Një dasmë e kaluar

Kultura

Një dasmë e kaluar

Nga: Fatmire Duraku Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 14:15
Kopertina e librit

Dramaturg, tregimtar dhe publicist, Shaip Grabovci (1936) deri më tash ka botuar komedi, drama, tregime humoristike për të rritur, por dhe tregime të shkurtra për fëmijë, siç janë “Njerëzit me shpresa të thyera”, “Ora”, “Memoaret”, “Macja në dritare”. “Infektimi”, “Besimi i Humbur” “Frika” “Konsulli”, “Shoku i lartë” “Miu” , “Dilema” , “Princi i bukur Princi i shëmtuar”, “Tomi dhe Xherri”, Zërat nga vitrina” etj.

Dramat dhe komeditë për të rritur dhe për fëmijë të Grabovcit, si të asnjërit krijues ndër ne, për hir të temës së afërt nga ambienti ynë me njeriun e këtushëm në qendër të veprimit, për hir të realizimit kaq mjeshtëror të veprës, vazhdojnë gjithnjë të bëjnë jetë aktive në të gjitha skenat teatrore të Kosovës e më gjerë...

Komedia “Një dasmë e kaluar” e autorit Shaip Grabovci, është një pikturë e mrekullueshme nga mjedisi ynë, sot e këtu, një përshkrim i jashtëm e i brendshëm i njeriut tonë në nyjën e kohës – kalimin nga monizmi në demokraci, duke i pikasur me mjeshtri vetitë te vetat, të cilët duan të jenë ata që nuk janë. Ballafaqohen në dasmën e vajzës së Hysenit, njerëz të ish-pushtetit dhe ata, të cilët po ai pushtet i dënoi në mënyra të ndryshme; jepet një atmosferë me plot tension, me barrë të vjetra në vete, por gjithnjë mes durimit, heshtjes dhe shpërthimit. Kë duhet ftuar në dasmë, pse këtë, i cili nuk pajtohet në asnjë plan me atë, etj. Me ç` flamur duhet pritur miqtë e ri, me flamurin dyngjyrësh, apo tri ngjyrësh, më pastaj si do të vijnë ata, me hoxhë apo me prift, gjithherë në dilemë kush me cilin të ri, ç`të flasin me ta, çfarë pijesh t`u ofrojnë – shurup apo raki?... Përmes rrjedhës së ngjarjes, atmosfera e së cilës sa vjen e bëhet më e tendosur, dalin në pah thënie e kundërthëniet, mbetjet brenda vetes të mallëngjimit për të ikurën, si dhe zhgënjimet me atë që e pritnin të realizohet në demokraci. Realizohen një varg vetash me shumë mjeshtëri, një varg vetash shumë të afërt me shumicën nga ne, me hijet, apo me alter egot e tyre, të cilët i takojmë në secilin aheng, në të përditshmen tonë mes dritës e territ të përditshëm.

Me dialog të qartë, preciz, gjithnjë në funksion të komedisë apo të dramës, me një frymë, kaq të afërt, e cila sa vjen e bëhet domosdo pjesë e lexuesit të veprës, apo e shikuesit, “Një dasmë e kaluar”, paraqet njërën ndër veprat e suksesshme të autorit dhe të dramaturgjisë sonë në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat