Simbolika e nje zemre floriri

Kultura

Simbolika e nje zemre floriri

Nga: Nuri Plaku Më: 26 tetor 2022 Në ora: 20:39
Ilustrim

Një roman i shkurtër, me një tekst konciz që mbart mbi vete peshën e një kohe. Ngjarjet zhvillohen në qytetin e vogël të Kurbneshit, me zemër të ngrënë nga miniera dhe njerëz të mallkuar nga fati në diktaturë, që e mbajnë qytetin mbi supe dhe ai i ha një nga një si Kronosi i legjendës. E gjithë kjo dramë “paqësore” rrëfehet me syrin e një fëmije i cili duke u rritur, reflekton së bashku me ndjenjat edhe qendrimin e tij për jetën në qytetin burg. Autori është njëri prej banorëve të tij dhe gjithëshka e shkruar aty ka gjurmët reale të përjetimeve të tij. Kjo e bën përmbajtjen e tekstit më bindëse dhe më të vërtetë se një dëshmi e thjeshtë lerare. Në rolin e personazhit kryesor, Aleks Markut, autori vëzhgon, gërmon dhe interpreton ndodhi të ndryshme që të ndara njëra nga tjetra, formojnë së bashku qelitë e këtij burgu. Koridori i tyre është një hapsirë lirije ku personazhi fërshëllen meloditë e trishta të lamtumirës. Në fillim na shfaqet greku, një mjeshtër i prodhimit artizanal të radiove që përfundon në sediljen e gazit të degës, me duar të prangosura, i akuzuar për spiunim hipotetik. Pastaj mësuesi i muzikës, një person i kulturuar e i ndieshëm na vjen me dramën e ndarjes së familjes, për shkak të “internimit” të tij nga Korça në qytetin e largët të veriut. Më pas vjen një inxhinier minierash, një i marrosur pas dashurisë që lëshonte letra dashurie në formën e varkës për ti postuar në ujrat e një kanali, e kështu me radhë. Të gjitha këto jepen me thjeshtësinë e një kronike, ndërsa interpretimin e tyre, autori e shmang nga vetja dhe ja lë Elmazit, një personazhi shurdhmemec i cili me shprehjen e tij onomatopetike“Apa,pa pa,pa...”pasqyron tmerrin e kohës së diktaturës. Elmazi shfaqet këtu si një farë Kuazimodo. Tingujt e ashpër të këmbanave që shprehin ndjenjat e Kuazimodos për Esmeraldën, zëvendësohen me shprehjen karakteristike të Elmazit. Kjo përbën një nga elementët më të goditur të strukturës së romanit dhe ngre mjaftë vlerat e tij artistike.

Bota e fëmijës në roman jepet në zhvillim të vazhdueshëm bashkë me rritjen e tij natyrale, përqasur drejt kuriozitetit të jetës së të rriturve, vëzhgimit intensiv dhe aksionit individual. Lodra me shtetet e huaja është një tjetër gjetje, sa interesante aq dhe e rëndësishme, që pasuron strukturën e romanit. Kjo lidhet me ardhjen e specialistëve të huaj në qytet dhe kronika e zakonshme kapërcen në një tjetër nivel artistik duke u bërë tekstin më fleksibël dhe më domethënës.

Qyteti burg ka dhe gardianët e tij por autori nuk meret me ata. Ai mjaftohet me një pasazh festiv nga vizita e kryegardianit në atë qytet. Paraqet rrugën që shtrohet me zhavor nxitimthi, premtimin për autobus dhe brohoritjet entuziaste të banorëve. Ky është vet Kronosi dhe skena e pritjes së tij, nuk i lë asgjë mangut pritjes së politikanëve të sotëm, me rrugët e shtruara nxitimthi, dhe brohoritjet kakofonike të turmës. Kjo paralele është një nga shtigjet që na nxjer tek vlerat sociale të romanit dhe krijon vazhdimësinë në kohë të ngjarjeve, duke riprodhuar fotokopjen e tyre të trashëguar.

Por pesha më e rëndësishme e këtij romani është e vërteta e kamufluar e qytetit. Qyteti nuk është vetëm burg por edhe qyteti i vdekjes. Madje aty ka dy vdekje. Njëra është jashtë, në dritën e diellit, në jetën e tij të përditshme, kurse tjetra është brenda tij, në galeritë e minierës së bakrit, nën dritën e llambave të karbitit. Vdekja e parë është e ngadaltë, shoqëruar me tortura dhe stërmundime të vetvetes, me luftën e ndërgjegjes dhe memecërinë e imponuar dhunshëm nga realiteti i zi i kohës zezonë. Ndërsa e dyta është më e shpejtë dhe më e sigurt. Në pasqyrimin e kësaj vdekjeje, autori shfaqet hapur në një nga kapitujt e fundit të tij. Duket sikur tashmë, me rritjen e Aleksit, është rritur edhe romani dhe ka mbritur në pikën e tij kulmore. Pikërisht në këtë moment, autorit nuk i mjafton më Elmazi shurdhmemec për të shprehur peshën e saj të madhe, por del vet në “ring” dhe rrëfen të vërtetën makabre duke “ulërirë” më tepër se tingujt e çjerrë të Elmazit. “E ndërsa ne, - shkruan ai, - jetonim në një qytet minatorësh, pjesa tjetër e tij nën tokë vdiste përditë. Silikoza grryente përditë mushkëritë e njerëzve. Ishte një qytet tjetër atje, vrasës dhe i tmerrshëm. Miniera i priste çdo ditë si një gojë e stërmadhe kuçedre.”

Tablloja e vdekjes së minatorëve, dhënë nëpërmjet grave të tyre të përlotura që prisnin para portës së spitalit emrin e fatziut të radhës, i ngjan aq shumë korit të tragjedive eskiliane dhe pasqyron si një pikturë e gjallë, jetën e tyre të vërtetë dhe njëherazi, kumbon si një shuplakë e fuqishme për tekstet e parfumosura të realizmit socialist që e paraqesnin punën e tyre si një heroizëm në emër të partisë shtet, duke shmangur qellimisht, bukën e gojës dhe varfërinë e tyre ekstreme.

Një vend të rendësishëm zënë dy linjat e dashurisë të cilat mbartin në vetvete psherëtimat më të thella njerëzore. E para lidhet me dashurinë e inxhinierit me komshinë e cila shfaqet në letrat varka që ai ja dërgohen nëpërmjet rrymës së ujit në kanalin e qytetit, në takimet e tyre të rralla dhe vetëm kaq. Pastaj një zhurmë gazi dhe një tringëllimë prangash vulosin fundin e saj. Ndërsa e dyta është dashuria e Aleksit me Rozinën. Adoleshenti, mer një tekst përbetimi besnikërie nga dashuria e inxhinierit dhe e “mbjell”si një farë trëndafili në dashurinë e tij me Rozinën, shoqen e klasës. Aventura e dashurisë së tyre mbetet platonike por, “fara” e trëndafilit ishte ruajtur për vite me radhë në thellësinë e zemrës së saj dhe do të çelte befas në një kohë tjetër, kur atij i ishte mjegulluar në kujtesë imazhi i saj i dikurshëm.

Në fund romani mbyllet me Rozinën e cila aktivizohet deri në sakrificë për të gjallëruar dashurinë e saj të dikurshme. Por fati i trishtë i qytetit sikur ndjek nga pas si një mallkim edhe banorët e tij. Rozina e dëshpëruar nga heshtja për ndjenjat e saj, ikën në Amerikë. Ndërsa Aleksi humb jetën në një aksident. Në kujtim të tyre mbetet vetëm një zemër floriri dhuruar nga Rozina për krishtlindje dhe një letër me tekst të huajtur nga varka e dashurisë së inxhinierit, atje, në ujrat e ftohta të qytetit të largët verior. Zemra e floririt jepet në roman si një simbolikë që shpreh aq shumë dhimbjen e madhe të dashurisë së tyre të thyer. Të dyja jan në një vazo mbi bufe, ashtu si fotografitë e minatorëve të vdekur në galeritë e minierës dhe silikoza që “zbukurojnë” bufetë e shtëpive të tyre... Dhe bashkë me to, tek lexuesi, kumbon aq shumë ajo, tragjedia e qytetit të shkrehur verior, i mundur për vdekje nga dyluftimi me zemrën e hekurt të malit të vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat