Brenda meje, ti

Kultura

Brenda meje, ti

Leonora Bruçaj-Keka Nga Leonora Bruçaj-Keka Më 6 dhjetor 2022 Në ora: 22:37
Kopertina e librit

“Nëse lexoj një libër që më ngrin të gjithën, saqë asnjë zjarr të mos më ngroh, atëherë e di që është poezi”.

Këtë recension po e filloj me proverbin e poetes Emily Elizabeth Dickinson, e cila poezinë e konsideron si ajkën e letërsisë në përgjithësi. Natyrisht që edhe në këtë përmbledhje me poezi, autorja Erdonita Hebibi shpalos para lexuesve refleksionin e saj mjaft të qartë përmes shprehjeve të theksuara, duke e kombinuar emocionin me mendimin. Të rrallë janë poetët të cilët arrijnë të kombinojnë emocionin me mendimin dhe përmes shprehjeve poetike, ata për lexuesit mendimet i shprehin në fjalë.

Në këtë vëllim me poezi “Brenda meje Ti” duke përdorur edhe figurat stilistike, autorja shpalos universin e saj poetik përmes vargjeve tejet origjinale, që nganjëherë shprehin edhe pezmin e grumbulluar në kraharorin e saj. Në aspektin krahasues, mund të themi se pezmi i autores sikur është mbledhur me vjet në thellësinë e shpirtit dhe dikur shpërthen përmes vargut poetik, njëjtë siç shpërthen magma vullkanike e mbledhur në thellësi të tokës me qindra vjet.

Pavarësisht nga poezia, e cila në të shumtën e rasteve nuk e ka një rimë të qartë, vargu i poetes nganjëherë është i mbushur me trishtim kalon nëpër dhimbje shpirtërore, e herë-herë shfaq dashurinë e saj duke e mbytur dhimbjen, njëjtë siç e mbyt terri dritën. P.sh., në poezinë “A di të më duash”, autorja përveç rënkimeve që burojnë nga thellësia shpirtërore, ndërhyn me vargje të tjera, duke e përfunduar kështu poezinë, ku ato dhimbje kërkon nga dikush që t`ia kthej në dashuri, njëjtë siç depërtojnë rrezet e diellit në tokë, pas një stuhie të furishme:

A bën të më duash pa më lënduar

Të më duash aq sa e kam merituar

Të më duash fare pa u frikësuar

T’lutem më duaj vetëm sa gjysma

E dashurisë sime që të kam ofruar!

Pra, poezia e autores Erdonita Hebibi është e përbërë edhe nga figurat stilistike siç janë: Krahasimi, Personifikimi, Paralelizmi figurativ, Simboli e të tjera, që i japin poezisë një dimension tjetër. Në poezinë “Mësuesit”, poetja përdor krahasimin për peshën e madhe që ka mësuesi në mbjelljen e diturisë te gjenerata të reja. Si vigan i diturisë, figura e mësuesit në këtë poezi ngritët lart, ndërsa vlera e tij nuk mund të matet me asgjë në botë. Por, në të gjitha poezitë, më së shumti të bie në sy Shpirtëzimi, si figurë stilistike. Përmes elementeve të caktuara, autorja u jep shpirt të gjitha vargjeve. Ndërsa, në disa raste autorja kombinon dy figurat stilistike, Shpirtëzimin dhe Similituda, për t`i dhënë një forcë më të madhe vargut. Këto figura stilistike lexuesi mund t`i takojë në poezinë “Aromë luleje”, ku poetja flet me lulen në kopshtin e saj:

Lule e bukur dhe e njomë

Pa më thuaj a do të ujis sot,

Të të flas e të më flasësh

Të të qesh e t’i të hapesh.

Një motiv tepër mbresëlënës në poezinë e Erdonitës, është ai motiv që, pavarësisht sfidave vargu i saj nuk e njeh dorëzimin. Këto vargje, që për lexuesit vijnë për herë të parë në duart e tyre, në disa raste ngjallin edhe kujtime tek ata, sikur vet lexuesi t`i kishte shkruar ato. Prandaj, disa nga vargjet e mbushura me plot emocione, nganjëherë mallëngjim e dashuri, e bëjnë më të veçantë poeten dhe e krahasojnë me poetët më të mëdhenj të cilët përmes poezisë, krijojnë dridhje të forta emocionale te adhuruesit e vargut të shkruar. Ndërsa, në poezitë lirike, poetja e jetëson jetën e saj me ndjenjat më të pastra, duke kujtuar periudhat kohore nëpër të cilën ka kaluar vet ajo, apo qoftë edhe ndonjë personazh i vargut të saj.

Në disa poezi, që nuk janë të ndara në cikle, autorja nganjëherë e ndez vargun sikur eshka që digjet nga zjarri. Megjithatë, me një mjeshtëri të vërtetë poetike, dhe me shpirtngrohtësi, ajo nuk e lë çdo gjë të zezë e të digjej sikur eshkë, por e freskon me flladshmërinë e saj prej poetje, njëjtë siç përflladitë tokën e etur shiu i mesgushtit. Dhe për t`i përdorur këto dy elemente brenda një vargu, do të duhej mjeshtëri e madhe dhe këtë mjeshtri nuk mund ta ketë çdo poet. Madje, poetja nuk e ka njohur e as që dëshiron ta njoh ndonjëherë dorëzimin, pavarësisht sfidave me të cilat përballet. Shpirti i saj këtë e shpreh edhe në vargjet “Të mos rrëzohesh”:

U rrëzova, por prapë

Në këmbë u qova,

U rrëzova, ama kurrë

Nuk u dorëzova!

Ajo që ngrit emocionet në këtë përmbledhje janë edhe vargjet e poezisë “Fëmijë pa nënë”, ku autorja përshkruan braktisjen e fëmijëve nga nënat, që kohëve të fundit është bërë një fenomen në vendin tonë. Në këtë poezi, si element “bashkëjetese” të nënës me fëmijën e saj, ajo përdor periudhën e shtatzënisë ku për nëntë muaj nëna duron dhimbjet, ndërsa në fund e braktis fëmijën e saj. Jeta e ftohtë në jetimore, zemrën e fëmijës e shndërron në një akullnajë që vështirë mund të shkrihet. Këto vargje janë prekëse për secilin që i lexon:

Nënë pse m’le e nuk luftove

Kur nëntë muaj me mua jetove,

Ai ‘bërllog’ t’u duk ma i ngrohtë

Që të më braktisësh e të më harrosh.

Edhe ndërlidhshmëria e poezive, është koherente njëra me tjetrën. Autorja në këtë rast kalon nga një poezi në tjetrën, duke mos e shkëputur zinxhirin e rrjedhshmërisë, siç është rasti në poezinë “Kthehu kohë”, e cila e pason poezinë “Fëmijë pa nënë”. Përderisa në poezinë paraprake flet për një jetime, në poezinë e radhës autorja i lutet kohës që të kthehet prapa dhe t`i kthejë gjërat që dikur i kishte humbur, por përdor edhe elementin e frikës se çfarë mund t`i sjell e ardhmja. Autorja i lutet kohës me këto vargje:

Të lutem kohë kthehu, dua të marrë

Shumë gjëra nga atje, nga e kaluara

Që më mungon dhe më largon tani,

Nga kjo e tashmja që më mundon

Nga e ardhmja që kam frikë ta përjetoj!

Sado që duket se kjo përmbledhje mban vetëm poezi malli, megjithatë, libri përfundon me poezinë “Guxo”. Kjo është një thirrje e fuqishme që autorja e lëshon si kushtrim ndaj njeriut i cili duhet të gjej forcë e të marr guxim për ta ngritur zërin në kërkim të së vërtetës. Madje, bën thirrje që njeriu të mos kufizohet në aspektin kohor, por ta kërkoj të vërtetën edhe në mes të natës. Përmbledhja me poezi “Brenda meje, ti” dëshmon se autorja vazhdon ta pasurojë në mënyra të ndryshme sistemin e të shprehurit poetik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat