Një vdekje për dashurinë!

Kultura

Një vdekje për dashurinë!

Nga: I. Morina Më: 11 janar 2023 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Disa nga rastet e hetimit nga Policia e Kosovës të shumë vdekjeve opinioni mund të mos i kuptojë kurrë.

Viteve të fundit, shumë vdekje, të shënuara të dyshimta, kanë ndodhur në motele. Madje njerëz të moshuar, kanë shkuar drejt fundit të jetës, duke provuar dashurinë, qoftë me një të dashur të re, në jetën bashkëshortore apo të siguruar në ‘tregun e zi’.

Por, janë më të pashembullta rastet, kur një profesionist shëndetësor, i jep fund jetës së tij, duke provuar forcën e dashurisë.

Dashuria, dhe në shumë raste përpjekjet për kënaqësi seksuale, po kthehen në fat të zi.

Përveç, opinionit edhe familjarët, shpesh mund të mos e mësojnë kurrë të vërtetën, derisa policia vazhdon t’i mbajë mbyllur në sirtar disa nga ato dosje. Qoftë edhe me arsyetimin se mund të rëndohet gjendja e familjarëve.

Dua ta ndajë një histori, jo të largët, kur një mantelbardhë, i dhënë pas dashurisë, nuk mjaftohet nga joshja apo raporti me të dashurën dhe provon edhe ‘përforcuesit’, të njohur si stimulues.

Një mungesë kontrolli me kohë e zemrës apo edhe një situatë e papritur, dhe e tëra kthehet në fund pikëllues.

Të gjitha përpjekjet ndërmjet të dashuruarve, për të përcaktuar pikëtakimin rrodhën si mos më keq.

“E dashura qe angazhuar fort, që ta kurdiste një kujdestari. Por, çdo gjë përfundoi tragjikisht”, kishte thënë, i befasuar dhe tmerruar, ai që mësoi në lajme, për ‘vdekjen e papritur’, nga sulmi në zemër të veteranit të shëndetësisë!

Një ditë një plakë kishte komentuar: “kish dhanë shpirt tuj bo qejf, i shkreti”!

Pyetja është se nëse mjeku, përveç se ka shkelur kurorën ose jo, ai a e ka shkelur ligjin rëndë, sepse gjatë kohës së kënaqësisë, në rast emergjence, ai mund të ketë qenë jashtë ofrimit të shërbimit të detyrave, për shpëtimin e jetës së njerëzve.

Është e qartë që këto kujdestari paguhen ekstra, dhe nuk paguhen për të rrezikuar shanset për shpëtimin e jetës së atij që është i rrezikuar, qoftë të atyre që janë të shtrirë në spital, qoftë të dikujt që mund të vijë, nga pasojat aksidentale apo të përkeqësimit rastësor të shëndetit.

Këto gjëra janë përfolur me dekada se ndodhin, gjatë kujdestarive, por si duket tani kanë filluar të përfundojnë tragjikisht, nën joshjen e ‘mundësive moderne’!

Por, për dallim nga një 41 vjeçar që vdiq në spitalin e Prizrenit, pas ndihmës së ofruar, nuk dihet nëse edhe ndonjërit prej mjekëve ‘viktimave’ të viagrës apo të ndonjë stimuluesi tjetër, pat kohë dhe mundësi për ndihmë të parë.

Rasti i fundit, i raportuar nga policia është i një 41 vjeçari, për fundin e të cilit sipas njoftimit ai ka ndërruar jetë, pavarësisht ndihmës së ofruar në spital, për shkak të sulmit nga përdorimi i stimuluesve.

“Sot rreth orës 07:00 është raportuar nga Spitali Rajonal i Prizrenit që një pacient i cili ka qenë i shtrirë mashkull 41 vjeç ka ndërruar jetë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë marrë raportin e mjekut, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve. Dyshohet se ishte shtrirë në spital për shkak të përdorimit të stimuluesve”, thuhet në raportin e policisë të ditës së mërkurë.

Si duket në kërkim të rritjes së sigurisë, por edhe të ndalimit të abuzimeve në punë, ku mund të hyjnë edhe ‘shpërdorimet’ e kujdestarive, ndërmjet stafit mjekësor, spitalet në Kosovë, si ai i Pejës kanë vendosur kamera për të vëzhguar edhe ambientin e brendshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat