Të akordohemi për artin e bashkëveprimit

Kultura

Të akordohemi për artin e bashkëveprimit

Nga: Prof.Mr.Shefki Stublla Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 22:10
Prof.Mr.Shefki Stublla

Kurrë më shumë, sesa tash, nuk ka qenë i nevojshëm akordimi i kohës me artin e bashkëveprimit për një marrëveshje të brendshme dhe të jashtme, për ruajtjen dhe forcimin e pavarësisë së Kosovës. Kërkohet përputhja e interesave dhe pikëpamjeve për ecjen përpara të Kosovës. Është i nevojshëm si buka kohezioni dhe singjerizmi mes partive tona. Kurrë, të mos harrohet se të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë, kanë prejardhjen prej një mielli.Pastaj,kanë mbiemrin d e m o k r a t i k e. Andaj,prijsit e tyre të merren me forcimin e demokracisë e jo me sigurimin e një karrigeje në pushtet.Të menjanohet inati dhe xhelozia me njëri-tjetrin. Sepse,pa forcimin politik, ekonomik të shtetit të Kosovës, s’ka ardhmëri të mirëfilltë për askë, për asgjë.Latinët thonin: ”sine ira et studio”( pa urrejtje,pa përulje,me objektivitet,pa interes vetjak), të ecet me kohën.S’ka vend inferioriteti. Sepse,ne,këtu, në Kosovë,i kemi rrënjët thellë që nuk mundi t’i nxjerrë asnjë okupator.T’i ruajmë rrënjët tona.Kosova ishte dhe është nëna e të gjithëve.Duhet të plotësohen kërkesat dhe dëshirat e qytetarëve të saj.Andaj,secili dhe secila, duhet të angazhohet me mend,me shpirt e zemër,me emrin dhe mbiemrin e vet për të mirën e Kosovës,e cila po ballafaqohet aktualisht me sfida e rrezik të madh të zhbërjes. T’i dalim zot interesit të mirëfilltë të Kosovës. O tash o kurrë,kërkohet bashkëveprim,përdorim i mençurisë dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët tonë.

Është koha të shfrytëzohen orët dhe ditët,për konsolidimin e mirëfilltë të qëndrimit unik.Të lirohemi nga inatet e trishta dhe damkosja shpresës së thyer. Është marrëzi të shprishësh kohën,si leshin e palarë, duke u marrë vetëm për sigurimin e një pozitë në pushtet e të shpërdorosh shtetin . Secili,pa tjetër të merakoset thellësisht për atë se çfarë do të ndodh me Kosovën nesër. Le të caktohet një kohë tjetër për atë që ka ndodhur dje,do të gjendet kohë më vonë edhe për brerjen e ndërgjegjes . Të lihet e shkuara në fatin e vet,por asesi të mos harrohet.Të ndërtohet e tashmja si duhet, sepse pa të s’ka ardhmëri të sigurt. Të mos lejohet të na godasin dhe turbullojnë fjalët e armikut.Të mos bëhemi pre e dëshirave momentale,pa bazament të sigurt.Është vërtetuar se ne, sa më shumë që çlirohemi nga frika, aq më shumë biem pre e dëshirave,duke harruar se e sotmja vjen vetëm një herë dhe nuk kthehet më kurrë.

Të kthjellemi dhe ta flakim mjegullnajën që sjell inati. Duke u grindur mes veti po ia lehtësojmë armikut luftën kundër nesh.Nuk po e përqafojmë me kohë rrjedhën e kohës.Puna e pastër intelektuale ka rëndësi të madhe.Për të jetuar me kujdes të përkryer,të nxjerrim nga përvoja të gjitha mësimet e mundshme,të kthehemi tek e kaluara dhe me vëmendje të shqyrtojmë atë që kemi parë,provuar dhe përjetuar,për të përballur gjykimet e asaj kohe me të sotmen.Sepse, tutori i të gjithave është përvoja.Ta rikujtojmë kuptimin e qartë të jetës që kishim dhe të marrim vendime së bashku,ta sigurojnë ardhmërinë.

Është koha që disa analistë,monoton e turbullues, mos ta prishin harmoninë shoqërore,duke nxitur luftën kundër njëri-tjetrit,si tifozë të njërës nga shumë parti ndër ne! Të hiqet dorë nga atmosfera e largimit nga njëri-tjetri që sjell tjetërsimin e njeriut.

Është koha,që mendimet e mençura e shpirtërore të mos urrehen,sepse duke vepruar kështu po fitojnë ata që nuk na duan shekuj me radhë. Është koha të gjenden rrugë për zhdëmtësimin e mërzisë, sikletit dhe përçmimit që vjen nga ata ithtarë të dorëheqjes së detyruar nga vetvetja.Nuk mund të shkëmbehet shoqëria me vetminë.Të mirat më të mëdha në botë nuk mund të arrihen veçse me bashkëveprim e respekt me njëri-tjetrin.Shoqëria tinzare,nën dukjen e argëtimeve e të kënaqësisë së zakonshme është e rrezikshme,e pashërueshme për familjen dhe shoqërinë. Duhet përballuar vetmia,të gjendet burimi i lumturisë dhe paqes shpirtërore. Nuk mund të jemi të lumtur,kur varemi vetëm nga vetvetja dhe gjithçka gjejmë vetëm në vetvete, thoshte Ciceroni.Secili duhet të jetë një pjesëzë e vogël e idesë së bashkësisë njerëzore,përmes kontaktit me të tjerët,për të pasur një vetëdije të plotë njerëzore.Jam i bindur,se njeri pareksalans,që paraqitet si njeri uniteti,që zotëron në vetvete gjithçka, që është e nevojshme,nuk mund të ketë.

Njeriu i pasur në shpirt është si pianoja,si një orkestër i vogël,paraqet unitetin e vetëdijes,që i mungon një mjedisi me cilësi,që e zëvendëson sasinë.Boshllëkut të brendshëm dhe mjerimit të njerëzve i vishet edhe përfundimi fatkeq,i cili gati gjithmonë ka fund të keq.Kush ka boll aq ngrohtësi shpirtërore nuk ka nervozë të shtrëngohet tek të tjerët.Mirëpo, kur iriqët në zor i afrohen njrëi-tjetrit, theren keq,andaj shoqrizimi duhet të jetë në raport të anasjellt, me vlerën intelektuale. Pra, duhet zgjedhur me kë rri. Vendimi i nevojës për bashkim kërkon dije e ngrohtësi,përndryshe koha vazhdon të ndëshkojë në çdo hap.Njeriu kur lind është në bashkësi me prindërit dhe me anëtarët e tjerë të familjes.Kur fëmija ngel vetëm ai shpërthen në klithma.

Të varfërit janë aq të shoqrueshëm sa të ngjallin mëshirën,ndërsa të pasurit shfaqen në babëzinë e tyre për pasuri.Gjenitë erdhën në botë si edukatorë të vërtetë të llojit njerëzor,për të tërhequr njerëzit nga deti i gabimeve, për t’i çuar lart dritës dhe drejtësisë,duke i nxjerrë nga humnera drejt kulturës e fisnikërisë dhe për t’i çliruar nga vulgariteti i zakonshëm nga mëria e xhelozia.Ekziston një kërkesë e përditshme:të dish të dëgjosh, të shikosh dhe të punosh.

PA PLAN STRATEGJIK ZHVILLIMOR JETA S’KA KUPTIM

Jeta aktive,pa projekte konkrete e strategjike për të ardhmen, s’ka kuptim. Tani rrjedha e kohës është përshpejtuar,dijet e shumta që kemi nxënë nga përvoja, duhet rishikuar dhe përshtatur rrjedhës së kohës,sepse ecjen e bëjnë më të lehtë. I bëjnë më të qarta arsyet e gjërave që më parë ishin të mbështjella me mjegull. Ka shumë gjëra që duhet lënë në heshtje,duke mos iu nënshtruar iluzioneve të askujt. Gjthkush duhet të marrë pjesë në privilegjin real të punës,vetëm sipas masës së aftësive të veta intelektuale. Sa më shumë që njeriu është i ri,aq më tepër duhet të mësojë nga shoqëria që mund të merret si një institut i madh edukues.Andaj,njeriu i ri kërkon me zell institutin e natyrshëm të mësimit.

Njeriu i shoqëruar,me përbuzje, nuk di ta durojë vetminë,për një kohë të gjatë dhe nuk mund të kumtojë menjëherë, atë që mendon, dhe nuk duhet ta marrë seriozisht atë që thuhet dhe të mos pres shumë nga të tjerët,qoftë intelektualisht qoftë moralisht. Shoqëria, me njëfarë mënyre, mund të krahasohet me zjarrin;të mençurit ngrohen duke ndenjur në largësinë e duhur,kurse torrollakët,pasi përballen me të, struken në të ftohtit e vetmisë dhe ankohen se zjarri djeg. Pra,secili vendos privilegjin e vet,përkundër privilegjeve të të tjerëve.Porosia:mos lëviz asgjë të rëndësishme pa nevojë.Mos trazo atë që është e qetë.Të mbahet i mbyllur sirtari që lidhet me të. Mos u bë shkatërrues i vetvetes.

E vërteta e madhe tregon,çdo gjë që ndodh e kryhet domosdoshmërisht dhe pashmangëshmërisht.Nuk është këtu fjala për një vetpërçmim se nuk edukohet njeriu pa “shpulla”.Mos të ndërtohen kështjella në erë ,sepse detyrohemi, t’i përmbysim mes lotëve e psheretimave.Mos të përkeqësohet gjendja shpirtërore duke imagjinuar të këqijat dhe të vërtitemi në kthetrat e ankthit. Të shqyrtohen gjërat me syrin e arsyes,pas një gjykimi të kthjellët e të ftohtë.Errësira sjell frikë,na bën të dallojmë kudo forma të frikshme. Dyshimi lind pasigurinë.. Çdo “pse”, pa një “sepse” s’ka kuptim.

Nuk duhet shpërdoruar freskia në punë.Të lihen anash thashethemet,të pranojmë me shpirt e me zemër detyrën në interes të popullit.Jemi lodhur nga fjalamanë e shushatur.

Çdo ditë është si përmbledhje e një jete. Shëndeti, ushqimi, gjumi, temperatura,koha e mjedisi,së bashku me shumë faktorë të tjerë janë pjesë e saj dhe kanë ndikim të madh në gjendjen tonë shpirtërore.Gëte thoshte:”përfito nga gjendja e mirë,sepse vjen rrallëherë.”

Pakënaqësitë duhet përjetuar prozaikisht dhe me shpërfillje pa u dhënë peshë,kur dimë e shohim atë çfarë zotërojmë,me fjalët “ah po të ishte e imja kjo”,duke bërë kështu që të vihet re mungesa e diçkaje. I çfarëdo lloji qoftë zotërimi,pronë,shëndet,mik,e dashur, grua,fëmijë,kalë,qen,në shumicën e rasteve, vetëm humbja na bën ta kuptojmë vlerën.

Ta ndryshojmë të tashmen e pasigurt tek ne, është nevoja e parë,përmes shqyrtimit me mend të mundësive të arsyeshme, pa shprehje të trilluara,të mbarsura me zhgënjim të realitetit të egër si sprovë. Pasi kemi provuar,ndonjë dhimbje,të ndihemi më të qetë. Nuk duhet të parashikojmë dhimbje tjetër. T’i besojmë jetës së mbarë,ajo na mëson më mirë se çdo orator i mirë.Ngjarjet e habitshme nuk guxon t’i zënë vendin njëra – tjetrës,pa një rregull ose lidhje mes tyre,pa asnjë të përbashkët,përveç se ato janë tonat. Për të shpëtuar jetën nuk guxon të humbas motivimi i të jetuarit. Duhet t’u vëmi kufi dëshirave të paarsyeshme.

Për të jetuar mirë Horaci,poet romak, këshillonte: shko e pyet të diturit,si ta kalosh jetën me lehtësi,pa u përpëlitur në mjerim,pa stermundim, të dëshirës ose të frikës,pa shpresën e gjërave të nevojshme mediokre”. Një gjë duhet ditur,plogështia është e padurueshme që sjell mërzi të tmerrshme.

Për lumturinë aktiviteti është i domosdoshëm,i pashmangshëm.Sa më fisnike të jetë puna,aq më e madhe do të jetë kënaqësia.Nevojat personale lejon të marrin frymë lirisht.Sesa e dëmshme është mungesa e një aktiviteti të rregullt,ndihemi gati të shkelur nga elementi ynë i natyrshëm.Njeriu i mençur shquhet për luftën kundër pengesave.Fitorja ndaj tyre është shpjegim i qenies së njeriut.Është lumturi e madhe ta çnjërrosësh plogështinë.

Vesi dhe virtyti i paraqiten njeriut në udhëkryq për të kryer atë që premton.Është e nevojshme të sundosh përshtypjet të cilat janë pakrahasimisht më të forta se mendimi dhe ndërgjegja.Nuk është fitore të shfryhesh me fyerje.Përhapja e iluzuionve me shtëllunga filozofike të mbështjella me sentenca katetizmi, është e dëmshme.

Puna forcon muskujt,por dobëson nervat,të cilat duhet ruajtur si sytë nga dritat shumë të forta. Të ruhen veshët nga shamata,mbi të gjitha të ruhen nga tensionet e dhunshme,të pa vlera. Truri të ruhet nga tensionnet shpirtërore. Kur dihet mirëfilli se truri mendon e stomaku tret.

Për t’u nisur në një rrugë të gjatë është e nevojshme të marrësh me vete një bagazh të madh kujdesi dhe zemërgjersie,sepse mbrohesh nga humbjet dhe kundërshtitë.

Kur jeton mes njerëzve nuk mund ta përjashtosh askë.Askush nuk mund ta ndryshojë individualitetin, karakterin moral,cilësitë intelektuale,temperamentin,pamjen e tij sipas qejfit të tjetrit.Jeto dhe lëri të jetojnë edhe të tjerët.Tek ne ndodh një paradoks:30 vjet shoqërim,për një fjalë goje bëhesh armik i ashpër!Nga një individ normal kërkohet t’u vë kufi dëshirave,të frenojë lakminë,të zbus zemrimin dhe të përmbahet.

Për të dalë nga kriza lexo dhe pyet të dijshmin,për të shpëtuar nga përpëlitja dhe stermundimi i gjërave mediokre ushtro durimin.Ajo që largon njerëzit nga njëri-tjetri,madje edhe kur janë plotësisht dakort, është tallja dhe përçmimi.

Shpirtrat e mëdhenj e ngrenë lart folenë, ashtu si shqiponjat.Një gjë është e ditur se askush nuk mund të shoh përtej vetvetes.Njeriu pa talent nuk mund t’i vlerësojë vlerat e tjetrit.Sikur i verbri ngjyrat.Në prani të të marrëve dhe teveqelëve, ka vetëm një zgjidhje të mos shkëmbehet asnjë fjalë me ta ,sepse do t’i ngjante vallëzimit me të çalët. Këta bëjnë gjullurdi me gjithçka që u vjen në dorë. Ata kuptojnë ekzistencën e tyre duke bërë zhurmë.

Njerëzit subjektivë,nuk interesohen për asgjë tjetër veçse për vetveten.Këtyre u pëlqen të lajkatohen dhe miklohen.Gjykimi i tyre është i korruptuar.Flasin vetëm në dobi të partisë dhe kurrë nuk janë as të drejtë as objektivë.Nuk duhet të besojmë në çdo rrenë që thuhet në shoqëri,sepse koha do ta sqarojë e vërtetojë.Kërkohet vetëm durim.Kjo i ngjan asaj kur njeriu ka orën e saktë e këmbanat e orës publike në qytet tregojnë kohën gabim.Një mik e provojmë kur i japim hua, e ai harron se ka hy borxh.

ÇKA E PRISH HARMONINË E BASHKËVEPRIMIT

Harmoninë e bashkëveprimit e prish mendjemadhësia, shpërfillja dhe kur njerëzit mendojnë se janë të pazëvendësueshëm. Raporti mes njerëzve të mos ketë nervozë,sepse kjo sjelll përçmim të dëmshëm. Është e saktë thënia:kush nuk vlerëson nuk vlerësohet.Njerëzit inferiorë përshtaten shpejt.Por,asnjëherë mos të ndodh të thoni:ky është zuzar,rrugaç,i poshtër! Ky është një torollak! Mos besoni fare çfarë thotë ai! Njeriu tregon karakterin e tij në gjëra të vogla.Të mos lihet anash, kurrë, askush.Vetëm ligji e forca lidhin duart. Të falësh e të harrosh do të thotë,të hedhësh nga dritarja një përvojë të çmuar. Gjithçka mund të harrohet,por “uni”e qenia personale asnjëherë.Asnjë karakter nuk duhet braktisur në fatin e vet.Një mirëveprim i mirë bëhet në bazë konceptesh e parimesh të qarta. Karakteri artificial s’ka vlerë. Përherë ka vlerë ajo që vjen nga natyra jonë e lindur. Sjelljen tonë duhet ta drejtojmë përmes rrjedhave të jetës.T’i kuptosh rrjedhat,problemet e jetës është rregulli i parë,t’i mësosh e zbatosh ato është rregulli i dytë.Karakteri i lindur me karakterin e fituar bazohet në një shprehje të Napoleonit, “ e panatyrshmja është e papërkryer.”

Gjatë tërë jetës duhet të ruhemi nga nazet që sjellin përçmim,sepse kjo mbjell mashtrim, është e padenjë,bazohet te frika.Të shtiresh për ndonjë virtyt,të krenohesh për diçka,për vetveten je i munguar. Nuk ia vlen të braktisësh frenat e vetkontrollit. Secili kur sheh të metat tek tjetri,së pari të shikojë të metat e veta. Siç e ndiejmë peshën e trupit të huaj duhet ta ndiejmë edhe peshën e trupit tonë.Kjo nuk vlen vetëm për peshën,por edhe për të metat e tjetri me të metat tona.

Lidhje ideale mes njerëzve s’ka,por të vendosim afrimitetin e karakterit,të mënyrës së të menduarit,të shijes,të cilësive shpirtërore reale,pa interes material.Askush nuk duhet të kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit,kur ajo lexohet në fytyrën dhe jetën e tij.Tek ai ka një pikëllim.Nuk ka buzëqeshje qejfbërëse.

Miqtë e shtëpisë kanë një emër që më tepër u përshtatet.Ata më tepër janë miq të shtëpisë sesa të Zotit.Miqtë e vërtetë vlerësohen si të sinqertë,ndërsa armiqtë mbesin të tillë.Për të thelluar njohjen e vetvetes,duhet të përdorim si një ilaç të hidhur,qortimin e këtyre të fundit.

Ai që do të duket i këndshëm në shoqëri tregon shpirtgjerësi dhe mirëkuptim.Mirëpo,ai do të nxisë urrejtjen dhe mllefin e të tjerëve,sepse ata fshehin motivin e vetvetes kështu.Kush tregon një mendjemprehtësi sipërore,nxjerr fshehtas konkluzionin se tjetri është inferior.Ky mendin nxit urrejtjen,përçmimin,mllefin e tij të hidhur.Natyra vulgare nxit zilinë,revoltën,marrëzinë.Krenaria dhe kënaqësia personale pëlqehet nga njerëzit përmes krahasimit të vetes me të tjerët.Dhuntia personale është privilegj,krenari e shpirtit.

Të paraqitesh superior para bashkëveprimtarëve është pafytyrësi e madhe.Kjo nxit ndjenjen e hakmarrjes dhe fyerjes.Kërkon zhvendosjen e çështjes nga terreni i intelegjencës tek ai i vullnetit kur të gjithë jemi të barabartë. Të marrët ushqejnë kundër të mençurve njëqind herë më të madhe urrejtjen sesa të mençurit kundër të marrëve.

Kënaqësia e këndshme e superioritetit për shpirtin është sikur të afrohesh afër stufës apo rrezes së diellit për t’u ngrohur.Superioriteti është një virtyt vetmitarësh.Një femër,super e bukur, nuk mund të gjejë as miq as shoqe.

Mirësjellja është një marrëveshje e heshtur duke mos ia përkujtuar njëri-tjetrit të metat,është përfitim i ndërsjellë.Mirësjellja është mençuri.Rrugaçëria është marrëzi. Të bësh armiq me fyerje është çmenduri. Është njësoj si t’i vësh flakën shtëpisë tënde.

Mirëpo,një gjë duhet ditur:ai që shtyn mirësjelljen deri në pikën kur kjo sakrifikon interesin e tij,bën gabim të madh ,i përngjan dyllit të fortë nga natyra kur me pak nxehtësi ndërron trajtën dhe bëhet i përkulshëm,për çdo trajtë. Me një fjalë:mirësjellja është një detyrim i rëndë,sepse kërkon që të tregosh,ndaj të gjithëve respektin më të lartë edhe ndaj atyre që nuk e meritojnë dhe shtiren,sikur marrin pjesë gjallërisht në një bisedë.Një porosi: të bashkosh mirësjelljen me krenari ke bërë një vepër arti të vërtetë.

Fyerja,ka të bëjë me mosvlerësimin për një krenari të pamasë për vlerat dhe dinjitetin,kur mirësjellja është një maskë. Kush është i poshtër heq maskën dhe shfaqet i natyrshëm me shpirtin që ka. Ka raste kur dikush mund të shfaqet si model sepse rrethanat janë të ndryshme. Kur dy njerëz bëjnë të njëjtën gjë,s’domethënë se ata janë të njëjtë.Është lehtë t’i fyesh njerëzit,por është e pamundur t’i korigjosh. Kush ka qëllim t’i korigjojë njerëzit e ka vështirë ose s’ka mundësi.

Kush mendon t’i dëgjohet një mendim,duhet të flasë ftohtë,pa pasione.Vrulli buron nga vullneti,prandaj edhe gjykimi i bashkohet atij.Askush nuk duhet të lë vetveten në krahët e vetëmburrjes,edhe kur ka të drejtë.Nëse krenohesh është një gjë e zakonshme,por Bekoni ka thënë: ”me lëvdatat që i bëni vetëvetes,keni një dyshim mëdyshjeje”.

Kur dyshojmë se dikush gënjen,duhet të shtiremi sikur i besojmë,ai do të trimërohet,do të gënjejë më shumë dhe do të demaskohet.Të gjitha çështjet personale duhet të trajtohen në fshehtësi.Është ves i keq kur me zë të lartë,mendimi kërkon që mes mendimit tonë dhe bisedës të ketë një humnerë të thellë.Njerëzit kur shfaqin ndonjë mendjemprehtësi të thellë janë algjebristë të përkryer të interesave personale të të tjerëve duke zgjidhur problemet më të koklavitura.

SI TË VIHEN NË PËRDORIM MAMUZET E KURIOZITETIT

Mamuzet e kuriozitetit nxisin inteligjencën deri në arritjen e qëllimit. Urtakët rekomandojnë:me ngrohtësi të ruhet heshtja.Mos i thuaj mikut tënd, më të ngushtë, atë që nuk duhet ta di armiku yt. Nuk duhet ushtrur mëni kundër askujt.Është mirë të shihen me vëmendje veprimet e secilit për ta caktuar vlerën,për të rregulluar qendrimet dhe sjelljet tona.Duhet të ruhemi nga familiariteti i tepërt dhe miqësia e paarsyeshme. Mos duaj dhe mos urre është kushti i parë i diturisë.Mos fol dhe mos beso çfarëdo, është kushti i dytë.Është e dëmshme dhe qesharake të lejosh shpërthimin e inatit dhe urrejtjes me fjalë.Fol pa ngrit zërin.Ky mendim synon t’i lerë për detyrë mendjes,të gjejë fillin e asaj se çfarë është thënë.Fol me theks të butë, domethënë, t’u flasësh ndjenjave që gjithçka mund të ndryshojë.Mos e fut veten në siklet.

Në jetë ka tri fuqi që mbizotërojnë. Ato janë:mençuria,fati dhe rasti.Rasti është një forcë e egër,së cilës duhet besuar sa më pak,edhe pse nga të gjithë donatorët,ai është i vetmi në aktin e dhurimit të bën të kuptosh,se ne nuk kemi asnjë të drejtë mbi dhuratat e tij,por vetëm duhet të falënderojmë mirësinë dhe mëshirën për to.Por,nuk duhet të mbështetemi në përkrahjen e sërishme të tij,të cilën nuk e meritojmë. Fati njeh artin mbretëror të bindjes. Dhe përballë hijeshisë dhe ndihmesës së tij meritat dalin menjëanë.

Rrjedha e jetës sonë nuk është aspak punë e duarve tona,por është rezultat i dy faktorëve:a.serisë së ngjarjeve dhe b.i vendimeve tona që ndërthuren dhe ndikojnë në njëra tjetrën

Ne duhet të marrim vendime, herë pas herë,sipas rrethanave,me shpresën se do të arrijmë qëllimit të vërtetë.Jeta është diagonalja jonë që pason në mes të dy poleve të kundërta.Është një lloj trik – traku.Fati i përzien letrat, ne luajmë.Jeta është një lloj loje shahu,kur fitorja varet edhe nga plani i kundërshtarit.Shtysi i quajtur i n s t i n k t,i vendosur thellë në qenien tonë, duhet të marrë hua nga rregullat e përgjithshme dhe shembujt e të tjerëve.Jo të gjitha këpucët i bëjnë një këmbe.Vetëm përvoja e mirëfilltë është në gjendje të gjykojë çështjen subjektivisht dhe objektivisht.

Koha është element i rëndësishëm për veprim duke patur parasysh,fatin dhe fatkeqësinë,miqësinë dhe zënkën,kohën e bukur dhe uraganin,dashurinë dhe urrejtjen,besnikërinë e tradhtinë dhe brerjen e ndërgjegjës.Për zgjidhjen e këtyre kundërshtimeve burimi është m e n ç u r i a, e cila i paraprin rrjedhës së kohës.

I mençur është ai që nuk e lë veten të gërryhet nga një gjë vetëm në dukje.Kohorja dhe rrjedhja aktuale e jetës,kërkon njohjen e shkaqeve,të cila mbartin në vete bërthamën.Shpjegimi i vërtetë bëhet jashtë kllapave. Asnjë fajdexhi nuk është më i pamëshirshëm sesa koha,e cila jep hua,por kërkon kamatë të lartë,me dobësi dhe vuajtje kronike.Pra,koha ushtron fajden e vet,andaj duhet të kujdesemi të mos bëhemi debitorë.Disa gjëra në jetë duhet larguar si gurët nga rruga.Vazhdimisht kërkohet gjykim i mençur.Qëllimet e këqija gjykohen në ahiret,kurse merzitë në këtë jetë.

Pas mençurisë, guximi është karakteristikë themelore për lumturinë e njeriut.Asnjëra as tjetra nuk mund të dhurohen.Mençuria trashëgohet nga nëna,kurse guximi nga babai.Këto tipare shijohen duke praktikuar.Jeta është një luftë,çdo hap fitohet me përpjekje e jo duke ndejur kutullaç e duke u ankuar. Mos u tremb nga fatkeqësitë,përballoi ato me mençuri e guxim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat