Si ta unifikojmë kulturën tonë kombëtare

Kultura

Si ta unifikojmë kulturën tonë kombëtare

Nga: Hejza Art Më: 6 shtator 2022 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Kush po na pengon për t'u bashkuar rreth shtyllës së identitetit kulturor ku natyra ka deponuar ADN-në tonë kombëtare? Populli shqiptar jo se nuk bën kulturë, jo se nuk ka kulturë, madje ka një kulturë nga më të lashtat në rajon dhe më gjerë! Pa dyshim, zhvillon edhe kulturë institucionale për ç’gjë qeveritë tona ndajnë buxhete qesharake, madje edhe më diskriminues në raport me buxhetet e qeverive joshqiptare të shteteve në rajon ku jetojnë shqiptarët autoktonë!

Mjerisht, si komb, edhe më tej po e zhvillojmë kulturën bazuar në strategji shtetërore për kulturë! Qeveria shqiptare, ajo e Kosovës, e shteteve ku jetojnë shqiptarët autoktonë (Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia me Luginën e Preshevës) thonë se po e zhvillojnë kulturën bazuar në "strategjitë kombëtare"!

Janë të mjaftueshëm dy shtete shqiptare, dy qeveri, dy kuvende shqiptare, dy Akademi, dhjetëra universitete shtetërore shqiptare, që të ngrenë një komision amë gjithëkombëtar për të hartuar një politikë kulturore, e cila aktualisht është (dhe duhet të jetë) një prej prioriteteve më të rëndësishme kombëtare! Një strategji kombëtare kulturore e pa shoqëruar me plan zhvillimor dhe me një kalendar të unifikuar kulturor, do të ishte, thjesht, "petulla në ujë"!

Relativisht shpejt do të na vinë do "qeveri kombëtare" që do të mendojnë për themelimin e institucioneve kombëtare kulturore! Këto që i kemi, edhe në rangun shtetëror, thjesht do të kalojnë me status të institucioneve lokale: Ansambli shtetëror do të ngelë i Prishtinës, Tiranës apo Shkupit, Teatri, Filarmonia, Baleti, Opera, Shtëpia e Filmit, e Librit, Bibliotekat, Muzetë, të Shqipërisë apo Kosovës, thjesht do të jenë institucione kulturore lokale me emër të qyteteve ku funksionojnë!

Këto ditë, për ta zbutur krizën ekonomike si pasoje e luftës ruse në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ndau paketë sociale prej 150 milionë eurove! Edhe më shume ka ndare Qeveria e Shqipërisë! Ku i morën këto lekë? Do me thënë shteti ka para, të cilat i ruan dhe i përdor për blerje të ndonjë "bravo për qeverinë"!

A ka "bravo" më historike për politikanët tanë patriotë se sa të nisin të themelojnë institucione kombëtare kulturore; të formojnë një filarmoni shqiptare, një teatër shqiptar, një galeri e një koloni shqiptare, një shtëpi të filmit, një të librit shqiptar, një balet, operë, bibliotekë, muze kombëtar shqiptar! Nëpër këto institucione kombëtare kulturore do të punësoheshin artistët dhe krijuesit më të mirë të kombit! Me këtë gjest kombëtar do të eliminoheshin të gjithë mediokrët që akoma mendojnë se ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk ka shkrimtarë e artistë, do të eliminoheshin argatët antishqiptarë që propagojnë se në Shqipëri nuk ka kulturë kombëtare, do të "varroseshin" të gjithë ata hipokritë "shqiptarë" që janë shumë të zëshëm në përhapjen e "konstatimeve" antikombëtare se artistët dhe krijuesit shqiptar të Malit të zi e të Luginës së Preshevës janë "skajshmërish provincialë"!

Para botës duhet të prezantohemi me kulturën tonë kombëtare dhe jo me "kulturat shtetërore" apo me "kulturën e pakicave kombëtare" që zhvillohet në "shtete joshqiptare"! Kaq e thjeshtë dhe shumë e realizueshme, vetëm duhet që politikën kombëtare ta hartojnë personalitetet kombëtare të kulturës sonë, ndërsa politikanët tanë të ngelin "rob të përjetshëm" të politikave dhe strategjive kulturore kombëtare! Demokracia është, mbi të gjitha, kulturë! Politika vetëm për politikë është mashtrimi optik më i paimagjinueshmi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat