Dyqanet për magjistraturë e doktoraturë!

Kultura

Dyqanet për magjistraturë e doktoraturë!

Nga: Hejza Art Më: 12 shtator 2022 Në ora: 10:55
Foto ilustrim

Përballë qendrës rekreative-sportive të qytetit, po vlonte një bastore! Tavolina të nxjerra jashtë, muzika që po çante qiellin, disa çuna kokë palarë, po vallëzonin e po bënin qejf sikur të kishin dasmë. Tavolinat me skedina futbolli, pak meze, fara, kikirikë, e grumbull shishe birrash! Dikush tha se anëtarët e rregullt të kësaj bastore po festojnë! Paska magjistruar një “i devotshëm”, i cili është anëtarë i rregullt i këtij lokali të bixhozit si dhe i parukerisë ngjitur me bastoren, në të cilën, “i devotshmi” i lyen flokët në çdo dy javë!

Lagja e njeh si paren e kuqe: shkollën fillore e ka kryer me një mijë probleme, të mesmen nuk e ka kryer fare, pak mekteb sa për ta marrë diplomën e të mesmes në medrese dhe, fakultetin do t’ia japë miku i tij, ish-dekan, tashmë i ndjerë! Dhe, ky person paska magjistruar, siç ka magjistruar edhe miku i tij i ngushtë, i cili është në po të njëjtën nivel të diturisë! Që të dy janë marrrë me “humanitet” dhe do ti që kanë bërë lekë për të magjistruar!

Dyqanet për magjistraturë e doktoraturë janë shtuar si kërpudhat pas shiut. Tashmë punojnë ashiqare, pa pikën e frikës! Ofrojnë tezat të gatshme në kundërvlerë prej 5000-10000 euro! Ky çmim është për “tezat” që vijnë nga Shqipëria, ndërsa ato nga Maqedonia e Veriut dhe Kosovës sillet rreth 3000 euro. Zakonisht po fitojnë “dyqanet” nga Shqipëria, sepse janë paksa larg dhe nuk po merren vesh aq lehtë! Nëse porositen në Maqedoni e në Kosovë, muhabet pas muhabeti e llap pas llafi, po mbushet krejt qyteti e katundi se filani, edhe pse një jetë e ka kaluar çoban, më të fund, doli i zoti, “magjistroi”!

Natyrisht, këto akte kriminale po i bëjnë vetë “profesorët”, të cilët po e justifikojnë veprimin e tyre me faktin që kanë rroga shumë të ulëta! Do me thënë, dyqanet e këtilla janë me tri-katër tezga ku i kanë të shtrirë punimet e gatshme: tema diplome për semimaturë, tema diplome për maturë, tema për magjistraturë e për doktoraturë! Me këtë punë të fëlliqtë po merren edhe akademikë që më të suksesshëm kanë dalë si matrapazë e sekserë se sa si shkencëtarë.

Këta profesorë-matrapazë nuk dëshirojnë që të jenë një grumbull idiotësh, por dëshirojnë që edhe të fitojnë edhe të shtohen në komunitet: profesorët debila ta shtojnë farën e vet!

Jo rastësisht universitetet tona janë në fund të çdo liste botërore që merren me vlerësimin e universiteteve! Katundi që shihet nuk do kallauz! Kërkohen listat e të magjistruarve e të doktorantëve dhe, bëhet një krahasim! Janë mijëra magjistra e doktorë, ndërsa kurrë në jetën e tyre nuk kanë shkruar qoftë dy fjali! Këta analfabetë ia dalin që të grabisin poste të ndryshme dhe, paraqitjet e tyre publike, sa për të shitur dushk për gogla, jo që janë skandaloze, por të turpshme.

Për t’u përmirësuar situata, reformat formale në arsim janë lojëra fëmijësh! Nëse pretendohet që të bëhen reforma rrënjësore, atëherë duhet të hulumtohen, fillimisht, punimet e magjistraturave e të doktoraturave, të përcillen këta tipa DR e MR dhe, pa dyshim, të shihen edhe komisionet e mentorët që kanë nxjerrë debila të tillë. Me automatizëm duhet të largohen nga puna, duhet t’u merren titujt dhe emrat e tyre të nxirren në listat publike, ngjashëm siç po nxirren emrat e pedofilëve! Këta debilë që “fitojnë” të drejtën për të punuar me nxënës, me fëmijë, automatikisht duhet të rangohen në listat e pedofilëve! Të tillë sot kemi dhe nëpër parlament, kemi nëpër ministri, kemi nëpër institucione shkencore e fetare, kemi nëpër universitete, nëpër mjete të informimit – kanë metastazuar në çdo gjymtyrë të kombit e të atdheut! Këta shesin mend, ndërsa intelektualët e mirëfilltë të kombit përndiqen (!) prej sojit të tyre! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat