Kultura në pushim vjetor

Kultura

Kultura në pushim vjetor

Nga: Hejza Art Më: 9 shtator 2022 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Muajt e verës (korriku-gushti-shtatori) tek shqiptarët statistikisht dalin si muaj më problematikë, muaj kur shënohen dhjetëra vrasje, dhjetëra plagosje, dhjetëra dhunime e përdhunime, qindra vjedhje profesionale dhe, mbi të gjitha, parapërgatitje e hartime strategjish e mënyrash për ta përmbysur pushtetin me ”revolucion”!

Një drejtues i lartë i dikasterit të kulturës këto ditë tha se që kur shteti ka vendosur që muzetë shqiptare ditëve të diela të vizitohen gratis, dukshëm “është shtuar numri i turistëve”! Pra, jo i numri i vizitorëve që, pa dyshim, paraqesin numrin e kulturdashësve, porse, thotë “u shtuan turistët”, sepse turistët janë “pasojë” e politikave të larta e kombëtare të qeverisë!

Nuk na duhen as kultura e as kulturëdashësit! Mbi të gjitha, na duhen turistët, sepse kur ka turistë shtohen dëfrimet alkoolike, narkotike, kriminale, vritemi, pritemi, vjedhim, përdhunojmë, i bëjmë pis brigjet e detit, i presim drutë, i djegim malet, sepse bukuria na vret, bukuria na mahnit, na shtang në vend, ndërsa ne na vlon gjaku vetëm për prapështi, sikur të na organizojë “dikush” për defokusimin e opinionit larg problemeve reale të shoqërisë.

Një ndër ato probleme të mëdha të shoqërisë si dhe të pushtetit, pa dyshim që është edhe heshtja e kulturës, pasivizimi gati total – kultura në pushime verore!

Pushtetarët mendojnë se muajve të tjerë të vitit kemi shumë kulturë, na janë lodhur shumë krijuesit, artistët, kulturë-bërësit, ndaj dhe e meritojnë pushimin vjetor që duhet të zgjasë, të paktën, nja tre muaj, për aq sa do të shterohen aktivitetet kriminale vjetore!

Aty këtu organizojmë edhe koncerte me muzikë zbavitëse dhe, tërë këtë e shesim për kulturë! Mbase edhe kemi nevojë për zbavitje pasi po na lodhin si tepër shumë qindra organizime të festivaleve, të shfaqjeve teatrale, të baletit, operës, të koncerteve popullore, po na lodhin ekspozitat, po na lodhin prezantimet nëpër muze të gjetjeve të reja arkeologjike, po na lodhin recitale, kabaretë. Dhe, për pasojë, po e nisim kulturën në pushim vjetor e po t’i lëmë vend banditizmit e kriminalitetit, me qëllim që të shfaqen edhe aftësitë e organeve të sigurisë për ç’gjë na duhet ta provokojmë pasigurinë!

Nuk kemi kulturë, sepse kulturë-bërësit (krijuesit e artistët) na ikin për pushime verore, ashtu siç na vinë turistët e bashkatdhetarët në vendet tona që në këtë kohë kulturës i japin pushim! Thjesht, publiku vendas na ikë, ndërsa vetëm këta i kemi publik!

Institucionet tona kulturore nuk dinë si ta bëjnë publikun, siç dinë, për shembull, Rita Ora apo Dua Lipa, Unikatili apo Nojzi! Një koncert në Tiranë apo në Prishtinë, çohet në këmbë krejt shqiptaria për të prezantuar në koncertet e tyre. Një shfaqje në Shkup apo në Tiranë, një koncert me muzikë klasike në Prishtinë apo në Berat, mezi mbushen sallat prej 200-300 vetëve! Një koncert i Nojzit vizitohet prej 40 mijë vetëve, ndërsa një ekspozitë kolektive e piktorëve më të mëdhenj në botë organizuar në Sarandë apo në Gjilan, në Shkodër apo në Gjakovë, në Strugë apo në Ulqin, gjatë një muaji vështirë se do të vizitohej më shumë se prej nja 1000 vetëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat