Drita e shpirtit si mençuri e madhe e jetës

Kultura

Drita e shpirtit si mençuri e madhe e jetës

Nga: Yll Ymeri Më: 23 tetor 2022 Në ora: 09:44
Kopertina e librit

(Yll H. Ymeri: “Ëndrra është dritë shpirti”, Poezi dhe prozë, Shtëpia botuese LENA Prishtinë, 2022)

Duke qenë krijues in talentuar që në fëmijëri, Yll H. Ymeri e vazhdoi krijimtarinë e tij letrare, gjithnjë në rritje preokupimesh tematikë e motive, si për nga ana e brendisë artistike, si për nga shkalla e vlerave artistike. Sado që sot ka libra të panumërt që publikohen, sado që ka vlerësime përlavdëruese pa kriter e me kriter estetik, sado që vërshojnë vlera, antivlera, dhe, më në fund, sado që kemi dalë nga një luftë, plaga e ftohtë e të cilës ther më shumë; megjithatë po na vijnë gjenerata poetike të pa zhurmshme, të heshtura, që e kanë ruajtur domethënien e frymës krijuese dhe kuptimin e krijimit të poezisë. Janë gjenerata që po rriten nën hijet e dendura të së kaluarës, ani se liria feksin me dritëhijet e saj; dhe, kësisoj, poezia e sotme regjistron vazhdimisht e pandërprerë emra të rinjsh të talentuar, me dhunti krijuese, duke e dëshmuar këtë prirje që në hapat e parë. Po qe se kritika letrare përqendrohet vetëm tek “autorët e afirmuar”, që na paskan arritur majat a zenitet e veta artistike; ato lartësi zeniti mjegullohen, as nuk mund të ajgëtohen pa zërin poetik të të rinjve.

1. Kërkimi i shpirtit të bukur, shëmbëllesë e gjërave me vlerë

Vëllimi “Ëndrra është dritë shpirti” ndahet në dy cikle: “Nata isha unë”, ku përfshihen krijimet poetike dhe “Shpirti nuk hesht”, i përbërë nga krijime në prozë. Është ajo frymë që sjell një gjeneratë e re e krijimtarisë artistike, më e reja, është dëshmi se Prekjet e Muzës Poetike rendin gjithmonë, nga shtigjet e moteve nëpër kohë të reja, nga bukuria e thënies së një moshe, zbret te emocioni i bukur i këndimit për dashurinë dhe për vlerat tjera të jetës. Ylli e ndien trokitjen e artit, e ndien këtë trokitje të bukur të emocionit të dashurisë. Por trokitjet nganjëherë na janë të fshehta.

Vetë universi i artit poetik është një fshehtësi, një mister i bukur, mu si dashuria. Mu si ekzistenca e njeriut dhe e fatit. Trokitjet poetike vijnë natyrshëm, pa sforcime eksperimentale të modës artistike. Do ta përjetosh në këto vargje ndjeshmërinë autentike të kohës sonë, të botës dhe të shoqërisë sonë.

Që në titujt e cikleve e të vetë librit, do të takojmë kryeleksemat ëndërr, dritë, natë, heshtje dhe sidomos, leksema shënjuese shpirt. Poetët konsiderojnë se drita në shpirt përbën mençurinë e jetës. Vetë drita është prania e Hyjit mbi tokë e në jetën e njeriut. Poeti i ikën urrejtjes, sepse ajo nuk qëndron në anën e dritës, dashurisë, së mirës. Posa t’u biesh në fund vargjeve dhe leximit të prozave me frymë lirike e narrative, do të vëresh se autori është në kërkim të këtij shpirti të bukur, shëmbëllesë jo vetëm personale, po edhe tek tjetri. Nuk është e rastësishme spe protagonistë lirikë dhe të rrëfimeve të tij janë shokët e shoqet e dashura, shoku i mirë, nëna, babai, mësuesi etj. dhe, sidomos, vajza që do. Dikush e ka thënë se njerëzit me shpirt të bukur janë thesare të këtij planeti. Madje, shpesh e shpesh, në këto krijime, përmendet fjala planet, si sinonim i dashurisë, ekzistencës, së bukurës, aty ku përleshen e mira dhe e keqja:

“Nëse besoni në horoskop, unë isha peshore, derisa në jetën reale mundohesha të peshoja të mirën dhe të keqen që të krijoja një baraspeshë, që të krijoja një zgjidhje në mes të të dyjave pa u hidhëruar asnjëra dhe gjatë tërë asaj kohe që mundohesha të krijoja ekuilibër, mua më mbulonte dheu i shkretëtirës derisa e mira vdiste dhe e keqja triumfonte.”

Athua, mos është ky zhgënjim apo iluzion për triumfin e së mirës?! Kur përreth ka edhe mashtrime, intriga, apo ku mbizotëron një botë interesi?! Megjithatë, personazhi rrëfyes i kësaj pjesëze refleksive në prozë, e gjen shtegun:

“Gjatë jetës ndonjëherë ndjenjat duhet të lihen në një anë, derisa punët t’i drejtonte mendja e t’i vuloste gjuha.” E pra, ai dëshiron të na thotë se racionalizmi (mendja, ratio-ja njerëzore) në trajtën e komunikimit njerëzor, gjuhës si marrëveshje, si dituri e shqiptim të të vërtetave, janë shtegu për të dalë në anën tjetër të bregut. Gjithnjë pikësynim është: si të arrish tek e mira, jo vetëm personale, por te e mira e përgjithshme, planetare. Një pikësynim frymëzues, i thënë me anë të artit të fjalës. Muriel Barbery, romansiere franceze, thotë:

“Gjërat e bukura duhet t'u përkasin shpirtrave të bukur".

E, a ty ku banon e bukura, shpirtësia e tillë, aty ka edhe një botë të bukur. Ajo vjen nëpërmes solidarësisë së shokëve, kujtimit për kohën e kaluar në fëmijëri dhe rini, nëpërmes prekjes së emocionit të bukur të dashurisë. E kaluara e tillë personale, vjen me bukurinë e atyre gjurmëve. Mirëpo, edhe përplasjet dramatike të subjektit lirik shpalosen nëpërmes një situate të tillë, të kërkimit të gjakimit të emocionit të bukur të dashurisë në jetë, por, ndodh edhe e kundërta: “po kanë me mbetë një fotografi e burgosun n'kornizë n'shpirtin tim.më dënue!”

Vetë Charles Bukowski, emër që lakohet në disa krijime, si prototip i krijuesit të thellë që e njeh jetën, do të shprehet:

“Shpirti i lirë është i rrallë, por ju e dini atë kur e shihni - në vetë thelbin, sepse ndiheni mirë, shumë mirë, kur jeni afër ose me ta".

E bukura ka këndvështrim të gjerë: shtrihet me pamjet e atdheut (disa proza që evokojnë Vlorën e pavalrisës, gjeografinë poetike të atdheut prej Bjeshkëve etj.). Te e fundit, gjithë ky orkestrim lirik e artistik në prozë, le të vijë si pamje e bukur e jetës dhe e atdheut, që, siç nënvizon Gëte, shqetësimet e kësaj bote të mos fshijnë ndjenjën e së bukurës që Zoti ka ngulitur në shpirtin e njeriut.

2. Vizioni artistik: duke i kërkuar qëllimet e kuptimet e të jetuarit

Nëpër vargje e krijime në prozë, protagonistë të dashur janë nëna që mungon, babai, vajza që do. Përgjithësisht njerëzit e mirë.

Por, poeti i ri dëshiron t’i kthej sytë kah realiteti dhe ta shohë atë në sy: vëren pamjet e fëmije pa prindër, për të cilët askush nuk kujdeset, shkruan edhe ndonjë satirë (poezia “As i gjallë, as i vdekur”) e që del si biografemë e autorit:

Më quanin kopil e idiot

Vetëm pse isha jetim me babin plak

Ju bënte për të qeshë që iu kërkoja lëmoshë Që të më gjenin strehim gjersa të rritem pak

Folësi lirik e ka peshoren e tij të zemërimit fisnik e të jetës dhe e parasheh se ku ata do të përfundojnë. Është drama e një jete personale: i mbetur që në lindje pa nënën e tij, i rritur me prindin e tij mësues; ai nuk ka mundur të mos i ligjërojë të vërtetat e prekshme, gjithë plagë, të jetës së tij. Diku tjetër thotë:

“Kohët më ndryshuan, më bënë më të çeliktë, më bënë më njeri të gurit që largohet nga të gjithë.”

Heshtja, tërheqja në vetmi, plagët e jetës së jetimit pa nënë, përbuzja që përjeton nga “të mëdhenjtë”... janë disa punkte të tjera, që detyrojnë t’i kërkojë thellësitë e kuptimit të jetës, mu ashtu siç na ligjëron Elisabeth Kübler-Ross, një psikiatre zvicerano-amerikane:

“Njerëzit më të bukur që kemi njohur, janë ata që kanë njohur disfatën, kanë njohur vuajtjet, kanë njohur luftën, kanë njohur humbjen dhe kanë gjetur rrugën e tyre për të dalë nga thellësia”.

Kjo edhe e përbën atë mençurinë e madhe të jetës, siç e përmendëm në fillim. Dhe ky rrugëtim i tillë, kaq sfidues në jetë, nuk është aspak i lehtë! Ai ka pasqyrën e tij të shpirtit, nëpërmes të së cilës rrezaton gjithçka nga ato që sheh, nga ato që ndien e përsiat dhe nga ato që përjeton. Madje, edhe nga ato që na duken mister e fshehtësi. Poeti kundron, sheh e ndien, mu ashtu siç do të ndiente vetë Perëndia, dashuron vajzën e jetën dhe e do tjetrin siç na dashuron dhe na do vetë Perëndia! Kështu reflektojnë përgjithësisht poetët me diapazon të gjerë e të pasur nga fondi i thesarit të tyre emocional.

Në këto krijime është e pranishme, gjithsesi, dhe përjetimi intim, personal, i të gjitha këtyre preokupimeve, shqetësimeve dhe gëzimeve.

Ai sheh zemra të lënduara, si ai vocërraku jetim që dëbohet nga banesa dhe shkon e fle te lapidari i dëshmorit. Dhe arri n që ta shpërndajë këtë dritë shpirti pranë këtyre lëndimeve. Zemrën e dëlirë e të hareshme, e dërgon pranë një shpirti të trishtuar (“isha një ëndërrimtar që ëndrrat më mbanin të gjallë e të buzëqeshur edhe para funeralëve që përjetoja çdo ditë nga kujtimet...”, ligjëron protagonisti rrëfyes i prozës “Kafja me cigare”.

Ëndërrimtarët, sigurisht, janë të hapur ndaj botës. Kanë vizion e shpirt universal, duke e dashuruar me zjarrin e brendshëm të vërtetën e jetës. E në këtë rendje në jetë, ai e gjen edhe shoqërinë posi vetvetja. Xheladin Rumi do të thoshte se krijuesit e shpirtrave gjejnë shoqërinë e njëri-tjetrit. Jeta është një luftë e vazhdueshme. Tashmë poeti e ka të qartë se dhimbja dhe sfidat jetësore, kapërcehen jo vetëm me anë të mençurisë, po edhe duke i kërkuar qëllimet e kuptimet e të jetuarit.

3. Në përfundim: libri si roman i jetës

Përgjithësisht, poezitë (cikli i parë) i takojnë lirikës së mirëfilltë moderne, poezi të dramës së sprovuar të jetës. Prozat sado që trajtojnë tematikë të ndryshme ato i ndërlidh i njëjti ind krijues. Të duket sikur po e lexon një roman jete me vargje e fragmente rrëfimesh.

Te e fundit, bukuria e thënies poetike, kënaqësia e përjetimit të gjërave të bukura që t’i dhuron kundrimi estetik i jetës dhe realitetit, nuk njohin moshë. Madje, poetët më të mëdhenj evropianë, të gjysmës së parë të shekullit XX, janë pikërisht poetët e moshave të reja. Mjafton t’i kujtojmë në letërsinë tonë Migjenin, Arthur Rimbaud në letërsinë frënge , Gabriel Garcia Lorka-n në letërsinë spanjolle, Jesenin-in në letërsinë ruse. Këta poetë, të përkthyer edhe shqip, qenë ngritur në kulte të poezisë evropiane dhe të përbotshme, pikërisht për shkak të fatit të tyre tragjik...por mbeti poezia e tyre të jehojë ndër shekuj.

Ylli shkruan bukur e me shpirt.

Poezia është triumf i vetë jetës dhe i këtij shpirti krijues.

Tetor 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat