Loja e fundit

Kultura

Loja e fundit

Nga: Nexhat Halimi Më: 15 shtator 2022 Në ora: 14:11
Nexhat Halimi

Prolog

çasti i vdekjes së hijes sime  tjetër , 

këtë të premte në dritën e hënës

së fshehur nën velin e dhembjes së amshuar

ndërsa ende flisja me veten në  gjak

mos vrit, mos u hakmerr

 

 

I

 

Ç`është sonte? As qeshesh, as lëviz dot.

 

Sonte asgjë s`ndërron nga nata e ikur,

Veç ti sonte ke pështymë të përgjakur,

Veç hëna sonte është krejt e zezë në degë

Veç ti sonte s`i çel sytë bojë qielli,

 

As të flasësh s` do sonte, as të luash!?

 

E kaq  herë e luajtëm këtë lojë, të vritja unë,

Më vritje ti. Dhe vazhdonim prapë... e tash,

Zot, tallesh tash, a vërtet s`do të luash më!?

Tambli i sisës së nënës nuk ta fal këtë kurrë,

Kujdes për mua, tash që ajo nuk është!

 

Zgjohu, askush s` ka parë ç` ngjau.

As hëna e zezë nga qan në degë ashti,

As gruaja qyqe, as fëmijët e humbur  

 

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, bri teje

Krejt në gjak pres të zgjohesh, të harrojmë

Nga erdhëm, të harrojmë, nga shkojmë...

 

 

 

 

II

 

 

Ç`është kështu sonte? Ik` dhe hëna, ik` dhe ti

E unë qaj  për qiellin, e unë qaj për ty e veten

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, bri teje

 

Pres të zgjohesh, të buzëqeshësh pakëz, zot,

Si ia bëje atëherë, në fëmijëri, në lojën e vjetër,

Më vrisje-zgjohesha, të vrisja prapë zgjoheshe

E tash e këput lojën: hesht si toka, s` lëviz...

Me fytyrë të përgjakur shikon lart qiellin

E hënën e zezë të varur në degën prej ashti

Të rrapit plak me rrënjën gjarpër mbi gur

 

Sytë e kaltër ruaji, zemrën, të të mos helmojë  

Gjarpër është nga rrënja dhe nuk i dihet kurrë

 

Shikomë me bisht syri dhe buzëqesh veç pakëz,

Unë do të harroj çdo gjë, do të të puth mbi zemër

E do të luajmë përsëri:ti të më vrasësh gjithnjë.

Unë kurrë, të bëj be, unë kurrë më ty

 

Ja hëna ik` nga dega, zë të bjerë dhe shi

 

 

 

 

III

 

 

Qielli s`shihet kund e shiu nuk ndalet

Sesi përzihet gjaku dhe uji në një plagë zot

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, pranë teje

 

Pres të zgjohesh, të luajmë prapë. Ti s`lëviz

Hesht si toka. Do të jesh hidhëruar në mua

Kokëfortë, vetë unë. A do të më flasësh më

Apo çdo gjë vdes sonte, në këtë natë me shi

Mund të hidhërohem dhe unë, të mos luaj dot

Ja, do ta vras veten! E po ta bëj këtë,

A do të luash sërish me mua?

 

Vetëm hesht. Asgjë dot nuk ke të më thua`.

Shikon gurtë në qiell e qielli s`është kund.

E shi bie, bulëzat sesi përbaltin fytyrën

Sytë tu flakë të ndezur e gjithnjë të ngrirë

 

Bie në gjunjë. Qaj. Setrën ta vë mbi fytyrë

Pres të zgjohesh, të humbim larg nga vetja

Me lulen e gjakut gjarpër përreth qafës.

 

 

 

VI

 

 

Ç` ke, ç`është kjo sonte!? As flet, as lëviz.

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, bri teje.

 

Pres të zgjohesh,të më vrasësh e të të vras,

Siç e do loja: një herë unë ty, pastaj ti mua

Do të zgjohesh, apo jo? Veç më ke mashtruar

Veç më ke shtyrë të pikëllohem, të të qaj kot.

A do të zgjohesh? Ja, ndalet dhe  shiu, vëlla,

E çilet qielli pa fund, në të kaltër të gjakut

Fryn erë e jugut, me një aromë bari të prerë

dallëndyshet e bartin në sqepa syrin e agut

Ja,do të agojë e ti s`dukesh aspak i së dielës:

Sykaltër, me këmishë të bardhë e jelek të zi

Prit pak, veç pak, të ta lajë gjakun nga fytyra

Të ta lajë ballin nga copëzat e dheut të lagur

Të të ndrisin sytë, të kaltër, dy liqene malore

Nga shëtitje, me mua të voglin për dore.

 

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, pranë teje.

E vdes...Unë i vdekuri, zot. E vdes. E vdes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat