Baloni

Kultura

Baloni

Nga: Dibran Demaku Më: 4 shtator 2022 Në ora: 21:49
Autori Dibran Demaku

Para se anija të lëshonte spirancat në liman erdhi udhëheqësi i grupit tonë dhe pasi më ndau nga familja dhe më dërgoi në një kënd ku nuk kishte njeri,më tha:-Vështirë se do të kalosh matanë! Nuk e besoj se doganieri italian do të të lë të hysh në tokën italiane. Andaj po ndodhi që ty dhe familjen tënde të ju kthejnë mbrapsht,ti mos u merzit shumë!...

Ai po llomotiste edhe fjalë të tjera,ndërkaq nga befasia se si m`i tha ato fjalë ashtu rrufeshëm dhe papritmas,unë nuk po dija se çfarë të thoja.Frika ,se mua dhe familjen time do të na kthenin nga kishim ardhur,më kishte ndalur edhe trurin.Ai thuajse ishte bllokuar i tëri dhe nuk po funksiononte.Në një moment sikur truri im u çlirua dhe unë tërë nerva ia ktheva udhëheqësit të grupit tonë:-Pse more burrë po m`i thua këto fjalë kaq vonë?!Pse nuk m`i the që në nisje,por tash kur duhen vetëm edhe pak minuta që ne të lëm anijen?! Ai pa pikë turpi dhe respekti ma ktheu:-Kështu ishte dëshira e agjensisë së udhëtimeve! Po të të tregonim që në nisje ti do të kërkoje që paratë për bileta e paguara të t`i kthenim mbrapsht! Ndërkaq tani kur jemi në gjysëm të rrugës edhe nëse të kthejnë mbrapsht ne nuk jemi fajtor dhe karshi kësaj nuk jemi të detyruar që t`i kthejmë paratë!


Edhepse nervat më ishin tendosur shumë sa që më kishte kapluar një frikë se nuk do të duhej shumë minuta dhe do të më pëlciste gjaku,e mblodha vetën dhe ia ktheva:-E si i bëhet halli kësaj punë?! Unë përveq se do të mbetëm në mesin e katër rrugëve edhe kthimin do ta kem të vështirë,thuajse të pamundur!Edhe ti vetë e di se autoritetet okupuese të vendit tonë nuk do të më lënë të hyj brenda! Dhe e tëra kjo për shkak të vulave të ndryshme në pasaportë!


-Për të gjitha këto është dashur të mendoheshe para nisjes!-ma ktheu udhëheqësi i grupit.-Tash është shumë vonë dhe unë nuk mund të të ndihmoj!Është dashur që në fillim ta dije dhe mos të niseshe me tre fëmijë të vegjël!

Çfarë t`i thuhet doganierit kur të të pyes se ku po shkon me këta tre fëmijë të vegjël në këtë kohë dimri? Apo t`i thuhet se ti me familjen tënde po shkon që ta vizitosh atdheun e tij?Mendon se ai do t`i besojë një përralle të tillë!-ma ktheu ai me rrëmbim dhe iku. Unë isha skuqur në fytyrë.Kur tjetri iku unë kisha mbetur si i ngrirë dhe nuk po mundja t`í lëvizja këmbët.Ime shoqe më kishte vërejtur që nga larg dhe duke u afruar më tha:-Çfarë po ngjanë me ty more burrë?Je skuqur si spec në fytyrë dhe ka disa minuta që nuk po lëvizë nga ai vend sikur të ishe i ngjitur për të?
Çfarë t`i thoja për gjendjen në të cilën ndodhesha?

Apo t`i tregoja menjëherë se çfarë më kishe thënë vetëm pak minuta,udhëheqësi i grupit tonë?!E dija se po të ia kumtoja atë lajm ajo do të tronditej.

E si mos të tronditej kur ne do të mbeteshim në mes të katër udhëve pa ditur se nga të shkonim?Kisha frikë se pas lajmit të hidhur ajo do të ia pëlciste vajit,ndërkaq unë nuk dëshiroja që të ndodhe një gjë e tillë! Por edhe të mos i tregoja në gjendjen në të cilën ndodhesha ,mendoja se do të ishte marrëzi.


Mandej ajo ishte ime shoqe dhe duhej të dinte gjithçka! E mblodha vetën dhe duke e afruar pranë vetës ia ktheva:-Dafina ime e dashur duket se në dalje nga anija do të kemi probleme!Siç më shjegoi udhëheqësi i grupit,mund të ndodhë që doganierët të na kthejnë mbrapsht!


Nuk i kisha mbaruar ende shpjegimet e mija dhe nga fytyra e saj pash se si po i ikte gjaku.Fytyra e saj po zbehej tmmerrësisht shpejt.Apo mbase mua më dukej kështu?Asaj po i binte drejtpërdrejt në fytyrë drita e një llambe të anijes që ishte thuajse vetëm pak centimetra mbi ballin e saj.Mbase nga drita e llambës po krijohej në fytyrën e saj një nuancë e tillë,e zbehtë.Pas fjalëve të mija ajo dukej e tronditur dhe e frikësuar.Në fillim nuk po nxirrte fjalë nga goja,por pas disa çastesh mjaft të vështira që po përjetonte,ma ktheu:-E pse të na kthejnë mbrapsht Visar?

Ne pasaportat i kemi në rregull!-dhe po lëvizte me duar pa e ditur as vetë se çfarë dëshironte të thonte me ato duar.Duke ia lëmuar flokët ia ktheva:-Mbase do të dyshojnë për këtë udhëtim tonin!Mandej mund të pyesin se përse po bëjmë këtë vizitë në këto ditë të ftohta dimri,me gjithë fëmijët e vegjël!Nuk e di,Dafa ime e dashur,por mua po më duket se ne e gjetëm kohën më të papërshtatshme që të ikim nga atdheu!Mbase do të ishte më mirë që këtë ikjen tonë ta bënim në pranverë,atëherë kur koha do të ishte më e mirë dhe dyshimet do të ishin më të vogëla!Kështu!-dhe nuk dija se si të vazhdoja.Apo siç duket nga ankthi që më kishte kapluar,më ishte tharë goja dhe fjalët nuk po më dilnin.Fjalët aq të duhura për një moment të tillë!


-E si i bëhet hallit tonë,Visar!-ma ktheu ajo me një zë krejt të mekët e që dukej se së shpejti do të shpërthente në vajë.


-Mbase,ne po nxitohemi me konkludime,Dafina ime e dashur!Mbase të gjitha këto që i biseduam bashkë,nuk do të ndodhin dhe ne do të kalojmë doganën pa ndonjë problem dhe siç është më së miri!


Siç duket fjalët e mija të fundit e qetësuan paksa,sepse në fytyrën e saj po kthehej gjaku.Fytyra e saj po mirrte pamje normale.Në fillim e pashë se si ju skuqën mollëzat e faqeve dhe pastaj krejt fytyra.Kjo gjendje e saj ndikoi edhe tek unë.Ai ankthi i pakmëparshëm që më shtrëngonte në gjoks dhe në kokë sikur filloi të më lironte.Apo ishte kjo shpresa që lindi në zemrat tona vetëm nga ca fjalë krejt të zakonshme!


Në këto e sipër anija kishte naluar.Kjo do të thonte se pas pak çastesh ne do të fillonim zbritjen.Atë zbritje aq të dëshiruar dhe në të njejtën kohë të frikshme.


Ne filluam të lëviznim.Im bir,i vogëli,ende mbante në duar një balon që ia kisha blerë që në nisje.Ai e shtrëngonte me të dy duartë e tij të vogla perin me të cilin ishte i lidhur baloni.Duke ecur mbi kokën e tij lëvizte dhe baloni.

Po ta vëreje nga larg të krijohej përshtypja se ai balon qëndronte ashtu në ajër mbi kokën e tim biri.Sepse nga larg nuk vërehej peri me të cilin ishte i lidhur.Ishte ky një balon i bukur dhe me plotë ngjyra.Duke lëvizur drejtë daljes njëherë mendova që balonin të ia largoja nga duartë,derisa të zbrisnim nga anija.Në kokë më sulmonte pandërprerë një mendim se mos pikërisht nga ky balon doganieri do të mirrte shkas dhe do të na kthente mbrapsht!Si është edhe jeta.Kur njeriu i shkretë ndodhet përballë vështirësive ,mendon se çdo gjë që e rrethon i krijon vështirësi edhe më të madhe!Bile shumë gjëra që e rrethojnë në ato momente i krijojnë përshtypje se ato i sjellin ters.Apo se vetë ato gjëra janë të mbështjellura nga tersllëku!Po luftoja me vetën time se si të veproja.Po të ia hiqja tim biri balonin nga duartë,ai mbase do të fillonte të qante.Një qarje e tillë në këto momente,mbase do të sillte edhe më shumë të këqija.Më shumë tersllëk!Andaj e qetësova vetën duke menduar se ishim pikërisht para festës së krishtlindjeve dhe balonat në këtë kohë ishin më se normal.


Po i afroheshim vendit të daljes.Edhepse dera e daljes ishte mjaft e madhe në ato çaste të pasigurisë mua më dukej shumë e vogël.Tmerrësisht e vogël.

Apo frika e kthimit prapa po ma nxiste një mendim të tillë.Ndërkaq ne tashmë ishim shumë vendit ku ndodhej doganieri.Ai qëndronte ulur dhe ashtu ulur i kërkonte dokumentet e udhëtarëve.Ata i nxirrnin ato dhe ia dorëzonin atij.Ai pasi i shikonte me kujdes ua kthente.Ata me pasaporta të kontrolluara iknin tutje.Sa dëshiroja që edhe unë atë pengesë ta kaloja me sukses.Edhepse e dija se në rrugën tonë të gjatë do të kishim edhe pengesa të tjera,pengesa që kisha përpara më dukej më e pakalueshmja.Ndërkaq ne tashmë ishim krejt afër pengesës që quhej Doganier!Sa më shumë që ia afroheshim doganieri po më dukej më i madh.Dhe disi i frikshëm.Njëherë mendova që së bashku me time shoqe dhe me tre fëmijët të kthehesha prapa.Por edhe kjo dëshirë ishte e pamundur sepse ne ishim në anije dhe nuk kishim se nga të shkonim.-„Kjo është jetë në ikje!“-dëgjva se si më fliste brendia ime.“Dhe kur njeriu bënë jetë të tillë ka frikë si lepuri!“…


Ishim afruar shumë vendit ku ndodhej doganieri.Para nesh ishin vetëm dy udhëtarë me pasatprta në dorë.Sapo të kalonin ata do të na vinte radhe ne.Në atë moment seç mu shfaq një dëshirë që ajo radhë të zgjaste e zgjaste…Të mos përfundonte kurrë!...Kur kaloi edhe udhëtari i fundit që ishte para nesh unë duke e përkëdhelur tim birë me balonin që mbante në duar i thash që të lëvizte përpara sepse tash ishte radha e jonë.Doganieri njëherë e shikoi balonin që lëvizte në ajër dhe mbi kokën e tim biri,pastaj shikimin e zbriti poshtë teki im bir.Një buzëqeshje e hollë ia lëvizi buzët.-Ua sa balon i bukur!Por edhe më i bukur se baloni qenka vetë vogëlushi!-po vazhdonte ai në gjuhën e tij.

Në atë moment se nga doli udhëheqësi i grupit tonë dhe filloi t`i përkthente fjalët që po thoshte doganieri.Pasi e muar me mend se ne tashmë i dinim fjalët që tha doganieri vazhdoi:-Për ku je nisur kështu o princ i vogël?! Dhe ku e ke marrë këtë balon kaq të bukur?! Pas përkthimit të këtyre fjalëve unë isha përkulur dhe po i thoja tim biri në vesh:-Thuaji xhaxhi doganierit se ne kemi ardhë kaq larg me qëllim që ta vizitojmë atdheun e Dante Aligierit! Pasi udhëheqësi i grupit tonë i përktheu fjalët që unë po ia thoja afër veshit tim biri,në fytyrën e doganierit u vërejt një krenari e ligjshme.Duke ia lëmuar tim biri flokët me dorë vazhdoi:-Mirësevjen në atdheun e Dante Aligierit,o princ i vogël!...

Dhe pas këtyre fjalëve na hapi rrugë që të kalonim duke na uruar edhe një herë që të kalonim sa më mirë në këtë udhëtim! Mua më bëhej se po ëndërroja.Sepse vetëm në një ëndërr kalohen kufijtë e shteteve aq lehtë.Po i kalonim kufijtë edhe po hynim në një shtet tjetër pa i treguar fare pasaportat!...Po na hapej rruga pa as më të voglin problem!...Jo ,jo kështu mund të ndodhë vetëm në ëndërr apo vetëm në përrallë!...Por e tëra kjo nuk ishte as ëndërr,as përrallë.Ishte realitet.Dhe ëndrrën po e bënte realitet im bir me balonin e tij!...Nga gëzimi se ne po kalonim nëpër doganë si në ëndërr,ime shoqe e zuri tim birë nga krahët dhe duke e ngritur lartë filloi ta puthte në faqe…


Unë vetëm atëherë e kuptova se nuk isha në ëndërr,por i zgjuar! Duke e prekur time shoqe lehtë me dorë i bëra shenjë që të vazhdonte rrugën…Ajo e lumtur nuk e lëshonte tim bir nga duart dhe duke e puthur edhe më në faqe kaloi matanë.Pas saj shkuam edhe unë me të dy fëmijët tjerë.Doganieri filloi të kontrollonte pasaportat e udhëtarëve tjerë…


Ankthi i kalimit të kufirit që na kishte kapluar pak më parë tashmë kishte ikur dhe vendin e tij e kishte zënë gëzimi.Shumë nga udhëtarët po na uronin për këtë kalim të kufirit pa probleme!Dhe e tëra kjo kishte ndodhur falë tim biri dhe balonit të tij që ia kisha blerë në një qytet të etnikumit shqiptarë.Ai balon na kishte sjellur fat!Ndërkaq im bir tashmë kur kishim dalur nga anija,në qytetin plotë me drita,me balonin e tij po vraponte sa andej-këtej!Baloni i lëvizte mbi kokën e tij si të ishte një parashutë avioni!Im bir me balonin e tij ngjante si në parashutist që kishte rënë nga avioni dhe me parashutën e tij po fluturonte nëpër ajrin e qytetit me plotë drita shumëngjyrëshe…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat