Rreziku nga kuazi-intelektuali

Kultura

Rreziku nga kuazi-intelektuali

Nga: Hejza Art Më: 17 shtator 2022 Në ora: 12:45
Foto ilustrim

Çdo shoqëri ka intelektualët e vet, siç i ka edhe kuazi-intelektualët. A është vetëm fjala “kuazi” ajo që e bën dallimin në mes të këtyre dy termeve? Në mes të intelektualit të vërtetë dhe atij kuazi apo të rremë, ka dallime esenciale. Është vetëm një tipar që i “përafron” dhe, kësisoj, lejohet të emërtohen edhe intelektualë edhe të rremë, pra kuazi-intelektualë!

Intelektual quhet personi i cili ka aftësi krijuese, diapazon të gjerë njohurish dhe është i brumosur me vlera universale.

Fuqia krijuese e intelektualit mbështetet në shkathtësi krijuese dhe në zbërthim të idesë përmes mjeshtërisë intelektuale. Aftësinë për zhvillim të njohurive e arrin përmes leximit, përmes hulumtimeve, përmes mësimit të gjërave që e bartin nëpër përvoja të reja. Vlerat e përgjithshme që i posedon intelektuali flasin për arsimimin, edukatën dhe socializimin e tij.

Kurse, kuazi-intelektuali, apo gjysmë-intelektuali është ai person që mund të ketë shkathtësi krijuese, por që njohuritë i ka pa vlera, të thata, të cekëta. Çuditërisht, intelektualët e rremë ndihmohen dhe përkrahen në mes vete shumë më tepër se sa intelektualët e mirëfilltë. Kjo bën që shpesh të hasim persona me shkathtësi krijuese dhe me njohuri që sakaq na vënë në dijeni se brenda vetes nuk kanë të ndërtuar kurrfarë sistemi të vlerave universale, pa të cilin intelektuali nuk mund të jetë i vërteti!

Kuazi-intelektualët janë të zëshëm, mezi presin të futen në polemika, në debate, edhe pse janë të ndërgjegjshëm se janë me zero vlera, për kuazi-intelektualët e rëndësishme është që ata të shenjëstrohen nga pushteti dhe t’i përdorë si vegla në sulme kundër intelektualëve të vërtetë, të cilët gjithnjë përbëjnë oponencën e pathyeshme të pushtetit. Pra, kuazi-intelektualët keqpërdoren qëllimisht nga pushteti, të cilit nuk i përket që të futet në debate me intelektualët, duke përdorur gjuhë denigruese, etiketuese, stigmatizuese! Paralizimin, zhgënjimin apo dëshpërimin e intelektualëve, si kritikues të pafrikshëm të pushtetit, e arrijnë përmes çetave të kuazi-intelektualëve që i kemi me bollëk!

Nëpër pushtete kemi liderë, kemi ministra, kemi drejtorë, kemi deputetë, kryetarë grupesh parlamentare, drejtues të komisioneve, të departamenteve, të shkollave, të komunave, kemi shkrimtarë, aktorë, piktorë, e shumë të tjerë, që janë nja një miliardë shkallë poshtë njohurive dhe vlerave të përgjithshme të një intelektuali të mirëfilltë. Kjo është struktura mentale e pushtetarëve tanë! Vetëm në këtë formë mund “të bëhen zap intelektualët” dhe t’i binden “urtësisë: “zhvillimet intelektuale varen nga lojaliteti ndaj pushtetit politike”! Sa më i nënshtruar dhe sa më i përulur, aq më i fuqishëm do të ndjehet intelektuali! Ja pse kuazi-intelektualët mbeten gjithmonë si çelës i problemeve, zgjidhja e të cilëve kërkon intelektualitet të lartë, por që, fatkeqësisht, ky çelës kurrë nuk ia del të sillet kah zgjidhja, por gjithmonë përfundon kah mbyllja e problemeve! Për më keq, këta kuazi-intelektualë, çuditërisht na e imponojnë dilemën: kemi apo nuk kemi intelektualë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat