Rugova dhe Kadareja në librin e Ylli Polovinës

Kultura

Rugova dhe Kadareja në librin e Ylli Polovinës

Nga: Shpend Topallaj Më: 12 shtator 2022 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Polovina tashmë është i njohur gjerësisht jo vetëm si një shkrimtar mjaft prodhimtar, por edhe si një intelektual i shquar atdhetar, që asnjëherë nuk ka ngurruar të shprehet lirshëm, pa marrë parasysh interesat ose këndvështrimet e ndryshme të individëve apo forcave politike. Në librin e botuar tash së fundi me titull “Rugova & Kadare përballë” ai paraqet me të vërteta të pamohueshme qëndrimet e dy personaliteteve mjaft influente në ecurinë e ngjarjeve që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ata janë ish Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare. Rrjedha politike në Shqipëri dhe ajo me Federatën Jugosllave të Titos, pa folur për periudhat e mëparëshme, kanë pësuar oshilacione të çuditshme, prej të cilave po kaq të diskutueshme janë edhe perceptimet dhe qëndrimet e individëve apo masës së madhe në Shqipëri e sidomos në Kosovë. Duke e provuar në shpinën e tyre rëndesën e padurueshme të shtypjes, përbuzjen dhe diskriminimin sllavomadh, populli i Kosovës e ka konsideruar atdheun amë, si tokën e premtuar biblike.

Thuajse asgjë nuk dinin për diktaturën komuniste shqiptare, për nënshtrimin ndaj PK të Jugosllavisë që fillimsht i kishin konsideruar serbët si shpëtimtarë aq sa vetë E. Hoxha u kërkonte modalitetet për ta bërë Shqipërinë republikë të tyre të shtatë. Për më tepër, ata thuajse nuk kishin fare dijeni edhe për vuajtjet dhe trajtimin që u bëhej djemve kosovarë që për të shpëtuar nga ferri i klikës Tito - Rankoviç, kalonin kufirin dhe përfundonin në burgjet shqiptare. Në këto kushte, kur edhe pas zgjedhjeve të 24 Majit të vitit 1992, pra pas shpalljes së Kosovës, Republikë Autonome, gjendja ishte po ajo, në mos më keq, populli, pasi konsumoi përpjekjet paqësore, ku u shqua dr. Ibrahim Rugova, nisi rezistencën e armatosur, jo vetëm për të fituar të drejtat e mohuara, por edhe për liri e pavarësi të vërtetë, me synim të mëtejshëm, bashkimin me Shqipërinë.

Istogasi dr. Rugova i Universitetit të Prishtinës, i specializuar në Sorbonë dhe nga viti 1992 Kryetar i Republikës së Kosovës, me urtësinë dhe prirjen e tij paqësore, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në ato përpjekje që sa vinin e po merrnin përmasat e një kundërvënie serioze të armatosur. Veprimet e tij të matura, bisedimet me krerët e Beogradit, deri me Sllobodan Milosheviçin e urryer, shtrëngimi i duarve para kamerave nën presion, deklaratat e tij shpesh kontradiktore si rezultat i mbajtjes peng, disakordet me drejtues të UÇK - së, si fjala vjen me Hashim Thaçin, që ende kishin përfytyrim të idealizuar për figurën e komunizmit shqiptar dhe të Enver Hoxhës, lanë vend për dyshime dhe keqinterpretime.

Por ato, pak a shumë u shuan pas 73 ditëve të bombardimeve nga NATO me SHBA në krye dhe luftës heroike dhe sakrificave të panumërta të djemve dhe vajzave të Kosovës. Kjo qe dhe arsyeja që ai u zgjodh si Presidenti i parë i Kosovës me zgjedhje të lira në vitin 2001, gjersa pesë vjet më vonë ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë që duhet thënë se e përballoi trimërisht. Dhe ndofta, koha më e paqartë (pasi në këtë paqartësi një rol jo shumë të lavdërueshëm kanë luajtur edhe mediat), është pikërisht ajo e periudhës së ngjeshur mes viteve 1998 - 1999.

Këtu e ka parë të arsyeshme Ylli Polovina të ndalet e të hedhë dritë, pasi ai ka pasur edhe fatin të jetë i pranishëm në shumë zhvillime, sidomos kur dr. Rugova ishte jashtë Kosovës, kryesisht në Itali, dhe takohej me burra shtetesh, me të cilët diskutohej lidhur me barbarinë e serbëve që sikur të mos u kishin mjaftuar tre dëbimet e viteve 1878, 1912 - 14, 1951 - 66, por duhej edhe ai më mizori i viteve 1998 - 99. Por Polovina, nuk është ndalur vetëm te dr. Rugova; ai ka shfrytëzuar edhe rastin kur në Romë ka qenë edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare i cili kishte shkuar për të marrë çmimin letrar “Feronia” që i kishin akorduar. Ismaili, si përherë, gjithë kësaj periudhe ka qenë tepër aktiv në mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ai me artikuj të ndryshëm, me takime, me deklarata dhe intervista ka sqaruar padrejtësinë që i bëhej njërit nga popujt më të vjetër të Evropës. Më 2 prill 1999 ndërsa në Beograd bëhej takimi Rugova - Millosheviçi, në gazetën prestigjioze franceze “Liberation” shkruhej: “shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare i bënte thirrje botës për të mbrojtur popullin e tij nga fashizmi serb”.

Dhe duke folur për bombardimet mbi Beograd, ndërsa Rugova shprehet se “Jam një njeri paqeje, përpiquni të më kuptoni”, ai deklaron: “Duhet të ndalen masakrat e serbëve dhe pastaj bombardimet. Janë një gjë e tmerrshme, por janë të domosdoshme për të ndalur Hitlerin”. Ismaili në asnjë rast nuk e fsheh revoltën dhe thirrjen “Populli im po shfaroset”. Pra, nuk keni përse të prisni një Bosnje të dytë. Nga ana tjetër, ai u drejtohet në një intervistë dhënë Remzi Lanit, atyre që e shohin UÇK - në si jashtë kohe: “Grykësit, të korruptuarit dhe frikacakët ndihen gjithmonë ngushtë përpara njerëzve idealistë dhe trima”. Dhe në vazhdim: “Dënimi i krimit në Kosovë është sot pjesë e historisë evropiane. Kontinenti mbarë është përfshirë në të. Ndaj këtu nuk mund të bëhen lodra: Dënimi i krimit nuk mund të merret si favor që iu bëhet shqiptarëve”. Ai, pa dashur të hyjë në polemika, kur e pyesin për qëndrimin e “moderuar” të dr. Rugovës, nuk i kursen qortimet e tij; ai është për kompromise, por ka një kufi në moralitetin e një populli, thotë, që s`mund të kapërcehet. Mirëpo autori Polovina, nuk kufizohet në librin e tij vetëm te këta dy personazhe të rëndësishme.

Herë pas here dalin në skenë bisedat dhe qëndrimet e, me dhe për Bill Klinton, Masimo D`Aleman, Jose Maria Aznar, Bujar Bukoshin, Paskal Milon, Fehmi Aganin, Peter Handke, Leontiev Çuçin, Gnisho Nishin, Umberto Ranierin, Zoran Xhinçiçin, Don Vinçenzo Paglian, Uesli Klarkun, David Albaharin, Vuk Drashkoviçin, Adnan Merovcin etj. etj. Të gjithë së bashku jo vetëm që e bëjnë këtë libër të larmishëm dhe interesant, por edhe sqarojnë rolet që kanë luajtur në atë kohë historike për fatet e shqiptarëve të Kosovës. Por a janë vërtetë përballë njëri - tjetrit dy burrat e mëdhenj, Rugova dhe Kadareja? Mendoj se jo, dhe kjo del e qartë edhe në librin e Polovinës. Të dy e duan dhe e kanë të shenjtë atdheun e tyre; si Rugova që “Corriere della Sera” e quante “Ghandi i Ballkanit”, ashtu edhe Kadareja për të cilin autori i këtij libri thotë se “Pena e tij e “bombardoi” gjatë 73 ditëve të pranverës së vitit 1999 regjimin e Beogradit po aq fuqishëm sa edhe NATO”.

Kjo del mjaft mirë edhe te libri i vetë Ismailit “Mëngjeset në kafen Rostand”. Në një farë kuptimi, Kosova e asaj periudhe të vështirë e të lavdishme, kishte nevojë për të dy, pasi ata mes tyre, plotësonin njëri - tjetrin. Dhe në qoftë se në ndriçimin e tij, Kadareja nuk ka asnjë njollë të errët, Rugova mund të ketë rënë në ndonjë veprim që ngjall diskutime, si rrjedhojë e atij mentaliteti, përfytyrimi e konceptimi të gabuar e të gënjeshtërt që shumë nga njerëzit në Kosovë, kishin për kohën e komunizmit shqiptar dhe trajtimit prepotent që kriminelët serbë i bënë atij deri duke i rrezikuar familjen.

Por nuk mund ta mbyll këtë shkrim pa një vrejtje për kompozicionin e materialit: qysh në fillim duhej pa tjetër një parathënie nga vetë autori, për të treguar pozicionin e tij zyrtar në ato vite, ose fare mirë mund të ndërhynte ai në ndonjë moment, për të vërtetuar praninë e tij. Kështu edhe shkrimet e përfshira në këtë libër do të ishin akoma më bindëse edhe pse dua të besoj se ai nuk del në skenë qëllimisht; për të mos influencuar në opinionet e lexuesve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat