Shkrimtari Gani Mehmetaj analizon romanin “Vila me tri porta”

Kultura

Shkrimtari Gani Mehmetaj analizon romanin “Vila me tri porta”

Nga: Gani Mehmetaj Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 13:06
Gani Mehmetaj

Rrallë kam lexuar roman më të veçantë për të përndjekurit e të dëbuarit se sa “Vila me tri porta” të Vera Bekteshit. Është i drejtpërdrejte, emocionues, dinamik, me një rrëfim që të mbanë pezull, të zgjon kërshërinë, ka ngjyrimin dramatikë, thellohet në dramën psikologjike e familjare të personazheve, por paraqet edhe problemet sociale të një shtrese të popullatës që jetojnë  në kufijtë e ekzistencës. Kur thellohesh në fatin e personazheve, një familje “tiranëse”, me prejardhje “përtej” se si të mbërthen mllefit, zemërimi, sepse nuk e kap dot arsyen e gjithë atij shpërthimi djallëzor të dhunës pushtetore, të pareshtur e kriminale ndaj të syrgjynosurve, të dëbuarve a të dënuarve që  jetojnë në fshatra të humbura, ndërsa janë mësuar të jetojnë në kamje, sepse ishin kreu i shoqërisë komuniste- “aristokracia e kuqe”, që qeverisnin vendin.

Saturni i hante bijë e vet, komunizmi shqiptar i bluante të vetët mu si Stalini në Rusi a Mao Ce Duni në Kinë. Disa i vriste mizorisht, ua zhdukte familjen, i zhbinte, disa i torturonte deri në çmendi, ndërsa të tretët i dëbonte përtej se brez miza hekur, duke i lënë të përpëliteshin në mjerim e monotoni.

Fati dhe fatkeqësia e personazheve të Vera Bekteshit, që është ajo vet dhe familja, është sepse duhet ta shijojë hidhësinë e jetës deri në fund, të kalojnë nëpër Purgator, të prekin Ferrin dhe kthehen prapë në normalitet. Ajo sikur nuk ndjen mllef a dëshirë për hakmarrje, nuk i urren torturuesit, është e pafuqishme t’u kundërvihet. Kulmi i mllefit të saj është kur e citon një deklarata të Nexhmie Hoxhës, gruas së diktatorit e përzierë në dhunë: “Armiqtë i kemi eliminuar totalisht dhe bijtë e tyre i kemi izoluar hermetikisht” , faqe 243. Ndërsa autorja Vera Bekteshi e përshkruan pasojën e masave të tilla:

Image
Kopertina e librit

“Ne ishim izoluar nga jeta e vërtetë, por jo nga sulmet e pamëshirshme të një sistemi të ndërtuar ndër vite për kontroll total. Një ushtri e tërë informuesish dhe përpunuesish paguheshin pikërisht për të mos na lënë të qetë ne dhe shumë si ne që ishim të shenjestruar për të mos jetuar. (faqe 244)

Njeriu me mëndje të shëndosh  nuk e kupton pse gjithë kjo djallëzi e kupolës së tmerrit? “Armiqtë” e shtetit nuk paraqesin asnjë rrezik për pushtetin, nuk paraqesin rrezik as për mjedisin, por pushteti shpenzon energji, angazhon njerëz e struktura që t’i denigroj me sadizëm të llojit të veçantë, mafiozo-politikë, sepse edhe strukturat e kupolës së shtetit ishin mafioze- politike. Shtetarët me kreun e shtetit, E. Hoxhën ishin të sëmurë mendërisht.

Duke e lexuare romanin biografik, por edhe kronikë e të gjithë të përndjekurve, të syrgjynosure dhe të burgosurve se si e ndjenë vetën, në një dramë të absurdit, sepse veprimet e pushtetit në atë far feje nuk kanë kuptim, janë absurd, çmenduri, të pashembullta në histori. Vetëm Pol Poti i Kamboxhës mund t’ua kalonte.

“Vila me tri porta” ndonjëherë ta kujton rrëfimin tronditës “Rrno për me tregua” të at Zef Pëllumbit, po në mënyrën e shtjellimit dhe në nuancat e rrëfimit dallojnë, sikurse dallojnë edhe me qasjen. Vera Bekteshi tregon për bllokistët, sikurse i quanin ata që jetonin në majën e Olimpit komunist, për fatkeqësinë e atyre që binin  nga pushteti. Kësaj shtrese sociale i takon edhe autorja, që rrekët të rrëfej me faturë dokumentare, por me mjete artistik- letrare fatin e saj dhe të familjes, që e përplas ingranazhi i diktaturës në fshatrat e humbura të Beratit.

I veçantë është stili i rrëfimit, i veçantë është fati i personazheve, kurse bota që na e shpalon “në fshatin socialist”, herë është Purgatori, herë  Ferri i Dantës.

Përderisa prifti i famshëm Zef Pëllumbi tregon tmerret e burgut të atyre që në fillim të herës i shpallën armiq (priftërinjtë katolikë, dhe kundërshtarët politik), personazhet e Vera Bekteshit janë botë tjetër, nuk janë të gatshëm t’u përballojnë torturave a përndjekjeve, por dalin koc i fortë që përballen më të gjitha vështirësitë. Ata duken të brishtë, por janë të qëndrueshëm, ata trajtohen kafshërisht, por janë aq të ndjeshëm.

Romani paraqet situata e pamje që s’t’i kap mendja, që nuk e ke idenë se si mund t’ia bëjë njeriu njeriut.

Librin biografik “Vila me tri porta” të shkruar në formë romani duhet ta lexoni që ta kuptoni shqiptarin e sotëm të frustruar e “të hallakatur”.  Shpesh ta kujton romanin e filmin “Krishti u ndal në Eboli”, por vuajtjet e personazheve Bekteshit janë më të rënda, varfëria më e skajshme se sa personazhet e Karlo Levit, të syrgjynosur në jugun e varfër të Italisë. Shqipëria e tëra ishte e varfër dhe e mjeruar nga diktatura.

 *Autori, fitues i Çmimit Kadare me romanin “Zogjtë e qyqes”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat