Shkollës “Kongresi i Manastirit“ të Pozharanit i dhurohen mbi 200 ekzemplarë librash

Kultura

Shkollës “Kongresi i Manastirit“ të Pozharanit i dhurohen mbi 200 ekzemplarë librash

Nga: Gani Bajrami Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

Me iniciativën e shkrimtarit, publicistit dhe veprimtarit Hamza Halabaku me vendqëndrim në Nyrenberg të Gjarmanisë, Bibliotekës të shkollës (SHMLM) “Kongresi i Manastirit“ në Pozharan të Vitisë iu dhurua një kontingjent librash. Nuk është hera e parë që Hamza Halabaku dhuron libra për bibliotekat shkollore, por kësaj radhe iniciativës së tij iu kishin bashkuar edhe krijuesi Ramadan Mehmeti, me më shumë se dyzetë tituj dhe botuesi Hajdar Fejzullahu (SHB “Lena Geaphic” – Prishtinë, me njëzetë tituj), duke ngritur sasinë e këtij kontingjenti librash në rreth 200 tituj me më shumë se 200 ekzemplarë. Edhe shkrimtarja dhe piktorja Miradije Ramiqi dhuroi disa ekzemplarë, ndërsa premtoi se me një rast tjetër për këtë vatër arsimore do të sjellë një sasi më të madhe ekzemplarësh nga biblioteka e saj personale.

Me rastin e dorëzimit të këtyre librave në ambientet e shkollës u organizua një manifestim rasti që mund të konceptohej si takim me krijues. Para të pranishmëve, kryesisht profesorë e nxënës të kësaj shkolle, u gjenden pozharanasit që kanë bërë emër në kulturën tonë, Miradije Ramiqi - shkrimtare e piktore dhe Hamza Halabaku - shkrimtar e publicist, ndërsa me ta ishin edhe shkrimtari e publicisti Sulejman Dërmaku dhe gazetari e publicisti Gani Bajrami. Këtij takimi i kontribuoi edhe veprimtari Zeqir Rama, i cili shpaloi disa momente të punës së tij si mësimdhënës në shkollën e Pozharanit.

Të pranishmit patën rastin të dëgjojnë disa poezi nga krijuesit letrarë: Hamza Halabaku, Miradije Ramiqi, Sulejman Dërmaku dhe dr. Ismail Halabaku.

U vlerësua se kjo mënyrë e bashkëbisedimit me krijues letrarë ishte një begati e aktiviteteve të shumta arsimore e kulturore që zhvillon kjo vatër arsimore e Pozharanit.

Drejtori i shkollës “Kongresi i Manastirit“, Mufail Halabaku, i cili në cilësi të moderatorit të këtij takimi, krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe falënderoi dhuruesit e librave, duke theksuar se ato do ta pasurojnë fondin librar të Bibliotekës së shkollës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat