Urrejtja e katalogizuar

Kultura

Urrejtja e katalogizuar

Nga: Hejza Art Më: 27 gusht 2022 Në ora: 11:26
Foto ilustrim

Në periudhën e “zgjimit etnik” për “rimodelim të kombit”, kuazi-intelektualët maqedonas si dhe ata intelektualë të instrumentalizuar nga pushteti gruevskian, nisën realizime të shumë projekteve të cilët, fatkeqësisht, u rikthyen si bumerang dhe sot po i vuajnë pasojat vetë maqedonasit si asnjë komb në botë! U munduan të vjedhin histori, heronj, vlera të shumta nga trashëgimia kulturore, nisën t’i riemërtojnë gjetjet arkeologjike dhe, përtej kësaj “hajnie intelektuale”, çuditërisht hapën një front të provokimeve etnike, duke shpresuar në ndonjë qërim hesapesh etnike në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Peng e kishin (madje, akoma e kanë) “poshtërimin” që e përjetuan nga konflikti 2001. Krahas përvetësimit të fakteve të huaja, nisën edhe me përçmim, ofendim e nënvlerësim të shqiptarëve rezidentë! Sa i përket përvetësimit të fakteve nga historiografia dhe arkeologjia greke e bullgare, tashmë ndërkombëtarisht janë obliguar që përmes komisioneve të ndryshme t’i revidojnë të gjitha shkrimet, tekstet, librat, botimet për një “popull maqedonas antik, me një mesjetë të begatë dhe me ngjare e heronj që qysh se u rehatua toka në sistemin e planetëve paskëshin luftuar dhe na qenkan angazhuar për Maqedoninë e sotme!

Po kështu, tekste të pista ka pasur edhe për shqiptarët, të cilët, madje u quajtën si cuba të zbritur nga malet që kanë plaçkitur, vrarë e detyruar maqedonas që të ikin “nga vatrat e tyre shekullore”! Heronjtë shqiptarë të 2001-shit u quajtën terroristë. Dhe, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite këto tekste janë legale, përdoren nëpër shkolla dhe, të rinjtë maqedonas mësohen me të tilla teza fashizoide që nuk i bëjnë nder asnjë maqedonasi. Asnjëherë nuk u formuan komisione të përbashkëta shqiptaro-maqedonase, siç po funksionojnë komisione maqedono-bullgare, maqedono-greke! Të tilla tekste jo që akoma nuk janë reviduar, por gjenden të arkivuar, madje të katalogizuar e me isbn numra, të radhitura nëpër raftet e hapësirave të bibliotekave (në Shkup, Manastir, Shtip), nëpër të cilat nuk mund të kenë qasje qytetarë të rëndomtë (studentë dhe studiues shqiptarë)! Shqiptarëve mbase u thonë se e kanë tërhequr tirazhin e botimit problematik, por, në të vërtetë, ato botim tashmë janë të regjistruar nëpër biblioteka dhe bëjnë jetën institucionale! Studiohen dhe përdoren si literaturë shkencore për citime, për fusnota!

Një prej “enciklopedive” të fundit dhe mjaft problematik ka qenë edhe “Enciklopedia e filmit”, i autorit Georgi Vasilevski, botuar nga ShB “Kultura”, sponsoruar nga Ministria e Kulturës së RMV-së. Sipas autorit, bëhet fjalë për një enciklopedi që përfshinë ngjarje, personalitete e krijime nga bota e filmit. Ajo që të bie sakaq në sy është fakti irritues e që ka të bëjë me përfshirjen e shumë aktorëve e filmave maqedonas që janë ngritur në nivelin e aktorëve dhe filmave botërore. Në kuadër të filmave dhe aktorëve botërore vend të konsiderueshëm zënë edhe filmat dhe aktorët serbë, pastaj ata kroatë, boshnjakë, turq dhe, si shkarazi do t’i jepet një shtyllë hapësirë edhe aktorit me përmasa botërore, Bekim Fehmiut. Asgjë nga bota filmike shqiptare! Fatkeqësisht, edhe në këtë rast vije në shprehje qëndrimi antishqiptar tashmë i brumosur në ndërdijen e disa qarqeve intelektuale maqedonase! Vasilevski, Bekim Fehmiun e quan “aktor serb”! Tekstualisht thuhet: “Bekim Fehmiu është aktor serb i filmit dhe i teatrit”!

Tërë bota, madje edhe vetë serbët e njohin si aktor shqiptar, përveçse maqedoansit! Autori i kësaj “enciklopedie” nuk nënvizon faktin që, më vitin 1987, në mënyrë demonstrative Bekim Fehmiu hoqi dorë nga shfaqja “Madame Kolontine” të autorit Anete Playel, edhe atë jo për shkaqe teknike, por pikërisht për faktin se serbët e kishin mbushur kupën e propagandës antishqiptare. Dhe, që nga ky moment, ai kurrë më nuk është ngjitur as në skenat e teatrit serb dhe as në sheshxhirimet e filmit serb!

Të trajtohet si aktor serb aktori shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiu, është një ofendim nga më të rëndat që mund ta bluajë vetëm mendja e ulët “akademike”.

Dikur te Ura e Gurit gjendej një copë mermeri ku thuhej se në iks vitin në këtë vend pushtuesit osman e vranë patriotin maqedonas, Karposhin! Pas restaurimit dhe meremetimit të kësaj Ure, Drejtoria për Trashëgimi Kulturore e Maqedonisë, në po të njëjtin vend vuri një pllakë përkujtimore edhe më të madhe me të njëjtin tekst. Me kërkesë të ministrisë turke, të përcjellë nga ambasadori turk në Maqedoninë e Veriut, kjo Drejtori e hoqi me urgjencë atë pllakë, sepse, sipas turqve otomanët nuk na paskan qenë pushtues por shpëtimtarë, nuk na paskan vrarë, por paskan përhapur dritë, dituri e shpëtim. E korrigjuan pasi “dikush” ua tërhoqi veshin!

Gënjeshtrat nuk mund të përmirësohen me heshtje, por duke reaguar përmes mënyrave të ndryshme. Gënjeshtra e heshtur nis dhe e merr trajtën e së vërtetës! Në rastin e Bekim Fehmiut është vetëm një e vërtetë. Ai ishte shqiptar me rrënjë e me gjak. Fatkeqësisht, askush nuk u mor me këtë “Enciklopedi”, heshtën të gjithë subjektet shqiptare, heshtën institucionet përkatëse kombëtare. Mbase, duke u nisur nga një logjikë e mbrapshtë që projektet maqedonase t’i kundrojnë vetëm si “problem i karakterit etnik maqedonas”! Megjithatë, si pasojë e këtij karakteri, raftet e bibliotekave nacionale maqedonase janë përplot me botime të katoligizuara që mes kopertinave ruhen shtrembërimet e fakteve, shpifjet, trillimet, urrejtjet antishqiptar të ca “akademikëve” maqedonas! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat