Dashuria si kategori universale në veprën e autorit

Kultura

Dashuria si kategori universale në veprën e autorit

Nga: Izet Abdyli Më: 19 dhjetor 2022 Në ora: 15:57
Kopertina e librit

Poeti Syhejl Havolli, i cili shquhet për stisjen e vargjeve - lirikave të dashurisë, që nga vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta, sikur nuk mund ta ,,tradhtoj" këtë vokacion edhe sot.

Ai së fundi vjen me vëllimin e lirikave të dashurisë me titull mjaft simbolik ,,Nën rigat e dashurisë". Por kanë dallim këto lirika nga ato të mëhershme, ngase këto nuk vijnë nga fryma djaloshare e një të riu të përndezur nga dashuria intime, por vijnë si vargje ku dashuria nuk kufizohet te një person por merr përmasa universale. Ajo tashmë fiton një dimension të ri dhe shpërfaqet me përmasën e saj tek fëmijët, nëna, vëllau, të afërmit e familjes, miqtë etj. Karakteristikë e poezisë se Syhejlit është se ai ruan një konstant të verbit poetik, të pasur me figura stilistike si: metafora, krahasime, epitete etj. Vargjet e tij kanë sharm, kolorit ngjyrash, emocion dhe vijnë lehtas e të përdhelin si një suferinë. Në çdo varg sikur ndien nektarin dehës të shpirtit poetik.

Përvoja krijuese ka bërë që poeti t' i stisë vargjet me një leksik të pasur fjalësh pa qenë i përsëritshëm dhe pa krijuar monotoni te lexuesi. Dashuria, malli, dhimbja, loti, shpresa janë ndjesitë e poetit që si një aureolë drite shfaqen e rishfaqen në këtë vëllim poetik.

Dashurinë si kategori universale poeti e shpërfaq edhe në vjershat ku defilojnë ëndrrat dhe shpresat për lirinë e munguar, për atdheun e tij të dashur që herë i vesh me epitetin e diellit, dritës, hënës etj. Ndonëse në libër shtjellohen edhe motive tjera për jetën, ekzistencën, e sfida tjera, dhe pavarësisht se libri nuk është organizuar në cikle, struktura organike e poezive funksionon si një tërësi.

Mesazhet e poezive janë sa kuptimplote po aq edhe njerëzore. Kjo na bindi se autori tashmë ka krijuar individualitetin e vetë krijues dhe muza e tij krijuese ka shpërthyer me vrull edhe pse poeti është në moshën e tretë. Urojmë poetin për këtë libër të mrekullueshëm, i dëshirojmë shëndet e suksese në krijimtarinë letrare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat