Mona Liza

Kultura

Mona Liza

Nga: Agim Desku Më: 11 tetor 2022 Në ora: 13:44
Agim Desku

Mbrëmë të krijova në varg

Mona Liza ime

Në hyjni të shndërrova

Nuk ta theva asnjërin krah

Nuk jam Da Vinqi as piktor

Jam varg poeti

Fjalë e gdhendur zemre

Mbrëmë me ty krijova botën time

Në sy ylberi u bëra ngjyrë dashurie

Në buzët tua u bëra puthje hëne

Mbrëmë u bëra pak i krisur për emrin tënd

Të skalitur vargut tim

Mbrëmë për pak u çmënden Yjet

Kur ti Mona Liza ime fluturoje në secilën fjalë

Për pak u bëre zë zane

Në Dritë dielli u shndërrove

Dhe buzëqeshje hëne

Çfarë nuk u bëre mbrëmë

Një det ëndërrash të rujtura në sytë e tu

Fjalë që hyre dhe rri zemrës sime

Të secilit kujtim të murosur

Në Kalanë e cunameve të detit

Të lutjeve e uratave plot engjëj

Eh,sa e luta gotën mos të zbrazët si herave tjera

Vetëm sonte mos të thyhet si kjo zemra ime

Të rri e mbushur me verë Çamërie

Se sonte do të dehem deri në agim

Do të ngritëm ozonit kryeneq

Do t`i zbres për pak yjet në tokë

Për tek ti Mona Liza ime

Edhe ngjyrat do t`ia vjedh sonte ylberit

Të ngjyrosi me milona ngjyra dashurie

Në një botë të vetmuar ti je vetë bota ime

Fjala dhe ëndrra që kujtimet m`i shpalos pranë

Ëndrrave apo pranë syve të një deti lotësh

Sotnte flokët tu mbulojnë detin e shpirtit tim

Shuajnë buzët e gjakosura të dhembjes për emrin tend

Eh,më flakin tej detit ku fundin e botës askund se gjëj

Mbrëmë u bëra piktor për ty Mona Liza ime

U bëra poeti,varg i shkruar në një cep gjethi

Gotë e thyer në një mijë copa zemre

Vetëm mbrëmë udhëtuam të lirë si zë zane

Nëpër secilin cep atdheu të shqipeve

Deri tek lotët tu çamja ime

Vetëm mbrëmë isha poet edhe varg i krisur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat