Të frymëzuar nga idealet dhe veprat e rilindësve

Kultura

Të frymëzuar nga idealet dhe veprat e rilindësve

Nga: Prof. Dr. Faik Shkodra Më: 19 shtator 2022 Në ora: 12:22
Autori i librit “Shqipja në synorin e studiuesve tanë”, prof. Dr. Bahtijar Kryeziu

Studiuesi me frymë të rilindësve - Jani Thomaj

Në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë”, prof. Kryeziu objekt vëzhgimi ka bërë punën hulumtuese shkencore të akademik Jani Thomajt rreth pastrimit dhe pasurimit të gjuhës shqipe. Punimi i shkruar për këtë gjuhëtar të vyer shpalos gjithanshëm veprimtarinë shkencore të prof. Jani Thomajt, si studiues me përgatitje të shquar shkencore për disiplinat e gjuhësisë, si dialektologji, leksikologji, leksikografi, frazeologji, semasiologji, fjalëformim, në njësimin e gjuhës letrare kombëtare etj. Ndihmesë të çmuar e të rëndësishme ka dhënë sidomos në kulturën e gjuhës dhe pastrimin e pasurimin e saj me fjalë e shprehje të rrënjës shqipe. Është i gjatë numri i veprave shkencore, të cilat reflektojnë diapazonin e gjerë dhe shkallën e lartë të zotërimit të punës hulumtuese shkencore, punë të cilën e ka kurorëzuar, siç konstaton prof. Bahtijar Kryeziu, me dymbëdhjetë libra shkencorë, tetë fjalorë, tri monografi, si bashkautor, si drejtues i suksesshëm i ekspeditave leksikologjike në të gjitha trevat shqiptare dhe autor i mbi 150 studimeve të botuara në organet e ndryshme shkencore. Duke u marrë me çështjet nyjë të studimeve të Akademik Jani Thomajt për gjuhën shqipe, me përshkrimin e shpjegimin e disa veçorive të formës e të përmbajtjes së njësive frazeologjike, klasifikimin e tyre me theks të veçantë për pastërtinë e pasurimin e saj, prof. Bahtijari me të drejtë konstaton se Thomaj, si gjuhëtar e studiues i përkushtuar, gjuhën dhe rëndësinë e saj e lidh me ndjenjën e dashurisë kombëtare, në një anë, dhe në zhvillimin e saj rol të veçantë, përveç studiuesve, ka shteti, sepse gjuha nuk është vetëm detyrë dhe çështje e shqipfolësve dhe e studiuesve të saj, por mbi të gjitha shteti duhet të jetë në shërbim të gjuhës, duke u vënë në mbrojtje të pastërtisë nga fjalët e huaja - për të cilën çështje Çabej theksonte: “Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe po vazhdojnë edhe në ditët tona”.

Përmes kumtesës “Pastrimi dhe pasurimi i gjuhës shqipe në prizmin e akademik Jani Thomajt” – prof. Bahtijar Kryeziu i ka bërë një paraqitje të këndshme punës kërkimore, shkencore, të këtij gjuhëtari të spikatur brenda, së cilës lexuesi do të kuptojë profesionalizmin, sinqeritetin dhe energjinë e Thomajt në studimin e gjuhës shqipe. Të gjitha studimet për gjuhën nga Jani Thomaj i përshkon fryma e idealeve të rilindësve, të cilët ndaj gjuhës dhe për gjuhën kishin shkrirë mendjen e shpirtin. I frymëzuar nga idealet dhe veprat e rilindësve, edhe Thomaj, me studimet e bëra për gjuhën shqipe, bëhet një zë i çmuar, një emër i rëndësishëm i dijeve në disiplinat e gjuhësisë shqiptare. Kontributi i dhënë përmes veprave shkencore të fushave të gjuhësisë shqiptare bën që Akademik Jani Thomaj të çmohet lart nga studiuesit e fushave të gjuhësisë shqiptare, të çmohet e të vlerësohet ashtu siç e ka përvijuar prof. Bahtijari, si ndër studiuesit e pasionuar të shqipes, i cili, me studimet analitike e shumëplanëshe bërë gjuhës shqipe, studime të shkruara më përkushtim dhe njohje të thellë, do ta pasurojë edhe më tej gjuhësinë shqiptare në shumë rrafshe.

Veprimtarinë shkencore mbi çështjet e problemet gjuhës shqipe të Jani Thomajt e përshkon dashuria e madhe që ushqen për gjuhën, e përshkon përgatitja e thellë, që, si vëzhgues, perceptues dhe së fundmi si gjuhëtar ndaj gjykimeve, përfundimeve, analizave e sintezave për problemet e caktuara, me ndërgjegje të lartë të mbajë qëndrim objektiv. Mund të thuhet se në të gjitha veprat shkencore Jani Thomaj, si rrallë ndonjë gjuhëtar tjetër, ka studiuar me aq zell, përkushtim, zjarr e dashuri gjuhën shqipe, duke e bërë gjuhën ushqim shpirtëror, jo vetëm për studiuesit e saj, por për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Gjovalin Shkurtaj - studiues i përkorë i gjuhësisë shqiptare

Akademik Gjovalin Shkurtaj është ndër studiuesit e shquar të disiplinave të gjuhës shqipe. Me veprat e botuara deri më tani, ai ka dëshmuar përgatitje të thellë profesionale dhe sens të zhvilluar për t’u marrë me studime në të gjitha fushat e gjuhës, kulturës e të folmeve të trevave etnike shqiptare dhe të diasporës së arbëreshëve të Italisë e të Greqisë.

Në veprat shkencore mbi çështjet e problemet e gjuhës shqipe të Gjovalin Shkurtajt rrezatojnë mendimet, përimtimet, shqyrtimet, sintezat dhe përfundimet e rëndësishme mbi vlerësimet shkencërisht të mbështetura në të vërtetat e përligjura, që lidhen me zhvillimin historik të gjuhës nëpër kapërcej të shekujve, duke hedhur dritë në çështjet fonologjike, morfologjike, sintaksore, leksikore, frazeologjike dhe të fjalësit. Me zotësi e aftësi të rrallë, si njëri ndër studiuesit e regjur e me përvojë të pasur në fushën e gjuhësisë shqiptare dhe të disiplinave të saj, profesori nxjerr në dukje me qartësi dhe me objektivitetin më të lartë shkencor dallimet gjuhësore të trajtave e të fjalëve të shqipes brenda dialekteve të saj - duke vënë theksin kryesor se: “Në çfarë mase këto të folme të shqipes përputhen me sistemin parësor të shqipes e që dëshmojnë njësinë, unitetin e tyre mbarëkombëtar, natyrisht me ndryshimet e larminë dialektore, krahinore të përftuara qysh herët e të theksuara më tej në rrjedhë të moteve.”

Kurdoherë që flasim apo shkruajmë për Akademik Gjovalin Shkurtajn, patjetër duhet të kihen parasysh kontributet e tij në aftësimin, përgatitjen dhe ngritjen e kuadrove të reja, si profesor e pedagog shumëvjeçar i studentëve në shumë universitete, si brenda atdheut ashtu edhe jashtë tij. Është e vërtetë se nuk mund të flitet për Gjovalin Shkurtajn si studiues vetëm në fushën e studimeve shkencore e albanologjike e të mos flitet për rolin jashtëzakonisht të madh që ka luajtur si pedagog e mësimdhënës me dije e përgatitje të gjera e njohuri të thella në përgatitjen e studentëve të rinj, të kuadrove të profileve të kulturës e fushave të rëndësishme të artit e krijuesve të shumtë, që sot nderojnë fushat e caktuara me punën e dinjitetin e dëshmuar, si, fjala vjen, profesionin e shkrimtarëve, poetëve, përkthyesve, dramaturgëve, historianëve të letërsisë, të gjuhësisë, të folkloristikës, të gazetarisë e të shumë magjistrave, doktorëve të shkencave e specialistëve të fushave të shumta, të cilët do t’i pajisë me njohuri e dije të pasura për punë kërkimore e shkencore, duke ua shtuar e duke ua zgjuar njëkohësisht vullnetin e dashurinë për studime të gjuhës, artit e kulturës sonë kombëtare. Gjovalin Shkurtaj e ka nderuar gjuhën shqipe me një varg veprash studimore, në të cilat rrezaton mendjekthjelltësia e mendjemprehtësia e tij në kërkim të vlerave të trajtave më të bukura të fjalës së gjuhës shqipe. Veprat studimore të Gjovalinit, me vlerat e thukëta që kanë për gjuhën dhe historinë e zhvillimit të saj, u flasin sot e do t'u flasin nesër lexuesve të të gjitha moshave se nëpër çfarë rrjedhash të historisë ka kaluar gjuha shqipe dhe me çfarë sakrificash është ruajtur nga armiqtë që e kanë kundërshtuar në mënyrat më të hidhura. Nëpër udhëkryqet e historisë, gjuha mbeti shpresa dhe dashuria më e fuqishme e Gjovalinit dhe e studiuesve të saj. Gjovalin Shkurtaj vjen nga një zonë e malësisë së Shkodrës, e njohur për traditat e kultivimit të dashurisë për dije, arsimim, kulturë, e mbi të gjitha për zhvillimin, pasurimin e ruajtjen e shkrimit shqip dhe fjalës plot dritë e rreze të gjuhës shqipe. Në emrin e punën e Gjovalin Shkurtajt brezat do të shohin studiuesin e pasionuar të çështjeve gjuhësore, studiuesin që me veprat e shumta ka hedhur dritë mbi shumë probleme të gjuhës dhe të kulturës. Këto studime i përshkojnë vlerat e veçanta shkencore e historike. Gjovalin Shkurtajn e shquajnë shumë tipare dalluese prej studiuesve të tjerë dhe këto tipare kanë të bëjnë me të vërtetat se si ligjërues nëpër amfiteatrot e mësimoret e fakulteteve është dëshmuar i dinjitetshëm, i veçantë, shembullor dhe sa energjik aq i magjishëm në zbërthimin e në përimtimin shumë profesional e shterues të temave e çështjeve që i trajton. Leksionet e Gjovalinit janë të këndshme, sepse, duke qenë njohës i mirë i folklorit, i kulturës, i shpirtit dhe i rrjedhave historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, ai, si me shkop magjik, di që brenda ligjërimit të temës të fusë diçka nga humori i llojeve të folklorit dhe ligjëratën ta piperosë me një ndjenjë kënaqësie e humori për dëgjuesit dhe lexuesit.

Në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë” prof. dr. Bahtijar Kryeziu nga opusi shumë i gjerë i punës dhe veprimtarisë shkencore për gjuhën, rreth gjuhës e disiplinave të veçanta të albanologjisë të Gjovalin Shkurtajt, objekt trajtimi ka bërë veprën “Urgjenca gjyqësore” (Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe – Fjalorth, Tiranë, 2015).

Këtë vepër, që në formulim të punimit, e cilëson: “Vepër e rëndësishme për mbrojtjen e gjuhës shqipe”. Shkrimi i bërë nga prof. dr. Bahtijar Kryeziu për veprën e sipërthënë i përket llojit të recensionit. Në vështrimin e prof. Bahtijarit për veprën “Urgjenca gjuhësore” janë parë e janë rrokur në vëzhgim vlerat themelore të veprës së prof. Shkurtaj, i cili me argumente bindëse sjell shembuj të bollshëm se si nuk do të duhej të përdoren fjalët e huaja në vend të fjalëve aq të bukura e aq të ëmbla të gjuhës shqipe. Për t’i dhënë vlera të veçanta veprës “Urgjenca gjuhësore” të akademik Gjovalin Shkurtajt, prof. Bahtijari punën e lodhshme e shumë serioze të tij e ndërlidh me emrat e mëdhenj të studiuesve, që kanë dhënë kontribute të veçanta në çështjet etimologjike të fjalëve të gjuhës shqipe, duke filluar nga rilindësit, si: Veqilharxhi, Xhuvani, Naimi, Mitkoja, Kostallari, Domi, Ajeti, Lafe, Lloshi, Thomaj, Kamarda, për të vazhduar me Çabejn, Qosjen, Kadarenë e ndonjë tjetër krijues letrar e gjuhësor, të cilët kanë shprehur shqetësimin për depërtimin pa kriter të fjalëve të huaja. Gjithandej veprës, Shkurtaj sikur kërkon kujdes e përgjegjësi më të madhe të përdorimit të fjalëve të huaja. Duke qenë gjuhëtar me moral të lartë shkencor, Shkurtaj, siç konstaton Bahtijari, nuk kërkon që me farë dekreti t’u vihet ledh fjalëve të huazuara, e aq më pak atyre të cilat i duhen gjuhës sonë për të kryer funksionin e saj komunikues në shkallë më të lartë, por shpreson që ka rrugë të tjera të cilat e ndihmojnë shqipen për të qenë e pasur e funksionale në rolin e saj, por edhe më imune ndaj fjalës së huaj.

Akademik Gjovalin Shkurtaj çështjen e ruajtjes së pastërtisë së gjuhës nga vërshimi i fjalëve të huaja e lidh ndjeshëm me dashurinë që duhet të ushqejnë për atdheun dhe kombin. Tamam, si një rilindës i ringjallur, përmes studimeve të deritashme për gjuhën e posaçërisht në veprën “Urgjenca gjuhësore”, pedagogu i shumë brezave të studentëve e studiuesve të rinj të fushës së albanologjisë, me gjithë shpirt e zemër, e thotë shkoqur e pa ekuivokë se atdheu i vërtetë i njeriut është gjuha e tij. Shkurtaj, duke parë nivelin jo të dëshirueshëm të ruajtjes së pastërtisë së gjuhës në veprën që prof. Bahtijari e bën objekt vëzhgimi, i vë në dijeni jo vetëm shqipfolësit, por edhe institucionet e arsimit, kulturës, shkencës dhe më në fund edhe vetë shtetin që të tregojnë më shumë kujdes e të rrisin përgjegjësinë ndaj përdorimit të gjuhës, duke ruajtur fatin e saj, sepse me të drejtë thuhet se gjuha është dëshmitarja më e mirë që tregon vetëdijen e kulturën e popullit shqiptar. Vepra e Gjovalin Shkurtajt “Urgjenca gjuhësore”, me tërë problematikën që shtron, kryefjalë të vetme ka të vërtetën se gjuha është arma që e shpëton popullin nga rreziku i asimilimit. Prandaj, profesor Shkurtaj çështjen dhe problemet gjuhësore të shqipes, që po manifestohen në mjetet e informimit, në komunikim dhe, në përgjithësi, në përdorimin e fjalëve të huaja, nuk e idealizon, por shpërfaq ide e mendime që flasin se ç’rëndësi, ç’rol dhe ç’përgjegjësi duhet të mbajmë ndaj ruajtjes së gjuhës së pastër, sepse, siç thekson Akademik Rexhep Qosja, asnjë pushtues nuk ka provuar ta zhdukë një popull fizikisht, por zhdukjen e tij e ka bërë duke ia asimiluar gjuhën.

Duke i pasur parasysh këto të vërteta për gjuhën, Gjovalini, si studiues i përkushtuar i gjuhës dhe i kulturës së shkrimit e komunikimit në kohën e revolucionit teknik-teknologjik dhe globalizimit gjuhësor, sikur i shpërgjum intelektualët e të gjitha fushave, poetët, shkencëtarët, studentët, pedagogët e secilin shqipfolës, që të jenë më të vetëdijshëm dhe, thënë figurshëm, ua bën me dije se nuk u ka hije as nuk e kanë për nder t’i lejojnë vetes që të mos mbajnë përgjegjësi për përdorimin e gjuhës me fjalë të huaja. Përkundrazi, duhet të udhëhiqen nga një ndërgjegje e lartë e nga një dashuri e zjarrtë për gjuhën, duke u bërë kështu prijës shpirtërorë dhe frymëzues të përhershëm për përdorimin e gjuhës shqipe, të pastër e pa fjalë të gjuhëve të huaja. E tërë vepra “Urgjenca gjuhësore” e Gjovalin Shkurtajt shpreh vizionin larghedhës se gjuhën dhe përdorimin e saj gjithmonë duhet ta shikojmë sa nga aspekti historik aq edhe nga ai kombëtar.

Onomastika - një fushë specifike e studimit në kuadër të gjuhës shqipe

Një vështrim gjithëpërfshirës prof. dr. Bahtijar Kryeziu, si recensues, në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë”, i ka bërë veprës së Dr. Rexhep Doçit “Onomastika e Drenicës I” – botim i IAP, Prishtinë, 2005, të cilin vështrim e ka titulluar Vepër e rëndësishme jo vetëm për Drenicën. Duke lexuar punimin e sipërthënë, kuptojmë se prof. Bahtijar Kryeziu me kënaqësi dhe entuziazëm, falë përgatitjes në këtë fushë të albanologjisë dhe kulturës së gjerë e përvojës së pasur shkencore në zbërthimin e vlerave që ngërthejnë veprat e tilla, ka arritur të bëjë vlerësime, analiza, shqyrtime dhe gjykime, shkencërisht koncize dhe të mbështetura në të dhëna reale, që u përgjigjen analizave të mirëfillta shkencore, në një anë, dhe vlerave gjuhësore, që vijnë si dëshmi dokumentare me interes të veçantë për onomastikën shqiptare, në përgjithësi, e për Drenicën, në veçanti, në tjetrën anë. Në punimin “Vepër e rëndësishme jo vetëm për Drenicën” të Dr. Rexhep Doçit, prof. Bahtijari ka paraqitur rëndësinë dhe vlerën e veprës “Onomastika e Drenicës I” si një fushë specifike e studimit në kuadër të gjuhës shqipe.

Prof. Bahtijar Kryeziu në zbërthimin e vlerave të veprës së cituar ka ndjekur rrugën e përmbajtjes që ka vepra, duke filluar nga parathënia, hyrja, që autori e merr si kapitullin e parë, njoftime të përgjithshme për Drenicën, kapitulli i dytë, Onomastika sinkronike e Drenicës, kapitulli i tretë, Onomastika diakronike e Drenicës, kapitulli i katërt, dhe treguesi i emrave dhe njësitë bibliografike të shfrytëzuara për hartimin e veprës “Onomastika e Drenicës I”, që, siç vlerëson Bahtijari, është një fushë shumë specifike, shumë e gjerë, me probleme të shumta e të ndërlikuara, të cilat nga studiuesit e sotëm e të ardhshëm të gjuhës shqipe kërkojnë trajtime më të thelluara, trajtime këto të mbështetura në metodat shkencore më të përparuara me qëllim që çështjet e problemet e onomastikës t'i çojmë gjithnjë e më përpara, krahas me fushat e tjera të gjuhësisë shqiptare.

Si në çdo disiplinë të gjuhësisë sonë edhe në fushën e onomastikës, vlerëson profesor Bahtijari, duke i analizuar me shembuj konkretë përmes metodës së krahasimit, analizës, sintezës, historisë së gjuhës si makro e mikrotoponimet e emërtuara me terma të bimësisë, mandej patronimet që lidhen me emrat e fiseve e të lagjeve si dhe antroponimet etj., duhet pasur dije e kujdes që gjykimet, vlerësimet dhe përfundimet të vijnë si rezultat i parimeve të drejta shkencore e jo si rezultat i paragjykimeve, tendencave dhe metodave joparimore shkencore, që nuk u përgjigjen të vërtetave e fakteve shkencore, pra, edhe fushës së onomastikës.

Studiuesi me qëndrim të ekuilibruar shkencor - Qemal Murati

Në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë” të prof. Bahtijar Kryeziut, botim i shtëpisë botuese “Era”, Prishtinë, 2018, hapësirë e veçantë u është dhënë veprave me studime gjuhësore të studiuesit Dr. Qemal Muratit, njëri ndër emrat e personalitetet e shquara dhe njëri ndër shkencëtarët e veçantë në të gjitha hapësirat tona kombëtare, i cili, si studiues me dije të gjera e të thella në disiplinat e shkencave albanologjike, ka arritur përmes shumë veprave të ndriçoje çështje e probleme të shumta të gjuhës shqipe, të cilat probleme, falë përgatitjes, punës së vrullshme e të vullnetshme, falë pasionit për t’u marrë me studimin e çështjeve gjuhësore, është bërë një zë i çmuar, një zë i lartë në fushat e filologjisë, kulturës gjuhësore, në të cilat ka dhënë dhe po jep ndihmesa të shumta, me të cilat ndihmesa po ashtu ka hedhur dritë në shumë probleme që lidhen me historinë e kulturës e të gjuhës shqipe nëpër rrjedha të moteve. Në punën studimore dhe kërkimore të Dr. Qemal Muratit, zënë vend vepra të shumta në të cilat janë përudhur disa prej problemeve më thelbësore të fushave të filologjisë. Në dhënien e gjykimeve, mendimeve, analizave dhe përfundimeve mbi këtë apo atë çështje a dukuri gjuhësore, studiuesi Qemal Murati gjithnjë mban qëndrim të ekuilibruar, qëndrim që shpreh skrupulozitetin e shkencëtarit, që nuk i lejon vetes të manipulojë me të vërtetat shkencore, të cilin fakt e dëshmojnë studimet e bëra, studimet që tregojnë se ai si gjuhëtar i spikatur punon me këmbëngulje dhe në vlerësimet që i sjell nuk nxiton.

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, duke shkruar për veprat e Dr. Qemal Muratit, Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes – (Botim i IAP, Prishtinë, 2004) - Fjalori topomonistik i tërthoreve të shqiptarëve të Maqedonisë (Botim i USHT, Seminari i Albanologjisë, 2008) dhe Fjalor i gabimeve gjuhësore (Botim i IAP, Prishtinë, 2008) arrin t’i kapë vlerat më të rëndësishme shkencore me të cilat janë mbrujtur veprat e sipërthëna. Përmes analizave, shembujve, krahasimeve dhe metodave më bashkëkohore hulumtuese shkencore, që prof. Bahtjari i ka përdorur, paraqet në mënyrë sintetizuese botën e pasur krijuese e shkencore, me gjykime e vlerësime të Qemalit mbi çështjet e problemet e shumta, të cilat po manifestohen për gjuhën e njësuar letrare dhe rreth disa zërave, që sot po përpiqen ta rrënojnë gjuhën sa nga brenda aq edhe nga jashtë.

Vepra “Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes”, e strukturuar në gjashtë kapituj (Problematikë gjuhe, Fjalori, Leksematikë e standard, Lëvrimi në arën e shqipes letrare, Si duhet ta flasim dhe si nuk duhet ta flasim gjuhën dhe thërrmija standardologjike) është shkruar me përkushtim të madh dhe brenda saj Qemal Murati ka shprehur shqetësimet që kanë të bëjnë me zbatimin e standardit të saj. Duke shtruar problemin e përdorimit të pastër e të pasur të gjuhës shqipe, Bahtijari nxjerr konstatimin se gjuhëtari Qemal Murati “nuk është kundër çdo fjale e shprehjeje të huaj, nuk është purist i përbetuar, por kërkon që fjalët e bukura, të cilat i ka gjuha jonë, ato duhet të përdoren e po qe se janë mënjanuar nga përdorimi i shqipes pa të drejtë duhen të riaktivizohen në fjalorin tonë dite.”

Në këtë vepër autori ka bërë objekt studimi mjaft çështje që lidhen me gjuhën letrare shqipe të njësuar, siç janë leksiku, sintaksa e fjalisë, fjalëformimi, emërtimet e drejta në natyrën e shqipes, toponimet e shkrimet nëpër firma e institucione të bëhen në mënyrë të drejtë e në mënyrë të saktë nga aspekti i drejtshkrimit e besa edhe të kuptimit. Për t’ua zgjuar vetëdijen dhe për t’ua shtuar përgjegjësinë ndaj gjuhës sonë dhe fjalës së saj, Qemal Murati ka sjellë mendime dhe shembuj konkretë nga studiuesit më të shquar të gjuhës shqipe, nga krijuesit e letërsisë së vjetër, të letërsisë së Rilindjes e deri te gjuhëtarët e shkrimtarët më emblematikë shqiptarë të ditëve tona. Në këtë kontekst, me të drejtë Hygo, për rolin e rëndësinë e fjalës, kishte thënë: “Fjala është krijesë e gjallë, më e fortë, madje edhe se ai që e ka përdorur atë”! Ndërkaq, Faik Konica në shkrimin “Ese për gjuhët artificiale” shkruante: “Gjuha përfaqëson me një besnikëri të përkryer metodën mendore të një populli, në mënyrën e tij të zakontë për të përcjellë idetë”!

I sollëm këto mendime të dy krijuesve të mëdhenj të letërsisë, njërin nga radhët e letërsisë franceze e tjetrin nga letërsia shqipe, për të vënë në dukje se çfarë peshe dhe çfarë vlere ka përdorimi i fjalës, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Është e kuptueshme se profesor Bahtijari, duke u marrë me zbërthimin e vlerave gjuhësore brenda veprave të Qemal Muratit dhe veprave të studiuesve të tjerë që janë përfshirë në librin “Shqipja në synorin e studiuesve tanë”, dëshmohet si njëri ndër studiuesit e dalluar të fushave të albanologjisë dhe me qëndrimet e pikëpamjet shkencërisht të argumentuara rreth çështjeve e problemeve të gjuhës e të kulturës së shkrimit e të komunikimit jo vetëm se dëshmohet studiues me dimensione të gjera, por e bëjnë të veçantë në zotërimin e çështjeve të disiplinave të gjuhësisë shqiptare, sepse, falë zgjuarsisë, përgatitjes dhe korrektësisë, çdo problem të gjuhës e shtron e trajton me akribi shkencore e me logjikë dhe, kur vjen puna tek çështjet gjuhësore, duke pasur ideal mbi çdo ideal gjuhën, Bahtijari nuk i lejon vetes as të shitet e as të blihet nga ndonjë pseudostudiues i disiplinave të albanologjisë.

Viteve të fundit është krijuar një klimë jo e dëshirueshme ndaj gjuhës së njësuar letrare dhe nuk është kollaj t’u kundërvihesh tendencave të plëngprishësve të standardit, por prof. Bahtijari dhe të gjithë autorët e përfshirë në veprën “Shqipja në synorin e studiuesve tanë” u ka mbetur besnik qëndrimeve e bindjeve që ka ndaj rolit të gjuhës, për të cilën pohon se gjuha shqipe që nga lashtësia vjen me rrënjë të forta. Këto rrënjë të forta të gjuhës rilindësit i mbrojtën, i zhvilluan dhe i përparuan aq hovshëm. Për rolin e rilindësve ndaj gjuhës, akademik Rexhep Qosja do të shprehet: “Dashuria ndaj popullit i ka frymëzuar poetët ta këndojnë aq me zjarr e aq bukur këtë thesar të shenjtë që na mban të gjallë dhe i përkujton mendjet tona shpesh të harruara se jemi vëllezër në radhë të parë për nga gjaku dhe për nga gjuha: Gjuha jonë e dashur, gjuha jonë e bukur”!

Trajtim të gjerë dhe mjaft sintetizues Qemal Murati u ka bërë disa çështjeve të rëndësishme gjuhësore që lidhen me fjalorin dhe leksikun e gjuhës, duke i dhënë shpjegime të bollshme semantikës së fjalës, pasurisë së fjalorit, analogjive të fjalëve të shqipes me ato të gjuhëve të huaja, vitalitetet e domethënieve të shumënduarshme të fjalëve si në të shkruar ashtu edhe në të folur. Autori ka saktësuar mjaft qartë kur fjala ka kuptim të fytyrëzuar e kur ka kuptim të drejtpërdrejtë.

Qemali, duke kuptuar funksionin e gjuhës, me gjithë qenien shpirtërore dhe profesionale në punën shkencore, vlerëson se gjuha meriton shumë respekt, shumë kujdes, por edhe shumë përgjegjësi të lartë. Meriton, pra, sakrifica më të mëdha dhe ndjenjë më fisnike nga secili shqipfolës, por që barrën më të madhe duhet ta bartin intelektualët e të gjitha fushave, te të cilët, përmes dashurisë për gjuhën e ndaj gjuhës, përmes një përgjegjësie të lartë kombëtare, gjuha duhet të mbetet qëllimi më fisnik dhe me fisnikërinë më të lartë ta pasurojnë e ta zhvillojnë duke pasur parasysh përherë të vërtetën se gjuha gjithnjë vazhdon në lëvizje kohore e hapësinore. Lexuesi i vëmendshëm, lexuesi që zbaton lexim psikik e jo fizik të veprave gjuhësore të Qemal Muratit ka për të kuptuar të vërtetën se: "Shkrimet e tij, si të Çabejt, thotë Qosja, të krijojnë bindjen se ai është dijetar që heton të veçantën për të parë më qartë të përgjithshmen." Pikëpamjet e tilla, Qemal Murati i ka shpërfaqur në librin shumë voluminoz “Kërkime miksoglotike në arealet shqipe dhe ballkanike” (Botim IAP, Prishtinë, 2017, 576 faqe).

Kjo vepër i siguron Qemal Muratit vendin më të merituar në panteonin e gjuhëtarëve me dije të mëdha. Se vërtet libri është shkruar me mundim e përkushtim të veçantë, këtë do ta ilustrojmë përmes fjalëve të prof. dr. Russana Beylari nga Sofja, e cila, përveç të tjerash, shton: “Qemal Murati është i afirmuar si njohësi më i thellë i kontakteve gjuhësore të shqipes me maqedonishten në të gjitha nivelet linguistike, por, në këtë libër ai është fokusuar kryesisht në pjesën sociolinguistike dhe në politikat gjuhësore dhe ankthi i tij duket i bazuar, sepse “e kujt është gjuha, e tij është toka”.

Edhe në dy librat e tjerë “Fjalor toponomastik i tërthoreve shqiptare të Maqedonisë” dhe “Fjalori i gabimeve gjuhësore”, Qemal Murati dëshmohet studiues i përmasave të mëdha në shkallë kombëtare. Duke i vëzhguar këto dy vepra, prof. dr. Bahtijar Kryeziu nxjerr vlerësimin se lëndën që trajtojnë veprat e sipërthëna objektivisht vijnë si ndihmesa të rëndësishme në kërkimet tona gjuhësore e kulturore historike. Sidomos vend meritor autori i ka dhënë shqyrtimit të leksikut toponomastik dhe patronimit të vendbanimeve të Maqedonisë.

Ndërkaq, në librin “Fjalori i gabimeve gjuhësore” Qemal Murati, sipas vlerësimit të prof. dr. Bahtijar Kryeziut, theksin kryesor e ka vënë në përdorimin e gjuhës në të folur e në të shkruar në mjetet e informimit, administratë, shtypin e përditshëm dhe revistat e ndryshme, radio, televizion, në institucionet shkollore të të gjitha niveleve, në tekstet shkollore e shkencore, në shpalljet e reklamat, madje edhe në rrafshe të tjera, kur trajtat jonormative përdoren në vend të trajtave normative. Për të qenë më konkret, në punën kërkimore shkencore me vite të tëra rreth sajimit të veprës “Fjalori i gabimeve”, Qemal Murati sjell shembuj të shumtë në të cilët shihet përdorimi i gjuhës me gabime drejtshkrimore, drejt­shqiptimore, morfologjike, leksikore, sintaksore, Seman­tike, stilistike e në përdorimin e shenjave të pikësimit etj.

Libri “Fjalori i gabimeve” është i rëndësishëm për gjuhën dhe kulturën gjuhësore, sepse autori ka ndriçuar probleme të shumta që lidhen me gabimet gjuhësore në të folur e në shkrime të ndryshme. Qemal Murati, me veprat e shumta studimore për gjuhën dhe rreth gjuhës, është bërë i veçantë edhe për faktin se në rezultatet e deritanishme spikasin qëndrimet, zgjuarsia, mendimet e pavarura dhe gjykimet e drejta për çështje e probleme që rëndojnë mbi gjuhën e njësuar letrare. Veprimtaria e bujshme dhe e pasur shkencore e Qemal Muratit në disiplinat e albanologjisë jo vetëm se përshkohet me vlera autentike e me mendime sa origjinale aq të pasura, mendime që shprehin guximin e përgatitjen e thellë prej një studiuesi të gjuhësisë shqiptare, por në përmbajtjet dhe shtjellimin që u bën çështjeve të mprehta gjuhësore, do të mbeten vlera, pasuri dhe ndihmesa të çmuara në fushat e albanologjisë për brezat e sotëm e të ardhshëm. Qemal Murati është figurë e shquar në shkencat albanologjike jo vetëm si studiues, por edhe si intelektual që shkruan qartë e bukur, intelektual që me kulturën e madhe gjuhësore di të polemizojë me kundërshtarët e gjuhës së njësuar letrare. Në veprat shkencore të Qemal Muratit ndeshen polemika të zjarrta me disa pseudoshkencëtarë të gjuhësisë shqiptare, të cilët me asnjë parim s’u përmbahen të vërtetave e argumenteve shkencore e historike ndaj çështjeve gjuhësore. Në këto raste Qemalit fjalët sikur i vijnë natyrshëm e me një rreptësi i demanton broçkullat e tyre, duke sjellë shembuj konkretë me të cilët i arsyeton qëndrimet si një studiues me moral të lartë shkencor, si një studiues që është në shërbim të së vërtetës shkencore.

Prof. Bahtijar Kryeziu, duke shkruar për veprat gjuhësore të Qemal Muratit, nxjerr konstatime e përfundime të rëndësishme, përfundime që janë koherente për çështjet e problemet gjuhësore, për të cilat Qemal Murati ka shkruar e që veprat, gjykimet dhe përfundimet e tij në mënyrë të veçantë bëhen madhështore për disiplinat e gjuhës shqipe. Veprave të Qemal Muratit u siguron rëndësinë dhe madhështinë trajtimi i ndjeshëm i çështjeve gjuhësore. Me sukseset e rezultatet e arritura në fushat e gjuhësisë, ai, duke kapërcyer vetveten, është bërë model dhe vlerë e rëndësishme e studimeve të gjuhësisë shqiptare. Përgatitja, aftësitë dhe prirja e Qemal Muratit për t’u marrë me studime të gjuhës e të kulturës së të shkruarit e të të folurit të pastër e të drejtë, rrezatojnë në të gjitha veprat e botuara dhe, siç dihet, këto aftësi mbeten të pashtershme.

Gjatë leximit të shkrimeve të prof. Bahtijar Kryeziut për veprat shkencore të Qemal Muratit, spontanisht më erdhën ndër mend mendimet e Zhyl Lemetrit, thënë për Pol Vërlenin: “Ah, është fatkeqësi e madhe që në fillim zhvillohen ndjenjat dhe pastaj gjuha. Ne me ndjenjat tona kemi për të mbetur mbrapa gjuhës, ne nuk kemi mundësi të shprehim vetveten, jo, sepse njerëzit nuk merren vesh me njëri-tjetrin, po neve na duken fjalë të reja, shumë fjalë. Pikërisht gjuha dhe përdorimi i saj me fjalë të reja e të moçme të shqipes mbeten preokupime të vazhdueshme të Qemal Muratit, i cili, duke qenë i mishëruar me problemet e gjuhës, shkenca e gjuhësisë shqiptare nga ai pret vepra të reja e me fakte të shumta, sepse vepra shkencore pa fakte nuk ka vlerë ashtu siç nuk ka vlerë lumi pa ujë me të cilat duhet të dëshmojë se nuk ka hyrë rastësisht në rendin e studiuesve të mëdhenj të historisë së gjuhës dhe historisë sonë kombëtare në përgjithësi. Le të jetë ky urimi më i mirë për punën e dobishme e të rëndësishme që Qemal Murati po i bën gjuhës, veprat e të cilit për nga cilësia dhe vërtetësia shkencore mbeten model i krijimeve të vërteta shkencore. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat