Krijimi

Kultura

Krijimi

Nga: Sulejman Mato Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 10:06
Shkrimtari e studiuesi Sulejman Mato

Troket një ditë e kaltër maji,

Troket në xham me sqep një zog,

Zgjohet poeti, e fut brenda,

se edhe zogun e ka shok.
 

Ai me cicërima thotë:

Pa shihe tek kalon e bukura!

I lutet që ta bëjë shok,

të dalin bashkë, të mbledhin flutura.
 

Se shoqe ka edhe pranverën

dhe verën vjeshtën edhe dimrin.

të katër stinët vesë i hedhin,

mes stinësh ndezur rri krijimi.
 

Çdo stinë atij i sjell një vjershë,

çdo varg atij i sjell një shok,

çdo dashuri shpërblim i sjell

me mijëra miq të mirë në botë.
 

2.

Kur zemra nis të plogështohet

dhe sytë fshihen prapa syzesh

atëherë ”Njeriu në këllëf”

i A. Çehovit përtërihet.
 

Po ne atij ia flakim syzet

edhe këllëfin copë ia bëjmë,

dhe prej këllëfit prapë e nxjerrim

të ri, të gjallë, njeriun tonë.
 

I themi; Shih një lule shqerë

ku paska çelur buzë një shkëmbi.

dhe ja, atij i çelet buza

dhe ndjenja që për pak i humbi.
 

I themi, hajde dalim në ara,

të shohim sipër, mbi traktor,

si çahet plisi e hidhet fara

e bukës sonë që prodhojmë.
 

I propozojmë të shkojmë në stane,

të bredhim nëpër gërxhe e brinja,

t’u gjejmë bar të freskët dhive

dhe t’i mërzejmë te dëllinja.

3.

Dhe duke rendur prapa qinjgjash

ti gjen një copë minerali

dhe pastaj nis të shqetësohesh

se ç’fshihet brenda këtij mali?!
 

Kur gjen një lule pranverore,

rritur mes erërash, në male,

ti nis mendon: ç’vlera të ketë

kjo lule, bimë medicinale?!
 

Ti nis mendon për gjithësinë

dhe jeta s’të lë më të qetë.

troket në xham zog i krijimit

fërfëllon krahët lehtë- lehtë
 

Atëherë merre penën ti

si pendë zogu rri në duar.

Kështu zë fill një poezi

me jetën kur je dashuruar.
 

Atëherë vet do ta kuptosh

se s’bëhet fjalë për honorare,

kur zemra plot me dashuri

nis e pikon pikë-pikë, në vargje.
 

Dhe kështu jeta s’ plogështohet,

dhe kështu jeta merr kuptim.

Nga pesha e saj përthyhen vargjet,

shpesh herë prishet ndonjë rimim.

1981

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat