Disa kujtime me psikanalistin e famshëm francez Zhak Lakanin nga Skënder Sherifi

Kultura

Disa kujtime me psikanalistin e famshëm francez Zhak Lakanin nga Skënder Sherifi

Nga: Skënder Sherifi Më: 13 janar 2023 Në ora: 17:49
Jacques Lacan themelues i metodës së psikanalizës letrare

Ah, miq të nderuar, kur më rikujtohet akoma sot Jacques Lacan, më vjen për të qeshur gati me lot, sepse në fillim nuk kemi pasur asnjë element të përbashkët, por gjatë atij episodi tim aq të bukur dhe të pasur në Paris, ai njeri më ka dashur, më ka kuptuar, respektuar dhe në disa raste edhe më ka ndihmuar me këshillat e tij, gati si babë.

Ndoshta, sepse i kishte antenat e psikologut, i luhaste energjitë, misteret, heshtjet, nëntesktet e shpirtit njerëzor? M’i kuptonte konfuzionet, paradokset, shthurrjet dhe shpërthimet, guximet dhe anën aventureske, eksploruese, kuriozitetin fëminor, i pafund, i etshëm, pasionet, dëshirat e shprehura dhe të pashprehura, revoltat…

Ndoshta, pse i pëlqenin përrallat e mia të odave antike malësore, ngjarjet në kohën e Zogut, peripecitë e babait tim në Shqipëri, mistika e nënës sime shqiptaro-malazeze nga Plava dhe Gucia, rapsoditë mbi Jakup Ferrin dhe Ali Pashë Gucinë?

Ndoshta, sespe si strukturalist, pa tek unë një destrukturim marramendës, një liri të çmendur, pa ligje e korniza, pra një subjekt interesant analize… “Kush është ky i egër albanez, plot talente natyrore autodidakte, por totalisht i krisur… dhe çka bën konkretisht tek Pierre Seghersi? A është me mbretin apo me dreqin”? Kush e di? I thoja: “Shikon miku im PSI – jam me gjithkënd që m’intereson ose me askënd dhe nganjëherë, as me vetveten, se më lodh emri dhe indentiteti im”!

Por për nga babai im oficer, më ka ngelur si republikan, një simpati relative evidente mbretërore ndaj Zogut të Parë… ngaqë e ka pasur një personalitet interesant!

Më tha: “Edhe unë kam qenë dikur me mbretërinë në Rininë time dhe me Charles de Gaulle”!

Ju përgjigja: “Mos i kushton shumë rëndësi, o Jacques, sepse simpatitë vijnë dhe shkojnë, si dashuritë mbi Senën e Parisit, të kënduara nga Apolineri… në realitet nuk jam me askënd, as me vetveten, por veç me jetën, me tokën dhe me lirinë e lirë… jam në një udhëtim miku im, si eksplorues. Tani, si ish mbretëror, po ta tregoj një anekdotë: Gjatë një takimi me Hergé-në, alias Georges Rémy, krijuesi i personazhit TINTIN me famë botërore, ngaqë thoshte vetë De Gaulle, që është shumë më i njohur sesa unë… më tha autori i tij, që për librin e vizatuar me titull ‘Tintin et le sceptre d’Ottocar’ (seriali numër 8, më duket) – jam inspiruar pjesërisht nga historia e Mbretit tuaj Zog. Por sot, në Shqipërinë komuniste, zoti Lacan, mund të them që jam ‘marksist alla Groucho Marx’. Për fat të madh, më ka adoptuar Pierre Seghersi, sa për ta shijuar në maksimum këtë qytet aq magjik dhe për të takuar njerëz monumentalë dhe sublim, sikurse ti… A e di që t’i kam pas lexuar disa shkrime të botuara në vitin 1966, nëse nuk gaboj tek shtëpia parisiane, Le Seuil – dhe lexuar me kujdes gjithëçka kanë shkruar të tjerët mbi ty. Sepse, duke qenë vet në konfuzion dhe në revolucion total, me veten, me familjen dhe me gjithë dynjanë, i kisha me dhjetëra pyetje permanente, që m’u sillnin nëpër kokë, si një album i Pink Floydit apo i Led Zeppelinit – por pa asnjë përgjigje dhe dikur u shndërrova në qenie vullkanike – por nuk e kisha Ingrid Bergman, buzë Strombollit, për t’u pajtuar me të dhe me veten. Me plaçkitur banka dhe furgone me Jacques Mesrinin ose Marc Hamersin, nuk isha i talentuar… me dinamituar disa lagje me një ton tritol, m’u dukte anti-njerëzore dhe kështu vendosa për t’i lexuar rreth 200 vepra të Psikologjisë apo Psikoanalizës, si autodidakt me dy ditë shkollë, shkrim e lexim dhe një universitet jetësor, të firmosur nga Pleqtë e Malësisë. Shpalosa me vëmendje librat e Freudit, Jungut, Adlerit, Wilhem Reich, Mélanie Klein, Françoise Dolto, teoritë anti-psikiatrike dhe eksperimentalizmin në fushat psikiatrike dhe pedagogjike, me Neil, Bazaglia, Freinet, Decrolly, Montesori… vetëm për ta kuptuar sesi funksionoj unë dhe pse i kam këto nyje dhe kontradikta dhe nga më vijnë gjithë këto konfuzione dhe luhatje misterioze? Desha ta kuptoj veten, siç thoshte gjyshi im Sokrat, para se me i kuptuar të tjerët”.

“Bravo të qoftë, zoti Sherifi, eja e të përqafoj, se më ke impresionuar me këtë histori. Ke bërë një veprim të paparë dhe krejt intuitiv! Të ka udhëzuar diçka, apo jo? I ke patjetër disa antena, qysh e supozoj unë? Por me thuaj, nga të kanë ardhur? E di mirë, që ju të Ballkanit keni shumë zona të paqarta dhe e kultivoni mjegullën… bile nuk e kuptoj, pse nuk ballafaqoheni me realitetin objektiv? Kur të kesh problem, më thrret dhe eja tek unë? Se do mësoj edhe unë diçka prej teje, në këtë shkëmbim”! E shoh që ke diçka të lindur…

Okay, faleminderit zoti Lacan, por më fal, o mik, se nuk kam lekë për të paguar seanca psikologjike… dhe me i pas thënë babait tim malësorë – eja për t’u konsultuar me mua në kabinet, se ke nevojë për një kurë psikologjike – të kish ra pushkë në ballë! Do kish thënë: “a po më merr për një të çmendur, një I luajtur që nuk është në rregull”? Do e kishte përjetuar si një ofendim, diçka që e prek në nder dhe në sedër. Duhet ta dish që tek neve në Albanie, miku im, nuk e kemi as traditën, as trashëgiminë, as kulturën psikologjike, bile as filozofike në thelb. Nuk merremi fare me çështjet e shpirtit njerëzor, me variacionin e humoreve dhe konfliktet mes instinktit dhe arsyes racionale. Ne funksionojmë racionalisht dhe praktikisht si Kaubojtë dhe Pionierët e Amerikës, në materializmin ekstrem, në aventura, lojëra, bixhoze, biznese legale dhe ilegale, në grada, lekë, pushtet dhe seks. Jemi mjaft primarë dhe bazikë në fakt… Nuk i dojmë thellësitë, misteret dhe botërat e panjohura! I mbajmë problemet intime dhe shpirtërore, emocionale apo fëminore për veten tonë, si sekret absolut dhe i mbyllim dikund në sirtarin e subkoshiencës. Por, unë jam pak special dhe jashtë normave. Kam lindur ndryshe dhe me një program tjetër, të cilin ndoshta nuk e kam deshifruar akoma tamam. E kam atë damarin e artistit dhe të poetit, gati të lindur, si forcë natyrore, dhunti e Zotit.

Trashëgiminë mistike apo spirituale për nga nëna ime sufiste, e lidhur direkt me forcat qiellore, gati e diktuar nga lart… dhe karakterin burrëror apo guximin, me siguri nga babai im, i cili ka pasur sjellje shembullore në burgje dhe në situata super të komplikuara, siç kanë dëshmuar të gjithë shokët e tij.

Por, mua vetë, më ka shërbyer dhe ndihmuar shumë psikologjia dhe psikanaliza. Dhe e di, që ti je sot një lider në këtë fushë, një referencë madhore për Parisin. Por nuk mund të paguaj, o zotëri… Terapia e ime, ka qenë penda, arti, kultura dhe femrat, macat, vera franceze ose peizhazhet, apo më kupton. Nuk jam as unë vetë si amerikanët, për ta mësy psikanalistin e tyre, për një po ose jo, për një pordhë”!

Dhe ti je sikurse Freud-i, në VIENË – qëllimisht i shtrenjtë… pra, merru me borgjezet e pasura dhe unë po merrem me jetën dhe me poezinë, me esencën e gjërave!

Eja tek unë kur të duash dhe pa problem dhe do flasim mbi eksperiencat tona respektive, mbi aktualitetin kulturor dhe do shohim se çka do ndodhë?

Okay, faleminderit i dashur Jacques!

Më kujtohet ajo banesa e tij luksoze, në numrin 5, rue de Lille, nga Parisi 7, nëse nuk gaboj, me një derë të madhe, mes blu turkuazës elektrike të mbyllur dhe të gjelbrës, e harkuar dhe mjaft e gjerë, në atë lagje super të qetë parisiane dhe më vonë në rue d’Assas, në Paris-in, 6 – aty, ku ka vdekur në vitin 1981, disa muaj pas arritjes së zotit François Mitterand në pushtet, në maj 1981, si Presidenti i parë, i së majtës franceze pas disa dekadave regjime të djathta. Me një qeveri të koalizuar brenda një lloj programi të përbashkët socialo-komunist dhe me 4 ministra bolshevikë në qeveri.

Ishte një revolucion politik i paparë në mes të Europës Perëndimore! Pak kush mund ta imagjinon shqetësimin ndaj asaj situate politike në kancelaritë evropiane të BE-së dhe aq më tepër në Washington – ku Amerika ishte në prag të krizës nervore.

Bile agjencitë e shërbimeve amerikane – CIA – NSA, etj, siç bëjnë rregullisht me ata dhjetëra mijë funksionarë që punojnë për ta, për çdo ditë, duke hartuar plane dhe skenare për të gjitha shtetet e botës dhe duke i depozuar si dokumente apo dosje top sekret nëpër arkivat e tyre… e kishin pas programuar si plan, një invadim ushtarak masiv të Francës, për ta rrëzuar qeverinë socialo-komuniste, me idenë që do e sjellin Rusinë armike në zemër të NATO-s, të cilin plan, ja kishin detajuar me gojë edhe Presidentit Ronald Reagan. Pastaj, nën presion maksimal, u detyrua Presidenti francez Mitterrandi, me shkuar për një vizitë sqarimi ekspres në Washington, sa për ta garantuar Amerikën, mbi besnikërinë e vijës politike franceze ndaj Aleancës Atlantike. Ndërsa, nëna ime Xhevahire Sadria, ishte lutur disa muaj për fitoren e tij në Elizé dhe ndezur 12 qiri dhe e kemi pas festuar me mjaft entuziazëm në Bruksel, ardhjen e tij në pushtet, të ushqyer me ëndrrat dhe iluzionet tona për drejtësi dhe barazi. Ja postova një letër, shoqëruar me një libër me poezi, “Dikund Dikush” dhe na ktheu përgjigjen shkurtimisht duke thënë – “Zoti Sherifi, falënderojeni nënën tuaj për lutjet që i ka bërë për mua, të cilat më kanë ndihmuar me siguri, ndërsa ju jeni i dyti autor shqiptarë, të cilin e kam lexuar, pas Ismail Kadaresë dhe mund të them që jeni një poet origjinal. Me respekt dhe përzemërsisht. François Mitterrand”.

Ja tregova atë karton me shkrimin e tij nënës Xhevahire dhe u gëzua shumë, duke më thënë – a po e sheh, nuk na ka harruar… qenka me të vërtetë njeri i mirë! Kurse pas një jave, më erdhi një mik i ngushtë francez nga regjioni Cognac, ku prodhohet pikërisht konjaku francez dhe ku mbahet sot Festivali Internacional i Filmit Policor, zoti Fernand Radar, një poliglot që i fliste 12 gjuhë, deri edhe në magjarishtën dhe danishtën, islandishtën, portugalishten, të cilat janë mjaft të komplikuara. Qëndroi për darkë… dhe na tha, që jam gjenealogjikisht i afërt me Jeronim de Rada, sepse, e kam bërë lisin apo trungun tim me seriozitet, e jo sikurse ju, që nuk e dini kush është gjyshi apo stërgjyshi juaj, e mos të flasim pastaj për Historinë e Kombit.

Dhe zonja Xhevahire – mos u entuziazmoni fare për fitoren e Mitterrand-it, se ka për t’iu dalur shumë shpejt për hundësh, ty dhe sidomos vetë francezëve, sepse është një makiavelist, manipulator i paparë, një personalitet i paqartë me 10 maska, të cilit do ia shihni tymin dhe fytyrën e vërtetë më vonë! Mbajeni mirë në mend, se çka po ju them! Dhe gati ashtu na doli! Por më ftoi 2-3 muaj pas, për ta festuar 14 korrikun, si shenjë kortezie dhe më ndodhi një gjë komplet surrealiste, e cila e do një përshkrim special. Në vend se me thënë 30 sekonda: “rroftë festa dhe ta pimë një gotë shampanje për shëndetin tuaj dhe suksesin e Francës” dhe mirë u pafshim… u shndërrova jashtë çdo logjike dhe parashikimi si avokat amator, i improvizuar, i çështjes së Kosovës nën syrin e gjithë të ftuarve, që ngelën sy çelur, e gojë hapur. Mirëpo, humbën mendtë, humbën dhentë me tha një plak buzë Valbonës… le t’i rikthemi sa më shpejt me avion low coast, RYANAIR, Jacques Lacan-it.

Qysh dhe pse ky person e ka tundur për 30 vite të gjithë psikanalizën franceze? Ka qenë në epiqendrën e të gjitha debateve mbi këtë fushë, ka qenë profesor, yll, maestro, guru absolut dhe çdo eveniment madhor që është lidhur me atë shkencë të Psikologjisë në Francë, është sillur direkt apo indirekt rreth personit të tij… dhe dikur ka ardhur puna deri ku iu është dashur njerëzve për të zgjedhur: a jeni në favor të Lacanit apo kundër Lacanit… kush e do Maestron dhe kush e urren? Aq shumë ka pasur sukses dhe ndikim, në opinionin francez dhe në rrethet intelektuale dhe shkencore, kontributi i tij si Psikanalist. Me një fjalë, ose i ka mahnitur njerëzit, ose i ka irrituar në maksimum! Nuk mund ta imagjinoni sot, se sa sukses kanë pasur ligjëratat e tij, konferencat, seminaret nëpër salla hoteli luksi, apo universitete. Shkonin si me e takuar një rock star, një aktor të njohur apo një këngëtar, njerëz që vinin si fansa absolut të Kryemjeshtrit. Shpeshherë, edhe nuk i zinte as salla, apo auditoriumi dhe qëndronin njerëzit në këmbë, të ulur në tokë, apo nëpër shkallë. Kurse sot, mezi presin për të dalur jashtë kursit, duke e shikuar 10 herë orën!

Më kujtohet një herë, në Sorbonë gjatë një ligjërate, si provokim duke e ditur që isha aty në sallë, i tha një studenteje që ia bëri një pyetje precize – «Pyete zotin Sherifi, miku im poet, që na ka ardhur nga Albania”! I thashë vetes: – “a me ja hedhur një gotë ujë në fytyrë, apo me qeshur…»? Por erdhën më vonë disa studentë për të më pyetur mua për disa sqarime mbi teoritë lacaniane. Ju thashë, që nuk marr vesh asgjë, ngaqë nuk jam specialist i asaj punë… por unë, e kam kuptuar kështu për veten time, nëse ju hyn juve në punë. Dhe pas seancës, isha pak i nervozuar dhe më tha Lacani: – Po çka ke, o mik, të kanë kapur prapë mjegullat ballkanike… eja tek unë, a mos do rivish përsëri në veti!

E kam pas trajtuar këtë temë me Angjelopoulosin, por më tha që nuk ka zgjidhje.

E dojmë mjegullën, pa qartësinë, se pastaj mund t’i krijojmë përrallat tona për qejfin tonë dhe mitet që na pëlqejnë dhe ushqejnë ne dhe mund t’i përdorim si kartëvizitë kundër të tjerëve. Ti e a kupton, që ne nuk na intereson fare e vërteta! Sepse, na frikëson, nuk na konvenon, na nxjerr komplet nudo dhe pa asgjë solide për t’u kapur. Ndërsa në mjegulla, jemi Ujku, me shpresën a mos do kapim diçka rastësisht dhe pos asaj, na punon imagjinata për të shpikur legjenda. Se monstri i Loch Nesit paraqitet në mjegullat e Skocisë, por jo nën qiellin blu mesdhetar të ishullit Santorin apo Rodos. A je dakort? Pra, aty ku nuk ka histori të konfirmuar shk3ncërisht përmes fakteve objektive dhe dokumenteve arkivore, ka për ta mbuluar atë zbrazëti tragjike, vetëm me Mite dhe Legjenda. Mirëpo, e keqja është që dikur vjen dikush dhe të thotë “përralla ime është më e mirë, më e vjetër, më e vërtetë sesa përralla jote dhe ka përparësi…” dhe në vend se me qëndruar në fushën puro-artistike apo kulturore, kalon përmes një perversioni të qëllimshëm, në fushën politike apo propagandistike dhe aty pastaj, çdo devijim apo katastrofë është e mundshme, siç e kemi verifikuar me shekuj tek ne, nëpër Ballkan. Waou, miku im greko-frankofon: çfarë leksioni me disa fjalë dhe me filmat e tu sublim, plot finesë, thellësi, vërtetësi dhe inteligjencë. Të falënderoj për ketë leksion aq brilant!

Shkova tek Lacani, mora një ujë dhe një verë… më tha, shtriju këtu në kolltuk dhe fol mbi mjegullat tua, konfuzionet, humorin e momentit, atë çka të vjen spontanisht!

Më drejtoj minimalisht me disa fjalë, më tepër me pyetje dhe nën pyetje. Dhe dikur e pava që u qetësova dhe m’u ribmushën bateritë dhe fillova për të qeshur.

Më tha: – a e ndie tani vetën më mirë, Sherif? Po, me siguri, thank you Lacan ose Satan, a mos je magjistar? – Jo, jam shkencëtar! – Po, si Zulo shkencëtari, i cili ju thoshte fshatarëve shqiptarë nëpër bjeshkë – «nëna e Mushkut është Gomari»!

– Me të vërtetë, je një rast limit, por edhe komik, e kjo të shpëton! Më tha Zhaku…

 

A po e sheh fuqinë e fjalës, ti mik ? Fjala e përcakton subkoshiencën dhe është çelësi i saj … mbaje mirë në mend dhe ua thua gjithë albanezëve.

Po, po, e ke me të drejtë! Do ua them dikur… kur të mbrri Elon Muski në Mars. Kur të zhduket raporti njerëzor mbi tokë dhe kënga e zogut të fundit…

A e di që do i kisha marrë deri në 250 euro, vetëm për këtë konsultë?

Po, e kuptoj, sepse ta paguajnë emrin! Dhe borgjezët janë pak edhe snobë… Si me e marrur unë për qejf dhe për show Henri Kisingerin si këshilltar politik, apo një avokat super të famshëm, tipa që e kanë 1000 dollarë mos më tepër orën, vetëm me u ulur në zyrën e tyre, të duket si privilegj i rrallë. Me pas qenë në Tropojë tek ne në fshat: do të kisha paguar me një tepsi pite me kunguj, një pulë, një lepur, një kilogram kafe apo sheqer, një thes me gështenjë apo me arra… kaq janë mundësitë tona, miku im!

– Ha… ha… ha… je unik dhe po më pëlqen jashtë mase si tip. Eja e të përqafoj!

Nuk kam pa personazhe si ti në krejt Paris – ke diçka tjetër si brumë… mister. Porse, je i vetmi që më bën për të qeshur dhe më nxjerr nga rutina e përditshme. Pos, asaj, edhe më pasuron me surprizat e tua… ke diçka surrealiste, por tek ti kanë funksionuar porositë dhe transmetimet. Do të thotë, që ke rrënjë dhe memorie, ndërsa jemi në një epokë, e cila prodhon vetëm amnezi. Kjo është forca jote dhe mbi këtë shtyllë solide, e gëzon gjithë atë liri për të luajtur siç të duash me elementet. Besoj, që kam filluar pak me të kuptuar!

Mirë e ke zoti Lacan, jam dakord në parim, por formulën alkimike, sekretet e kuzhinës sime intime shpirtërore, do i mbaj për veti, nëse nuk të pengon. Po e shtoj që i kemi disa miq apo të njohur të përbashkët në Paris – si për shembull Michel Leiris, Balthus, Pierre Klossowskin, Simonën, e tjerë… Edhe mua personalisht, më ka pëlqyer antikonformizmi yt dhe gjithë ai kuriozitet që ke pasur në jetë, ndaj botërave dhe fushave, të cilat nuk i ke pas njohur më parë… Dhe për mua, kjo të ka bërë super interesant dhe tepër origjinal. Sepse, dikur ke shpikur diçka tënden me gjithë këto elemente. Ke qenë, sikurse unë në poezi, një farë blete: ke huazuar kudo dhe e ke bërë tendën, e ke bluar perfekt dhe e ke lidhur me çka ke dashtë për të shprehur.

Ka ndodhur disa herë, që jam shtrirë për qejfin tim tek Jacques Lacani, gati si t’ishte një lojë fillimisht, një ritual mes nesh, për një seancë psikanalize të improvizuar, krejt cool dhe pa protokoll, porse e kam ndier veten më mirë. Një farë çlirimi dhe çlodhje mendore, shpirtërore, e nevojshme. Dhe e kuptova që e ka ajo punë, një sens të thellë dhe që nuk është vetëm cirkus dhe teatrologji. Porse duhet me qenë e menaxhuar nga një mjeshtër i vërtetë, e jo një sharlatan, apo një pseudo-doktor i Psikologjisë, me një diplomë të blerë në Tiranë, si djali i Finit, i qeverisë italiane. Një terapi përmes fjalëve me një mësues gjenial të madh. Si një rrëfim tek Frati, apo tek një Plak në odë. Sinqerisht, kur e mendoj sot, me famën që kishte ai Njeri në Paris, ishte për mua, një privilegj madhor, gati i paparë. Imagjinojeni në një film të Bergmanit: një malësor i psikanalizuar nga zoti Lacan, psikanalisti më i famshëm i Francës dhe ndoshta edhe i Europës gjatë 30 viteve, po themi prej 1945 e deri në 1980 afërsisht.

A nuk është kjo një eksperiencë e rrallë dhe një përjetim unik, për një shqiptar? Shyqyr që nuk më kanë pa prindërit, se do kishin thirrë një Hoxhë apo një Prift, për të më rikthyer në rrugën e zotit, ose do e kishin telefonuar William Friedkinin, për të ma sjellur ekzorcistin Max von Sidow tek shtëpia, e rrethuar me hudhra tek oborri dhe dera. Ha… ha… ha… Motor! Action!

Mirëpo tani, më duhet për t’ua prezantuar pak më mirë bashkatdhetarëve të mi, se kush ka qenë saktësisht Jacques Lacan, cili ka qenë kontributi i tij në Francë, çfarë roli ka luajtur, pse ka qenë një figurë qendrore, e rëndësishme dhe referenciale e psikoanalizës franceze? Unë mendoj sot, që një pjesë e jetës është shkruar, e programuar dikund nga lart, ndërsa pjesa tjetër është e zgjedhur lirisht nga ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat