Kënga është qielli i jetës, poezia dielli i saj

Kultura

Kënga është qielli i jetës, poezia dielli i saj

Nga: Albert Zholi Më: 12 shtator 2022 Në ora: 15:28
Xhemi Nokshiqi Muzai

Xhemi Nokshiqi Muzai është këngëtare, poete dhe autore këngësh e njohur. Xhemi Nokshiqi Muzai është këngetare shumë e mirënjohur dhe e talentuar, teksteshkruese, poete, kompozitore, instrumentiste. Veprimtarinë e saj artistike e filloi që në klasën e parë, në festivalin e instrumentistëve të vegjël në RTSH të Tiranës duke kënduar dhe shoqëruar veten me çifteli. Ështeë fituese e çmimeve të para në festivalet për fatosa dhe pionierë të rrethit të Tropojës. Përfaqësuese e rrethit të Tropojës për 3 vjet me rradhë në festivalet kombëtare për fatosa dhe pionierë në Shkodër. Me suksese të larta mbaroi dhe liceun artistik ‘Prenk Jakova’ në Shkodër në degën Kanto. Pastaj Universitetin "Luigj Gurakuqi" po në Shkodër për Gjuhë-letërsi. Por ajo nuk la mënjanë krijimtarinë. Poezia është dashuria e saj e zjarrtë. Ka disa vëllime poetike dhe disa çmime në SHBA pasi ka botuar edhe në gjuhën angleze.

-Kënga juaj e fundit duet “Dua të dal”: si erdhi ideja e kësaj kënge, kush janë autori i tekstit dhe kompozitori dhe çfarë impakti ka sjellë tek fansat dhe kritika?

Në lidhje me këngën time të fundit dua të them se dëshiroja të bëja një këngë për adhuruesit e mi të muzikës dhe për moshat e reja shqiptare pas hitit të mëparshëm në bashkëpunim me ikonën e Shqipërisë Muharrem Ahmeti…Dhe duke biseduar me artistin e madh, Alfred Sula ai më rekomandoi një tekst me qëllim që rinia shqiptare ta pëlqejë. Dëshirë për një premjerë të re, iu bashkangjit dhe kolegu im një artist i mrekullueshëm, Imbro Manaj. Pas krijimit të tekstit nga unë filluam punën, por për fat të, keq u nda përgjysëm për dy vjet, për arsye që babai im i dashur humbi jetën. Dhe pas dy vitesh u bë e mundur përfundimi dhe publikimi i vidioklipit tim të ri , të titulluar "Dua të Dal" me kompozitor: Alfred Sula. Teksti im. Kjo këngë ka sjellë një impakt të shkëlqyer tek fansat e mi por duke mos lënë pa përmendur dhe falendëruar gjithashtu edhe për këngën time të mëparshme në bashkëpunim me të madhin Muharrem Ahmeti.

-Nëse kthehemi në fëmijëri si e filloi Xhemi këngën dhe mësimin e instrumenteve popullore, kush ishte nxitës në këtë rrugëtim?

Unë asnjëherë nuk jam nisur që të bëhem me emër të madh apo me famë të madhe. Unë kam dëshirë që të vashdoj të kënaq fansat e mi, të afërmit e mi dhe vetveten, sepse muzika mua më shëron shpirtin dhe sinqerisht nga shpirti im nuk mund ta ndaj. Këtë e tregon fakti se që në klasë të parë jam angazhuar në koncerte të shkollave në fshatra dhe pika kufitare të rrethit të Tropojës. Familja ime, dëshira ime ishin ata që më nxitën drejt artit, drejt, muzikës, instrumenteve.

-Festivalet e këngës së fëmijëve në Shkodër një event i rrallë, kur keni marrë pjesë për herë të parë me çfarë kënge dhe si u vlerësuat?

Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër mbetet një event i rrallë, Tashmë ai ka historinë e tij të madhe, një histori që koha e lartëson. E kujtoj me nostalgji këtë event pasi aty shkova kur fitova disa çmime të para në festivalet për fatosa dhe pionierë të rrethit të Tropojës. Përfaqësuese e rrethit të Tropojës për 3 vjet me radhë në festivalet kombëtare për Fatosa dhe Pionierë në Shkodër. Në një festival në Shkodër isha fituese edhe në natën e tretë në këngët më të zgjedhura të festivalit.

-Në fëmijëri keni qenë pjesë e programeve në RTSH, edhe si instrumentiste edhe si këngëtare, çfarë sillni në vëmendje për lexuesin për atë kohë?

Krahas këngës instrumentet nuk i ndaja. Kështu që hapi i parë qe pjesëmarrja ime si artiste në konkurimin e instrumentistëve të vegjël në RTSH. Ishte një event i rrallë. Ishte koha kur në Shqipëri kishte vetëm një television dhe dalja në TVSH atëherë ishte një gëzim i madh. Si këngëtare solo dhe instrumentiste hapi i parë që vërtet e ndjeva veten me plot kuptimin e fjalës artiste, kur unë përshendeta festivalin në RTSh me një këngë për Bajram Currin me tekst nga nëna ime dhe melodia nga unë vet. Isha në moshën 8 vjeçe.

- - Si vazhdoi rrugëtimi i Xhemit në këngë dhe instrumente deri sot me kaq tituj dhe certifikata?

Pra që në vogëli u lidha shumë me këngën dhe instrumentet. Disa herë duke shoqëruar veten me instrument popullor çiftelinë. Ky qe edhe hapi i parë dhe dëshira ime për të mësuar sa më shumë edhe instrument të tjerë muzikore. Kam shoqëruar veten time edhe në festivalet e rrethit Tropojë dhe në festivalet kombëtare për fatosa dhe pionierë për disa vite me radhë me këngët e mia fituese të çmimeve të para. Në rrethin e Tropojës veçoj këngët “Melodi Trimërie”, “Fyelli i Shtimjes”,”Vajza e Çobani” dhe “këngë për Bajram Currin”. Ndërsa vashdoja studimet për Kanto në qytetin e Shkodrës. Jam aktivizuar në shumë koncerte me Ansamblin e Kulturës Dardania dhe me teatrin në Shkodër si dhe me shkollën e Muzikës nëpër vende të ndryshme. Gjatë studimeve të larta të Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër mirrja pjesë në aktivitetet kulturore artistike në festivalet folklorike e kombëtare dhe koncerte nga Pallati i Kulturës së rrethit. Pra isha kudo në Shqipëri dhe jashtë vendit, si dhe punoja, si mësuese, pranë shkollës së mesme të Babinës në rrethin e Tropojës.

-Papritur Xhemi në SHBA! Si dhe pse e morët këtë nismë? A ndiheni mrë sot në SHBA? Çfarë ju ka dhënë vendi i demokracisë së kristaltë?

Si përfaqësuese e Ansamblit të Dardanisë papritmas shkuam në SHBA. Këtu një pjesë të grupit Dardania na kërkuan për të bërë muzikë live në një institucion shumë të njohur Shqiptaro- Amerikan dhe i njohur nga mbarë diaspora me rëndësi historike, ku mbaheshin aktivitete politike, shoqërore dhe artistike. Ansambli kishte emër aty. Vendosa që të ushtroj aktivitetin atje ku vazhdoj deri në ditët e tanishme. Sot jam nënshtetase amerikane ku emigrantët, që pajisen me dokumentët përkatëse të USA kanë të gjitha të drejtat të çajnë në jetë dhe të bëjnë një jetë normale ndoshta edhe luksoze.

-Si i mbani lidhjet me komunitetin shqiptar në SHBA?

Unë personalisht shpreh vullnetin tim të paepur nëse komunitetet shqiptare duan pjesëmarrjen time në çdo moment. Komuniteti Shqiptar që ka përparësi është ai i NY me z Mark Gjonaj pasi bëri të mundur dhe emërimin e rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbe” duke e kthyer Bronxin një qytezë të vogël shqiptare.

-Jo vetëm këngëtare dhe instrumentiste, por edhe poete. Tashmë keni botuar disa libra me poezi. Çfarë është poezia për Xhemin?

Tashmë jam konfirmuar si një poete e mirëfilltë, kam korrur sukses jo vetëm me poezinë shqiptare, por dhe ndërkombëtare duke u nderuar dhe vlerësuar nga shumë shtete të botës për punën dhe poezitë e mia si në gjuhën shqipe dhe në atë angleze. Vlenë të permendet kupa speciale për Antologjinë Botërore ku morën pjesë 45 poetë nga mbarë bota në gjuhën amgleze. Kam korrur një sukses në lëmin e letërsisë botërore duke u nderuar me dhjetra kupa të ndryshme të Arta dhe certifikata dhe çmime të ndryshme. Po kështu kam nderin të jem anëtare e akademisë AAAS të NY. Poezia për mua është shpërthimi i ndjenjave dhe emocioneve i botës së brendëshme të njeriut ku me mjeshtri dhe intelektin e tij poeti gdhend në letrën e tij të bardhë. Kënga është qielli i jetës, poezia dielli i saj.

-Ngjyra e preferuar e veshjes?

Sa i përket ngjyrave i preferoj të gjitha, por ngjyra që më ngjall emocione është ngjyra jeshile ngjyra e natyrës mbase ka të bëjë me ngjyrën e natyrës së alpeve tona të mrekullueshme.

- Çfarë preferoni te një mashkull?

Te një mashkull preferoj besnikërinë dhe sinqeritetin, shkathtësinë dhe intelektin, ku të gjitha këto i përvetëson partneri im.

-Çfarë përmban arkivi i këngës i Xhemit?

Kam realizuar shumë këngë, me 18 vidioklipe ku dy prej tyre akoma nuk jan publikuar. Që të gjitha tekstet I kam bërë vetë dhe 16 prej tyre kan muzikën time.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat