysh në kohërat e lashta dhe ky festival tash e 22 vjet mbahet në komunën e Rahovecit... (10:00) Ne presim që gjatë këtyre tre ditëve të festivalit të kemi mbi 100 mijë vizitor”, ka shtuar Shtavica.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Komunës së Rahovecit, Nora Boshnjaku tha se kanë ndarë një buxhet prej 25 mijë për mbështetjen e këtij festivali.

Boshnjaku: Buxheti që komuna ka ndarë është 25 mijë euro

“Festivali sivjet do të mbahet në 2, 3 dhe 4 shtator, është edicioni i 21-të që përkrahet po ashtu nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Përkrahja e Komunës së Rahovecit, duke e parë rrjedhën e festivalit ndër vite dhe seriozitetin që festivali ka, si dhe gatishmërinë që kemi që të bëjmë diçka në Rahovec, edhe sivjet. Ne kemi ndarë një buxhet po konsideroj të mjaftueshëm dhe përkrahja do të rritet nga viti në vit... (09:39) Buxheti që Komuna e Rahovecit ka ndarë për mbështetjen e Hardh Fest për sivjet është 25 mijë euro”, është shprehur ajo.

Edhe përfaqësuesja e verarësisë, "Stone Castle", Teuta Kurshumlija, u shpreh se edhe këtë vit do të jenë partnerë të organizimit të këtij festivali.

Për paraqitjen e traditës së vreshtarëve në Rahovec, organizohen aktivitete të ndryshme gjatë ditës, siç është gara për shtrydhjen e rrushit, për vjeljen, demonstrimi i pjekjes së rakisë, vizita në rajonin vreshtar si dhe në objektet e trashëgimisë kulturore në Rahovec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat