Libri “Me Ali Podrimjen” një përmendore në memorien e kohës sonë

Kultura

Libri “Me Ali Podrimjen” një përmendore në memorien e kohës sonë

Nga: Tahir Bezhani Më: 18 tetor 2022 Në ora: 13:05
Iliaz Bobaj

Sot në Gjakovë, 17.10.2022 në vazhdën e aktiviteteve të pandalshme të Klubit letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, në sallën “Teki Dervishi” të bibliotekës së qytetit Gjakovës, ”Ibrahim Rugova”, u përurua libri i autorit Iliaz Bobaj, “Me Ali Podrimën”.

Me pjesëmarrjen e një numri të madh të dashamirëve të fjalës së shkruar moderimin e përurimit të këtij aktiviteti, e drejtoi poeti e krijuesi i mirënjohur, z. Engjëll Berisha, i cili në fillim të hapjes së këtij eventi kulturorë, vlerësoi lartë punën e krijimtarisë së autorit, z. Bobaj, si krijues brilant dhe përkthyes i spikatur nga greqishtja në shqip dhe anasjelltas. Posaçërisht vuri në dukje miqësinë mes poetëve Podrimja e Bobaj një kohë të gjatë, respektin dhe dashamirësinë e posaçme të z. Bobaj për krijuesit gjakovarë dhe kulturën e këtij qyteti historik në përgjithësi .

Pas fjalës hyrëse të zotëri Engjëll Berisha, fjalën e mori kryetari i Klubit Letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës z. Muharrem Kurti, i cili në cilësinë e redaktorit të librit “Me Ali Podrimjen”, i bëri një vështrim të gjerë duke cekur elementet qenësore që i japin peshë të veçantë librit dhe autorit.

Fjala e redaktorit të librit, z. Muharrem Kurti, njëherit edhe sponsorizues i librit “Me Ali Podrimjen” .

Kurti në vazhdim ceki kohën e gjatë të miqësisë së dy krijuesve, (Podrimja- Bobaj), dhe kontributet e tyre historike e me peshë për letërsinë shqipe, respektin e z. Bobaj për Gjakovën dhe krijuesit letrarë. Me një ndjeshmëri të theksuar z. Kurti hapur foli se gjitha këto merita vlerësuese që dalin nga libri, por edhe nga marrëdhëniet miqësore mes z. Bobaj dhe të ndjerit Ali Podrimja, është e çuditshme se si pushteti lokal i Gjakovës, nuk pranoi sponzorizimin e botimit të këtij libri me peshë!... Ose, së paku, të ishte dikush nga zyrtarët e Drejtorisë për kulturë, për ta përshëndetur autorin e këtij libri, z. Iliaz Bobaj, i cili ka reputacion ndërkombëtarë. Këto raporte mes zyrtarëve komunal dhe letrarëve të Klubit ”Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, japin shenja sikur se diçka nuk është në nivelin e duhur, siç ishte dikur. E psenë nuk e dimë, por dëshirojmë që pushteti lokal të respektoi krijuesit e vet ashtu siç i ka hije dhe se respekti reciprok qeveri-krijues-kulturë, është i patjetërsueshëm që gjërat mos të marrin konotacione tjera, përgojime rrugësh e kafiterive.....

Në vijim të këtij përurimi ceremonial, në dhjetëvjetorin e ikjes nga kjo botë e poetit të madh, Ali Podrimja, fjalën e mori njëri ndër krijuesit më të vjetër e kontributëdhënës, z. Agim Byci, recensent i librit “Me Ali Podrimjen”. Krijuesi i mirënjohur dhe poligloti gjakovar, z. Byci, foli për peshën dhe rëndësinë e librit në fjalë, për krijuesin z. Iliaz Bobaj, i cili që disa vite është bërë pjesë e përbashkët e krijuesve të këtij qyteti, duke dhënë çdo gjë nga vetja përmes krijimit dhe përkthimit në gjuhën greke.

Poetja e njohur nga Tropoja, z. Zyra Ahmetaj, e cila me gjithë mundin për të qenë pjesë e këtij eventi kulturo-letrarë, zgjoi kureshtjen e të pranishmëve me fjalën e saj plot emocione, duke vlerësuar lartë autorin Bobaj, si mik të saj e gjithë Tropojës . Për fjalët e ngrohta, poetja Zyra Ahmetaj, u duartrokit disa herë nga të pranishmit.

Pjesë e vështruese e librit të z. Bobaj, “Me Ali Podrimjen” ishte edhe autori i këtyre rreshtave, i cili theksoi disa veçori karakteristike të librit, duke “shëtitur” në etapa historike të kohës së zbrastësisë së kontakteve vëllazërore mes një populli, ku censurat e politikës moniste, kishin filluar të krijonin “dy letërsi” brenda një kombi vëlla. Impresionet e mbjellura kohore të autori Bobaj, shprehur në librin “Me Ali Podrimjen”, padyshim se prekin palcën e ashtit krijues ku mund të formohet edhe bërthama krijuese mu në mesin e asaj errësirë të egër. Padyshim se z. Iliaz Bobaj, në librin “Me Ali Podrimjen” paraqet gjithë fuqinë shpirtërore, plagë të kohës që nuk harrohen kurrë. Gjitha thëniet e autorit në libër, janë një peshë vuajtje por edhe krenarie që i erdhi koha për të lënë në trashëgimi të kaluarën dhe të tanishmen, lidhur me një rrëfanë për brezat në vijim.

Në fjalën përshëndetëse, z. Iliaz Bobaj, të pranishmëve u foli gjatë për kohën kur u njohën me Ali Podrimjen, punët e përbashkëta, kontributet e jashtëzakonshme nëpër takimet letrare nëpër qytete të Evropës, ku zëri i Aliut ishte zëri i kombit. Ai ishte ambasador i kohës të cilës i dha shpirt. Ai ishte i palëkundur, i pa luhatur deri në thellësi shpirtërore për çështjen e Kosovës. Pastaj ceki vlerat dhe kontributin historik të Klubit letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, dhe merita tjera të padiskutueshme duke thënë se “është Klubi letrarë më i miri në gjitha trojet shqiptare, dhe se, meriton respektin e gjithë krijuesve të kudondodhur”.

Kultura kombëtare është mbi të gjitha, ajo që nuk vdes kurrë, mbetët kontribut dhe dëshmi e kohëve, ndërsa politikat, ndryshojnë, ikin me bëmat e tyre-tha zotëri Bobaj. Ali Podrimja, kurrë nuk dëshirojë të më thirrë në emër, Iliaz, por, gjithmonë më thoshte “vëlla....” për çdo komunikim që bënim rreth krijimtarisë.

Për fjalët e ngrohta, emocionuese për mikun e tij dhe për qytetarët e Gjakovës, publiku prezent në sallë, disa herë ndërpreu fjalën z. Bobaj nga duartrokitjet që tregonin respektin e veçant ndaj z. Iliaz Bobaj..

Përurimi i librit “Me Ali Podrimjen,” nga autori Iliaz Bobaj, do mbetët në kujtesë të gjatë nga dashamirët e fjalës së shkruar në Gjakovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat