Frika nga liria

Kultura

Frika nga liria

Nga: Biser Mehmeti Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 18:38
Biser Mehmeti

Nga një gjumë i mbushur me ëndrra të kobshme më trandi cingërima e thekshme e telefonit. Zemra zuri të më rrahte me ritëm të shqetësuar. Me sytë e mbushur me copat e gjumit të prishur e shihja telefonin, i cili sikur më lutej për diçka. Dëshiroja ta zgjasja dorën e ta rrëmbeja telefonin, po më mbërthente një parandjenjë të çuditshme se do të merrja një lajm të kobshëm. Derisa e dëgjoja cingërimën e thekshme të telefonit, më bëhej sikur brenda kokës dikush më godiste me grushta. Një zë pa tinguj më thoshte: mos e hap telefonin se nga lajmi i kobshëm do të tronditesh... Fillova të luftoja me veten, së cilës i shkaktoja plagë të rënda, të cilat rridhnin gjak të freskët... Teksa cingërima e telefonit pushoi, m’u bë sikur një pjesë e shpirtit po shkërmoqej ngadalë. Pendimi pse nuk e hapa telefonin zuri të më mbështillte si një gjarpër rreth qafës... A është e mundur të më thërrasin nga atdheu, e pyeta veten... Ka shtatë ditë që nga ajo anë e botës nuk më ka telefonuar askush!... Disa herë jam orvatur të telefonoj për të mësuar të rejat e fundit, po lidhjet telefonike janë ndërprerë... U ngrita në këmbë i trembur. Si somnambul zura të zvarritem nëpër hapësirën e dhomës... Në një skaj të imazhit m’u shfaqen skenat e tmerrshme të vrasjeve që ndodhnin në atdhe... Atje është luftë, mendova me vete. Njerëzit po vriten për çdo ditë!... Fryma po më zihej nga ankthi... Nga ato mendime që mezi arrija t’i formoja me trajtë të deformuar më ka trandur cingërima e fuqishme e telefonit. Zemra sikur më doli nga kraharori. Nuk e dija veten ku gjendesha. Isha i humbur në një botë të panjohur... Fluturimthi e rrëmbeva telefonin në dorën që më dridhej më shumë se shpirti...

Disa çaste prita të dëgjoja një zë të pikëlluar, i cili më lajmëronte për vdekjen e ndonjë personi të dashur. Përtej një bote tjetër u dëgjua një zë i njëtrajtshëm! U shtanga nga habia. Mendja po më mashtron, i thashë vetes. Nuk është e mundur nga vendlindja të dëgjoj zë të lumtur, ngase jam mësuar gjithnjë nga atje të dëgjoj zëra të përvajshëm... Urime!... Urime!... Dëshiroja të flisja, po zëri nuk më dilte... Vendi ynë është çliruar nga okupatori!... Hej, erdhi liria e pritur me shekuj!... Jemi të lirë të marrim frymë!... Jemi të lirë të ecim nëpër rrugë!... Jemi të lirë të jetojmë!... Sa shumë dëshiroja edhe më tutje të dëgjoja atë zë të ëmbël, i cili më dukej sikur jehonte nga një skaj i parajsës...

Sapo lidhja u ndërpre, më kaploi një ndjenjë e tërbuar, gjatë së cilës nuk isha në gjendje të kuptoja asgjë... A është e mundur që liria të ketë ardhur në atdheun tim, në të cilin populli ka vuajtur për një kohë të gjatë, e pyesja veten... Nëse është e vërtetë, nesër do të kthehem në atdhe!... Më ka djegur malli për prindërit e miqtë e dikurshëm! Sa shumë kam dëshirë të sorollatem nëpër rrugët e qytetit të lindjes... Nga gëzimi i madh sytë nuk më bënin dritë. Më dukej sikur nga lumturia po verbohesha. Kisha frikë se nga ngazëllimi do të çmendesha... Disa çaste jam shtrirë në shtrat. Mundohesha të mendoja diçka, po mendimet nuk më vinin... Pas pak e pashë Matildën, gruan me të cilën jetoja njëzet e më shumë vite. Ndoshta ajo më kishte vështruar një kohë të gjatë, po nga euforia nuk e kisha hetuar prezencën e saj...

- Është e vërtetë se atdheu është çliruar! - më tha me zë të gëzueshëm... - Në lajme thanë se ushtria okupuese është larguar nga atdheu e turpëruar...

Pasi e përqafova disa herë i thashë me zërin që më dridhej nga emocionet, të cilat vështirë i përmbaja:

- Nesër do të kthehemi në atdhe! Ëndrra ime për ta parë atdheun të lirë u bë realitet!... Bëji gati valixhet e rezervoji biletat se nesër me avionin e parë do të kthehemi në atdhe, nga i cili u arratisa para njëzet e më shumë vitesh pa dëshirën time...

Ajo natë m’u duk e gjatë. Gjatë gjithë kohës nuk arrija të flija nga gëzimi i harlisur. Disa herë nuk besoja se atdheu ishte i lirë... O Zot, a është e mundur të shkeli në tokën e vendlindjes e të mos shoh ushtarë të huaj, i thosha vetes i ngazëllyer...

Edhe kur agoi mëngjesi dyshoja sikur ende ishte natë. Gëzimi i madh ma kishte paralizuar mendjen... Sa shpejt u bëmë gati me Matildën. Derisa e pinim kafenë e mëngjesit, e cila kishte shije të ëmbël, u dëgjua cingërima e telefonit. Njëherë s’desha ta hapi, po gruaja më tha: ndoshta të thërrasin nga shtëpia!... Para se ta hapja telefonin kisha bindje sikur do ta dëgjoja zërin e ëmbël të nënës, i cili do të ma mbu-shte shpirtin me lumturi të pakufishme. Kur e hapa telefonin, disa çaste nuk dëgjoja asnjë zë... Vëlla, thirra me zë të lartë, mos ka ndodhur ndonjë fatkeqësi që s’flet!... Zemra po më dridhej nga një parandjenjë e kobshme... Sikur edhe disa çaste të mos e dëgjoja zërin e vëllait, shpirti do të më shkëputej me rrënjë nga kraharori. Frymëmarrja kishte zënë të më çrregullohej... Alo, vëlla, dëgjova zërin e çjerrë si jehonte me ritëm të çrregullt nga telefoni sikur dikush ta nxirrte nga fundi i tokës... Shpresoj të mos jesh nisur të kthehesh në atdhe...

Disa çaste nuk isha në gjendje të besoja se zëri që e dëgjoja ishte i vërtetë. E shikova Matildën si më vështronte e nemitur...

- Jo, jo, ende nuk jam nisur!... Kam edhe një orë për t’u nisur!...

Derisa flisja zëri më dridhej, po nuk e di përse më dridhej. Kisha frikë e nuk e dija pse kisha frikë... Nga ana tjetër e telefonit vazhdoi të jehonte zëri i vëllait, i cili e mbushi hapësirën me do tinguj të kumbueshëm:

- Vëlla i dashur, mos u bëj i marrë të kthehesh në atdhe! Të lutem... Ditën që do të shkelësh në atdhe do të pendohesh pse je kthyer!...

deshi të vazhdojë edhe më tutje, po unë e ndërpreva duke i thënë: vëlla, mos je çmendur!... Si të mos kthehem në atdheun e çliruar nga armiku!...

Zëri i vëllait vazhdoi me ritëm të shpejtë: është e vërtetë që atdheu është çliruar nga armiku, po gjërat janë tepër të ngatërruara sa nuk ta merr mendja... Liria, për të cilën ëndërronim, nuk e ka shijen që e mendonim se do ta kishte... Liria ka shije të hidhur sa s’ta merr mendja... Liria ka shijen e pelinit sa njerëzit s’po kuptojnë asgjë. Shumica duken sikur janë dehur nga kjo liri... Ajo e ka humbur shkëlqimin që e kishte dhe më nuk i bën përshtypje askujt për asgjë!... Liria u fishk sikur gjethet e vjeshtës... O vëlla i dashur, dëgjo me vëmendje çfarë po të them, edhe pse e ke të vështirë të besosh se kjo është e vërtetë!... Në fillim dyshoja se vetëm unë kam frikë nga liria, po dikur u binda se shumica e njerëzve kanë frikë nga liria, e cila nuk është duke u pëlqyer fare... Njerëzit nuk po mund të ambientohen me jetën në liri, prandaj kanë zënë të tërbohen si kafshët kur dalin nga kafazi... Duke jetuar për shumë vite në vorbullën e robërisë jemi bërë robër të saj, prandaj edhe vazhdojmë të sillemi sikur edhe më tutje jemi në kthetrat e robërisë... Nuk ke ide, po njerëzit nuk po mund ta pranojnë lirinë, sepse shija e saj po u duket e hidhur pelin... Po, po, liria po na pengon në jetë!... Ajo po bëhet e rëndë për shpatullat tona... Edhe më tutje kemi frikë të flasim lirisht, të mendojnë lirisht, të ëndërrojmë lirisht... Njerëzit po i mallkojnë ata që luftuan kundër armikut, madje disa edhe po i quajnë “tradhtar”! E kemi të vështirë t’i urrejmë armiqtë që na vranë e na prenë për shumë vite!... Është e çuditshme, po njerëzit më shumë po e duan jetën në robëri sesa në liri!... Ndoshta duhet të kalojë edhe njëqind vjet që njerëzit ta kuptojnë vlerën e jetës në liri... Nuk ke ide çfarë kaosi i tmerrshëm është krijuar në atdheun tonë që vlon nga varfëria pasi erdhi liria... Njerëzit me të madhe kanë filluar të urrehen në mes veti, madje disa edhe të vriten për gjëra banale... Sigurisht e ke njohur Adilin, atë fqiun tonë, i cili për tridhjetë vjet ka punuar me ditar në dorë për të arsimuar fëmijët... Dje e gjetën të vrarë para derës së shtëpisë... Disa po thonë se e kanë linçuar me arsyetim se është shërbëtor i armikut... E keqja më e madhe është se disa më kanë njollosur edhe mua si bashkëpunëtor të armikut, prandaj ka disa ditë që nuk jam në gjendje të dal nga shtëpia... Kam frikë se një ditë do të më vrasin pa kurrfarë faji... Kam frikë se nëse kthehesh të vrasin edhe ty me akuza banale... Prandaj...

Lidhja u ndërpre!...

Disa çaste qëndrova i shtangur sikur të gjitha organet të më ishin ngurtësuar. Fjalët e vëllait edhe më tutje jehonin nëpër hapësirën e dhomës duke më goditur në kokë si një çekan i rëndë...

U shtrina në shtrat e pastaj u mundova të mendoj diçka, po mendimet nuk më krijoheshin me trajtë konkrete... E rrëmba kokën me duart që më dridhe-shin e pastaj i mbylla qepallat. Në një çast më bëhej sikur afër meje gjendej vëllai im, i cili edhe më tutje më fliste me një zë që më dukej i trilluar...

- Të lutem, mos u kthe në atdhe se të vrasin!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat