Kultura e debatit

Kultura

Kultura e debatit

Nga: Hejza Art Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 13:48
Foto ilustrim

Debatet e shumta që i shohim nëpër mediumet shqiptare (kanalet televizive), në të shumtën e rasteve nuk janë debate.

Në këto debate kemi mospërfillje, arrogancë, injorancë, mosnjohje të problemit të shtruar për debat, ofendime, nxehje gjakrash dhe çka jo tjetër, ndaj dhe është shumë vështirë të themi se kemi debat, kur nuk është i tillë.

Mbase, shumë debate fillojnë e përfundojnë pa kuptuar se për çfarë u bë fjalë. Është kapitull në vete niveli i pjesëmarrësve në këto debati, qasja e tyre ndaj problemit, por edhe sjellja përpara opinionit.

Pra, është shumë e dukshme mungesa e kulturës së debatit dhe, në kontekst të kësaj, në këto debate kemi edhe mungesë respekti, mungesë edukate dhe mungesë dije.

Modelet e kulturës së debatit nuk është vështirë të gjenden. Mjafton të shihen kanalet televizive, bie fjala gjermane, apo të ndonjë shteti tjetër dhe të shihet se si zhvillohet debati. Ekziston një rend dhe mbi të gjitha ekziston një mendim i thellë dhe kompetent. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, ekziston një përfundim i qartë rreth problemit të shtruar. Në këto debate nuk ka ndërhyrje, nuk ka zënka, nuk ka ofendime, por thjeshtë manifestohet një kulturë sublime dhe një respekt i secilit që është pjesë e debatit.

Ajo që ndodh në debatet e disa kanaleve televizive shqiptare është pasojë e përfshirjes në debat të njerëzve të gabuar. Dhe pikërisht ky gabim ka bërë që të kemi kaq shumë “analistë të gjithëdijshëm”.

Nevoja për një kulturë në debat, duhet kuptuar seriozisht, jo vetëm që të ruhet minimumi i nivelit, por edhe i qartësisë së debatit. Nëse kjo komponentë nuk konsiderohet primare, atëherë duhet pranuar një fakt se mediumet tona demonstrojnë arrogancën dhe mungesën kapacitet intelektual të nevojshëm për t’u dhënë përgjigje problemeve të shtruara.

Manifestimi i kulturës së mirëfilltë në debat, mbi të gjitha, është një shembull konstruktiv, nga i cili mund të mësohen shumë gjëra, duke filluar nga mirësjellja e deri te respekti i atyre që qëndrojnë para ekraneve televizive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat