Kundrajë për librin: “Përtej dashnisë…”

Kultura

Kundrajë për librin: “Përtej dashnisë…”

Armanda Veseli Nga Armanda Veseli Më 28 gusht 2022 Në ora: 13:06
Kopertina e librit

Një libër si biografia e autorit…

… prolog…

… kohë më parë kam pasë shkruar një ese të titulluar “Ndoshta”, dhe nuk e di pse më ka pëlqyer e më pëlqen kaq shumë kjo fjalë, të cilën e përdor shpesh, që prej asaj kohe që jam “dashuruar” me të!...

Falë ndihmës që më ka ofruar, si dhe bashkëpunimit që kemi patur në disa sipërmarrje letrare dhe artistike, ndjehem e privilegjuar që më është dhënë mundësia të njihem me krijimtarinë ndër vite, në gazetari dhe publiçistikë të Profesorit tim të nderuar Martin Dedaj. Shpesh herë kam sjellë në mendje fjalën time të dashur “Ndoshta”, teksa kam menduar se; “Ndoshta ky mund dhe duhet të këtë prirje krijimtarie edhe në poezi”...

… dhe në këtë konstatim paskem pasë plotësisht të drejtë! Pasi u binda plotësisht për këtë, teksa lexova poezitë e vëllimit të parë poetik me titull: “Përtej dashnisë”, ku përmes këtij libri autori ka mishëruar mësëmiri, atë çfarë thotë gazetari, shkrimtari, kritiku, skenaristi dhe kinematografi Italian Ennio Flaino (1919-1972); “Në moshën njëzetëvjeçare tentohet poezia, kurse në moshën mbi pesëdhjetë vjeçare, kuptohet se duhet të kishe këmbëngulur”. E në këtë rast fjala “Ndoshta” bie plotësisht, pasi në optikën time autori me këtë libër prezantohet denjësisht përpara lexuesëve në tërësi dhe veçanarisht atyre të kultivuar të letërsisë dhe kritikës letrare.

Në cilësinë e rektores, këtë libër e kam lexuar disa herë dhe më ka pëlqyer tej mase. Pasi në të janë ndërthurur bukur njëra me tjetrën shumë elementë si: kohështrirja e krijimtarisë; aktualiteti dhe qëndrueshmëria kohore e saj; përmbajtja; fryma e të shkruarit dhe koloriti i tij, mënyra e strukturimit të vargut dhe strofave herë standarde e herë të “ç’thurura” por gjithëherë të rimuara dhe me mesazhe të qarta. E mbi të gjitha mënyra e drejtpërdrejtë e të shprehurit, ashtu siç në fakt është në natyrën e tij vetë autori. Në këtë rast ka vend ajo çfarë thotë shkrimtari rus Jevgeni Jevtushenko se: “Biografia e një poeti është poezia e tij. Të gjitha të tjerat janë poshtëshënime”. Thënë ndryshe ky libër është vetë biografia e autorit, libër i cili është ndarë në katër kapituj: Asht’; Realitete; Meditime; dhe Eshkë Dashnie, nga ku ka dalë edhe titulli i tij, që i shkon mësë miri për shtat përmbajtjes lëndore të tij, i cili vjen si një katërkëndor lëvizës ku intensiteti i “rrymës krijuese” spostohet sa në njërin kënd në tjetrin, duke ruajtur raportet ndërmjet njëri-tjetrit, unifikimit të tyre dhe ashtin e tij, në tërësinë e librit.

Dalja dhe prezantimi i këtij libri përkon edhe me ditëlindjen e autorit, që në muajn Maj të këtij viti mbushi pesëdhjetë e gjashtë vjeç. E me këtë rast i uroj; Jetë të gjatë dhe plot lumturi së bashku me familjen e tij të mrekullueshme. Suksese dhe mbarësi në të gjitha udhët e jetës, padyshim edhe atë të krijimtarisë letrare.

Vëllimi i parë poetik; “Përtej dashnisë” i autorit Martin DEDAJ është një dhuratë e veçantë që ai i ka bërë familjes dhe gjithë lexuesëve, miqëve dhe shoqërisë letrare të tij, pjesë e së cilës kam kënaqësinë dhe privilegjin të jem edhe unë! Faleminderit Profesor dhe ju mirëpresim me krijimtari të tjera në këtë zhanër krijimtarie!

Para botimit të librit, Maj 2022.

2. Dashnia ky oaz, që të bën të dalësh përtej saj…

- opinion përtej prologut-


“Përtej dashnisë…”, është një libër i pushtuar për tu mbrojtur nga tri femra. Autori vjen përpara lexuesëve, me këtë libër poetik, i pari për të në këtë zhanër, që synon për ta “shkrirë” disi dashurinë, këtë ndjenjë të fortë njerëzore, duke u përpjekur për të na treguar realitetet e jetës, në mënyrë sa më njerëzore dhe të drejtëpërdrejtë

Duke ditur se Martin DEDAJ, në mbi tre dekada ka punuar dhe ushtruar profesione dhe detyra nga më të ndryshmet, madje shumë serioze dhe të ashpra, pse jo dhe të vështira, gjithashtu, dhe që ka shumë njohuri për botën e artit në të shkruar dhe lexuar dhe mbi të gjitha të argumentuarit, që ai e ka pikën më të dobët, të qenies së tij. Thënë ndryshe ai është një njeri që njihet si burrë me karakter të fortë!... Por ja që vjen një moment që edhe ai “gjunjëzohet”, se “fortësia” e tij bie përballë dashnisë, kësaj zbutësie magjike të gjithësisë, teksa me ato çfarë shkruan nuk mplekset nga paragjykimet dhe “nudohet” përballë dashurisë, madje synon të shkojë deri edhe përtej saj, a thua se ajo ka vetëm një prag apo kufi.

Teksa autori synon metaforikisht që të shkojë përtej dashnisë, në fakt ai ka hyrë dhe është ulur këmbëkryq brenda saj, dhe e shijon atë me ëmbëlshtinë e mjaltosur e herë-herë edhe të kriposur e të inatosur, por gjithëherë të çiltër e me ndjenja shpirtërore përtej saj, pa ndryshuar karakterin e tij.

Saqë shpesh herë autori përdor shprehjen: "Unë vërtet mund të mos jem shumë kushi, por s'jam as, askushi, pasi jam ai që kam qenë dhe do te jem ai që jam", qe sipas meje do të thotë që: - Ai, nuk do ndryshonte asgjë në këtë botë, pavarsisht situatave apo progresionit të jetës, veçse do të përpiqej të shprehte dhe të thoshte, biles edhe me zë të lartë gjithçka ndjen, herë me rreshta dhe herë me fjalë.

Për të nuk përbën asnjë shqetësim fakti se, shumë të tjerë mundohen ti sulen, madje edhe pabesisht, por ai ecën me hapa të matur, në udhën e tij mbështetur mbi parimet e karakterit të tij dhe realitetet njerëzore me bazë argumentet logjike mbi to.

Autori për vetë karakterin e tij nuk mund ta mbajë kurrësesi përbrenda atë që ai mendon, madje as ndjenjat për dashurinë, sepse dashuria është si stina e kësaj vere të nxehtë, që të "përvëlon" shpirtin, ndjenjat, trupin, ku në detin e thellë të saj zhyten emocionet, entuziazmi, dëshirat, ëndrrat dhe jeta, që nuk i dihet çfarë drejtimi do të marrë, sepse një ditë ajo dashuri mund edhe të "vrasë" thellë në shpirt, por nganjëherë edhe plaget e dashurisë, janë të bukura sepse janë pjesë e jetës edhe ato, pasi lënë pas kujtime të bukura, pse nganjëherë edhe të hidhura. Por sipas meje rregulli numër një i dashurisë është që, atë duhet ta shijosh dhe ta jetosh lumturisht, pasi ajo është ndjenjë e bukur me plot magji e atraksion, e mbi të gjitha të sjell një relaks shpirtëror dhe të fut në një udhë plot ëndrra, lumturi dhe të kalon vërtetë përtej dashnisë...

* Redaktore e librit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat