Trokitjet poetike dhe proza dramatike e Albina Idrizit

Kultura

Trokitjet poetike dhe proza dramatike e Albina Idrizit

Nga: Ndue Dedaj Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 09:13
Albina Idrizi

Albina Idrizi, diplomuar për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, është autore e disa librave në prozë dhe poezi. Ka qenë nënkryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në muajin tetor 2022, në Lezhë, në ditët kushtuar Gjergj Fishtës, nga klubi letrar “Ndoc Gjetja” u bë paraqitja e krijimtarisë së saj letrare, ku u lexua dhe ky shënim kritik:

Libri poetik “Trokitje të prushta” të Albina Idrizit është botim i shtëpisë botuese “Beqir Musliu” i këtij viti. Trokitjet e tij e tij nuk janë si ato të derës, përkundrazi janë disa “trokitje” shpirtërore që frymojnë drejt fshehtësive të shpirtit të njeriut, prandaj lypet ta receptosh këtë poezi që të mund të depërtosh në brishtësinë e saj femërore. “Trokitja në sytë e tu/ qe kodi i daljes/ matanë portës së kristaltë,/ mahnitur me veten/ që e gjeta në ty./ Ishim dy zgjatime drithëruese/ nëpër damarët e njëri - tjetrit/ me dashurinë që/ prekej pa duar,/ ndjehej pa prani”. (“Trokitja në sytë e tu”). Ashtu me dashuri troket ajo dhe në sonetin kushtuar vendlindjes: “Më vjen përmallshëm të zgjas duart në përqafim/ si degë pemësh, moskokëçarëse, andej kufiri”, “me puthje të trokas shtëpi më shtëpi,/ pastaj si fustan t’i qepem malit përbri” etj. Aty do të ndjesh se ato janë përjetime apo trokitje të prushta, për të qendruar të metafora e autores. Që Idrizi është një poete lirike e formuar dëshmohet dhe nga mungesa e kurrëfarë patetike, që vihet re jo pak në kinse poezinë bashkëkohore, ku uni poetik zhbëhet si i tillë, duke u mbytur nga travlimet sociale. Është universalja substanca e saj poetike. “Fjalët me fjalë mbulohen/ të qeshurat me të qeshura këmbehen,/ idhujt nga idhuj të tjerë rrëzohen,/ rrugët janë po ato,/ vetëm emrat u ndryshojnë”, shkruan ajo në “Ujëvarë jete”. Nuk mund të ketë poeteshë pa ëndrra, siç nuk mund të ketë pa ëndrra asnjë grua, në të cilën, Albina sheh krijuesin. Ëndrra e saj është e pamoshë, siç dëshmohet dhe në poezinë “Harro të më zgjosh”, e shkruar me vargje të thjeshta, por që shkon përtej vetë njeriut, në: “të tjera lule/ të tjera këngë/ të tjera valle,/ asgjë nga parfumi i vjetër”. Ku, ku? pyet lexuesi. Dhe poetesha përgjigjet aty për aty: “Diku ku flitet pa fjalë...”. Sepse, përmbyll ajo idenë e saj: “kam dashur gjithmonë, tjetër”. Në një tjetër poezi autorja befason: “Mos u çudit o Diell/ Nëse prapë e sheh duke qeshur/ sikur të mos kishte qarë kurrë,/ të flasë, të këndojë, të dashurojë,/ sikur të mos kishte vdekur kurrë”. (Nëse prapë e sheh duke qeshur.)

Këto pak fjalë nuk ishin një analizë e librit, por vetëm një “trokitje” te lexuesit për t’i lexuar poezitë e Albinës, ashtu si dhe prozën e saj.

Romani “Për një mëngjes ndryshe” i shkrimtares nga Kosova Albina Idrizi nuk është një sagë dashurie, por një dramë për dashurinë me një personazh, që është dhe protagonistja e librit, Ema, e cila bën përpjekje të pazakontë për ta shpëtuar të dashurin e saj, Gurin, i cili, i përpirë nga droga kur ishte në emigrim, nuk i përgjigjet më jo vetëm dashurisë së saj, por as jetës së tij. Nuk e ndryshon gjendjen as mbartja familjarisht në Francë e Emës bashkë me të shoqin dhe të bijën vogëlushe, pasi Guri përsëri mbetet nën varësinë e drogës, deri sa gjendet poshtë një ure në Paris dhe sillet në familje. Është një grua tridhjetëvjeçare që nuk e braktis të shoqin, që vërtitet në shtëpi si një “kufomë e gjallë”, as kur ai vjedh në shtëpi dhuratën prej ari që e ëma i kishte bërë për ditëlindje së bijës dhe e shet për të blerë racionin e drogës, as kur ai fut dorën nën këmishën e hollë të saj për të marrë paratë e për të ikur nëpër natë për të blerë miellin pa të cilin nuk mund të rronte e që ishte bërë buka e tij prej vitesh. Nuk rreshtin përpjekjet mbinjerëzore të kësaj gruaje për ta kthyer dashurinë e saj, edhe pse shpresat i bjerren nga dita në ditë.

Autorja e ka shkruar këtë libër si të ketë qenë ajo vetë Ema, me shumë përjetim dhe vetëm duke e rritur ngarkesën emocionale dhe tensionin e rrëfimit. Ajo nuk i druhet realizmit të ashpër të rrethanave dhe nuk e mundon ideja e një fundi të lumtur, që lexuesi e dëshiron hap pas hapi. Jo, autorja është nisur të shkruaje një roman modern, pa e marrë ajo me shatë rrjedhën e ngjarjeve, por duke i ndjekur ato në fatin e vet. Asaj i mjafton të kumtojë fort se njeriu ka barrën që kurrë të mos e lëshojë njeriun, që tingëllon si një mesazh biblik, në të mirë enë të keq.

Dini, biri i një profesori të dëvotshëm shqiptar, që masakrohet nga regjimi serb si atdhetar, është student dhe po ashtu veprimtar i lëvizjes kombëtare në Kosovë, që si i tillë ndiqej dhe ai nga policia serbe, çka bëhet shkak për ikjen e tij në emigrim. Pritej që ai të kthehet si një luftëtar, mundej dhe si një hero, pasi sapo kishte filluar lufta për çlirimin e Kosovës, por, përkundrazi, ai kthehet një njeri i varur nga droga, i tërhequr në këtë rrugë nga dajë Skëndi ndjellës ifatkeqësive të tij. Shkrimtarja e ndjek gjurmë pas gjurmë protagonisten, që sa vjen e bëhet në sytë e lexeusit një grua e vendosur për t’i shkuar deri në fund shërimit të Dinit. Merita e autores Idrizi është se ka krijuar një personazh krejtsisht origjinal, që bën gjithnjë gjënë e duhur, gjer sakrifica, në kaosin që krijohet për shkak të rrënimit të të shoqit nga droga, në një mjedis njerëzish të mirë, si i ati Aliu, e motra Mirushja, plaku Bejtë, profesori (vjehrri) etj., por që janë të pafuqishëm për të ndikuar në fatin e Dinit, ku dhe vetë Kosova e asaj kohe nuk i kishte mundësitë për të rehabilituar njerëz të nënshtruar ndaj varësish të tilla vdekjeprurëse.

Autorja nuk ka pasur karrëfarë qëllimi ta idealizojë këtë figurë femërore, aq më pak t’i japë asaj tipare heroine, jo, ajo thjeshtë ka arritur të japë përmasën e femrës dhe çfarë energjish fsheh brenda vetes një grua e dashuruar.

“Përsëri mars” është një roman befasues, ngjarjet e të cilit zhvillohen sa në qytezë, aq dhe në varrezën e saj, e cila është shkrirë me qytetin duke mos qenë diçka jashtë tij. Autorja ka ndërtuar një marrëdhënie të çuditshme mes gjalljes dhe vdekjes. Ajo na i paraqet dy personazhet e tij në “duel”, Agimin dhe Gëzimin përmes një situate groteske, ku i pari, aspiruesi për pushtet mban një fjalim patetik në një sallë të zbrazët dhe pastaj pushon në krahët e sekretares mbi një tavolinë zyre. Ky individ nuk mund të pranojë një vend të zakonshëm në varre, ndaj vret veten që të hyjë në varrin që ishte bërë gati për kryetarin e Bashkisë, i cili ishte duke vdekur nga një sëmundje e rëndë. Përndryshe, autorja stigmatizon me gjuhën e metaforës artistike atë kategori njerëzish për të cilët peshon më shumë vdekja se jeta, lavdia pas ikjes, emri i skalitur në mermer, butaforia e pasvdekjes dhe imagjinata e kësaj. Ky është një mentalitet shqiptar por dhe ballkanik i vjetëruar, që në varreza ka krijuar varre me të mëdha se të zakonshmit, buste të rrejshme, këngë rapsodike qysh për të gjallë njerëzish të pushtetshëm e me pushtet. Kështu autorja guxon të shkelë me penën e saj në terrene jo të zakonshme për lexuesin dhe nuk ka ndonjë krahasim proza e saj moderne për nga prurja.

Është në stilin e autores të mos e ndikojë lexuesin me idetë e saj, ajo veçsa e shoqëron atë nëpër vorbullën e ngjarjeve, ku ai përfshihet vetvetiu duke mos mbetur soditës. Romani dallohet për disa veçori të stilit, si rrëfimi larg klisheve të njohura skematike, përvijimi mjeshtëror i karaktereve romanore si Gëzimi, Lida, Agimi dhe Meti, nënqeshja ironike me siluetat meskine megalomane etj. Fati i njeriut është thelbi i narracionit të autores, që shquhet për vëzhgimin e imtë të jetës dhe qëmtimin e asaj lënde që mund të shndërrohet në materie artistike.

Albina Idrizi është një shkrimtare e talentuar dhe e promovuar dhe këto radhë janë thjeshtë një ftesë për atë lexues, librat e së cilës ende nuk i kanë rënë në dorë.

NDUE DEDAJ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat