Ftesë

Kultura

Ftesë

Nga: Hejza Art Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Kaluan një vit e ca, që kur një grup krijuesish nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, filluan një projekt unikal, duke u përpjekur që nga gjeografinë kulturore të përfshijnë artistë, krijues e kulturologë shqiptarë gjithandej botës. Respektivisht, përmes projektit HEJZA, faqe për art, letërsi dhe kulturë, u provua nëse mund të thyhen disa trende të “revistave” lokaliste elektronike ndër ne, duke ftuar në bashkëpunim nga gjithandej ku jetojnë dhe ku veprojnë shqiptarët.

HEJZA ka pasur editorialin e vet origjinal e të përditshëm, ka trajtuar tema nga fusha të ndryshme të artit, letërsisë, kulturës, ka trajtuar probleme kulturore, ka sensibilizuar sado pak opinionin e gjerë kulturor, në veçanti atë politik, për domosdoshmërinë e politikave nacionale kulturore, për nevojat imediate që identitetin kulturor ta zhvillojmë në mënyrë sa më institucionale, ka bërë përpjekje për ta ravijëzuar strategjinë e bashkimit kombëtar në sferën e kulturës, ka ofruar informacione të shumta si dhe profile krijuesish si nga bota shqiptare ashtu edhe profile krijuesish botëror. Ne veçanti, një kujdes të shtuar ka shprehur edhe për krijuesit shqiptarë nga bota e diasporës sonë, si dhe ka shtuar hapësirën për krijues të rinj krahas publikimit të krijimtarisë së krijuesve kombëtar.

Përmes intervistave të shumtë ka ofruar edhe mendime, sugjerime e këshilla prej krijuesve më të vjetër nga lëmenj të ndryshëm të kulturës. Fatkeqësisht, ishte e pamundur që të shtyhet sa më gjatë ky projekt, për shkak të mungesës së një hapësire ku do të funksiononte këshilli redaktues i HEJZËS i përbërë nga personalitete prej tri shteteve tona.

Fatmirësisht, projekti, megjithatë, nuk do të ndërpritet, por do të rritet edhe më shumë. Ka disa ditë që HEJZA ka kaluar në pronësi të produksionit për film, teatër dhe botim TAKAT, me menaxher Genc Halimin. Së shpejti, ky produksion do të startojë edhe me Portalin HEJZA si dhe me Gazetën elektronike për art, letërsi dhe kulturë që do të mbajë po të njëjtin titull HEJZA, me kryeredaktor shkrimtarin dhe publicistin shqiptar nga Shkupi, Avni Halimi!

Pa dyshim, për portalin dhe gazetën elektronike, sërish gjithçka do të nisë nga e para! Si çdo fillim, edhe ky do të jetë i vështirë, por, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për projekte shumë fisnike, na mbanë shpresa se edhe kësaj radhe do t’ia dalim, mbi të gjitha me ndihmën e miqve, dashamirëve të artit, letërsisë, kulturës.

Hejza, publikisht i fton të gjitha artistët e krijuesit kombëtarë, gjithandej ku jetojnë e veprojnë, që në adresën e njëjtë ([email protected]) të na dërgojnë materiale: ese, kritikë, recensione, trajtesa të ndryshme nga lëmi i kulturës, të na shkruajnë mbi fenomene kulturore, letrare, teatrale, filmike; të na dërgojnë piktura, fotografi artistike, poezi, prozë të shkurtë, përkthime letrare. Urojmë që këto shkrime të jenë të nivelit sa më të lartë, sepse kjo do të na ndihmojë të mbajmë edhe nivelin e HEJZËS. Ndryshe, me keqardhje theksojmë që, jo gjithçka do të botohet dhe jo shkrimet që nuk ruajnë standardin profesional, etik dhe gjuhësor.

Le të na prijë e mbara! Me ndihmën e artistëve dhe krijuesve tanë, do t’ia dalim që ta ruajmë dhe ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë kulturor!

/HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat