Që bota të mos përjetojë ligësi të tilla

Kultura

Që bota të mos përjetojë ligësi të tilla

Nga: Viron KONA Më: 22 shtator 2022 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Doli nga shtypi romani i përkthyer në shqip nga gjuha suedeze i Sokol Demaku “Den konstiga skogen” në botim të Shoqatës”Sokol Demaku” Shtëpia botuese, në titull në shqip “Pylli i çuditshëm”, botua në vitin 2019 në gjuhën suedeze dhe roman i cili bëri jehonë tek lexuesi suedez dhe shtypi suedez atë kohë dhe ja tani do ketë rastin edhe lexuesi shqiptar të njhet me te. Romani është 100 faqe dhe është shtypurë në Lena Graphic në Prishtinë në 2022

Rrallë kam lexuar një libër artistik kaq tronditës për fatin e popullit martir të Kosovës! Por, edhe një libër shumë realist që pasqyron krimet, manipulimet dhe dinakërinë e makinës uzurpatore serbe mbi popullësinë e pafajshme e të pambrojtur të Kosovës. Ndërkohë që libri të mbush me ndjenja të llojllojshme, ku spikat mëllefi, frika, zemërimi dhe urrejtja ndaj veprimeve shtazarake dhe krimeve të llahtarshme që bënë ushtarët, policët me maska dhe këmishëzinjtë serbë mbi Kosovë.

Si hordhitë barbare në shekujt e mesjetës

Ndjenja e parë e urrejtjes që lexuesi përjeton, kërkon edhe shkaqet pse ka ndodhur kështu? Dhe, gjatë leximit ato i mëson dhe i përjeton në mënyrë drithëruese, ato janë aty, brenda jetës së shqiptarëve të Kosovës, janë brenda përjetimeve të tyre të dhimbshme dhe tronditëse, ato janë aty brenda këtij libri të rrallë, që na ofron poeti, përkthyesi dhe shkrimtari ynë i talentuar Sokol Demaku. Ato i ndien thellë dhe revoltohesh: kur snajperët vrisnin shqiptarin në verandë ku ushqehej me familjen e tij; kur vrisnin djalin dhe e hidhnin fshehurazi në pusin e familjes; kur përndiqnin të gjithë familjen shqiptare si të ishin kafshë gjahu dhe, pasi i gjenin në pyll, i vrisnin nga i pari tek i fundit; kur njerëzit, madje dhe familjarët s`lejoheshin të varrosnin të dashurit e tyre të vrarë e të lënë në mes të sheshit; kur banditët serbë hynin netve me maska nëpër shtëpi dhe vrisnin, përdhunonin, vidhnin dhe merrnin dhunshëm për të mos i kthyer kurrë më meshkujt, djemtë dhe burrat e shtëpisë; kur vrisnin pa asnjë shkak njerëz paqësorë dhe të dashur për popullin, njerëz të verbër që s`mund të largoheshin dot nga fshati ...vrisnin e vrisnin parreshtur, pa mëshirë, njerëz të moshave të ndryshme, pleq, burra, gra, fëmijë, ashtu siç kanë bërë hordhitë barbare në shekujt e mesjetës.

Një libër që duhet ta lexoj gjithkush

Them se është një libër që duhet ta lexoj gjithkush: edhe vet serbët duhet ta lexojnë për të përjetuar edhe ata vet krimet që kanë bërë bashkëkombësit e tyre në Kosovë ndaj një populli paqësor dhe të pafajshëm, që të vetmen kërkesë ka pasur vazhdimisht LIRINË, të cilën e ka kërkuar dhe e kërkon me ngulm çdo qytetar i kësaj bote të qytetëruar. Librin duhet ta lexojë çdo qytetarë dhe çdo intelektualë për të parë se deri kur arrin egërsia dhe përdhosja e shpirtit dhe e karakterit të racës njerëzore, kur nxitet dhe ushqehet nga fashizmi, racizmi, kur ndikohet dhe ushqehet nga ndjenjat e egërsisë që mban përbrenda çdo pushtim, që s`ka asnjë ndryshim me ndërsimin e qenve të tërbuar.

Nuk mund të themi se një popull është kriminel, por kemi më shumë se të drejtë të pyesim: përse nuk i dënon ai popull krime të tilla? Çdokush duhet ta lexojë këtë libër për të përjetuar realisht atë se çfarë ka ndodhur me popullin martirë dhe paqësorë të Kosovës, të mësojë se bota, në dukje moderne dhe e ndritshme, nuk është realisht e tillë, sepse juntat fashiste dhe pushtuese vazhdojnë të pjellin egërsi, përhapin mjegullën e dendur nëpër hapësirë. Në mjegullën e dendur veprojnë çakejtë dhe ujqërit, ata ndien zot të mjegullës.

Këmishzinjtë dhe njerëzit me maska

Një libër i shkruar me gjuhë të thjeshtë, të qartë, me ngjarje thellësisht të besueshme, me ndjenja dhe mendime që vijnë nga realitetet e egra dhe keqtrajtimet që okupatori serb i bëri veçanërisht në fundin e shekullit të kaluar, popullit të pambrojtur dhe thellësisht të pafajshëm të Kosovës. Pse duheshin ato krime, përse ato përdhunime, përse ato vrasje, pse ato varreza masive, pse ato zhdukje të njerëzve pa lënë gjurmë, përse....? Lumi i “pseve” është i pafund dhe vërshues, kurse përgjigjet japin shifra të tilla drithëruese: këmishëzinjtë dhe njerëzit me maska kryen mbi 10 mijë të vrarë, dhjetëra varreza masive, mijëra të rrëmbyer dhe të zhdukur pa asnj gjurmë, mijëra të sakatuar, rreth 20 mijë vajza dhe gra të përdhunuara, madje në sy të etërve, të vëllezërve, motrave dhe fëmijëve; mijëra të dhunuar egërsisht e barbarisht, mijëra shtëpi të djegura, të shkatërruara, mijëra...

Njeriu e ka vështirë të çlirohet nga mankthet që i përfshijnë të gjithë qenien, trupin dhe mendjen kur lexon këto episode dhe ngjarje, kur përplaset me këmishëzinjtë e ndyrë dhe të egër, kur përjeton ndjenjat e një gruaje të ndershme dhe të pajafshme, e cila të vetmin preokupim ka që të mbijetojë së bashku me fëmijët dhe bashkëshortin e saj, por që fatkeqësisht çdo hap i saj është i pasigurt, çdo frymëmarrje e saj mbytet nga ligësia e këmishëzinjve dhe atyre që venë e vijnë nëpër familjet shqiptare si hije të zeza, si lugatë me maska në fytyrë për të fshehur identitetet e tyre kafshërore. Sa shumë tortura fizike dhe shpirtërore për një fjalë të vetme Liri. Sa shumë lëngata dhe mankthe, një ferr i vërtetë ku hijenat, çakejtë dhe ujqërit bënin kërdinë në gjithçka; ku të mjerët, të dobëtit, të pafuqishmit, të pambrojturit ishin shënjestra e tyre e radhës në çdo çast dhe në çdo rast. Këmishzinjtë, duke u zgërdhirë, vepronin vetëm me një taktikë: Përgjo, sulmo, përdhuno, vrit, mbyt, digj, shkatërro...!

U ndërsyen si qentë e tërbuar kundër shqiptarëve

Sokol Demaku ia ka arritur që me mjeshtrinë e tij artistike të na afrojë me personazhet e librit, me gruan trimëreshë me emrin Shaha, me bashkëshortin e saj Isakun, me tre djemtë: Menti, Meda dhe Mensuri, teksa përpara syve dhe anktheve tona shfaqen: Jaho, Feka, Xha Meti, Hamdiu, Irfani...Ne sikur i shohim ata qartësisht dhe fizikisht në faqet e librit, sikur dhe ne jemi aty pranë, por fatkeqësisht të pafuqishëm për t`i mbrojtur, të mbushur fund e krye me marraz, por që s`mundemi t`i ndihmojmë dot ata njerëz të pambrojtur, s`mundemi t`ua lehtësojmë sadopak hallet, vështirësitë e ato përvoja të hidhura, të tmerrshme që ata kalojnë, ato ëndrra dhe mankthe drithëruese që ata përjetojnë çdo çast. Dëshirojmë të jemi, jo thjesht lexues, por të jemi brenda faqeve të librit dhe të mund të ndesheshim fyt a fyt me të keqen dhe me egërsinë e përbindëshme të këmishzinjve dhe njerëve me maska; të kishim mundësi të shkallmonim atë të keqe të zezë që rrethonte ata të pafajshëm dhe të pafuqishëm ngado që ata shkonin. Këmishzinjtë vërtiteshin si sorrat e zeza. Ndodhte siç ndodh në pyllin e dendur, kur rrethohen një tufë sorkadhesh nga hijenat dhe çakenjtë, nga krokodilët dhe gjarpërinjtë helmues.

të mendosh se të këqijat, atyre u vinin jo nga forca të mbinatyrshme, jo nga tufa kulçedrash, por u vinin nga njerëz që u ndërsyen si qentë e tërbuar kundër shqiptarëve, nga njerëz që vunë maskat e zeza për të urryer e dhunuar egërsisht e barbarisht gjithçka shqiptare.

Libri paraqet jetë njerëzish që fati i ka zhytur në kaosin e ferrit, lexuesi përpiqet ta largojë nga mendja atë që po lexon si të jetë një ëndërr të keqe, por, fatkeqësisht dhe realisht ajo ndodh dhe, ai edhe të dojë nuk e harron dot, sepse ajo është një realitet drithërues dhe tronditës. Njeriu vihet përballë faktit se shoqëria jonë njerëzore mbart brenda saj gjurmë kancerogjene dhe çibanë të rrezikshëm.

Por njeriu qenka i fort, i fortë si guri; njeriu duron nga e keqja, njeriu duron se s`ka rrugë tjetër, njeriu duron se shpreson të ardhmen, duron se s`është i vetëm, duron se ka një familje, ka fëmijë, ai duron për atë familje... Prandaj të parët tanë, që edhe ata kanë kaluar përmes këtij lloj ferri dekada e shekuj më parë, kanë lënë gjurmë e thënie të shkruara, fjalë të mendura mbi qëndrueshmërinë dhe durimin, mbi paqen dhe tolerancën, burrërinë dhe vazhdimësinë e jetës se “jetën nuk e zgjedh, ajo të vjen dhe t`i duhet ta përballosh”.

Ajo që i ndodh sot njërit, nesër mund t`i ndodh edhe tjetrit

Qentë e tërbuar duhen mbajtur lidhur me zinxhir, ata mund të kafshojnë gjithkënd

Libri “Një pyll i çuditshëm” e çliron disi lexuesin kur artistikisht i tregon se bota ka dhe njerëz të mirë, shumë të mirë; ka njerëz human dhe zemërbardhë si Nënë Tereza jonë e madhe. Kjo botë s`ka vetëm okupatorë, por ka edhe popuj shumë të dashur, ka edhe skandinavë, suedezë e norvegjezë, të cilët e treguan veten edhe në qëndrimin mbështetës që mbajtën ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të saj, duke i ardhur në ndihmë dhe duke e mbajtur pranë këtë popull, duke e ndihmuar në shërimin e plagëve të rënda...

Libri i përket të sotmes dhe të ardhmes, që brezat të mësojnë sesa dallgë vuajtjesh kanë kaluar të parët e tyre. Libra të tillë me jehonën e kambanave drithëruese, lajmërojnë që dukuri të tilla të mos përsëriten më, të mos kenë vend në shoqëritë e civilizuara dhe të qytetëruara. Bota duhet t`i zbojë nga vetja luftërat grabitqare dhe uzurpuese, ashtu siç largon duke mjekuar apo operuar një çiban, një sëmundje të rëndë që rrezikon jetën dhe mbijetesën njerëzore.

Luftërat pushtuese janë shpikur nga njerëzit dhe jo nga UFOT, prandaj kësaj prirje dhune dhe lufte, herë të njërit dhe herë të tjetrit, i duhet prerë rruga përfundimisht, përndryshe, ajo e keqe që i ndodh sot njërit, nesër mund t`i ndodh edhe tjetrit. Qentë e tërbuar duhen mbajtur të lidhur, ata mund të kafshojnë gjithkënd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat