Libri i Prof. Thanas L. Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re» – një kontribut me vlera për historiografinë shqiptare

Kultura

Libri i Prof. Thanas L. Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re» – një kontribut me vlera për historiografinë shqiptare

Nga: Fotaq Andrea Më: 3 shtator 2022 Në ora: 12:31
Kopertina e librit

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Prof. Thanas L.Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re». Është libri i tij i tretë me tematikë të mirëfilltë shkencore në fushën e shpirtërores ungjillike, bazuar drejtpërdrejt te “Dhiata e Re”, tek ka botuar tashmë me sukses “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” më 2007, dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” më 2014. Vepra këto që përbëjnë sot që të trija një korpus unik dhe një risi të veçantë për historiografinë shqiptare, të lidhura ngushtë siç janë me udhëtimet misionare të Shën Palit, sidomos në trevat iliro-shqiptare të Ilirikumit të lashtë dhe me fillimet e përhapjes mes tyre të krishtërimit, Frymës së Shenjtë.

Me bagazh të rëndë si studiues i mirëformuar para viteve të demokracisë, kur kish punuar për 26 vjet me radhë në Institutin e Gjuhë-Letërsisë, prof. Gjika vjen me këtë libër të ri, i një veçantie të dukshme, për të vërtetuar sërish se edhe në fushën e Shkrimeve të Shenjta, përtej dogmave dhe vendimeve historike të Koncilit, përtej paragjykimeve në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, ka vend përherë për studime të thelluara shkencore, të cilat e vendosin sot prof. Gjikën në radhën e studiuesve dhe biografëve më të njohur, sidomos të jetës apostolike të Shën Palit, madje, do thoshim pa ndrojë, në pararojë të tyre, me prurje përherë të reja, përmes vështrimesh dhe analizash shkencore nën filtrin e kritikës konstuktive.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa këto vepra janë fryt i një pune këmbëngulëse 25 vjeçare filluar nga prof. Gjika që më 1997 në Amerikë, kur me përpjekje të vazhdueshme shkencore ai rrok fuqishëm e guximshëm një tematikë me përmasa botërore dhe me rëndësi madhore për vetë forcën e shpirtërores njerëzore. Kësisoj, tek bën objekt të punës së tij shkencore këtë fushë mjaft të vështirë e delikate, si ajo Frymës së Shenjtë përhapur nëpërmjet apostujve të saj, prof. Gjika ka meritën e padiskutueshme se ia del mbanë të flasë me sukses, në rrafsh ndërkombëtar, për kundërthëniet apo përplasjet nga një studim te tjetri të “Dhiatës së Re”, për kontradiktat dhe pasaktësitë që hasen në këto studime dhe në hartat historike shoqëruese të tyre, sidomos lidhur me jetën dhe veprën e apostujve të Jezusit. Duke respektuar traditën shekullore të Kishës së krishterë dhe doktrinën e saj të shenjtë, Prof. Gjika guxon dhe korrigjon me forcën e besimit shkencor tërë pasaktësitë që përmbajnë studimet historike lidhur me Shkrimet e Shenjta. Sepse ai e zotëron plotësisht lëndën biblike, di ta ndajë dhe ristrukturojë atë në mënyrë të saktë shkencore, për t’i trajtuar veçmas dhe hollësisht pikërisht katër Udhëtimit misionare të Shën Palit. Dhe e tërë kjo domosdo mbi bazën e hulumtimit këmbëngulës, tek ka vëzhguar, qëmtuar, krahasuar, arsyetuar me analiza të thella faktet dokumentare në shënimet dhe hartat e “Dhiatës së Re”, gjë që e lejon atë të sjellë saktësimet dhe korrigjimet e duhura, me probabilitet të pashmangshëm historiko-shkencor.

Njohës i thellë, i përpiktë, i kujdesshëm, specialist i veçantë në fushën e shpirtërores sipërpore, Prof. Gjika nxjerr fuqishëm në pah krijimin e bashkësive të para të krishtera arbërore në Iliri, krahas bashkësive greke e maqedone, si dhe rolin e madh që luante Kisha e krishterë themeluar në Durrës nga Shën Pali. Ashtu si në librat e tij të këtij korpusi të veçantë, edhe në këtë vepër të re, prof. Gjika i përmbahet me besnikëri dhe frymë krijuese ndër të tjera dy burimeve kryesore bibliografike me tematikë shqiptare, konkretisht: veprës madhore të Barletit nga njëra anë, i cili jep të dhënën e rëndësishme se “në Shtëpinë princërore të Pal Dukagjinit, në TejDrinën e Sipërme, vërehen përmendore prej mermeri, ku shihen emra perandorësh romakë... dhe gjurmë se këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishterë” (f.79); dhe nga ana tjetër, të dhënën burimore të jezuitit dhe historianit Daniele Farlati në veprën e tij madhore “Illyricum Sacrum”, sipas së cilës Kisha e Durrës në vitin 57-58 kishte 70 familje anëtarë dhe se Apolo e Cezari ishin peshkopë të saj. Duke logaritur kohën e udhëtimit të tretë misionar (UM3) të Palit, studiuesi Gjika saktëson se koha e vizitës së apostullit Pal në Durrës kishte ndodhur në vitin 56, pra një ose dy vjet më parë se se viti, kur kjo kishë kishte atë anëtarësi të madhe.

Po ashtu në këtë studim argumentohet me të dhëna nga vetë taksti i letrës kanonike “Romakëve” se Shën Pali e hartoi pjesa kryesore e saj, që ka qenë letër më vete (Rom 1-15) në Dyrrach (Durrës). Nuk mungon me këtë rast, dhe me të drejtë, propozimi i prof. Th. Gjikës, me shumë largpamje dhe ndjenjë krenarie kombëtare që të ngrihet shi në Durrës përmendorja e Shën Palit duke shkruar këtë letër kanonike. E mbështesim fuqimisht këtë propozim të tij me besimin se së shpejti koha do ta bëjë realitet.

Udhëtimi i tretë misionar (UM3) dhe Udhëtimi i katërt misionar (UM4) i Shën Palit në trevat shqiptare përbëjnë kështu objekt studimi të hollësishëm për Prof. Gjikën, i cili, pasi parashtron tërë toponiminë me emrin e Shën Palit në trevat shqiptare, propozon edhe korrigjimet e tij të nevojshme të hartave zyrtare UM3 për lëvizjet e Shën Palit në këto treva shqiptare, si dhe kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve në vitet 52-57 (f. 92). Po ashtu, edhe për UM4, prof. Gjika nxjerr në pah sërish lëvizjet e Apostullit Pal në trevat iliro-shqiptare, gjithnjë duke pasur për bazë qytet-portin e Durrësit dhe rrugën Egnantia gjatë periudhës mars 62 - qershor 63. Dhe e jep me përpikmëri tërë këtë udhëtim të Sh. Palit: Romë – Puteoli – Brindisi – Durrës – Nikopol – Lascea – Cezara – Milet – Peloponez, etj dhe përsëri kthimin në qytetin e Durrësit e që aty vajtjen në Romë (f. 114-115).

Është e njohur se kryesisht gjatë shekullit XIX, studiues dhe dijetarë të huaj ishin të parët që trajtuan shkencërisht të dhënat historiko-gjuhësore për Shqipërinë dhe shqiptarët, sikurse ndodh edhe me këtë të dhënë të akademistit francez Jacques Bourcart (1891-1965) për udhëtimin e Shën Palit në Shqipëri tek nënvizon: “Shën Pali e predikoi atë (kristianizmin) mbi kodrën e Dyrrahut” (sipas librit F. Andrea, “Pena të arta franceze për shqiptarët”, f. 509-516). E megjithatë, baza e shkencave albanologjike do fillonte mrekullisht me kontributin e figurave të ndritura të Rilindjes shqiptare dhe do themelohej shkencërisht në mesin e shekullit XX, kur do të ishin tanimë dijetarët shqiptarë, historianë, arkeologë, gjuhëtarë, etj. që do të thoshin me vendosmëri e vërtetësi dokumentare fjalën e tyre shkencore që frymëzon sot dijetarët e huaj për thellime të mëtejshme në shkencat albanologjike. Dhe në këtë mes, Prof. Thanas Gjika, me kompetencë studiuesi serioz flet bukurisht e ndërkombëtarisht, për të na e sjellë figurën e Shën Palit tepër njerëzor dhe tepër përkushtues për kauzën e tij të shenjtë apostolike. E paraqet këtë figurë me dashuri, vërtetësi, me tërë cilësitë e larta njerëzore e mbinjerëzore (misionare e hyjnore), duke parashtruar të dhëna të reja, saktësime e korrigjime, me frymë novatore, përtej çdo ndjenje inferioriteti, kur popuj të vegjël si i yni kanë nxjerrë dhe nxjerrin përherë figura të ndritura historike si Nënë Tereza, shenjëtorja shqiptare.

Por, që studiuesit shqiptarë të flasin sot ndërkombëtarisht dhe në mënyrë dinjitoze në tërë fushat e albanologjisë, e sidomos në këtë fushë të shpirtërores supreme, siç bën prof. Gjika me librat e tij, lypset para së gjithash e mbi të gjitha një strategji e tërë kombëtare për punë të mirëfilltë përkthimore të veprave madhore albanologjike. E më tej me revista shkencore dhe deri te dokumentarë shkencorë. Lypset popullarizimi i figurave dhe vendeve historike shqiptare me tabela e shënjues në gjuhë të huaja, me lapidare e përmendore, me tregues historikë e katalogë, si dhe me punë të vijueshme krijuese nga autorët dhe artistët shqiptarë, nga piktorët e skulptorët tanë të talentuar.

Shqipëria po hapet përherë e më shumë për vizitorin dhe turisitin e huaj, Shqipëria ka se çfarë t’i tregojë denjësisht njerëzimit pasuritë e veta historiko-kulturore, traditat e saj të famshme në mikëpritje dhe dashuri të shenjtë njerëzore. Dhe këtë dashuri të shenjtë për figurën e Shën Palit dhe misionin e tij historik e shpreh fuqimisht libri më i ri i Prof. Thanas L. Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re».

Strasbourg 8/31/2022

 

Dr. Thoma Qendro

Mendime për librin e Prof. Thanas L. Gjikës

“Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re”

Leximi i librit “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e “Dhiatës së Re” (Botimet Jozef 2022) të Prof. Thanas Ligor Gjikës më ndihmoi të kuptoj më mirë traditën tonë rreth përhapjes së krishtërimit në trojet ilire.

Ndonëse nuk jam specialist i mirëfilltë i studimeve biblike, as teolog dhe as historian i Krishtërimit, por po jap disa vlerësime për këtë libër, sepse e njoh lëndën e “Dhiatës së Re” duke qenë se jam marrë me hartimin e botimit të parë të “Biblës” në gjuhën shqipe titulluar Të Shkruomitë Shenjtë, ku bashkova fragmentet e librit Meshari të Gjon Buzukut (botim i SHBNSH, Tiranë, 2010). Po ashtu jam marrë me transkriptimin, përgatitjen dhe botimin me shpjegime gjuhësore të Dhiatës së Re të përkthyer nga Vangjel Meksi e të botuar në Korfuz më 1827 nën redaktimin e Grigor Gjirokastritit prej Shoqërisë Biblike Britanike dhe për të Huajt (botim i SHBNSH, Tiranë, 2016), si dhe të Ungjillit të Shënt Mattheosë nga të njëjtët persona më 1824 (botim i SHBNSH, Tiranë, 2021). Ndërkohë, ashtu si Profesor Thanas Gjika edhe une kam marrë të njëjtin formim filologjik e historik në Fakultetin Histori – Filologji dega Gjuhë Shqipe Letërsi, ku kemi qenë bashkëstudentë.

Paraprakisht e përgëzoj me gjithë zemër autorin si dhe botuesin e bashkëpunëtorin e hartave, z. Aurel Kaçulini, dhe mund të them se studiuesi Thanas Gjika ka bërë një punë titanike, të denjë për një institut të tërë të kompletuar me specialistë të të gjitha fushave të studimeve biblike. Në këtë libër është njëkohësisht puna e filologut, e historianit jo vetëm të fesë, e teologut dhe e filozofit që me argumente logjike nxjerr përfundime të arsyeshme dhe bën sugjerimet përkatëse. Metodologjia e përdorur në këtë studim është për t’u admiruar. Analiza është e përsosur. Përdorimi analitik i mjeteve gjuhësore, i njëjësit dhe i shumësit të përemrave vetorë e të foljeve, i mënyrave e kohëve të foljeve në funksion të ngjarjeve konkrete (sidomos të librit “Veprat” të shën Lukës) që patën ndodhur në praninë ose jo të tij, janë shumë domethënëse.

Hulumtimi dhe udhëtimi logjik që ndjek studiuesi janë interesante dhe mendoj se në një të ardhme ndoshta jo edhe të largët mund të hapin debate teologjike e historike. Unë si shqiptar jam i prirur të ndjek me interes ngjarjet biblike që ndodhin në Shqipëri, dhe si durrsak të shoh me interes ato që kanë ndodhur në Durrës, ashtu si një lezhjan p. sh. do të ishte i interesuar për ngjarjet në Lezhë, etj.

Historia e feve është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e një vendi dhe populli, pasi shpesh ato përcaktojnë edhe zhvillimet shoqërore dhe ekonomike, ideologjike dhe politike, aleancat, miqësitë dhe armiqësitë me popujt dhe vendet e tjera.

Nuk është gjë e lehtë të komentosh në mënyrë krijuese e të sjellësh risi në studimet biblike, me të cilat janë marrë e merren për rreth 2 mijë vite, me miliona studiues të të gjitha fushave e nga të gjitha vendet. Prof. Thanasi e ka arritur këtë. Në veprën e tij ka aq shumë fakte, argumente, gojëdhëna, analiza, përfundime e sugjerime, ngrihen aq shumë çështje, shtrohen aq shumë teza, sa për secilën prej tyre mund të komentosh, të diskutosh e të shkruash edhe shumë më gjatë, e pse jo, një njeri i përkushtuar mund të frymëzohet e të shkruajë edhe studime e monografi të veçanta.

Në pamundësi për t’u marrë me hollësi në një diskutim promovues si ky, do të ndalem shkurt në dy aspekte që trajtohen drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë libër, por që janë të lidhura ngushtë midis tyre:

E para, përforcohet teza se Krishtërimi në Iliri, pra rrjedhimisht në territoret e sotme shqiptare, nuk u importua as nga Greqia dhe as nga Roma, por është me prejardhje apostolike dhe u përhap në të njëjtën kohë me këto vende. Bashkësia e krishterë e Durrësit, p. sh., që ishte një nga qytetet më në zë të antikitetit, u krijua drejtpërdrejt nga vetë apostull Pali gjatë udhëtimeve të tij misionare. Këtë të vërtetë historike Profesor Gjika e ka formuluar edhe në botimet e tij të mëparshme, por në këtë studim edhe më bindshëm.

Nga ana tjetër, puna e shën Palit në trojet ilire ka qenë pranuar edhe nga historianë objektivë të huaj e vendës edhe para studiuesit Thanas L. Gjika, ndonëse ka disa që ende për arsye të ndryshme, të cilët nuk është as rasti dhe as vendi t’i përmend këtu, e paraqesin Krishtërimin në Shqipëri si fe të importuar e të imponuar nga të huajt.

“Historiani italian Danijele Farlati, - shkruan profesor Thanasi, - duke u mbështetur në shënimet e një Menologu greqisht të përkthyer italisht prej Kardinalit të Sirletit, ka shkruar se - Sh. Pali krijoi kishën e Durrësit dhe se kjo kishë në vitet 57-58 kishte 70 familje anëtarë ...” (f. 79).

E pikërisht këtë të dhënë Prof. Thanasi e plotëson me argumente e fakte të reja, vlerë e pakundërshtueshme e punës së tij, e pranuar dhe prej studiuesish amerikanë e shqiptarë.

Duke folur për hartimin e dy pjesëve të Letrës kanonike drejtuar Romakëve, pasi analizon me hollësi udhëtimin misionar që kishte bërë Pali në kushtet e asaj kohe (meqenëse Durrësi ishte pikënisja lindore e Adriatikut që lidhte nëpërmjet rrugës tokësore “Egnatia” Lindjen e Mesme, pra dhe Jeruzalemin, dhe nga ana tjetër Romën, nëpërmjet rrugës më të shkurtër detare duke kaluar te gadishulli italik), prof. Thanasi arrin logjikisht në përfundimin se gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar Pali kishte ndalur në një qytet të madh “ku kishte pasur kohë të mendonte e meditonte disa javë. Një ndalesë e tillë ishte kryer në qytetin Dyrrach (Durrës), ku Pali krijoi kishën e krishterë ...” (f. 171).

Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi edhe në vendet përreth Ilirisë, në gadishullin italik dhe në gadishullin e sotëm ballkanik, si dhe në vetë vendet e atëhershme hebraike, Krishtërimi sapo kishte lindur e po përhapej në kushte mjaft të vështira, drejtpërdrejt përmes apostujve, ndërsa zyrtarisht nga autoritetet shtetërore përndiqej egërsisht dhe dënohej me vdekje mizore cilido që e përqafonte. Kjo gjë ka qenë pranuar edhe nga historiografia e periudhës komuniste, pavarësisht interpretimit materialist marksist që i bëhet përhapjes së Krishtërimit në Shqipëri. “Gjendja e vështirë e skllevërve dhe e shtresave të tjera të shfrytëzuara krijoi kushte të favorëshme që edhe në Iliri të përhapej krishterimi si fe që u premtonte njerëzve një jetë të lumtur pas vdekjes. Si besim i atyre që vuanin dhe shfrytëzoheshin, si besim i të varfërve dhe i skllevërve, kjo fe e re gjeti në fillim një rezistencë të madhe nga ana e perandorëve dhe e klasës sunduese të qyteteve. Predikuesit e saj bile u persekutuan. Por nga shek. III dhe veçanërisht në shekujt e mëpastajmë rritja e numërit të besimtarëve dhe ndryshimi gradual i përbërjes së tyre sociale ndikoi shumë mbi organizimin e fesë së re si dhe të ideologjisë së saj.” (Historia e Shqipërisë, I, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituri i Historisë dhe i Gjuhësisë,Tiranë, 1959, f. 126).

Së dyti, autori jep hollësi, argumente dhe gojëdhëna të shumta për udhëtimet e Palit. Natyrisht, gojëdhënat nuk janë fakte historike, po kur ato u kanë rezistuar me shekuj tallazeve të ngjarjeve historike, aq më tepër kur përkojnë me këto ngjarje, qoftë edhe pjesërisht, apo simbolikisht, ndihmojnë për të hedhur rreze drite mbi disa të vërteta historike. Në Durrës, p. sh. gojëdhënat për shën Palin, shën Cezarin dhe shën Astin kanë mbetur e gjalla deri sot dhe ato janë të lidhura dhe me faktet historike. Kepi i Palit, i transformuar ndër shekuj në gojën e mbarë popullit në emërtimin Bishti i Pallës apo Bishtpallë, që përmenden edhe në librin që po promovohet sot, është një dëshmi e qartë për këtë. Po kështu për këtë flet edhe fakti që të krishterët durrsakë e të rrethinave të qytetit, e kanë ruajtur ndër shekuj në traditën e tyre kujtimin e shën Astit: emrin e këtij kryepeshkopi martir të Durrësit, që u gozhdua në kryq në këtë qytet nga sundimtari i Durrësit Agrikoli, gjatë përndjekjeve të të krishterëve nga perandori romak Trajan në vitet 97-117 pas K. Emrin e tij e trashëgojnë edhe sot e kësaj dite mjaft durrsakë, ortodoksë apo katolikë. Dhe nuk është rastësi që ky emër përdoret vetëm në Durrës e në trevat rreth tij.

Libri që po promovohet sot i Profesor Thanas Gjikës është i mbushur me hollësi dhe burime dokumentare e gojëdhanore për udhëtimet e Palit nëpër Shqipëri, për qëndrimin, predikimet dhe shkrimet e tij e të bashkëpunëtorëve e shoqëruesve të tij misionarë në qytetet e vendbanimet e trevave ilire. Deri më sot shumë pak është bërë për të hulumtuar e studiuar rreth ngjarjeve të asj periudhe nga studiuesit shqiptarë, siç ka bërë profesor Thanasi. Përshkrimi dhe studimi që ai bën për udhëtimet e Palit, sidomos udhëtimi i tretë që pranohet kanonikisht nga të gjitha Kishat e krishtera, dhe udhëtimi i katërt, për pranimin e të cilit ka edhe debate historike, meritojnë, për mendimin tim, të zënë vend në diskutimet e rretheve teologjike e historike kishtare, sidomos në kolegjet e fakultetet teologjike e më pas, pse jo, ndoshta edhe në organizmat vendimmarrëse të Kishave, siç janë konferencat, sinodet apo koncilet.

Studimi i Thanas Gjikës nuk është thjesht studim mbi Fenë e krishterë, por është një analizë e shumanshme historike, filologjike, logjike, e të dhënave mbi udhëtimet e Palit. Luka, në librin Veprat e Apostujve, të përfshirë në librat kanonikë të “Dhiatës së Re”, përshkruan disa nga vendet ku ka kaluar, qëndruar, predikuar e punuar shën Pali, dhe natyrisht nuk shkruan me hollësi për çdo milje rruge që ai dhe grupi i tij i shoqëruesve patën bërë. Mbushja e këtyre zbrazëtive, sidomos gjatë udhëtimeve nëpër viset ilirike, është detyrë e historianëve shqiptarë që t’i plotësojnë. Pikërisht këtë ka bërë profesor Thanas Gjika dhe shpresoj, që ato të zënë vendin e merituar në historinë e Kishës së Krishterë të Shqipërisë e më gjerë edhe në historinë e përgjithshme të vendit tonë.

Së fundi i shpreh urime dhe përgëzime profesor Thanasit për gjithë veprën e tij, dhe inxhinier Aurel Kaçulinit, për punën e saktë plot pasion që ka bërë në bashkëpunim me autorin e librit, për përcaktimin e vendkalimeve dhe vendqëndrimeve të shën Palit nëpër trojet që i përkasin sot Shqipërisë. Shpresoj, që hartat e përgatitura prej tyre, sidomos ajo e Udhëtimit të tretë e të katërt, të gjejnë vend edhe në botimet e ardhshme biblike shqiptare dhe të huaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat