Një zemër që pulson nga malli ndaj dashurisë

Kultura

Një zemër që pulson nga malli ndaj dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 26 shtator 2022 Në ora: 20:51
Foto ilustrim

Pas vëllimit „Oqeani i dashurisë”, Remzi Basha rivjen në vëmendje të lexuesve me librin „Ti je shpëtimtarja ime”, ku e shpreh evolucionin e lirikës së tij, që nga ekstazi ekspresionist i moshës së njomë, deri te meditimet e thella ndaj temave madhore të ekzistencës: dashuria, maturia, pjekuria, liria, kalimi i kohës, të trajtuara në mënyrë specifike. Vargjet shquhen për lapidaritet dhe ekspresivitet, duke u koncentruar mbi esencën e disponimeve shpirtërore. Në vargjet e tij mungojnë brengat, pesimizmi dhe shqetësimet.

Tema qëndrore ka mbetur dashuria, e shpaluar poetikisht mbi një paletë të gjerë, me përmbushje e jo me zhgënjim. Çdo qelizë e trupit të poetit përmban nga një zemër të madhe që pulson ndaj dashurisë së çiltërt dhe nga një flatër që pret të hapet drejt flatrimit erotik: „Në përpëlitje flatrash/ Rrjedh kaltërsia/ Nëpërmjet damarëve të pemëve/ Drejtpërsëdrejti në krahët e tu.” Remzi Basha e parandjen fluturimin lirik që nga fëmijëria: „Kur isha i vogël/ Ëndërroja se mund të fluturoja.../ Flatrat m’u rritën më vonë/ Dhe ndjehesha i rëndë dhe plak si Hëna,/ Një fije dëbore e pashkrirë mbi Tokë./ Dhe si një flutur e palindur/ U ngjita në qiell.../ Ndërkaq kërkova për tepër çaste/ Duke menduar se jam engjëll...” (Autobiografi)

Në vëllimet e tanishme dhe në ato paraprake, përjetimet e poetit janë erotike, engjëllore dhe magjike. Dashurinë e përmbushur nuk e ndërpret kalimi i kohës. Poeti nuk mund të jetojë pa dashuri, dhe e kërkon me çdo kusht këtë dhuratë hyjnore. Krejt Universi duket si një shkrirje ndërmjet burrit dhe gruas, ndërmjet femërores dhe mashkullores. Nga vëllimi në vëllim, përfytyrimet erotike sublimohen, poeti duke refuzuaar gjithnjë e më shpesh anën mishtore dhe duke apeluar në elemente subtile: shpirti, zemra, drita, zjarri, qielli - pra në elemente të ngjitjes dhe përsosjes shpirtërore. Përmes këtij procedeu, ndjenja e dashurisë sakralizohet.

Paralelisht me kalimin e kohës, jeta gjithnjë e më shumë duket si një ëndërr. Përkohshmëria e konditës humane ndjehet gjithnjë e më e mprehtë. Kalimi i papërsëritshëm i kohës provokon senzacionin e dimrit ontologjik, si dhe atë të gëzimit të pashmangshëm. Ka ditë në të cilat do të doje të gjesh një vend/ Në brigjet e dritares, të endesh qetë./ Me sytë mbyllur, si mbi një urë hipnotike/ Si brigjeve të një heshtjeje të thellë./ Njësoj sikur të ishte dikush tjetër/ Me këmbët e lëshuara deri më gjunjë/ Në një heshtje të thellë/ Dikush do të endej i qetë andejpari. Nga një herë poeti komunikon me idenë e zgjerimit. Tjetërherë jeta duket si një lojë e qeshje/qarjes, e rëndë, ironike, e ëmbël dhe e hidhur, e kapshme me nostalgji.

Poezia e Remzi Bashës, nëpërmjet muzikalitetit të brendshëm dhe iluzionit të pashmangshëm, ekuilibron përkohshmërinë e jetës. Fjalët e diellëzuara e mbrojnë gjatë rrjedhës së tërë ditës, që nga lindja deri në perëndim. Madje, edhe nëse dashuria fanitet nganjëherë e mbuluar me një startim të përhirtë, një etje e hatashme për jetë mund ta ndezë në çdo çast me një përbujshmëri të madhe. Toni kolokvial, adresimi i drejtëpërdrejtë, sinqeriteti i shprehjes, e joshin lexuesin. Stili i autorit reflekton një ngashnjim të meritueshëm. Remzi Basha vazhdon të mbetet një misionar i Dashurisë.

S'ka asnjë dyshim se mendimi estetik është pjesë e pandarë e jetës shpirtërore të një kombi. Ai ka ardhur duke u përpunuar në rrjedhën e shekujve derisa ka arritur në stadin modern të ditëve të sotme. Një nga format e shprehjes së mendimit estetik padyshim është fjala. Fjala vjen tek njeriu që nga thellësi e kohës. Ajo vjen si një bashkim i përpunuar i tingujve. Në fillim njerëzit, nëse i quajmë të tillë, kur ende nuk ishin shkëputur nga bota e kafshëve, merreshin vesh me anë të shenjave, pastaj lindën tingujve dhe dalëngadalë artikulacionet e fjalëve dhe më vonë fjala e plotë për të shprehur një sendi apo fenomen. Këtë aftësi për të përpunuar dhe bashkuar tingujt dhe për të krijuar fjalën e ka vetëm truri i njeriut. Kështu nga fjalët, si domosdoshmëri e komunikimit, lindën shprehjet. Njeriu u shkëput plotësisht nga bota e kafshëve. Në shpirtin e tij lindi shprehja e emocioneve. Këto emocione ai kishte nevojë t'i shprehte, qoftë për t'ua treguar të tjerëve, qoftë për të shprehur kënaqësi apo hidhërim. Në këtë kontekst, për t'i shprehur sa më qartë atij i duhej të gjente fjalën e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Lindi fjala poetike nga ku dalëngadalë lindën shprejet, këngët dhe poezitë e para,

Poezia e Remzi Bashës është një përpunim i kujdesshëm i emocioneve të mbledhura nëpërmes shprehjeve dhe fjalëve. Ajo është një poezi e bukur, interesante dhe mbresëlënëse. Nëpërmjet shprehjeve të tij, poeti na e dhuron kategorinë më të lartë estetike. Ndjenja, të cilat na përshkojnë qenien e tij pas një vrojtimi depërtues të fenomeneve të natyrës dhe shoqërisë që na rrethon, grumbullohen ashtu si uji në një ujëmbledhës, dhe në fund vjen një çast kur ai duhet të shpërthejë duke gjetur një rrugë për t'u çfryrë. Tek Remziu ndjenjat e dashurisë shpërthejnë nëpërmes fjalëve të shprehura në tituj, në vargje, në strofa dhe në poezi. Duke qenë një shfryrje, një çlirim i shpirtit të mbushur me emocione të grumbulluara gjatë jetës, Remzi Basha përçon tek lexuesit apo dëgjuesit ato ndjenja që kanë bërë poetin të shpërthejë.

Kështu poeti grumbullon në shoqëri dhe natyrë atë lëndë të nevojshme, të cilën pasi e përpunon në shpirtin e tij, me të cilën mundohet të ushqejë shpirtin e njerëzve me të bukurën, por njëkohësisht dhe ta zgjojë atë për të ndryshuar. Kur shkruan një poezi, poeti vetë, ashtu siç bën bleta, e cila lëshon polenin,dhe vrapon për të gjetur tjetër nektar dhe poeti shkarkon emocionet e grumbulluara dhe rend në jetë për të gjetur të tjera. Me emocionet që i shkarkon nëpërmes poezisë, ngarkohen lexuesit. Pra krijohet një varësi, një ndërlidhje reale poet-lexues, natyrë-shoqëri, burrë-grua. Njëri mbledh, i përpunon dhe i shpërndan, tjetri i merr për t'i ruajtur në kutinë e tij të memories, por dhe ky, pasi ka mbledhur nuk mund t'i mbajë më në shpirtin e tij dhe, ose i shkarkon nëpërmes poezisë, ose nëpërmes rrëfimit gojor në rrethin e tij shoqëror. Kësisoj poezia bëhet shpesh objekt bisedash apo kthehet dhe në këngë.

Arti në përgjithësi, dhe poezia në veçanti në fillimet e saj ishin të lidhura ngushtësisht me mitologjinë, me fenomenet natyrore. Nga këtu lindën figurat mitologjike. Lindi e mira dhe e keqja, e shëmtuara e bukura. Njerëzit personifikuan figurat mitologjike sipas emocioneve të veta. Krijuan kulshedrën, shtrigën krijuan zanat dragonjtë... Arti ishte i lidhur aq ngushtë me mitologjinë, sa nuk kishte një vijë dalluese ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra, bilës edhe në poezinë moderne, elementët mitologjike e kanë vendin e tyre. Ndarja e artit, e poezisë, nga mitologjia filloi me ndarjen e shoqërisë në klasa. Tek mitologjia gjejmë elementë të rëndësishëm të domosdoshëm për artin e kultivuar, si mprehtësinë, vrojtimin, saktësinë e riprodhimit, ekspresivitetin, forcën përgjithësuese, fiksim tiparesh, shkurtimisht ecim drejtë njohjes së thellë të fenomeneve dhe karaktereve, elemente të rëndësishme për të krijuar dhe pas një njohje të thellë vjen shprehja e tyre me format më të bukura. Kjo shprehje vjen si nevojë e një shfryrje, çlirimi nga këto emocione të grumbulluara.

Pezia e Remzi Bashës është në në farë mënyre një çfryrje, një çlirim nga emocionet. Mund të themi njëkohësisht se ajo është disi një çlirim nga ndjenja të fuqishme të cilat tundojnë shpirtin e njeriut. Kur poeti shkruan për dhimbjen që i shkakton një fëmi i varfër në rrugë, një i pa strehë, një i sëmurë humbja e një të dashuri të tij, pa dyshim ka nxjerrë një pjesë të dhimbjes që i krijojnë këto pamje. Këtë pjesë të dhimbjes do ta marrin lexuesit e tij. Kur poeti shkruan për dashurinë apo për natyrën, edhe në këtë rast ai është i tejngopur me emocione dhe do t'i ndajë me të tjerë. Por nga i merr poeti gjithë këto emocione, të cilat pastaj, falë dhuntisë, falë talentit dhe punës së tij i kthen në poezi? Sigurisht nga natyra dhe nga shoqëria. Nga këtu mund të themi se poeti është produkt i shoqërisë ku jeton. Ai nuk mund të jetojë pa shoqërinë, pa njerëzit pa natyrën, të cilat janë ushqimi i tij shpirtërorë, janë lulet që prodhojnë pjalmin, të cilin ai do ta mbledhë.

Poezia ndikon tek lexuesi në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por dhe në një farë mënyrë si një reflektim. Fjala e bukur e flamurtarit të lirikës erotike, e transmetuar si një refleks, depërton thellë në shpirtin e lexuesit. Ajo ja përkëdhel ndjesitë më të holla të shpirtit në atë mënyrë sa që ai duke vënë në funksion imagjinatën e tij, nis të përfytyrojë, pikërisht ato ngjyra dhe forma, ato kombinime të bukura, të cilat më parë, kishin ngacmuar shpirtin e poetit. Kështu, lexuesi tek një poezi, do të gjejë diçka nga jeta e tij. Nëse një poezi i këndon dashurisë mes një djali dhe një vajze, ku poeti e ka ndërtuar me fjalë të thjeshta, por të lidhura në harmoni me njëra tjetrën në kohën dhe vendin e duhur, atëhere ai e ka përmbushur misionin e tij. A ka një të ri apo të re që tek kjo poezi nuk e gjen një copëz të dashurisë së tij?

Poezia e Remzi Bashës vjen e urtë si një verë e butë, herë duke buzëqeshur, herë me një pikë lëngu të xhevahirtë, i cili rrëshqet faqeve të çlodhura. Kjo pikë buron nga një zemër e zjarrtë, e loti zbret, zbret herë ngadalë, herë vrullshëm shoqëruar me ngazëllime dhe me ngashërime. Këtu poeti nëpërmes shqisave të tij, nëpërmes shqisës së veçantë që kanë vetëm poetët, merr këto perceptime i bashkon me të tjera dhe e përgatit brumin e një poezie. Kjo poezi mund të jetë një këngë gëzimi, por edhe një protestë e fuqishme ndaj padrejtësive. Kjo herë pas here mund të jetë një himn dashurie, apo një thirrje për nusërimin e fjalës me fjalë. Poeti, duke qenë i lidhur ngushtë, në mënyrë të pazgjidhshme me realitetin natyror e shoqëror, duke qenë pjesë e kësaj të tëre, merr nga shoqëria apo natyra humusin e nevojshëm dhe e përgatit me penën e tij brazdat dhe hedh me kujdes farën e mirëruajtur me kujdes për të tjerrë hollë në boshtet e shpirtit. Kësisoj lind idoli i një përjetimi,që quhet varg, strofë poezi. Poezia e Remzi Bashës është bërthama nga ku hedh rrënjë dhe lulëzon i gjithë universi i mendimit. Është estetika e vetë jetës. Është pasqyra reale e jetës e dhënë me kombinimet më të gjalla të ngjyrave të saj, të përpunuara nga mjeshtri poet. (Bukuresht, Vjeshtë e parë, 2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat