Vargje festive

Kultura

Vargje festive

Nga: Tahir Bezhani Më: 3 janar 2023 Në ora: 08:30
Tahir Bezhani

Gëzuar!

Zgjate dorën, cakërro gotën

Ti andej bjeshkëve tretur

Unë këndej, zhytur në lumë etje

Mendimet valëviten oqeaneve

Përmes lotëve n ‘vetmi protestojnë

Kur dallgët çmenden n ‘dashuri

Të përqafoj ty...

Zgjate dorën nga larg, ”gëzuar Viti i Ri!...”

Dielli i natës po tretet zorshëm

Si i dehur eci rrugëve të vrarë ëndrrash

Pikas shikimin në fytyrën tënde,

Përqafimeve përmallshëm përkundet jeta

Atje, përtej bjeshkëve të djegura

Ngulfatet gëzimi

Gëzuar! Gëzuar!

Zgjate dorën

Dua të vdes në përqafime sonte!...

 

DYZEN KRISMASH FESTIME

Ecni u fola këmbëve pas mesnatës

Dhimbjeve ua ktheva shpinën,

Të strehuara brenda ashtit u shtrinë

Rrugëve të qytetit nuhas copa fishekzjarrësh

Të tërbuara nga kallje aventurierësh të çmendur

Të dehur nga kotësia e natës festive

Rrugicat kundërmonin në vjellje helmuese

Asnjë qen nuk takova sokakëve

Kishin futë kokën kontejnerëve

Nga krismat kishin emigruar maleve

Qielli zbukuruar me “ylber” kontrastesh

Alfabet i pashkruar dëshirash.....

E atje, atje në veri përplasje

Ulërin ariu polar me dergjen e vjetër

Ngul dhëmbët si acar...

Sërish u fola hapave të mi:

“sa më larg nga kënaqësi e hidhur!...”

Vazhdova gjumin me dhimbje ashti

krismash festive....

Gjakovë, Janar, 2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat