Oqean ndjenjash, emocionesh dhe ideshë

Kultura

Oqean ndjenjash, emocionesh dhe ideshë

Nga: Baki Ymeri Më: 14 janar 2023 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Remzi Basha është një oqean ndjenjash, emocionesh dhe ideshë. Në vargjet e tij ballafaqohemi me vullnet, vitalitet, realitet dhe origjinalitet. Fjalët e Remziut janë si një felinar drite, ndërsa në poezitë e tij defilon universi i arrdhmërisë, bota e ndjeshmërisë, drita e dashurisë dhe fjalori i mençurisë: Unë i dehur dhe ti e çmendur/ Do të mbesim bashkë një poezi/ Duke bërtitur me zë të trembur/ Kush do të na çojë në shtëpi? (Të dehur me dashuri). Poezitë e autorit dëshmojnë se para nesh kemi një ëndërrimtar të talentuar dhe të lindur me shpirt të florinjtë. Çdo mendim, çdo ide dhe çdo ndjenjë e poetit lidhet me një sistem lirik dhe funksion artistik.

Poezia është testament sentimentesh letare, kurse shpirti është shkenca e shkencave. Autori që jeton dhe krijon në brigjet e Skandinavisë, shkruan për jetën, për prindërit, për të afërmit, për dashurinë, për botën dhe për shpirtin.Atdheu, natyra, pranvera dhe lumturia kanë një erë të këndshme që e përshkojnë dheun. Ato janë si uji, dielli dhe mendimi. Remziu na dhuron vargje magjike që dëshmojnë se bota gjithmonë është e etshme për lumturi dhe dashuri. Ka apo nuk ka ndonjë forcëmë madhështore se sa fuqia magjike e fjalëve dhe forca e dashurisë?: Ti je buzëqeshja ime/ E bukur, e ëmbël/ Idilike, romantike/ Ekzotike e fantastike.(Valët e dashurisë)

Vargjet magjike shëmbëllejnë me zanat e malit dhe muzat e poetit. Vargjet e poetit kërkojnë zana, muza, të shenjtër dhe martirë, të parë jo vetëm si do relikte për përkushtim. Duke deshifruar vargjet e tij, kuptojmë se familja, nderi, besa dhe atdheu qëndrojnë mbi të gjitha. E shkuara fillon nesër kurse ardhmëria ka nisur dje! Në vargjet e poetit fshihet pavdekësia. Herë pas here, krijon përshtypjen se jemi në shpellën e ëndrrave të bardha. Poezia është rrëfimi më i vjetër dhe më i përsosur, prekja më e çiltërt e shpirtit njerëzor nga madhështia dhe pasuria e pakufishme e botës. Muzën e poezisë, autori i kësaj vepre din ta afrojë me pasion, porsi një dhuratë hyjnore. Poezia e Remzi Bashës është një art i jashtëzakonshëm. Kur flet për dashurinë, forca e fjalëve të tij është emocionale, sentimentale dhe e papërshkrueshme.

Poezia e madhe lind nga ide të mëdha, nga sentimente dhe nga faktet e njerëzve që e ndërtojnë jetën. Ëndërrimet, frymëzimet, imagjinata, ndjenjat, risitë dhe metaforat janë instrumente të domosdoshme për poetin dhe poezinë. Kush nuk din t’i transformojë idetë në përfytyrime, ai nuk është poet. Poezia lind jo kur duam ne, por kur don ajo. Remziu e kupton jetën si një mrekulli, e jo si një njohje. Poezia e disa poetëve fillon të jetojë pas vdekjes së tyre, kurse e të tjerëve vdes para pensionimit të tyre. Poeti na dhuron edhe vjersha të ndara në strofa me nga katër vargje. Më të preferueshme janë poezitë e shkurta ku me pak fjalë thuhet shumë, se sa poezitë e gjata që konsiderohen si do “çarshafë sentimentesh letrare”. Pa alegori nuk ekziston poezi. Rima nuk është mëkati i parë i poetit. Filozofi mund të mos jetë poet, por një poet duhet të jetë para së gjithash një mendimtar.

Nga Remzi Basha kuptojmë se arti i vërtetë është ëndërr dhe shpresë për një jetë më të mirë. Krijuesit e vërtetë lexojnë shumë, me sinqeritet dhe me seriozitet. Arti është pronë e autorit dhe realitetit, e vetmja pasuri e një populli që nuk mund të degdiset. Shëndeti, atdheu dhe familja mbi të gjitha.Suksesi krijohet me punë dhe sakrifica. Vlen të ripërkujtojmë faktin se investimi më i madh vjen nga shpirti. Ekziston nevoja për mendime të shëndetshme ku shndrit guximi dhe forca e mendimit. Në artin e përjetimit të jetës triumfojnë guximtarët e jo përtacët apo sharlatanët. Për t’u bërë i pavdekshëm në këtë rrugë magjike të shpirtit, duhet të joshish lexuesin me fjalë të theshta, me ndjenja dhe metafora të qëlluara, me plot substancë dhe sugjestione. Si e përshkruan dikush bukurinë e femrës që të bën poet? “Ajo ishte një femër që ua kishte rrëmbyer luleve erën e mirë, yjeve dashurinë, maleve bulbërinë, zogjve dhe lumenjve këngën, diellit zjarrin. Dielli e kishte ruajtur zjarrin për gjoksin e saj.”

Duke shfletuar librin më të ri të Remzi Bashës ballafaqohemi me mendimin për t’ia ripërkujtuar lexuesit se Shqipëria është nëna jonë. Mendimi i lirë, as nuk blihet e as nuk shitet. Mendimi i lirë është vullneti dhe dashuria, që burojnë nga shpirti e rrjedhin nga zemra. Autori i kësaj vepre është një zjarr i bekuar që digjet për Shqipërinë e bashkuar. Nuk është as Pjetër Budi, as Pjetër Bogdani dhe as Shën Pjetri, por Remzi Basha që ta përkujton Pjetrin e Shenjtë që e mbante një shkop në dorë, duke lëvizur herë në Shqipëri, e herë në Kosovë. Poeti ynë e çmon veprimin energjik të bashkatdhetarëve tanë që digjen për Atdheun dhe familjen. Duke lëçitur vargjet e tij, kuptojmë se ende nuk janë shuar shembujt e shenjtë të rilindësve tanë.

Remzi Basha është një rast unik që ta përkujton vrrullin e pashoq të ikonave të shpirtit tonë që militojnë vazhdimisht për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në mërgim. Kjo vepër reflekton artistikisht ndjeshmërinë lirike dhe patriotike të një poeti të lindur për dashuri dhe atdhedashuri. Koha është një dhuratë e atillë që kërkon rifreskimin e memorjes sonë për ta njohur të shkuarën tonë, që nga Janina e deri në Prishtinë, pa e harruar Çamërinë, Luginën e Preshevës, Malësinë e Madhe dhe Kosovën Jugore që përkufizohet me Manastirin shqiptar të Shën Naumit dhe ujërat e Prespës.

Remzi Basha ulind në Kosovë dhe ka emigruar në Malmo të Suedisë, pa e harruar atdheun, atje ku jeton dhe vepron, gjithmonë në shërbim të artit poetik dhe atdheut magjik.As që ka nevojë të flasim më shumë për këtë njeri të mrekullueshëm, sepse në veprën e tij flet vullneti dhe flasin ndjenjat dhe shpirti që flet shqip, që digjet për vendlindjen, për familjarët, për farefisin dhe për atdheun e tij. Remziu është njëri nga poetët e rrallë të diasporës shqiptare që i justifikon shkrimet me një sensibilitet të sinqertë, duke e stolisur vargun me figura stilistike, siç e kërkon poezia e mirëfilltë.

Në vargjet e R. Bashës zotërojnë subjekte të veçanta lirike, morale dhe patriotike. Ai ëndërron që Kosova të bashkohet me nanën Shqipni.Impresionuese është mënyra se si i qëndis vargjet, pa shenja pikësimi, ngase shenjat e pikësimit janë bariera, kurse poezia dhe shpirti nuk kanë nevojë për bariera. Poezia është një ligj i shenjtë i metafizikës për të mbetur i pavdekshëm. Autori është i vetëdijshëm se poezia moderne ka nevojë për hapje horizontesh të mëdha, për ngjitje në qiejt e frymëzimit dhe zbritje deri në zemër të dheut, për shndërrimin e fjalëve në një thesar të artë ku zotërojnë ide të reja, të mbrujtura me ëndërrime, përfytyrime, me metafora, me ndjenja, me risi dhe me porosi.

Misioni i vargut të Remziut, herë pas here reflekton horizontet e vendlindjes me rrënje të thella dhe degë të vrrullshme. Motivet e frymëzimit notojnë mes afirmimit të mirësisë sonë dhe fshikullimit të ligësisë. Poezia shëmbëllen me një vullkan për shpërthim ndjenjash e përjetimesh. Ajo i çliron fshehtësitë duke zbuluar muzgun ku dashuria shndërrohet në një forcë të gjallë, që zotëron mbi qytete e vende. Autorin e kësaj vepre e gjejmë duke rendur deri në perandorinë e zogjve, atje ku liria është e garantuar. Nga shkëlqimet e shpirtit dhe të mendjes, të prejardhura nga një shqetësim që predisponon mendimin e gjerë, kuptojmë se frymëzimet vijnë dhe e bekojnë esencën humane.

Remzi Basha është një shqiponjë e lirë që e zbulon vetëveten në përjetimet më të thella që mund të shoqërojnë polarizimin e kuptimeve dhe formave të qenësishme, por edhe të veçanta, të ekzistencës. Fjala është për ata që shpesherë e kanë vështirë për t’u vërejtur, josepse do të qëndronin të fshehura, por sepse të duhet njëfrymë e veçantë për të arritur deri te ta. Me këtë rast mund të kuptojmë se ky është një nga kuptimet e arritjes sëabsolutes.

Mëimpresionon qëndrimi stilistik, intencioni i dyfishtë i diskursit poetik dhe çështja e stilit. Poeti ka një përjetim të përgjegjshëm, një mahnitje të paharrueshme, duke kaluar hap pas hapi, deri te pika kulminante e emocionit më të fuqishëm.Kështusoj e shoh poetin e diasporës shqiptare, pa e njohur personalisht, veçse nga prizmi shumëdimensional i personalitetit të tij të refletuar në shtjellën e një poezie të veçantë, të bukur dhe mbresëlënëse. Nga një poezi në tjetrën, vërejmë se Remziu ka një kërcim me vlerë dhe kjo është e shkëlqyeshme. Me vargjet e tij kuptojmë se ai është një zë lirik origjinal që mund të fitojë një vend të merituar në bibliotekën e ndjenjave letrare dhe atdhetare të letërsisë së sotme shqiptare.

Gruaja është një fenomen hyjnor

Dashuria është art dhe arti është produkti më fisnik i shpirtit. Ishujt me gra të bukura janë si shpirti. Femra është një bukuri artistike për burrin që mendon metafizikisht. Është një histori e përjetshme dhe një dilemë e përhershme, një përzierje e çuditshme në krijimin e Zotit. Zoti e krijoi gruan për të ngushëlluar vetminë e burrit në botë. Sipas kulturës indiane, gruaja është një përzierje e bimëve, kafshëve, yjeve, zogjve, stinëve dhe borës. Është një fuqi misterioze që ruan ekuilibrin dhe përfaqëson fuqinë e botës. Të gjitha dyshimet që fshihen në shpirtin e burrit e kthejnë gruan në një enigmë të përhershme.

Gruaja krahasohet me një legjendë në të cilën fshihen të gjitha tiparet pozitive dhe negative, përmes së cilës krijohet një fuqi magjike, e aftë për të lëvizur malet. Duke deshifruar kuptimin e frymëzimeve të këtij autori, mësojmë se drita e tyre e vetme është dashuria. Dashuria i bën shpirtrat të flasin me engjëjt. Nga vargjet e Remzi Bashës kuptojmë se gruaja është zëri i zemrës, kënga e shpirtit dhe e krijesa më e zgjedhur nga Zoti. Me të ndihemi si do engjëj. Trupi i saj nën vërshimin e puthjeve tona bëhet një pyll dredhëzash dhe në qiellin e saj zbulojmë mrekullinë e qenies. Çfarë di dashuria për dashurinë dhe rëndësinë e rrugës që të çon në Parajsë? Cila është rruga e zemrës?

Dashuria është një rreze dielli që depërton në gjak. Ajo vjen si një këngë që pëshpërit: Dua të të ndjej! Gruaja është si një poezi që përfshin të gjitha shqisat reale dhe imagjinative. Qielli i saj është një diamant që digjet përmes artit të puthjes. Ajo është krenaria jonë, burimi i dëshirave tona, një flakë e gjallë, e re, e bukur dhe epshore. Nëse do të jetosh gjatë dhe mirë, kaloje gjithë kohën mes grave! Cili është mallkimi i mosbesimit tonë? Si mund ta ndjejmë më mirë fuqinë e gruas për ta shoqëruar në rrugën e jetës? Fuqia e vërtetë nuk është tek meshkujt, por tek femrat. Tek burrat, është vetëm një manifestim i theksuar nga forca fizike.

Thonë se gruaja është engjëll dhe demon, dritë dhe gënjeshtër! Krenaria jonë është një dhuratë hyjnore që e ngrejmë në parajsë. Gruaja është mbretëresha e zemrës sonë. Aty ku fuqitë negative qëndrojnë përmbi vlerat pozitive, gruaja di t'i qetësojë dhe t'i bëjë të aftë të veprojnë për të përmirësuar marrëdhëniet në familje dhe shoqëri. Thonë se gruaja pa burrë është si kali pa fre. Për ne, për ju dhe për shqiptarin e vërtetë, gruaja është një fjalë aq e ëmbël sa që edhe njeriu më i egër e qetëson dhe e bën të urtë.

Sipas poetit, gruaja është gjuha e shpirtit, imazhi i zjarrit, zjarri i ëmbël, dallga e zjarrtë, vuajtja në heshtje, malli për jetën, torturë dhe perëndeshë me shpirt drite. Gruaja është simbolika e ëndrrave tona, bukuria, gëzimi, besnikëria dhe paqëndrueshmëria. Ajo është malli dhe dhurata e dhimbjes së një diamanti të lulëzuar. Trupi i saj është një rrjedhë drite që ndjen çdo prekje. Çastet e kaluara me të bëhen një libër që të mëson të shijosh jetën. Gruaja është një lule që shpaloset me prekjen e ndjenjave tona.

Ne jetojmë vetëm për të! Me të mund të fluturojmë, duke i kthyer fjalët në krahë drite. Gruaja është zjarr me shpirt fëmijësh kurse ne marrim frymë përmes saj duke luajtur me zjarrin. Gruaja është një dritë e ëmbël, një zjarr i pashueshëm, një rehati me shpirt prej mjalti. Ajo është dhurata e Zotit që gjithmonë e pyesim: A je më i vjetër se pyetjet e mia? Autori i këtij vëllimi nuk pyet, por ndjen. Ai është njëri nga poetët e mërgimit shqiptar i cili vjen me mbi 70 vëllime poetike në gjirin e disaporës sonë. (Baki Ymeri, Bukuresht, 2023)

VALËT E DASHURISË

Ti je buzëqeshja ime

E bukur, e ëmbël

Idilike, romantike

Ekzotike e fantastike.

Zana ime vjen nga retë

Me etjen për përjetësi

Në detin e urtë e të qetë

Ajo shkëlqen mes yjeve

Kur valët bien në gjumin

E mendimeve të mia.

Kur s’ka diell ka hënë

Një pasqyrë mes ujërave

Aty ku zëri im psherëtin

Se kemi shkuar shumë larg.

TË DEHUR ME DASHURI

Kush pat thënë vallë se

Nëse qielli do të më kërkojë

Brenda pranisë tënde

Të mbushur me mijëra yje

Fatin miliona vjet do ta bekoj

Që më fali Ty si dritën e syve.

Unë i dehur dhe ti e çmendur

Do të mbesim bashkë një poezi

Duke bërtitur me zë të trembur

Kush do të na çojë në shtëpi?

Nëse qielli nuk do të na dëgjojë

Do të zgjohemi si engjëj në kllapi

Dikush me siguri do të na kuptojë

Se u dehëm në qytetin me dashuri.

SHPIRTI IM

Në qiell disa re të zeza.

Pikat e mbushin detin.

Si një pulëbardhë n’fluturim,

Eja moj zanë në shpirtin tim!

Zemra po e ndjen thirrjen!

Pikat e ftohta të shiut,

Të dorëzuara nga era.

Shuaje mallin, mos m’u largo

Se shpirti im vetëm ty të do!

Stuhia në detin e qetë,

Duket nga askund një erë,

Aty ku më thërret zëri yt

Unë jam i dehur si një verë!

2

Valë të bardha, të zemëruara

Pa mëshirë e goditën anijen.

Buzëqeshin kujtime të bukura

Kurse unë unë po i qetësoj.

Dëgjohet zëri i detit

Dhe më thuaj ngadalë.

Në fytyrën tënde të ëmbël

Po digjet një lot përmallimi!

3

Nga shkuma e bardhë e detit

E veshur me re të bardha.

Shkëlqen në dritën e natës

Ti dukesh më e bukur

Me buzëqeshjet e valës!

Unë të shikoj me habi, çudi!

Kur buzët e mia të puthin ty

Dhe zgjohem në një botë tjetër

Pa harruar të ta jap një letër!

Ti je zëri im i detit të qetë

Je shkëlqimi i reve me jetë!

Lulet krenohen me bardhësi

Dhe agimi për ne lind përsëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat